Tag: KFOR
-

KFOR: Ushtarët turq dhe Garda Skoceze me patrullim të përbashkët në Kosovë
Ushtarët turq nga Komanda Rajonale Lindore e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen një patrullim të përbashkët në zonën e tyre të përgjegjësisë së bashku me personelin e Gardës Skoceze të Mbretërisë së Bashkuar të vendosur në Kosovë si pjesë e forcave rezervë të NATO-s.Aktivitete të tilla ruajnë një prani të dukshme dhe të paanshme, rrisin ndërgjegjësimin për situatën dhe mbështesin sigurinë e përgjithshme në rajon, sipas mandatit të KFOR-it nga OKB-ja.KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. -

Pas shpërthimit në veri, EULEX-i dhe KFOR-i shkojnë në vendin e ngjarjes
Dy persona kanë pësuar lëndime si pasojë e shpërthimit të një granate dore që ndodhi mbrëmë në afërsi të një hoteli në veri të Mitrovicës.
Zëvendësdrejtori i policisë për veri, Veton Elshani, tha se nga shpërthimi janë lënduar dy persona, njëri prej të cilëve me lëndime më të rënda por jashtë rrezikut për jetë.
Elshani tha se granate e dorës ka shpërthyer te hoteli ‘Bisevac’ në veri të Mitrovicës. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 vetura.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet mbi këtë rast.
Nga pamjet e publikuara nga mediat lokale serbe, shihet se në vendin e ngjarjes përveq Policisë së Kosovës janë parë edhe pjesëtar të EULEX-it dhe KFOR-it.
Arsyet se përse ka ndodhur ky shpërthim ende nuk dihen.
-

Ndërrohet komanda e KFOR-it, Turqia do të udhëheq me trupat në Kosovë
Komanda e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë nga sot do të udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutas. Në kampin “Film City”, në Prishtinë, është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së deritanishme të gjeneralit, Angelo Michele Ristuccia dhe të atij turk. Në pranim dorëzimin e detyrës ka marrë pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Komandanti i ri i KFOR-it, Ozkan Ulutaş u shpreh se po merr komandën në Kosovë në një periudhë të ndjeshme në të cilën po kalon Kosova, për çka u zotua se do të punojë me vendosmëri.
“Sot, në vitin e 24-të të një rrugëtimi të gjatë që filloi në qershor të vitit 1999, kam nderin të marrë komandën e kësaj force të shquar. Si komandanti i parë turk që mori përsipër këtë mision, e kuptoj rëndësinë e përgjegjësisë që kam marrë përsipër. Do të doja të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time për autoritetet kombëtare dhe të NATO-s, të cilët më besuan këtë detyrë. Përveç ndjenjave të larta dhe të fuqishme që krijojnë te individët të cilëve u janë besuar detyrat e rëndësishme, ato sjellin me vete edhe përgjegjësi të mëdha. Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e mia në këtë periudhë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon Kosova, po e marr komandën me vendosmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet dhe përvojën time për të siguruar që kjo njësi e shquar të shërbejë me sukses në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”, theksoi gjeneral Ulutaş.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, mori pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, në Napoli. Ai tha se së fundmi KFOR-i, ka intensifikuar koordinimin me Policinë e Kosovës dhe se janë duke forcuar funksionin e tyre si reagues i parë.
“Së dyti, KFOR-i ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Së treti, KFOR-i ka rritur forcën e trupave pas sulmit të 29 majit ndaj KFOR-it, forca e trupave u rrit me aktivizimin e forcës rezervë operacionale të batalionit mbi 600 trupa nga Turqia dhe më pas u lirua nga një batalion shumëkombësh i udhëhequr nga Greqia. Së katërti, KFOR-i ka rritur edhe më tej forcën e trupave, pas sulmit të 24 shtatorit kundër PK, me aktivizimin e kësaj force rezervë strategjike, duke ndihmuar një batalion nga Britania e Madhe dhe nga Rumania. Krahas kësaj force të trupave, ky batalion po sjell edhe armatim më të rëndë, për të pasur fuqi luftarake për KFOR-in. Dhe së fundi, NATO po mban forca të mëtejshme, të pajisura me armatim edhe më të rëndë, të aftë për fuqi të mëtejshme luftarake në një gjendje të lartë gatishmërie që mund të vendoset nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, u shpreh ai.
Komandanti i deritanishëm, Angelo Michele Ristuccia u shpreh se gjatë mandatit të tij është operuar në menaxhim të përhershëm të krizave.
Sipas tij, KFOR punon për të ruajtur mjedis të qartë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit, në mënyrë të paanshme.
“KFOR 27 ka operuar në një menaxhim të vazhdueshëm dhe të përhershëm të krizave. Aty ku ngjarje të shumta kanë sfiduar stabilitetin në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto kriza kanë kërkuar një … për të rivendosur një situatë më të qetë dhe më të ekuilibruar dhe një bashkëpunim të fortë me institucionet vendore. Situata është bërë më komplekse për t’u menaxhuar për shkak të një sërë faktorësh të përkohshëm, veçanërisht, mosbesimit midis partnerëve, çështjeve të gjata dhe të pazgjidhura, retorikës kundër produktive dhe narrativave partizane. Të gjithë këta faktorë konfirmuan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të përshkallëzohet lehtësisht. Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në zonë. Kjo është arsyeja pse KFOR-i mbështet plotësisht dhe vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja të mbështetur nga SHBA-të dhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi ai.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës kanë marrë pjesë diplomatë të akredituar në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, krerë fetarë e figura tjera të larta shtetërore./kp
-

