ATV

Tag: Josep Borrell

  • Borrell: Pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë as për Kosovën

    Borrell: Pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë as për Kosovën

    Kryediplomati evropian Josep Borrell, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijën një marrëveshje për rrugëtimin e tyre në Bashkimin Evropian.

    “Të dy shtetet duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, një union që është ndërtuar në një fqinjësi të mirë dhe të ardhme të mirë për gjithë qytetarët”, u shpreh Borrelli, njofton Klankosova.tv.

    “Rruga për në Bashkimin Evropian kalon nëpërmes dialogut, pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë as Kosovën”.

    “Serbia rrezikon të ecë prapa, pasi vendet e tjera e rajonit po ecin përpara”.

  • Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

    Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Borrell priti të enjten në një rund të ri bisedimesh Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara në fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]”, tha Borrell.

  • Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Pas kësaj, ka nisur takimi i dytë i Kurtit me ndërmjetësuesit e BE-së, përfaqësuesit të lartë Borrell dhe emisarit për dialogun Lajçak.

    Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me diplomatët. Takimet filluan rreth orës 09:00, ndërsa takimi trepalësh, nisi rreth orës 11:00, dhe zgjati afërisht dy orë.

    Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt. Do të flitet gjithashtu edhe për çështjen e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

    Pas përfundimit të takimeve do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili do të njoftojë nëse ky takim ishte pozitiv apo jo.

    Borrell postoi në platformën X, e njohur më herët si Twitter, disa foto nga Brukseli ndërsa tha se sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi.

    “Jam duke pritur Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për një takim të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, tha Borrell.

    Analistë të ndryshëm megjithatë, i shohin të pakta mundësitë që edhe kjo përballje të prodhojë rezultatet e shpresuara nga BE-ja e SHBA-ja.

  • Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, takim trepalësh me Borrellin

    Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, takim trepalësh me Borrellin

    Sot është dita kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Takimi i sotëm është i pari pas tensioneve në veri të Kosovës në fund muajit maj dhe ne fillim muajin qershor.

    BE ka njoftuar se Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00, të cilët do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh.

    “Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Pasi të përfundojnë takimet, Borrell ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt.

    Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

    Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, s’janë mbajtur takime të nivelit të lartë, përveç atyre të nivelit teknik.

    Dje, një ditë para takimit “të madh” janë ulur edhe pritjet e mëdha. Kurti ka kritikuar BE-në për sanksionet e padrejta, ShBA dhe BE kanë paralajmëruar masa të reja nëse nuk ka përparim në dialog dhe nëse palët nuk tregohen të përgjegjshme. Çfarë pritet nga takimi i 14 shtatorit?

    Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin e njohur gjerman “Duetche Welle”.

    Kurti për DW ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun me Serbinë, takimin e radhës në Bruksel dhe masat e BE-së. Në intervistën e gjatë, Kurti ka vlerësuar se masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën.

    Tutje, shefi i ekzekutivit vlerësoi se BE ka dëmtuar dialogun me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    “Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asociimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.” – theksoi Kurti.

    “Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.” – shtoi Kurti

    Ndërsa, emisari amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, si disa ditë me parë presidenti francez, Emanuel Macron, ka paralajmëruar dy vendet se do të këtë pasoja nëse nuk shënojnë përparim në kuadër të dialogut.

    Escobar për Zërin e Amerikës, ka përmendur si masa ndëshkuese ndaj Kosovës, çështjen e njohjeve të reja, konferencë donatorësh, dialogun strategjik me SHBA-në, dhe marrëdhëniet më të afërta me NATO-n.

    “Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu. Por, për Kosovën – mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit.” – ka thënë Escobar.

  • Kurti dhe Vuçiq, mund të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm

    Kurti dhe Vuçiq, mund të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian synon që në Shtator të organizojë një takim të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

    Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, njoftoi se takimi do të ketë në fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e kërkesave të 3 Qershorit, për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Tri ditë para takimit Kurti-Lajcak, Kosova shtyu për dy javë ultimatumin për lirimin e objektit komunal në Mitrovicë të Veriut nga strukturat ilegale, dhe e vendosi në diskutim publik
    udhëzimin administrativ për procedurat për largimin e kryetarëve.

    Udhëzimi që u mundëson qytetarëve të iniciojnë shkarkimin e kryetarit të komunës pritet të miratohet para fundit të javës.

    Me këto veprime, sipas profesorit Tomorr Avdia, Qeveria ka bërë hapa të mjaftueshëm për të krijuar hapësirën e kërkuar nga Bashkimi Evropian.

    “Presioni të jetë i dyanshëm dhe në koordinim për të dhënë efekte, sepse nëse një partneri të vogël e të dobët si shteti ynë i ushtrohet presion tejmase dhe palës tjetër Serbisë, janë të kujdesshëm, nuk e bëjnë një gjë të tillë në proporcion me forcën që ka Serbia, atëherë raportet mund të eskalojnë në forma të tjera”, tha Avdia.

    Në këtë kontekst, profesori Seb Bytyçi vlerëson se duhet kujdes, pasi çdo veprim në terren i Kosovës mund shërbejë si arsye për mos-heqje të masave.

