ATV

Tag: Hekuran Murati

  • Kurti dhe Murati udhëtojnë drejt Londrës, marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Kurti dhe Murati udhëtojnë drejt Londrës, marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

    Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

    Ky samit është organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

    Samiti do të mbahet të hënën më 26.02.2024, ka njoftuar Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    “Ngjarja do t’i bëjë bashkë 6 kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe investitorët ndërkombëtarë meqëllim për të nxjerrë në pah investimet potenciale dhe mundësit biznesore në regjion, dhe të promovohen projektet rajonale ndërkufitare”, thuhet në komunikatën e BERZH-it.

  • Ministri Murati raporton sot në Komisionin për Mirëqenie Sociale

    Ministri Murati raporton sot në Komisionin për Mirëqenie Sociale

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot raporton para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    Në këtë komision, temë diskutimi do të jetë strategjia legjislative lidhur me skemat sociale dhe pensionale për vitin 2024.

    Në këtë takim do të diskutohet edhe për planet dhe prioritetet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024.

    Takimi nis në orën 11:00, në Kuvendin e Kosovës.

  • Zgjerohet platforma “Superpuna” – Subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri 29 vjeç

    Zgjerohet platforma “Superpuna” – Subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri 29 vjeç

    Më shumë se 9 mijë të rinj janë punësuar në kuadër të platformës “Superpuna”, nga bizneset e sektorit privat e cila që nga sot përfitues mund t’i punësojnë edhe grupmoshat deri në 29 vjeç, nga 25 sa ishte, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë zgjerimit të kësaj platforme, kryeministri Albin Kurti, tha se grupmoshat që kanë përfituar më herët ka qenë nga 18 deri 25 vjeçare, ndërsa përfitues mund të jenë edhe personat deri 29 vjeç.

    “Punë dhe drejtësia është togfjalëshi që është dëgjuar më së shpeshti në prezantimet tona. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionim e pagës së punëtoreve. Platforma ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ku u punësuan 9394 të rinj dhe të reja. Jam shumë i lumtur që disa prej përfituesve i kemi në mesin tonë për t’u dhënë edhe një lajm të mirë. Kemi vendosur që t’i zgjerojmë grupmoshat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, tani nga 18 vjeç deri në 29 vjeç mund të përfitojnë për t’u punësuar”, tha ai.

    E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se synimi ka qenë që të punësohen 10 mijë të rinj e të reja.

    Ai tha se 67 për qind e të rinjve që janë punësuar përmes kësaj platforme, u janë vazhduar kontratat nga punëdhënësi.

    “Duke parë suksesin e grupmoshës së parë, kemi vendosur të zgjerohet grupmosha për ata që janë më shumë se 25 vjeç. Pra nga ata që kanë përmbushur gjashtë mujorin, janë 67 për qind e tyre që kanë përfituar punësim. Ndryshimet, do të vazhdojnë kushte dhe kriteret e tjera siç kanë qenë”, tha ai.

  • Murati: Investimet kapitale në vitin 2023 u rritën 32%

    Murati: Investimet kapitale në vitin 2023 u rritën 32%

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në vitin 2023 shpenzimet janë rritur 13 për qind krahasuar me vitin 2022.

    Murati ka thënë se investimet kapitale në vitin 2023 janë rritur 32 për qind më shumë sesa në vitin paraprak, ndërsa ka shtuar se pagat dhe shtesajt janë kategoria e dytë me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit.

    “Sipas raportit preliminar të shpenzimit të buxhetit, në vitin 2023 shpenzimet janë rritur për 13% krahasuar me vitin paraprak. Investimet Kapitale është kategoria që është rritur më së shumti në vitin 2023, me 32% më shumë sesa viti 2022. Kategoria Paga dhe Shtesa është e dyta me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit, me 114 milionë euro më shumë, apo 17% më shumë sesa viti 2022. Kjo tregon se në sektorin publik ka pasur rritje mesatare të pagave që ka tejkaluar shkallën mesatare të inflacionit prej 11.6% të vitit 2022.”