Nga nesër Turqia merr komandën e KFOR-it
Përgatiti: Driton Sadiku
Si njëra ndër shtetet me më së shumti forca të diskoluara në Kosovë, Turqia nga nesër do ta marrë edhe udhëheqjen e KFOR-it.
Özkan Ulutaş, nga e marta do ta zëvendësojë paraardhësin e tij, Angelo Michele Ristuccia, si komandant i KFOR-it.
Megjithatë, marrja e komandës nga një shtet mik i Kosovës, sipas njohësve të sigurisë, nuk përbën ndonjë favor për vendin, pasi KFOR-i vepron me të njëjtin mision.
Pasi tha se nacionaliteti nuk përbën dallim, profesori i lëndëve të sigurisë Fatmir Çollakaj vlerëson se rëndësi ka profili i komandantit.
Pas zhvillimeve të fundit në veri, specifikisht sulmi terrorist në Banjskë, KFOR-i ka rritur praninë e tij në Kosovë.
Vetëm sot edhe 200 ushtarë nga Britania kanë arritur në Kosovë për ta përforcuar misionin e KFOR-it, ndërkohë që forca ushtarake erdhën edhe nga Rumania.
-

Turqia prej nesër e merr komandën e KFOR-it në Kosovë
Turqia po përgatitet të marrë përsipër komandën e Misionit të NATO-s në Kosovë (Kosovo Force-KFOR), në një periudhë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar rritje, raporton Anadolu.
KFOR-i, cili filloi me detyrën më 12 qershor 1999 në Kosovë në përputhje me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin, ka rreth 4.500 pjesëtarë ushtarakë ndërkombëtarë nga 27 vende, duke përfshirë 21 anëtarë të NATO-s dhe gjashtë vende partnere që nuk janë anëtarë të NATO-s.
Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me personel.
Italia, e cila mori përsipër misionin e 27-të të KFOR-it nga Hungaria më 10 tetor 2022, po përgatitet të dorëzojë detyrën pas përfundimit të periudhës së komandës. Turqia, më 10 tetor 2023, me anë të një ceremonie do të marrë përsipër komandën.
Zyrtarët e Ministrisë turke të Mbrojtjes Kombëtare, në një deklaratë lidhur me çështjen, cilësuan KFOR-in si një nga misionet më të rëndësishme në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Burime theksojnë se që nga themelimi kanë vazhduar kontributet e tyre ndaj KFOR-it.
“Turqia është aktualisht një nga vendet kryesore që ofron mbështetje për misionin e KFOR-it me njësitë tona rezervë operative shtesë”, thanë burimet.
Ky shtet e njeh pavarësinë e Kosovës, me të cilën ka lidhje kulturore dhe historike, dhe merr pjesë aktive në mekanizmat ndërkombëtarë të krijuar në kuadër të fushës së mbështetjes, ndërsa roli kritik që luan KFOR-i dhe ekzistenca e tij janë ende një domosdoshmëri për Kosovën, thuhet më tej.
Më tej, duke theksuar se kontributi i Turqisë ndaj KFOR-it do të vazhdojë pa u zvogëluar, burimet thanë: “Me alokimin e misionit të KFOR-it turk, kanë filluar përpjekjet e koordinuara në lidhje me kontributin e njësive”.
Më 24 shtator, nga një sulm i një grupi të armatosur rëndë ndaj njësiteve policore të Kosovës, u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe katër pjesëtarë të këtij grupi.
Përgjegjësinë për organizimin e këtij grupi e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe.
-

KFOR-i për situatën në Veri: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës
Misioni i KFOR-it në Kosovë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur rreth kërkesave që vijnë nga palë të ndryshme që kjo forcë e NATO-s ta marrë kontrollin e veriut pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Nga KFOR kanë thënë se si rezultat i tensioneve që ndodhen në fillim të këtij viti, në Kosovë ishin dislokuar 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, forca të cilat KFOR tregon që në shtator janë zëvendësuar nga trupat bullgare dhe greke.
