ATV

Tag: Kadri Veseli

  • Sot fjala përfundimtare e mbrojtjes së Kadri Veselit

    Sot fjala përfundimtare e mbrojtjes së Kadri Veselit

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë do të vazhdojë seanca gjyqësore, ku do të paraqiten deklaratat e mbrojtjes për Kadri Veselin, të pasuara nga mbrojtja e Rexhep Selimit.

    Dje përfundoi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së.

    Gjatë kësaj dite, deklaratat i paraqitën mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatëve Luka Mishetiq, Nina Tavakoli dhe Pierre-Richard Prosper, si dhe mbrojtja e Kadri Veselit, e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

    Dixon do të vazhdojë edhe sot paraqitjen e mbrojtjes për ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e cila nisi dje para trupit gjykues, por nuk përfundoi.

    Gjatë fjalës së tij, Dixon theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk ka paraqitur prova që dëshmojnë se ish-kryetari i Kuvendit ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale.

  • Mustafa: Vështirë të krenohemi kur luftëtarët kryesorë të lirisë e kalojnë ndërrimin e moteve në burg

    Mustafa: Vështirë të krenohemi kur luftëtarët kryesorë të lirisë e kalojnë ndërrimin e moteve në burg

    Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me mbajtjen në burg të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ndërrimin e moteve.

    Mustafa tha se është vështirë të krenohen këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesorë të lirisë dhe liderët që përmbysën diktaturën komuniste “e kalojnë ndërrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit.

    “Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë! Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar?”, shkroi Mustafa.

    Aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahen ish presidenti, Hashim Thaçi, ish kryetarët e kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish deputeti i VV-së Rexhep Selimi e luftëtarë të tjerë.

  • Aprovohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pezullimin e vizitave dhe komunikimeve për Thaçin, Veselin dhe Selimin

    Aprovohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pezullimin e vizitave dhe komunikimeve për Thaçin, Veselin dhe Selimin

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim i përkohshëm lidhur me komunikimet dhe vizitat e Hashim, Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

    Trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të pezullojë çdo vizitë dhe komunikim me persona të paprivilegjuar për tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale.

    “GRANTON, Kërkesën, pjesërisht; URDHËRON Sekretarin që të kufizojë përkohësisht kontaktet e tre të akuzuarve në përputhje me kushtet e përcaktuara në paragrafin 5 më lart, në pritje të përcaktimit përfundimtar të Panelit për bazueshmërinë e Kërkesës; c) URDHËRON Sekretarin që të sjellë në vëmendjen e menjëhershme të Panelit dhe Palëve çdo shkelje (të dyshuar ose tentuar) të urdhrit të Panelit, çdo parregullsi ose ndonjë vështirësi në ekzekutimin e urdhrit të Panelit; dhe d) URDHËRON Sekretarinë që të paraqesë parashtresat mbi Kërkesën deri në mesditën e së martës, 21 nëntor 2023, dhe Mbrojtjen t’i përgjigjet Kërkesës dhe Zyrës së Regjistrimit”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga paneli gjykues.

    Me anë të vendimit të datës 17 nëntor 2023, Paneli i trupit gjykues me kryetar gjyqtarin Charles Smith III ka ndaluar çdo vizitë për tre të akuzuarit nga individë të jopriveligjuar derisa të vendoset mbi bazueshmërinë e parashtrimeve të ZPS-së.

    “Paneli ndalon çdo vizitë te ndonjë prej tre të akuzuarve nga individë jo të privilegjuar derisa Paneli të ketë vendosur mbi bazueshmërinë e aplikimit të PSP-së. Çdo kërkesë për komunikim me një person jo të privilegjuar gjatë asaj periudhe do t’i nënshtrohet autorizimit paraprak nga regjistruesi. Çdo komunikim i tillë, kur autorizohet nga Regjistruesi, do të monitorohet në mënyrë aktive dhe Paneli autorizon Sekretarin të ndalojë çdo komunikim të tillë në çdo moment kur ekzistojnë arsyet për të justifikuar një masë të tillë”, thuhet në vendim.

    Sipas këtij vendimi, informacioni i vendosur para panelit sugjeron se ekziston rrezik real që informacionet konfidenciale të zbulohen nga individë që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato.