    Murati ka shkruar se subvencionet dhe transferet kanë pasur rritjen më të vogël, 1 për qind.

    “Mallërat dhe Shërbimet gjithashtu me 17% kanë trendin e njëjtë të rritjes, mirëpo si vlerë absolute rritja është përgjysmë më pak sesa kategoria Paga dhe Shtesa. Ndërsa Subvencionet dhe Transferet kanë pasur rritjen më të vogël nga të gjitha kategoritë, me vetëm 1%.”

  • Juristët thonë se ministri Murati veproi kundërligjshëm me kategoritë e luftës

    Juristët thonë se ministri Murati veproi kundërligjshëm me kategoritë e luftës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Vendimi i Ministrit të Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit, kategoritë e dala nga lufta të aplikojnë, për të qenë përfitues të subvencionit të energjisë, sipas juristëve është i kundërligjshëm.

    Këtyre familjeve, të drejtën për subvencionim ua garantonte Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, që është në fuqi edhe më tutje.

    Vendimi i Qeverisë, sipas të cilit familjet që kanë të ardhura mujore më të ulëta se 150 Euro në muaj për anëtar të familjes, mund të aplikojnë për subvencionim të shpenzimeve të energjisë elektrike, u publikua dje, ndonëse u miratua para dy muajve.

    Publikimit të vendimit i parapriu raportimi i ATV-së për përjashtimin e familjeve të kategorive të dala nga lufta nga skemat për subvencionim të rrymës.

    Sipas juristëve, Ministri Murati shkeli ligjin edhe më herët pikërisht për këto kategori, kur u kërkoi që në rast se duan pensionin si kategori të luftës duhet të heqin dorë nga pensioni i pleqërisë apo punës.

    Ministri Murati e ka pranuar se një numër i konsiderueshëm i familjeve që kanë përfituar nga subvencionimi në të kaluarën, nuk kanë aplikuar fare për subvencion sipas skemës së re.

  • Procesohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

    Procesohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

    Janë procesuar pagesat për afër dy mijë familje të prekura nga vërshimet në shtator të vitit 2022 dhe në janar të vitit 2023.

    Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Murati, tha se 620 familje janë të mbështetura për vërshimet e shtatorit 2022, ndërsa një mijë e 285 familje janë të mbështetura për vërshimet e janarit 2023.

    “Pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga ana e komunave dhe komisionit përkatës për vlerësimin dhe verifikimin e dëmeve, tashmë janë procesuar pagesat në kuadër të mbështetjes për rimëkëmbje nga dëmet e vërshimeve në ekonomitë familjare, për vërshimet në 2022 dhe 2023”, tha ai.

    “Sipas vendimit të qeverisë, dhe vlerësimit të komisioneve përkatëse, gjithsej janë mbështetur 1,905 familje, ku nga to për vërshimet e shtatorit 2022 janë 620 familje të mbështetura, kurse për vërshimet e janarit 2023 janë 1,285 familje të mbështetura”, u shpreh Murati.

    Qeveria e Kosovës kishte ndarë muajin e kaluar 9 milionë euro për mbështetjen e ekonomive familjare të prekura nga vërshimet.

  • Rritet numri i inspektorëve, Murati: Shtohen gjobat për bizneset që nuk respektojnë ligjin

    Rritet numri i inspektorëve, Murati: Shtohen gjobat për bizneset që nuk respektojnë ligjin

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se kanë trefishuar numrin e inspektorëve të punës, nga 22 në 60.

    Ai ka shkruar se numri i inspektorëve do të rritet edhe më tej.

    “Edhe një lajm i mirë: Numri i inspektorëve të punës shkon në 60, nga 22 sa ishte. Pra, gati trefishim i numrit, dhe ende do të rritet”, shkruan Murati.

    Krahas numrit, ai ka theksuar se janë shtuar edhe kontrollet dhe gjobat për bizneset që nuk respektojnë Ligjin e Punës dhe të drejtat e punëtorëve.

    “Ka shumë sfida, por gradualisht dhe sigurt po e bëjmë ndryshimin. Vazhdojmë”, shkruan Murati në Facebook.

