ATV

Tag: PDK

  • Opozita kërkon anulimin e vendimit për faljen e 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

    Opozita kërkon anulimin e vendimit për faljen e 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

    Edhe një herë opozita nuk po pajtohet me vendime të Qeverisë.

    Pas vendimit për rritjen e çmimit të faturave për tatim në pronë e më pas faljes nga 100 euro për këtë vit për tatimpaguesit, opozita kërkon anulim.

    Deputeti Ferat Shala thotë se pagesa për tatim pronë duhet të vazhdojë pa ndryshme meqë nuk është e qartë si është bërë vlerësimi.

    Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se është e paarsyeshme rritja e faturave të tatimit në pronë e më pas falja e 100 eurove.

    Muaji prill është afati i fundit për pagesë për këstin e parë të tatimit në pronë, ndryshe pësojnë gjobat derisa vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet. /atvlive.tv

  • A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në seancën e sotme ka ndryshuar karrigen në Kuvendin e Kosovës. Ai është ulur pranë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Ky veprim i Pacollit nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat, ku në disa prej tyre edhe janë hedhur dyshime se ai mund t’i jetë bashkuar PDK-së, mirëpo asgjë nuk ishte e konfirmuar.

    Lidhur me këtë veprim të Pacollit ka folur deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

    Ai në emisionin CONTEXT në ATV ka mohuar se Pacolli i është bashkuar PDK-së, ndërsa thotë se ka qenë vetëm një bisedë miqësore dhe asgjë më shumë.

    “Absolut jo. Unë dhe zotëri Reçica kemi komunikuar me të dhe i thamë a po vjen tek ne bisedojmë, me që baca Behgjet është me ramazan. Erdhi tek ne në tavolinë dhe biseduam, Mund ta kenë parë të tjerët, por biseda ka qenë miqësore”, tha Hoxhaj. /atvlive.tv

  • Nikaj: Gjendja në veri të Kosovës është e jashtëzakonshme

    Nikaj: Gjendja në veri të Kosovës është e jashtëzakonshme

    Sekretari i PDK-së dhe ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, në një intervistë dhënë në emisionin DIREKT në ATV, duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në veri të vendit më datën 23 prill, ka thënë se këto zgjedhje po mbahen në një situatë e cila mbetet e jashtëzakonshme.

    “Ne si PDK kemi qenë ndër të parët që i kemi regjistruar kandidatët dhe kemi shprehur gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri, kurdo që ato të organizohen. Sa na përket neve si parti, vazhdojmë të jemi të përkushtuar për mbajtje të zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet për to. Kjo pjesa tjetër është ende e paqartë, por unë shpresoj që zgjedhjet do të mbahen me datën 23. Zgjedhjet do të jenë të lira edhe pse prapë se prapë, këto zgjedhje po mbahen në një situatë e cila mbetet e jashtëzakonshme”, tha Nikaj.

    Ai tha se ideja e mbajtjes së zgjedhjeve është që të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë komuniteteve që jetojnë në veri të vendit.

    “Medoemos edhe shtyrja e zgjedhjeve nga presidentja në dhjetor, për muajin prill është bërë që sigurohen zgjedhje të cilat janë jo vetëm ligjore, por edhe legjitime. Ne po hyjmë në një periudhë ku jemi afër zgjedhjeve dhe këtu po ka shumë paqartësi e posaçërisht kur ka shumë paqartësi sa i përket sigurisë së mbajtjes së zgjedhjeve, lokacionet e mbajtjes së tyre dhe mundësisë që kryetarët të votojnë të lirë dhe të papenguar”, tha Nikaj.

    Ai tha se ka kohë që PDK ka paralajmëruar institucionet që situata e sigurisë në veri po rrëshqet nga normaliteti.

    “Ka një kohë që kemi paralajmëruar dhe kemi tërhequr vërejtjen që situata e sigurisë në veri po rrëshqet nga normaliteti dhe po rrëshqet përtej kompetencave që i ka Policia e Kosovës dhe përtej kapaciteteve që policia mund t’i implementojë në veri. Kjo në vazhdimësi ka ndodh dhe tani jemi në një situatë ku është prerogativë edhe kushtetues edhe ligjor, por edhe demokratik i vendit tonë që zgjedhjet të mbahen, por duhet siguruar që ato të jenë të lira dhe demokratike në përputhje me traditën që e kemi pasur”, theksoi Nikaj. /atvlive.tv

  • ​PDK: Qeveria e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës

    ​PDK: Qeveria e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se emërimi i Kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas tij, nuk ka pasur fare konkurs publik për këtë pozitë.

    Në një konferencë për media të enjten, Gruda thotë se kjo ka të bëjë me një shkelje flagrante dhe të hapur të ligjit dhe vendimeve të gjykatave të Kosovës nga ana e Qeverisë.

    Sipas Grudës, këtë emërim të paligjshëm të kryeinspektorit e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) përmes raportet të Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave.

    “Vitin e kaluar, Ministria e Financave i ka sugjeruar Qeverisë që të emërojë Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Ky vendim është bërë në mënyrë të kundërligjshme, sepse për këtë pozitë nuk ka pasur fare konkurs publik. Se ky emërim i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, ishte i paligjshëm e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) në një rast të monitorimit të jashtëzakonshëm që kishte bërë vitin e kaluar në të cilin është konstatuar se emërimi i kryeinspektorit nga ana e qeverise kishte qenë totalisht i paligjshëm”, thotë Gruda.

    Gruda thotë se përkundër këtij vendimi të Këshillit, Qeveria ka vazhduar të mos e largoj nga detyra Kryeinspektorin Nikçi, duke ju drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai shtoi se edhe në Gjykatën Themelore, Qeveria e ka humbur rastin, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHC-së.

    “Pavarësisht këtij vendimi Ministria e Financave dhe qeveria nuk i është bindur, dhe nuk e ka tërhequr emërimin e Kryeinspektorit të Punës. Ata kanë ankuar këtë vendim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke këkruar vendosjen e masës së pezullimit të zbatimit të këtij vendimi. Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tyre duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë”, thotë Gruda.

    Mes tjerash, Gruda thotë se Qeveria e Kosovës nuk e zbaton ligjin dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës.

    “Përkundër se kanë kaluar muaj nga këto vendime, Qeveria e Kosovës vazhdon të mbajë në detyrë këtë person i cili është emëruar në mënyrë të paligjshme. Imagjinojeni, mban në pozitë, e cila supozohet që do duhej të ishte aty për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, dhe ky nuk është një gabim apo lëshim teknik e zyrave ligjore, por është i qëllimshëm. Pra, Qeveria e Kosovës nuk e zbaton ligjin dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës pas lufte që një Qeveri ta bëjë me vetëdije shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve gjyqësore. Partia Demokratike e fton prokurorinë e shteti të që të marr të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet që këto vendime gjyqësore të ekzekutohen, nuk mund të vazhdojë të funksionojë ky sistem me të cilin as ligjet e vendimet gjyqësore nuk respektohen”, thotë mes tjerash Gruda.

    Pas konferencës, Gruda është pyetur edhe për qëndrimin e kësaj partie në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por i njëjti nuk është përgjigjur në këtë pyetje./KP