Nga KFOR-i potencojnë se “forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”.
Më tej kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për vendosjen e forcave shtesë në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit.
200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, KFOR bën të ditur se do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.
“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.
Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.
“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.
Si rezultat i zhvillimeve të fundit, misioni i NATO-s ka theksuar se kanë shtuar gjithashtu praninë dhe aktivitetin në veri të Kosovës.
Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.
“Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.
Në fund, KFOR bën thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-jë meqë është e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshem për të gjitha komunitetet.
“Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve“, kanë thënë nga KFOR-i.
Serbia pas sulmit terrorist ka kërkuar që KFOR-i të merret me situatën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës ka deklaruar se “KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Çdo hezitim apo vonesë vështirëson të nesërmen”.
Rama ndërkohë ka deklaruar se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë nga Zyra e Presidencës kanë sqaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i përkrahje për institucionet e Kosovës, por jo marrje të kompetencave.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe as ish-zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, s’e kanë përkrahur idenë që KFOR-i të marrë kontrollin e Veriut.
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se diçka e tillë do ta kthente Kosovën para 17 shkurtit 2008.
-

KFOR: Policia veproi sipas ligjit në Banjskë, ishim në koordinim
Forca e NATO-s në Kosovë – KFOR vlerëson se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me prerogativat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë të dielën në Banjskë.
“Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej”, thuhet në një komunikatë për medie.
“Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”.
KFOR-i nën të ditur se komandanti i tyre mbetet në kontakt të rregullt me të gjitha palët e interesuara, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë.
“Përmes KFOR-it, NATO gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”.
KFOR-i ka thënë se kjo forcë do të vazhdojë të ofrojë kornizën e sigurisë të nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
-

Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në drejtim të Leposaviqit
Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviqit, përkatësisht kufirit të Jarinjes, raporton KosovaPress.
Nuk dihet saktë nëse është gjetur diçka në këtë zonë dhe ato kanë arritur në mbështetje të Policisë së Kosovës.
Helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri.
Ndërkaq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë “krehjen” e terrenit edhe në zona malore, në kërkim të gjurmëve të terroristëve.
Në këto momente kur po raporton ekipi i KosovaPress, kanë arritur edhe disa automjete të EULEX-it, të cilat kanë shkuar në drejtim të manastirit të Bajnskës. /KP
-