  • Murati nënshkruan marrëveshje me USAID, garantojnë siguri për investitorët

    Murati nënshkruan marrëveshje me USAID, garantojnë siguri për investitorët

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshje me drejtoreshën në detyrë e Misionit të USAID në Kosovë, Kerry Monaghan Hogler dhe zv. drejtorin e Projektit “Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa”, Artan Loxha, për mbështetje në marrjen e vlerësimit kreditor për Kosovën.

    Sipas komunikatës, marrëveshja mbështet në marrjen e vlerësimit kreditor të Kosovës në mes të MFPT dhe USAID.

    “Në kuadër të marrëveshjes së mirëkuptimit parashihen aktivitetet e përbashkëta si edhe mbështetja që USAID do të ofrojë për Republikën e Kosovës në marrjen e vlerësimit kreditor. Marrja e vlerësimit kreditor ka një rëndësi të veçantë sepse mundëson që investitorët e huaj të kenë një pasqyrë të qartë të mundësive dhe përfitimeve nga investimet që ata bëjnë në Kosovë si dhe rritë besueshmërinë mbi stabilitetin financiar të vendit”, thuhet në komunikatë.

    Ministri Murati theksoi se “Si Ministri përgjegjëse për financa është shumë me rëndësi që të sigurojmë qasje sa më të lehtë në financa për të gjitha institucionet financiare, andaj marrja e vlerësimit kreditor për vendin është një hap tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

    Kurse Monaghan Hogler shprehu se “vlerësimi kreditor do t’i ofrojë Kosovës qasje më të madhe në tregjet kapitale ndërkombëtare si dhe do të zvogëlojë kostot e huamarrjes”.

    Drejtoresha në detyrë znj. Monaghan Hogler gjithashtu theksoi rëndësinë e vlerësimit kreditor për të rritur besimin e investitorëve dhe për ta bërë Kosovën më tërheqëse për investimet e huaja.

  • 9 milionë euro për komunat që janë prekur nga vërshimet

    9 milionë euro për komunat që janë prekur nga vërshimet

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të subvencionuar komunat që janë prekur gjatë vërshimeve në shtator të 2022-ës dhe janar 2023, raporton EO.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kanë ndarë 9 milionë euro për të mbuluar 90% të vlerës investive.

    “Nga tri kategoritë që janë të ndara, që janë ekonomit familjare, bujqësia dhe bizneset. Kemi portretizuar që me urgjencë ta mbështesim kategorinë e ekonomive familjare. Për këtë qëllim kërkojmë që të ndahen 9 milion euro”, tha ai.

  • Kosova merr kredi 20 milionë dollarë për digjitalizim

    Kosova merr kredi 20 milionë dollarë për digjitalizim

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Tash e tutje, Kosova pritet të ketë sistem më të avancuar në ofrimin e shërbimeve administrative pas nënshkrimit të projektit për qeverisje digjitale.

    Mbështetja financiare e projektit 5-vjeçar, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh.

    “Ky projekt që financohet nga Banka Botërore është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh, nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka maturitet prej 25 vjetësh dhe grejs-periudhë prej 5 vjetësh, me normë interesi 1,25%”, tha Murati.

    Sipas Muratit, projekti i cili do të zbatohet nga Agjencia Për Shoqërinë e Informacionit, do të fokusohet në tri pika themelore.

    “Projekti ka tre komponentë, transformimin digjital të Qeverisë, transformimin digjital për shërbime publike dhe ngritjen e kapaciteteve. Te transformimi digjital i Qeverisë, një shembull i kësaj do të ishte nënshkrimi digjital, i cili na është kërkuar nga Banka Botërore”, tha Murati.

    Projekti u nënshkrua edhe nga menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.
    “Digjitalizimi i suksesshëm i shërbimeve dhe nxitja e përdorimit të tyre do t’i përforcojnë përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, për përmirësimin e fuqizimit të grave, si dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike”, tha Paolucci.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka internet të shtrirë në 100% të territorit.