I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha se pala kosovare e ka një draft për Asociacionin, por sipas tij, nuk duan ta paraqesin, raporton ATV.
“Ata duhet që menjëherë të prezantojnë një draft të një ligji që do ta sillte atë në jetë, tani, menjëherë. Dhe ata kanë një, por thjesht nuk duan ta paraqesin”, tha Escobar.
Ai tha që nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në.
Po ashtu, Escobar shtoi se Aleksandar Vuciq nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës, ndërsa shtoi se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin. /atvlive.tv
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha që më së largu nesër duhet të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri, transmeton ATV.
“Një rrugë është shpërshkallëzimi, rruga e dytë është zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, dhe e treta duhet të lëvizim menjëherë drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë se duhet të shohim një përpjekje të vërtetë të Kosovës për t’u angazhuar për asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa të ndërmarrë nga Serbia. Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.
Ai tha se BE-ja ka prezantuar një rrugë përpara, që është shpërshkallëzimi i menjëhershëm, dhe kjo do të përfshinte një plan që kryetarët jo domosdo të kenë nevojë të punojnë në ato ndërtesa, përderisa tensionet janë kaq të larta.
“Në SHBA, ne kemi shumë përvoja në situata të tilla, dhe ne tentojmë t’i ndajmë këto përvoja dhe vizionin tonë. Mund të ju them personalisht se isha duke punuar në një ndërtesë federale në San Francisko në vitin 1991, kur po protestohej kundër Luftës së Gjirit. Dhe ishte mbyllur një ndërtesë federale në të cilën ndodheshin prokurorët, FBI-ja, dhe institucione të tjera federale. Ata thjesht kaluan në një ndërtesë tjetër, dhe e vazhduan punën. Dhe askush nuk tha se ne ia dhamë sovranitetin asaj turme”, tregoi Escobar. /atvlive.tv
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, ri përsëriti se SHBA është mbështetësi më i madh i Kosovës dhe se marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë ndryshuar, transmeton ATV.
“Dua ta përsëris për njerëzit, se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është marrëdhënie ndërmjet popujve të shteteve tona, dhe kjo marrëdhënie është e fortë dhe nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi të angazhuar për pavarësinë tuaj, sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj si dhe prosperitetin tuaj ekonomik. Kur unë diskutoj me njerëzit në anembanë vendit dhe me kosovarët të cilët vijnë në Uashington, vazhdimisht më vijnë ndër mend mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë në këtë vend, si vend i kulturës kreative, kulturës sipërmarrëse, si një që do të jetë një krijuese e punës në të ardhmen, brenda Evropës. Andaj, kjo është ajo në çfarë unë jam fokusuar”, tha Escobar.
Ai sqaroi se kanë disa sfida në marrëdhënien bilaterale sa i përket raportit me kryeministrin.
“Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarëdo vështirësi aktuale që kemi me kryeministrin, nuk do të ndikojnë në këto mendime. Por ne kemi disa sfida në marrëdhënien bilaterale, sa i përket raportit me kryeministrin. Do të jem i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se në një mënyrë, ne po e braktisim këtë marrëdhënie dhe angazhimin tonë me Kosovën, në dobi të Serbisë”, shpjegoi Escobar. /atvlive.tv
Veriu ishte kryetemë edhe në ditën e dytë të takimeve, në Prishtinë, të emisarëve të posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar.
Pas takimit me dy emisarët, në një komunikatë, presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-në dhe BE-në, me qëllim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.
Krahas nevojës që grupet kriminale që përdorën dhunë ndaj Policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, të përballen me drejtësinë, presidentja Osmani përmendi edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.
“Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit, mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, presidentja shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Dy emisarët e posaçëm, pritën në takim të përbashkët tre krerët e opozitës parlamentare.
Teksa kërkoi reagim nga presidentja Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i shqetësuar me situatën dhe tha se po vazhdon konsultat e përditshme me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, për veprimet e mëtejme.
“Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Duke kritikuar qasjen dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë janë në gjendje të paparë në 33 vjetët e fundit.
“Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë i mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë, si LDK, e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve, veprimet tona do të jenë publike”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Lajcak dhe Escobar u takuan edhe me krerët e Listës Serbe.
Dy emisarët, evropian dhe amerikan, do të udhëtojnë për në Beograd për takim me krerët shtetërorë të Serbisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Në takimin me gazetarë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, i dërguari i State Dept për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe një herë përsëriti se Shtetet e Bashkuara kanë sfidë dhe vështirësi në komunikim me Kryeministrin Kurti.
Mirëpo, marrëdhëniet e Amerikës me popullin e Kosovës nuk kanë ndryshuar dhe është e pakuptueshme pse flitet për një gjë të tillë.
“Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarëdo vështirësi aktuale që kemi me kryeministrin, nuk do të ndikojnë në këto mendime. Por ne kemi disa sfida në marrëdhënien bilaterale, sa i përket raportit me kryeministrin. Do të jem i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se në një mënyrë, ne po e braktisim këtë marrëdhënie dhe angazhimin tonë me Kosovën, në dobi të Serbisë. Dua t’ia rikujtoj njerëzve, se Serbia ishte kundër pavarësisë tuaj në 2008-ën, dhe ne ecëm përpara. Ata ishin kundër fushatës tonë për njohje përgjatë viteve, dhe ne vazhduam para. Edhe lidhur me këtë, ata ishin kundër Këshillit të Evropës por ne ecëm përpara. Ata ishin kundër zgjedhjeve, dhe ne i pamë ato si legjitime. Ata i kundërshtuan rezultatet, dhe ne thamë se zgjedhjet ishin të lira dhe fer. Kështu që, kur ne e pyetëm qeverinë të mendojë se si do të vazhdonte pas kësaj, dhe ne dhamë disa propozime konkrete. Ne u habitëm se si ata menduan se si ne ishim kundërshtarët”, tha Escobar.