Vjen reagimi i parë i KFOR-it: Ushtarët tanë janë afër Banjskës, gati të përgjigen nëse kërkohet
Misioni i KFOR-it kanë reaguar pas vrasjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjes së dy të tjerëve në veri të vendit.
KFOR kanë thënë se po e montirojnë nga afër situatën në Banjska dhe se trupat e KFOR-it janë prezente në atë pjesë dhe të gatshme të përgjigjen nëse shfaqet nevoja.
Në reagim tutje thuhet se Policia e Kosovës, si përgjegjës i parë, ka përgjegjësinë primare për menaxhimin e incidentit në terren.
KFOR potencon se Komandanti i tyre është në kontakt konstant me të gjithë palët, përfshirë BE-në, komandantin e Forcave serbe, institucionet e Kosovës dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje.
“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje.Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe dërgon ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit”, thuhet në reagim.
KFOR continues to closely monitor the situation in Banjska, and KFOR troops are present in the area, standing ready to respond if required. pic.twitter.com/aIiDVOAckU
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) September 24, 2023
-

Rikthehen në Turqi 500 trupat që u sollën pas dhunës në veri
Përgatiti: Armand Hoti
Ushtarët turq të këmbësorisë, të cilët u dislokuan në Kosovë me kërkesë të NATO-s, pas protestave të dhunshme në veri, kanë filluar të kthehen në atdheun e tyre.
Ministria e Mbrojtës e Turqisë vlerësoi se misioni i 500 trupave turq mbaroi me sukses.
“Njësia jonë e dislokuar, pas mbërritjes së saj në kazermën “Sulltan Murat”, në Kosovë, më 6 qershor 2023, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në garantimin e paqes në Kosovë, mes 10 qershorit dhe 31 gushtit, dhe ka përmbushur me sukses misionin e saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.
Në një përgjigje për ATV-në, KFOR-i thotë se ky veprim vjen në kuadër të një procedure normale të ndërrimit të kontingjenteve.
“Ndërrimi i kontingjenteve lidhet me procedurën normale të pranim-dorëzimit”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, vlerëson se largimi i ushtarëve turq nga Kosova, mes tjerash është rezultat i mirë-menaxhimit të situatës nga institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Kjo flet qartë se situata në veriun e Kosovës është shpërshkallëzuar me vetë faktin kjo flet më shumë se kaq. Kjo tregon se deri më tani institucionet e sigurisë së Kosovës po e menaxhojnë situatën në mënyrë perfekte”, tha Islami.
Në anën tjetër, Sergjan Simonoviç, nga shoqëria civile në Mitrovicë të Veriut, beson se gjendja e sigurisë në veri vazhdon të mos jetë e kënaqshme.
“Nuk do të thosha se situata e sigurisë është e përsosur në veri, për shkak se nuk kemi mjaftueshëm pjesëtarë të policisë, që mirëpriten nga qytetarët. Çfarë kemi këtu janë forcat speciale, të cilat nga qytetarët shihen si kërcënim. Gjëja e parë që na duhet është që dikush nga komuniteti të shërbejë në forcën e policisë, në mënyrë që të ketë ndjenjë të sigurisë në mesin e qytetarëve”, tha Simonoviç.
Madje, ai kërkon që të ketë prezencë më të shtuar të autoriteteve ndërkombëtare në veri.
“Edhe KFOR-i mund të jetë pjesë e kësaj, por mendoj se angazhimi i EULEX-it, apo veçanërisht UNMIK-ut, nuk shohim aktivitete apo përpjekje të këtyre organizatave për deeskalim, në përjashtim të disa takimeve që mbajnë me ne, sektori civil.”
Trupat e KFOR-it turk, pas protestës së dhunshme ku mbetën të lënduar 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, ishin vendosur përreth objektit komunal në Zveçan. Ndërkaq, së fundmi para këtij objekti, po qëndron KFOR-i letonez.