ATV

Tag: Josep Borrell

  • Borrell nga Mynihu tregon nëse e ka në agjendë takimin Kurti-Vuçiq

    Borrell nga Mynihu tregon nëse e ka në agjendë takimin Kurti-Vuçiq

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se në Munih do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.

    Kurti dhe Vuçiq janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, që nis punimet më 16 shkurt.

    “Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, tha Borrell në Munih.

    Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiqit në Munih po ndodh në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

    Bashkimi Evropian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

    Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar rregulloren e BQK-së – e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme – dhe kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se mospërmbushja e kërkesës amerikane, veçse ka ndikuar në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

    BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

    Kosova përdor euron si valutë të saj që nga viti 2002, pavarësisht se nuk është pjesë e Eurozonës.

  • Borrell: BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën

    Borrell: BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën

    Shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, tha se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjatë takimit në Bruksel më 22 janar, u pajtuan se tani nuk është koha për të reduktuar ndihmën për Ukrainën.

    “Përkundrazi, ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejt sa i përket burimeve financiare, pajisjeve ushtarake, trajnimeve ushtarake dhe gjithë mbrojtjen që i duhet Ukrainës. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të projektojmë këtë ndihmë”, tha Borrell gjatë konferencës për media pas takimit.

    Ai po ashtu njoftoi se planifikon të vizitojë Ukrainën në javën e dytë të shkurtit, por nuk dha një datë specifike për vizitën e tij, apo se me kë planifikon të takohet.

    Në agjendën e takimit të parë të këtij vitit të ministrave të Jashtëm të BE-së u përfshin luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

    Mbrojtja e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia vazhdon të jetë prioritet për BE-në, tha Borrell para takimit në Bruksel, duke shtuar se konfliktet në Lindjen e Mesme nuk do të shpërqendrojnë bllokun.

    Ukraina “është pika e parë në agjendë”, tha Borrell para takimit.

    “Fakti që ne jemi të përfshirë për të kërkuar një zgjidhje për Lindjen e Mesme nuk nënkupton që ne nuk do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, tha ai.

    Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se shteti i tij po mbështetet në hapa të shpejtë gjatë çerekut të parë të këtij viti sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Ai po ashtu i bëri thirrje bllokut që të rrisë furnizimet me armë dhe të miratojë programin për mbështetje afatgjate për Kievin.

  • Serbia shpreh rezerva në Bruksel për obligimet nga Marrëveshja e Ohrit

    Serbia shpreh rezerva në Bruksel për obligimet nga Marrëveshja e Ohrit

    Ndonëse pas takimit të së mërkurës mbrëma të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor është thënë se të gjitha vendet e rajonit janë pajtuar për deklaratën e miratuar në samit, mësohet se Serbia ka shprehur rezerva në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë (Marrëveshja e Ohrit).

    Burimet e BE-së kanë konfirmuar se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në samit “ka shprehur qëndrimin nacional”, por ka përsëritur se “Serbia e ka mbështetur deklaratën”.

    Në dokumentin me qëndrimin e Serbisë, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se ajo “në përgjithësi, me rezerva, përshtatet me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor si një deklaratë politike dhe dokument joobligues ligjor”.

    Më tej bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në dokumentin ku Serbia ka shprehur qëndrimin e saj.

    “Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave të OKB-së dhe agjencive, e as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”, thuhet më tej ku shtohet se kjo deklaratë konsiderohet si ligjërisht jo obliguese dhe nuk e ka as peshën e marrëveshjes ndërkombëtare sipas së drejtës ndërkombëtare.

    Tutje, Serbia shprehet se “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë nën administrim ndërkombëtar në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së”.

    Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe respektimi i integritetit territorial.

    Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

    “U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të tij, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet më tej në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.

