ATV

Tag: KFOR

  • KFOR me ushtrime stërvitore, do të shtojë trupat në dy zona – përfshirë Manastirin e Deçanit

    KFOR me ushtrime stërvitore, do të shtojë trupat në dy zona – përfshirë Manastirin e Deçanit

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka njoftuar se nga data 5 deri më 7 shtator, do të zhvillojë një stërvitje ushtarake në Kosovën perëndimore.

    Sipas njoftimit, për shkak të ushtrimeve ushtarake, ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë një stërvitje rutinë ushtarake në Kosovën perëndimore nga data 5 deri më 7 shtator 2023. Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale-Kontingjentet Shumëkombëshe Perëndimore dhe do të fokusohet në procedurat dhe përgatitjen e gatishmërisë operacionale të njësisë. Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim.

    Aty jepen edhe detaje tjera.

    “Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje si ditën ashtu edhe natën në terren. Do të ketë gjithashtu autokolona mjetesh ushtarake të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që do të udhëtojnë në rrugët kryesore dhe dytësore brenda zonës. KFOR-i i kryen këto ushtrime rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar reagim në kohë dhe të sigurt sa herë që kërkohet. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë kohës gjatë stërvitjes dhe kërkon bashkëpunimin e komuniteteve lokale gjatë këtij aktiviteti”, vijon njoftimi.

  • Lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve këto ditë, KFOR-i i këshillon shoferët kosovarë të jenë të vëmendshëm

    Lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve këto ditë, KFOR-i i këshillon shoferët kosovarë të jenë të vëmendshëm

    Ditët në vijim do të ketë lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda Kosovës, për shkak të procedurës normale të dorëzimit të kontingjenteve.

    “Ushtrimet do të kryhen gjithashtu për të testuar dhe ruajtur aftësitë operacionale në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i trajnimit dhe gatishmërisë së të gjitha njësive që vijnë në terren”, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë përmes një komunikate për media.

    KFOR-i njofton se këto ushtrime do të zhvillohen në mënyrë të tillë që të minimizojnë çdo ndërprerje dhe ndikimin për popullatën lokale dhe se është e mundur që të ketë vonesa në qarkullimin e trafikut dhe të vërehen lëvizjet e ushtarëve.

    “Prandaj, KFOR-i këshillon shoferët që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë nëse janë afër kolonave të automjeteve ushtarake”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

  • Stoltenberg: 93 trupa të KFOR-it u lënduan nga tensionet në veri

    Stoltenberg: 93 trupa të KFOR-it u lënduan nga tensionet në veri

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se 93 trupa të KFOR-it janë lënduar nga dhuna në veri të Kosovës.

    Ai ka potencuar se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Kënaqësi të takohem me presidentin Vuçiç për të diskutuar dhunën e fundit në veri të Kosovës, e cila la të plagosur 93 trupa të KFOR-it. NATO ka dërguar trupa shtesë dhe zbaton mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE.”, ka shkruar Stoltenberg në twitter.

  • Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Në samitin e këtij viti të NATO-s, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, Kosova nuk do të jetë në agjendë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanian ku po zhvillohet ky samit.

    Ajo tha se, edhe pse pritej që Kosova të ishte pjesë e agjendës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit dhe rritjes së numrit të trupave të KFOR-it, Kosova nuk do të trajtohet në agjendë, përveç nëse dikush nga anëtarët e ngrit si çështje.

    Vitaku tregon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një takim me kryetarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ky i fundit, edhe pse u pyet nga gazetarët, nuk foli për këtë çështje.

    “NATO është aty për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës. Ne po zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. Kemi shtuar praninë tonë për shkak të ndotjes së situatës, dhunës dhe tensioneve që kemi vërejtur në disa javët e fundit”, iu tha gazetarëve nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it hungarez që u plagos në Zveçan

    I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it hungarez që u plagos në Zveçan

    Mediat hungareze kanë njoftuar se një ushtari të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba pasi kishte marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj.

    Media hungareze, Telex, ka njoftuar se disa nga ushtarët hungarezë të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare menjëherë të nesërmen, ku pastaj ministri i Mbrojtjes Kombëtare Kristóf Szalay-Bobrovniczky raportoi për gjithsej 27 ushtarë të plagosur.

    Ministria ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

    “Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Në protestën e 29 majit në veri, në qytetin e Zveçanit serbët kishin sulmuar me gjësende të forta trupat e KFOR-it, derisa këta po qëndronin para objektit të komunës.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s kishte ndërhyrë pasi paraprakisht i pati paralajmëruar, por ata nuk ishin bindur. Gaz lotsjellës, zjarr dhe shtëllunga tymi patën përfshirë zonën, ndërkohë që janë dëgjuar edhe sirena dhe shpërthime.

  • Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Kështu deklaroi më 7 korrik ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

    “Pas kërkesës nga kolegia ime austriake Klaudia [Tanner], ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual [parlamentar] që t’i lehtësohet barra Austrisë”, tha ai për gazetarët pas takimit me homologët e tij nga Austria dhe Zvicra në Bern.

    Pasi në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, NATO angazhoi 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

    Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 70 trupa gjermane.

    Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet.

    Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese.