    “Informacioni i vendosur para Panelit sugjeron se ekziston një rrezik real që informacioni konfidencial t’u zbulohet individëve që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato. Zbulimi i paligjshëm i një informacioni të tillë mund të ndikojë negativisht në mbrojtjen efektive të viktimave dhe dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave. Prandaj, Paneli do të urdhërojë masa të përkohshme të nevojshme dhe proporcionale me nevojën për të parandaluar zbulimin e një informacioni të tillë përpara se Paneli të jetë në gjendje të vendosë për bazueshmërinë e aplikimit të PSP-së. Paneli është i kënaqur që masat e urdhëruara më poshtë janë në përputhje dhe në përputhje me mbrojtjen efektive të të drejtave themelore të të akuzuarve”, thuhet në vendim.

    Paneli ka theksuar se kufizimet e miratuara në vendim nuk do të zbatohen në kontaktet e priveligjuar.

    “Paneli thekson se kufizimet e miratuara me këtë vendim nuk zbatohen për kontaktet e privilegjuara me avokatin dhe bashkë-avokatin e specializuar siç përcaktohet në rregullën 111. Po ashtu, vizitat speciale sipas kuptimit të nenit 5(1)(d) të udhëzimit për Vizitat me Video dhe neni 23(1) i PD-së për Vizitat dhe Komunikimet mbeten të paprekura”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, lidhur me proporcionalitetin, paneli i gjyqtarëve ka konsideruar se nuk ka masa më pak kufizuese që do të siguronin mbrojtjen efektive të dëshmitarëve, informacionit konfidencial dhe ruajtjen e integritetit të procedurave deri në momentin kur të dëgjohen parashtresat nga palët.

    “Për sa i përket proporcionalitetit, Paneli konsideron se nuk ka masa më pak kufizuese që do të siguronin mbrojtjen efektive të dëshmitarëve, informacionin konfidencial dhe integritetin e procedurave deri në momentin kur Paneli mund të dëgjojë parashtresat nga Mbrojtja dhe Sekretaria dhe të vendosë çështje për meritat e saj. Paneli është i mendimit se arsyet e lartpërmendura që mbështesin domosdoshmërinë e masave zbatohen, në të njëjtën mënyrë, për proporcionalitetin e masave”, thuhet tutje.

    Ndërsa, përmendet se këto kufizime janë të përkohshme deri në pritje të përcaktimit përfundimtar mbi bazueshmërinë e kërkesës.

    “Paneli thekson se kufizimet janë miratuar vetëm si masa të përkohshme në pritje të përcaktimit përfundimtar të Panelit për bazueshmërinë e Kërkesës. Në vlerësimin e proporcionalitetit, Paneli gjithashtu ka marrë parasysh faktin se kufizimet nuk zbatohen për kontaktet e privilegjuara ose vizitat e veçanta siç përcaktohet në paragrafin 6 më lart. Prandaj, Paneli konsideron se masat e përcaktuara në paragrafin 5 janë proporcionale”, thuhet në vendim.

    Veç tjerash, në këtë vendim potencohet se paneli nuk është në gjendje të shqyrtoj ndarjen apo pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve në mes të tre të akuzuarve.

    “Në këtë fazë, Paneli nuk është në gjendje të shqyrtojë ndarjen dhe pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve të tre të akuzuarve pa parashtresa nga Sekretaria dhe Mbrojtja. Në lidhje me këtë, Paneli urdhëron Zyrën e Regjistrimit që deri në mesditë të së martës, 21 nëntor 2023, të paraqesë parashtresa mbi Kërkesën, në veçanti për: (i) realizueshmërinë e masave të kërkuara nga ZPS-ja; (ii) burimet dhe koha e nevojshme për zbatimin e masave të tilla, nëse ato urdhërohen; (iii) çdo masë shtesë ose alternative që ajo e konsideron të disponueshme, në varësi të vendimit të Panelit, për të adresuar rreziqet e identifikuara nga ZPS; dhe (iv) çdo çështje tjetër që e konsideron të përshtatshme për t’u ngritur në lidhje me kërkesën”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Tutje, thuhet se Paneli ka urdhëruar mbrojtjen e tre të akuzuarve që t’i përgjigjet Kërkesës dhe parashtresave të Sekretarisë jo më vonë se ora 16:00 e së mërkurës, 22 nëntor 2023.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar me 17 nëntor 2023, ka kërkuar nga Paneli i Trupit Gjykues që të pezullojë vizitat dhe të gjitha komunikimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

    Në parashtrimet e kryeprokurores së specializuara Kimberly Ëest, thuhet se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe dëshmive konfidencialet tek personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit..