    Pajtueshmëria për aneksin e zbatimit është rritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars. /rel

  • Borrell: Samiti synon të krijojë lidhje të ngushta në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

    Borrell: Samiti synon të krijojë lidhje të ngushta në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

    Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka folur për samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

    Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, Borrell ka thënë se ky samit synon të krijojë lidhje më të ngushta midis BE-së dhe rajonit.

    Sipas tij, zgjerimi është një investim gjeo-strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet.

    “Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Samiti. Ky Samit i rëndësishëm synon të krijojë lidhje më të ngushta midis BE-së dhe rajonit – anëtarëve tanë të ardhshëm të BE-së. Zgjerimi është një investim gjeo-strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet”, shkroi Borrell.

  • Samiti i OSBE-së në Shkup, Borrell: Lavrov ka nevojë ta dëgjojë nga të gjithë se përse është izoluar Rusia

    Samiti i OSBE-së në Shkup, Borrell: Lavrov ka nevojë ta dëgjojë nga të gjithë se përse është izoluar Rusia

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas një takimi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, komentoi dhe pjesëmarrjen e diplomatit rus, Sergei Lavrov në samitin e OSBE në Shkup.

    Borrell u shpreh se gjatë këtij samiti Lavrov duhet ta dëgjojë edhe njëherë nga të gjithë vendet pjesëmarrëse njëzëri se përse është dënuar dhe sanksionuar Rusia nga bashkësia ndërkombëtare.

    “Vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrov është në një linjë me synimin tonë të përbashkët: të mbajmë të gjallë multilateralizmin. Lavrov ka nevojë të dëgjojë sërish nga të gjithë përse Rusia po dënohet dhe izolohet”, tha Borrell.

    “Do të jetë një rast i mirë për të dëgjuar drejtpërdrejtë nga pjesëmarrësit në takim, përse Rusia po dënohet dhe izolohet. Dhe më pas kur të rikthehet në Moskë do t’i raportojë mjeshtrit të Kremlimit se Bashkimi Europian dhe OSBE mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë”, shtoi ai.

  • Borrell thumbon Serbinë: Disa vende nuk kanë një histori të mirë me bashkrendimin e sanksioneve

    Borrell thumbon Serbinë: Disa vende nuk kanë një histori të mirë me bashkrendimin e sanksioneve

    Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, para ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ka thënë se ka një pengesë kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë – Serbi.

    Borrell ka thënë se se takimi me kryediplomatët e Ballkanit po bëhet për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon.

    Ndër të tjera kryediplomati i BE-së ka thënë se disa shtete të Ballkanit nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet.

    Kështu, kujtojmë se Serbia nuk është renditur me bllokun euro-atlantik për të sanksionuar Rusinë.

    “Kemi takimin me ministrat e Jashtëm të Ballkanit, për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon, për të diskutuar për propozimet e fundit të Komisionit për zgjerimin. Do të insistojmë në nevojën e ndjekjes më të afërt të politikës tonë të jashtme pasi që disa shtete nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet.

    Flet për vete se sa i rëndësishëm është që Komisioni ka propozuar hapjen e negociatave me Ukrainën. Kjo do të krijojë një lëvizje, dhe do të krijojë një rresht në pritje për anëtarësim. Ka një pengesë, kur bëhet fjalë për negociatat Kosovë-serbi, por dinamika e krijuar nga pranimi i shtegut për anëtarësim të Ukrainës, do të ndikojë të gjithë procesin e kandidaturave që është në një ngërç”, ka thënë Borrell.

  • Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë sot një takim në Bruksel nën drejtimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

    Fillimisht, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

    Siç njofton faqja zyrtare e BE-së, Këshilli më pas do të shkëmbejë pikëpamjet mbi situatën në Izrael dhe rajon, dimensionin e politikës së jashtme të sigurisë ekonomike.

    Pas Këshillit të Punëve të Jashtme më 13 nëntor 2023, ministrat e BE-së do të marrin pjesë në takimin ministror BE-Ballkani Perëndimor së bashku me gjashtë ministrat e jashtëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbisë.