Escobar pohoi se presin që autoritetet e Kosovës kanë dy ditë afat që ti përgjigjen kërkesave që ai dhe përfaqësuesi i BE-së Lajcak ia kanë bërë kryeministrit Kurti dhe shtoi se drafi për asociacionin është gati, por po mbahet fshehtë.
“Ne shohim se ka një rrugë përpara, Bashkimi Evropian ka prezantuar një rrugë përpara, që është shpërshkallëzimi i menjëhershëm, dhe kjo do të përfshinte një plan që kryetarët jo domosdo të kenë nevojë të punojnë në ato ndërtesa, përderisa tensionet janë kaq të larta. Andaj, një rrugë është shpërshkallëzimi, rruga e dytë është zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, dhe e treta duhet të lëvizim menjëherë drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë se duhet të shohim një përpjekje të vërtetë të Kosovës për t’u angazhuar për asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa të ndërmarrë nga Serbia. Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo. Kosova duhet menjëherë – TASH që të paraqes projektligjin e neovjshëm për asociacion. E kanë të gatshëm, por nuk duan ta paraqesin!”, tha Escobar.
Zëvendës ndihmës Sekretari Escbar përsëriti se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të bëhet, pyetja është se nga kush do të bëhet. Pas Prishtinës, Escobar bashkë me ndërmjetësuesin e BE-së në dialog Miroslav Lajcak vizitojnë Beogradin. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák.
Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.
Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.
Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të qëndrojnë sot në Beograd dhe nesër në Prishtinë, për të nxitur palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, ku për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.
Diplomacia perëndimore po vazhdon thirrjet që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të rikthyer qetësinë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Zveqan, Zubin Potok e Leposaviq, ku të dielën numër më i ultë i qytetarëve serbë u mblodhën para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre.
Shtetet e Bahskuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të largojë njësitë e posaçme të policisë nga ndërtesat komunale, zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja. Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.
Bashkimi Evropian të shtunën paralajmëroi se dështimi për të bërë hapa në shtensionim të situatës do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
Duke mbështetur kërkesat e tilla, të shtunën, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, publikoi një udhëzues prej nëntë pikash për të siguruar shtensionimin dhe normalizimin, paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë në të cilin kërkohet që Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë zotimet për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Në udhëzues thuhet se kryetarët e zgjedhur të komunave në veri duhet të dorëhiqen gjatë verës për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mbaheshin deri në fund të vitit.
Kryesuesi i OSBE-së tha se organizata e tij do të mbështesë procesin zgjedhor dhe rritjen e mirëbesimit në mes të komuniteteve.
Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për situatën në terren.
Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta të cilat u përshkuan me dhunë të hënën duke shkaktuar plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it dhe duke nxitur shqetësime për ripërtëritje të konfliktit në rajon.
NATO-ja tha se 700 trupa shtesë do të vendosen në Kosovë dhe trupa të tjerë janë në gatishmëri për t’iu bashkuar forcave paqeruajtëse nëse është e nevojshme.
Ministria turke e Mbrojtjes tha sot se ka nisur trupa komando në Kosovë në përgjigje të kërkesës së NATO-s. Duke shoqëruar me pamje të trupave në rrugë e sipër kjo ministri tha se batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.
Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore:
Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.
Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.
Bashkimi Evropian e kishte quajtur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve si një “dalje nga faza e menaxhimit në krizave në një fazë të normalizimit”.
Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në veri të Kosovës, për çka përgjegjësia iu bart autoriteteve të Kosovës, të cilat insistuan që kryetarët e zgjedhur të komunave të hynë në ndërtesa, prapë aktiviteti i BE-së është kthyer në menaxhimin e krizave.
Diplomatët në BE thonë se duhet siguruar që tensionet e fundit në veri të mos e rrezikojnë marrëveshjen e arritur, prandaj bëjnë thirrje që tensionet të ulen menjëherë dhe në mënyrë të pa kusht, dhe që palët t’i kthehen dialogut dhe procesit të normalizimit.
Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Përshkallëzimi në veri të Kosovës kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës.
Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.
“Në Serbi janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave të tjera. Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në fakt, nuk është pritshmëri. Është obligim”, tha Escobar.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”.
Ai përkujtoi se marrëveshja mes dy palëve është ligjërisht e detyrueshme dhe se tani shtrohet pyetja se si të zbatohet plotësisht.
Escobar tha se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “mund të tregojnë guximin e nevojshëm politik për të ndërmarrë hapat e duhur”.
Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin për zbatimin e saj. /REL
Kritika për Kosovën dhe Serbinë, për mos zbatim të marrëveshjeve të arritura, kanë ardhur të shtunën nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar i cili mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi në një intervistë për RTK-në dhe kritika për palët mos progresin e ngadalshëm në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”.
Escobar thotë se të gjitha nenet pa përjashtim duhet të zbatohen.
“Është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”, shtoi emisari amerikan.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione.
“Mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj”.
Ai ka dhënë edhe idenë e tij se si e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, ka deklaruar tutje Escobar.