    “Hashim Thaç, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi (“Tre të akuzuarit”) kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në parashtrimet e Kimberly West.

    Tutje thuhet se hetimet e ZPS-së kanë zbuluar se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar procedurat duke lëshuar udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët./betimipërdrejtësi

  • ZPS-ja kërkon që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’u pezullohen të gjitha vizitat dhe komunikimet

    ZPS-ja kërkon që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’u pezullohen të gjitha vizitat dhe komunikimet

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet përpos me avokatët e tyre.

    ZPS-ja ka thënë që ata tre kanë bërë shkelje duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe duke ua shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i kanë vizituar në Qendrën e Paraburgimit.

    Kjo prokurori ka thënë që hetimet e saj kanë zbuluar që po ashtu ka pasur përpjekje të mëtutjeshme për t’i udhëzuar dëshmitarët se si të dëshmojnë.

    Prokuroria me këtë rast ka kërkuar që tre të akuzuarve t’u pezullohen të gjitha komunikimet, ato virtuale si dhe vizitat fizike, dhe që një gjë e tillë të jetë në fuqi deri në një vendim të trupit gjykues.

    ZPS-ja ka urdhëruar që ata të monitorohen në mënyrë aktive në të gjitha komunikimet e joprivilegjuara dhe që ato të dhëna të ruhen deri në fund të gjykimit.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Procesi gjyqësor ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të vazhdojë edhe sot.

    Nuk dihet nëse sot seanca do të jetë e hapur apo e mbyllur.

    Përndryshe dje në Hagë ka dëshmuar ish-punëtori i agjencisë shtetërore serbe të lajmeve, Tanjug, Nebojsha Radosheviq.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DHSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

    Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar parashtrimi i kundra-pyetjeve për dëshmitarin e tetë nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi në gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Me të nisur pyetjet, seanca ka kaluar në seancë të mbyllur për publikun.

    Nga salla e gjyqit, këtë seancë gjyqësore kundër tyre po e përcjellin ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendari, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi. Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi po e përcjell këtë seancë po e përcjell përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se Krasniqi ka dorëzuar edhe një dokument përmes të cilët heq dorë nga prania e tij në sallë, që nënkupton që as nesër nuk do të jetë i pranishëm në gjykatore.

    Dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 04323 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëshminë e tij e ka nisur ditën e hënë.

    Deri tani pyetjet ndaj tij i ka përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar. Gjatë ditës së hënë kur edhe nisi dëshminë e tij përgjigjet e dëshmitarit të tetë ishin në pjesë të madhe publike, por gjatë ditës së djeshme seanca ka qenë e mbyllur për publikun përveç një momenti kur ZPS parashtroi pyetje për Gardën Kombëtare.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i tetë flet për qendrën e ndalimit në Bajgorë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i tetë flet për qendrën e ndalimit në Bajgorë

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ndryshe dje ka dëshmuar dëshmitari i tetë i ZPS-së, derisa është ndihmuar nga një mbrojtës kujdestar.

    Dëshmitari tha se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin kolaboracionistë apo personat që bashkëpunonin me armikun.

    Po ashtu dëshmitari i tetë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, lidhur me stërvitjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Bajgorë.

  • Kadri Veseli sot feston ditëlindjen, mbush 56 vjet

    Kadri Veseli sot feston ditëlindjen, mbush 56 vjet

    Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot feston ditëlindjen. Ai mbush 56 vjet.

    Veseli ka lindur më 31 maj të vitit 1967 në fshatin Broboniq të Mitrovicës.