    Takimi do të fillojë në orën 17:30 dhe do të drejtohet nga kryediplomati evropian Josep Borrell.

  • Borell konfirmon se s’ka marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, thotë se palët kishin parakushte

    Borell konfirmon se s’ka marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, thotë se palët kishin parakushte

    Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar shkurt pas takimeve që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell ka thënë se palët nuk ishin të gatshme që të pajtohen për Marrëveshjen Bazë, duke shtuar se kishin parakushte.

    Ai po ashtu ka thënë se synojnë t’i afrojnë palët edhe drejt marrëveshjes, përfshirë edhe Asociacionin.

    ”Dhe veprimet terroriste që i kemi dënuar sërish që sot jemi takuar me kryeministrin Kurti dhe pastaj me presidentin Vuçiq për të diskutuar për situatën dhe për të shpjeguar se rruga e vetme përpara është normalizimi përmes dialogut dhe se BE kërkon normalizim marrëdhëniesh midis dy vendeve dhe kemi pasur një pengesë të madhe që ka të bëjë me formimin e Asociacionit në Kosovë dhe në mënyrë që t’i afrojmë palët drejt një marrëveshje, ne propozuam në propozim të balancuar, evropian për Asociacionin dhe insistuam te palët që të marrin këtë rast që do të ishte hap i madh përpara”.

    ”Për fat të keq, palët nuk ishin të gatshme të pajtohen me këtë pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër dhe në fund, ne kërkuam palët që seriozisht të angazhohen në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut, sepse është mënyra e vetme të avancojnë në rrugën evropiane, ne do të vazhdojmë të angazhohemi për arritjen e një marrëveshjeje, por sot për fat të keq, nuk ishte e mundur pa parakushte nga njëra palë që ishte e papranueshme nga pala tjetër”, ka thënë Borrell.

  • Borrelli arrin në Uashington, merr pjesë në samitin ShBA-BE ku do të diskutohet edhe për Ballkanin

    Borrelli arrin në Uashington, merr pjesë në samitin ShBA-BE ku do të diskutohet edhe për Ballkanin

    Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) që zhvillohet më 20 tetor në Uashington.

    Së fundmi, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrel ka konfirmuar se ka arritur në këtë samit.

    “Mbërrita në Uashington për të marrë pjesë në samitin e sotëm ShBA-BE. Ne jemi të përkushtuar të forcojmë partneritetin tonë për vitet në vijim. Së bashku, ne duam të punojmë për një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme, për një të ardhme paqësore dhe të begatë për të gjithë”, ka thënë ai.

    Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në BE kanë thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ShBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

    Samiti ShBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

  • Borrell: Plani për evakuimin e 1.1 milion banorëve të Gazës i pamundur për t’u zbatuar

    Borrell: Plani për evakuimin e 1.1 milion banorëve të Gazës i pamundur për t’u zbatuar

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë në një konferencë shtypi se urdhri i evakuimit të Izraelit për njerëzit në Gazën veriore ishte “krejtësisht i pamundur për t’u zbatuar”.

    Dhjetëra mijëra civilë filluan të ikin në jug të Gazës dje pasi Izraeli u tha njerëzve të largoheshin nga zona përpara një ofensive të pritshme tokësore.

    “Të imagjinosh se mund të lëvizësh një milion njerëz në 24 orë në një situatë si Gaza, mund të jetë vetëm një krizë humanitare”, tha Borrell, në ditën e fundit të një vizite diplomatike tre-ditore në Kinë.

    Pavarësisht shprehjes së mbështetjes së BE-së për Izraelin, ai paralajmëroi gjithashtu se ishte i detyruar të ndjekë ligjin ndërkombëtar humanitar në procesin e mbrojtjes së tij.

    “Pozicioni është i qartë. Por, si çdo e drejtë, ajo ka një kufi. Dhe ky kufi është ligji ndërkombëtar”, u shpreh Borrell.