ATV

Tag: Kadri Veseli

  • ​Nesër në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    ​Nesër në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, do dalin para trupit gjykues përsëri të mërkurën e kësaj jave.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.

    Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Mbrojtja e Veselit nis marrjen në pyetje të dëshmitarit, seanca vazhdon të jetë private

    Mbrojtja e Veselit nis marrjen në pyetje të dëshmitarit, seanca vazhdon të jetë private

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey, tani dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

    Seanca po vazhdon të jetë private.

    Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po dëgjohet sot për të tretën ditë me radhë, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën.

    Rasti Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i dytë po vazhdon të dëgjohet në seancë private edhe sot

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe sot po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ku po dëgjohet në seancë private dëshmitari i dytë.

    Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po dëgjohet sot për të tretën ditë me radhë, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey.

    Ndryshe, të hënën, në Dhomat e Specializuara ka përfunduar dëshminë e saj, dëshmitarja e parë, e cila po ashtu ishte dëgjuar në seancë private. Kjo dëshmitare e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DhSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Seancat janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe sot

    Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe sot

    Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dëgjohet edhe sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Të martën dhe të mërkurën ajo ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe intervistimi i saj është bërë tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

    Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Përveç Thaçit, në gjykatore në Hagë janë parë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjohen dëshmitarët e parë (LIVE)

    Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjohen dëshmitarët e parë (LIVE)

    Ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në gjykimin e sotëm fillon procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.

    Seanca të tilla pritet të ketë më 12 dhe 13 prill. Seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.

    KLIKO KËTU për ta parë drejtpërdrejt seancën

    Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

    Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

    Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

    Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

    Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.

    140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.