    Kadri Veseli ka qenë edhe epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i pestë i Prokurorisë thotë se ishte pjesë e UÇK-së

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i pestë i Prokurorisë thotë se ishte pjesë e UÇK-së

    Mbrojtja e ish-krerëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ka filluar intervistimin e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

    Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka thënë se UÇK-së i ishte bashkuar në korrik të vitit 1998.

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Albert Muskowitz, është interesuar të dijë nëse ky dëshmitar kishte marr ndonjë dokument që dëshmonte se ai ishte pjesë e UÇK-së.

    Sipas dëshmitarit, atij nuk i ishte dhënë ndonjë dokument i tillë.

    Avokati Moskowitz: Kur iu bashkëngjite UÇK-së, atë datë, atë mbrëmje a nënshkrove ndonjë gjë të vërtetoje që tani je ish anëtarë i UÇ?

    Dëshmitari: Po

    Avokati Moskowitz: A more ndonjë letërnjoftim, a ndonjë copë letër ku të thuhej që ti tani ishte anëtarë i UÇK-së?

    Dëshmitari: Unë kam dal në ora 2 të natës atë natës, kurse të nesërmen i kanë marr shënimet komandanti kush ka qenë aty.

    Avokati Moskowitz: Morën shënime por nuk të dhanë ndonjë kartelë, letërnjoftim ku thuhej dhe verifikohej se në vërtet ishte anëtar i UÇK. Nuk e vë në dyshim se ishte anëtar i UÇK, thjesht po përpiqem të kuptoj se a ka pas ndonjë gjë që e vërtetonte dhe t’i mund t’ua tregoje personave që unë tani jam anëtar i UÇK-së?

    Dëshmitari: Nuk ma kanë dhënë

    Avokati Maskowitz e ka pyetur dëshmitarin edhe për mënyrën se si e kishte siguruar uniformën.

    Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se vetë e kishte blerën copën vetë për ta qepur uniformën.

    Avokati Moskowitz: Po uniformë, të dhanë ndonjë uniformë atë kohë?

    Dëshmitari: I kemi blerë vetë nuk ka pas në atë kohë, u dashtë me ble si ceradë kena ble kamuflazh dhe i kena ba veshë ushtarake.

    Avokati Moskowitz: Pra, nuk të dhanë para për ta blerë uniformën, e ke blerë vetë. Uniforma ishte e gatshme kur e bleve apo bleve copën dhe e qepe?

    Dëshmitari: Në atë kohë blejshim copa dhe i qepshim.

    Avokati Moskowitz: Nga e dije se çfarë cope të bleje, kishte ndonjë rregullore që të tregonte se çfarë cope duhet të bleje në verën e ‘98?

    Dëshmitari: Si cerada, ato i kena ble edhe ato i kena kep.

    Dëshmitari ka thënë se armë nuk i kishin dhënë, por atë e kishte siguruar nga një bashkëfshatar.

    Avokati Moskowitz: Kur iu bashkëngjite UÇK-së a të dhanë armë?

    Dëshmitari: Armën e kisha marr nga një bashkëfshatar

    Avokati Moskowitz: Si ndodhi që ky bashkëfshatari të dha armën e tij, po ai vetë nuk ishte në ushtri atë kohë?

    Dëshmitari: Po ish lodhë, ish mërzitë ku ta di unë dhe më tha kush kërkon për me dal muj me ia dhanë edhe me kam marr.

    Mbrojtësi i ish-presidentit ka thënë se meqenëse atyre që kyçeshin në UÇK nuk iu jepet ndonjë dokument që dëshmon se janë pjesëtarë të UÇK, copën për uniform mund ta blinte çdokush.

    Më pas dëshmitari tha se nuk beson që dikush ka blerë uniformë pa qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Duke pas parasysh që atyre që kyçeshin në UÇK nuk u jepnin ndonjë dokument, kjo tregon se çdo njeri po të donte mund të blinte copën të bënte uniformën edhe pa qenë në UÇK sepse gjërat ishin kështu jo zyrtare”, ka thënë avokati.

    Pas kësaj, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, me pyetjet e mbrojtjes së Thaçit.

    Dëshmitari me kodin 3165 ZPS-së ka filluar dëshminë e tij të mërkurën, ndërsa para tij janë dëgjuar katër dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë.

    Të gjithë kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, der më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.