    “Nxjerrja e U.A. është në përputhje me kërkesat e BE-së dhe marrëveshjes për deeskalimin, pra kemi të bëjmë me përgatitjen e terrenit për zgjedhje, kurse çështja e ndërtesës delikate, sepse çdo lëvizje e Kosovës kontrollohet me sy të ashpër”, tha Bytyçi.

    Profesori Avdia thekson nevojën që, në takimin e radhës, BE-ja t’ua bëjë të qartë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, përmbushjen e kërkesave dhe zotimeve për të lëvizur procesin përpara.

    “Krijimi i një mini-krize të re debalancon komplet procesin, jo vetëm atë të zgjedhjeve, por edhe hapat tjerë të cilët negociatorët përpiqen t’i japin një ritëm më të shpejtë në këtë fillim-vjeshte, sepse duket se gongu po troket në mbarim të këtij afati të këtij viti”, tha Avdia.

    Takimi i fundit direkt ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, u zhvillua më 2 Maj, ndërsa më 22 Qershor, në Bruksel, liderët e dy shteteve zhvilluan takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell.

  • Kërkojnë qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit për shkak të Kosovës- politikanë perëndimorë letër Blinkenit, Borellit dhe Cleverley’t

    Kërkojnë qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit për shkak të Kosovës- politikanë perëndimorë letër Blinkenit, Borellit dhe Cleverley’t

    Polititkanë të disa shteteve perëndimore i janë drejtuar me një letër Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Ata kanë kërkuar nga Borrell, Blinken dhe Cleverly qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit.

    “Tendencat e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet që publikisht të kritikohet si interferim I juaj dhe duhet të ndërmerren masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse, nëse vazhdon t’i rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në letrën drejtuar Josep Borrell, Anthony Blinken dhe James Cleverly, përcjell Gazeta Expres.

    Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Jashtëm të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

    “Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet në letër.

    Politikat aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe me synimin për Serbinë dhe Kosovën nxjerrin në pah “dobësi në qasjen tonë të përbashkët”.

    Politikanët e huaj po bëjnë thirrje për kthim në ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.

    “Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcës mbrojtëse të NATO-s KFOR, sqarojnë ‘mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike’”, shkruan Tagesspiegel.

    “Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhet në letër.

    Artikullin e Tagesspiegel e ka shpërndarë Michael Roth, i cili në Twitter ka shkruar se kërkojnë qëndrim më kritik ndaj Serbisë dhe politikë më konstruktive ndaj Kosovës.

  • ​Borrell: BE duhet të bindë Rusinë që të rikthehet në marrëveshjen e grurit

    ​Borrell: BE duhet të bindë Rusinë që të rikthehet në marrëveshjen e grurit

    Bashkimi Evropian duhet të bindë Rusinë që të rifillojë pjesëmarrjen e saj në Iniciativën e Kokrrave të Detit të Zi, tha të premten shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një postim në Twitter.

    “Rusia duhet të ndalojë së përdoruri ushqimin si armë”, shtoi Borrell.

    Borrell kritikoi Rusinë për vendimin e saj për t’u tërhequr nga marrëveshja e grurit dhe për përpjekjen për të shmangur fajin duke pretenduar “se eksportet e saj bujqësore nuk u lehtësuan mjaftueshëm”.

    “Në kundërshtim me gënjeshtrat e përhapura nga Rusia, BE-ja me të vërtetë ka siguruar që sanksionet tona të mos kenë ndikim në sigurinë globale të ushqimit”, shtoi Borrell.

    Ai tha gjithashtu se pas tërheqjes së saj muajin e kaluar, ushtria ruse filloi të synonte objektet e magazinimit të grurit të Ukrainës, gjë që rriti çmimet.

    Ai garantoi se BE do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Turqisë dhe përpjekjet e OKB-së për të rifilluar marrëveshjen.

    Unioni do të forcojë gjithashtu “korsitë e tij të solidaritetit si rrugë alternative për eksportet bujqësore ukrainase për të arritur tregjet globale përmes BE” dhe do të rrisë mbështetjen e tij financiare për vendet në nevojë.

    Më 17 korrik, Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, duke thënë se pjesa ruse e marrëveshjes nuk është zbatuar. Ajo ka kërkuar lehtësimin e kufizimeve bankare dhe mundësinë për të transportuar plehrat e saj para se t’i kthehet marrëveshjes.

    Marrëveshja, e nënshkruar në korrik 2022 në Stamboll nga Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina ka pasur për qëllim rifillimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase të ndërprera për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila ka filluar në shkurt të vitit 2022, shkruan AA, përcjell KosovaPress

    Turqia ka thënë se vendet perëndimore duhet të përpiqen të adresojnë ankesat e Rusisë dhe se shpreson që Rusia të kthehet në marrëveshje.

  • Koreografia skandaloze e tifozëve serbë, eurodeputeti austriak i shkruan Borrellit, Lajçakut e Varhelyit

    Koreografia skandaloze e tifozëve serbë, eurodeputeti austriak i shkruan Borrellit, Lajçakut e Varhelyit

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka reaguar ndaj koreografisë nacionaliste të tifozëve serbë të futbollit, ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’.

