ATV

Tag: Lëvizja Vetëvendosje

  • Zgjedhjet e 23 prillit: Kurti nis fushatën dhe përkrah kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash

    Zgjedhjet e 23 prillit: Kurti nis fushatën dhe përkrah kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar kandidatët e subjektit të tij në Mitrovicën e Veriut. Në takim, Kurti ka qenë së bashku me disa ministra dhe deputetë të partisë.

    Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet lokale për komunat në veri të cilat mbeten pa kryetar si shkak i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet. LVV-ja ka prezantuar kandidatët, ndërsa Kurti ka thënë se Komuna e Mitrovicës së Veriut sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë.

    “115 është numri i Fitores! Komuna Veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë. Kjo falë vendosmërisë dhe punës serioze që ka bërë qeverisja qendrore në atë pjesë. Luftimi i krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave kriminale atje, ka dhënë rezultate të suksesshme. Nuk ka më ferma të drogës e të kriptovalutave, rrugë ilegale për kontrabandë. Ka prani të shtetit, stacione të reja të policisë që garantojnë rendin dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

    Tutje thuhet se është treguar edhe se çfarë u mungon qytetarëve në atë pjesë dhe si duhen adresuar këto nevoja.

    “Kësaj po i përgjigjen në komunikim të përditshëm me qytetarët katër kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që me numrin 115 do të jenë kryetarët e ri në komunën Veriore të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Erden Atiq si Kryetar i ardhshëm i komunës Veriore të Mitrovicës, Flatron Hasani si kryetar i komunës së Zubin Potokut, Fetah Peci si kryetar i Zveçanit dhe Lulëzim Hetemi i Leposaviqit, kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve në katër komuna veriore. Përveç kësaj, ata kanë edhe mbështetjen e Kryeministrit, Albin Kurti, dhe të ministrave në kabinetin e tij, me të cilët edhe po punojnë ngushtë për t’iu përgjigjur secilës çështje të interesit dhe nevojës që kanë qytetarë në ato komuna”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

  • Vetëvendosja fajësohet për vonesën e liberalizimit

    Vetëvendosja fajësohet për vonesën e liberalizimit

    Hedhjen e këtij gazi lotsjellës për ta penguar votimin e Demarkacionit me Malin e Zi, në vitin 2016, opozita e tanishme e konsideron arsye kryesore për zvarritjen e liberalizimit të vizave.

    Fajin për këtë, partitë opozitare po ia lënë Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Kosova ka humbur një momentum historik në vitin 2015-2016, kur partia sot në pushtet, nuk e ka votuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku ka pasur protesta të dhunshme, ka pasur hedhje të gazit lotsjellës. Dhe partia në pushtet e ka penguar, sepse Kosova ka qenë në pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën”, tha në një intervistë për ATV-në, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    Por, duke i hedhur poshtë këto akuza, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se arsyeja kryesore përse kosovarët mbetën pa viza gjatë këtyre viteve, është korrupsioni.
    “Këtu nuk ka të bëjë me faktin që është penguar prej një subjekti politik për veprime të caktuara, të cilat janë bërë për të ndalur një të keqe shumë të madhe, por ka të bëjë, le të themi, me joseriozitetin që e kanë treguar vazhdimisht qeverisjet e kaluara, që kanë hapur shampanja, kanë dhënë tokë në emër të liberalizimit të vizave. Korrupsioni ka qenë njëra prej arsyeve që e ka penguar procesin e liberalizmit të vizave, në veçanti ka pasur skepticizëm tek shtetet anëtare të cilat i kanë pasur dyshime e veta”, tha deputetja e LV-së, Arbëresha Kryeziu.

    Vendimi i sotëm i Parlamentit Evropian është hapi i parafundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kështu nga 1 janari kosovarët do të kenë të drejtë të njëjtë të lëvizjes së lirë, sikur popuj e tjerë evropianë. /atvlive.tv