    Ambasada gjermane në Prishtinë më 6 korrik konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të BE-së.

  • Armët në veri, Kurti thotë se e vërteta do të zbulohet shpejt

    Armët në veri, Kurti thotë se e vërteta do të zbulohet shpejt

    “Ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje ndodhi e papritura, një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët.”

    Për këtë deklaratë të deputetes britanike, gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës” në Londër, janë në dijeni institucionet e Kosovës.

    Teksa paralajmëroi takim me përfaqësuesit e KFOR-it, Kryeministri Albin Kurti tha se e vërteta për këtë rast duhet të zbardhet brenda javës.

    “Tash jemi duke grumbulluar të dhëna. Dhe unë nuk është mirë të jap informacion për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje”, tha Kurti.

    Megjithatë, nga KFOR-i, gjatë ditës thanë se prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar edhe në këtë institucion, por pas hetimeve, nuk kanë gjetur asnjë provë që dëshmon atë që deputetja ka deklaruar.
    Sipas njoftimit për media të KFOR-it në Kosovë, deputetja që kryeson Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, e kishte fjalën për një ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2022, duke theksuar se rasti është nën përgjegjësinë e autoriteteve kosovare të sigurisë.

    “Kjo ngjarje që është përmendur nga deputetja britanike, i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier [regjiment ushtarak britanik] u punësua në veri të Kosovës, në mbështetje të misionit të KFOR-it. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar, të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kishat ortodokse me autoambulanca. Ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e institucioneve të sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Sipas juristëve dhe njohësve të fushës së sigurisë, publikimi i kësaj videoje e deklaratat e deputetes britanike, duhet t’i vënë në alarm dikasteret përgjegjëse, të cilat, sipas tyre, duhet ta trajtojnë rastin me kujdes të shtuar.

    Para dy javësh, Policia e Kosovës kishte gjetur në Zveçan, në një veturë me targa të Beogradit një sasi armësh, përfshirë, 1 predhë e minahedhësit dhe 21 granata dore, prodhim serb.

    Sipas institucioneve kosovare, policia arriti të parandalojë një sulm terrorist, teksa kjo sasi e armëve thanë se është deponuar nga strukturat ilegale, që pastaj të përdoret për sulme terroriste.

    Disa ditë më pas, Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste dy grupet nga veriu, “Mbrojtjen civile” dhe “Brigadën e Veriut”. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, për sundim të ligjit përgjegjëse është Kosova

    KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, për sundim të ligjit përgjegjëse është Kosova

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas deklaratave të deputetes britanike, Alicia Kearns, ku ka ngritur alarmin për kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.

    Sipas KFOR-it, deklaratat e deputetes britanike i referohen vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës në misionin e KFOR-it, dhe se nga hetimet “nuk ka dalë asnjë dëshmi nga ajo që është raportuar”.

    Nga ky mision theksohet se “ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësin e organizatave të sigurisë së Kosovës”.

    “Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për informata të plota, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

    Ndryshe, deputetja Kearns në Parlamentin britanik ka thënë se “Serbia kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë”.

  • KFOR-i rinovon bashkëpunimin me FSK-në

    KFOR-i rinovon bashkëpunimin me FSK-në

    Misioni i KFOR-it në Kosovë ka rinovuar bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për operacionet e mbrojtjes civile, si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimshpëtimi e reagimi ndaj materialeve të rrezikshme.

    Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Angelo Ristuccia, u takua të mërkurën ne ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, me të cilën biseduan edhe mbi gjendjen aktuale të sigurisë dhe nevojën për shtensionim të situatës.

    “Ata rinovuan bashkëpunimin e tyre dhe ndihmën e KFOR-it për FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese (EOD), kërkim-shpëtimi (SAR) dhe reagimi ndaj materialeve të rrezikshme (HAZMAT)”, thuhet në njoftimin e publikuar në Twitter.

    KFOR-i e asiston FSK-në dhe Policinë e Kosovës në çminim, rindërtim, siguri dhe rend publik, sigurim të kufirit, e të tjera.

  • Komandanti i KFOR-it takon presidentin Vuçiq dhe shefin e Ushtrisë së Serbisë

    Komandanti i KFOR-it takon presidentin Vuçiq dhe shefin e Ushtrisë së Serbisë

    Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Beograd, sikur thuhet në njoftim për të diskutuar situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR-it në përputhje me rezolutën e OKB-së.

    Siç njofton KFOR-i, komandanti i KFOR-it shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit të kaluar, kur disa paqeruajtës të KFOR-it u plagosën gjatë sulmeve të paprovokuara të elementëve kriminalë të cilët depërtuan në protesta paqësore.

    “Pas takimit me presidentin, komandanti i KFOR-it pati rastin të takojë gjeneralin Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ata ritheksuan bashkëpunimin e tyre dhe ranë dakord se të gjitha palët duhet të de-përshkallëzojnë tensionet”.

    KFOR-i deklaron se është i gatshëm të përballet me çdo lloj skenari dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren.

    “KFOR-i rikujton se vazhdon të operojë në mënyrë të paanshme, brenda Rregullave strikte të angazhimit (ROE) dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet. në Kosovë.

    Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.