    Ndaj kësaj, Mandl ka etiketuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrelin, të dërguarin për dialog, Miroslav Lajçakun, dhe komisionerin për zgjerim, Oliver Varhelyi, se a janë në dijeni për atë se çka ka ndodhur.

    “Ju ende dëshironi të sanksiononi cilin vend? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Miroslav Lajçak. A mund ta shihni se çka po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në shtensionimin e situatës, pajtimin dhe paqen. Të gjithë. Të gjithë ne”, shkroi Mandl në rrjetin social Twitter.

    Reagime të shumta pati edhe nga Kosova, ku Federata e Futbollit e Kosovës, bëri të ditur se ka paraqitur ankesë në UEFA për këtë çështje.

  • Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

    Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka dënuar djegien e Kuranit, pasi një grup i quajtur “Patriotët Danezë” jashtë Ambasadës së Irakut në Kopenhagë të Danimarkës.

    Kryediplomati evropian e ka cilësuar këtë veprim si “ofendues, mosrespektues dhe provokim i qartë” dhe ka thënë se “respekti për diversitetin është një vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin respektin për komunitetet e tjera fetare”.

    “Shprehjet e racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës përkatëse nuk kanë vend në Bashkimin Evropian. Ne vazhdojmë të mbrojmë lirinë e fesë apo besimit dhe lirinë e shprehjes, jashtë dhe brenda; por jo çdo gjë që është e ligjshme është etike”, thuhet në deklaratën e Borrellit, të publikuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

    Në faqen e tij në Facebook, grupi i ekstremit të djathtë, Danske Patrioter, publikoi një video ku një burrë shihej duke djegur atë që dukej të ishte një kopje e Kuranit dhe duke shkelur mbi një flamur të Irakut.

    Zëvendëshefja e policisë së Kopenhagës, Trine Fisker, ka thënë për AFP-në se “jo më shumë se dhjetëra” protestues ishin mbledhur para ambasadës irakiane.

    “Unë, po ashtu, mund të konfirmoj se një libër është djegur. Ne nuk e dimë se cili libër ka qenë”, ka thënë ajo. “[Protesta] ishte mjaft paqësore”, është shprehur Fisker.

    Javën e kaluar, turmat ia kanë vënë flakën Ambasadës së Suedisë në Bagdad, pas planeve për djegie të Kuranit në Stokholm.

    Akti i fundit që ka ndodhur në Kopenhagë ka nxitur marshe edhe në kryeqytetin e Jemenit, Sana, ku është shprehur zemërim i thellë për Danimarkën dhe Suedinë, që kanë lejuar akte të tillë.

    Shumë kombe myslimane e kanë dënuar këtë akt. Turqia e ka konsideruar incidentin si “sulm të neveritshëm” ndaj Kuranit, derisa Ministria e Jashtme e Algjerisë i ka ftuar për intervistë ambasadorët e Danimarkës dhe Suedisë për t’i dënuar aktet.

    Rreth 1.000 protestues në Bagdad kanë tentuar të hyjnë në Ambasadën e Danimarkës, pas incidentit. Edhe në Iran ka pasur protesta të shtunën lidhur me këto akte.

    Mediat lokale në Katar kanë raportuar se tregu më i madh i shtetit, Souq Al Baladi i ka larguar të gjitha produktet suedeze nga vitrinat, si shenjë proteste.

    Danimarka e ka dënuar djegien e Kuranit duke thënë se “këto akte provokative dhe të turpshme nuk e përfaqësojnë Qeverinë daneze.

    Autoritetet e Suedisë e kanë dënuar djegien e librit të shenjtë dhe aktin e kanë konsideruar si islamofobik.

    Myslimanët e konsiderojnë përmbajtjen e Kuranit si fjalë të Zotit, dhe çdo dëm që i shkaktohet librit me qëllim, konsiderohet mungesë respekti dhe ofendim i rëndë për ta.

  • Borrell ia zgjat mandatin edhe për ni vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Borrell ia zgjat mandatin edhe për ni vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Tomas Szunyog do të jetë edhe për një vit shef i BE-së në Kosovë.

    Këtë vendim e ka marrë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, për t’ia zgjatur atij mandatin deri më 31 gusht 2024, thuhet në njoftimin e Këshillit Europian.

    Tomáš Szunyog u emërua Përfaqësues Special për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Unionit në Kosovë.

    Përveç Szunyog, Këshilli Europian ka miratuar sot një sërë vendimesh për zgjatjen e mandateve ekzistuese edhe të dy përfaqësuesve specialë të BE-së për një vit.

    Johann Sattler në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Toivo Klaar u emërua për Kaukazin e Jugut.

    Përfaqësuesit specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona.

    Aktualisht, dhjetë përfaqësuesit specialë mbështesin punën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell. Këtu përfshihen tre përfaqësuesit specialë të përmendur më lart, si dhe ai për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe të tjerë.