ATV

Tag: FSK

  • Forcimi i partneritetit ushtarak: Kosovë–Iowa thellojnë bashkëpunimin

    Forcimi i partneritetit ushtarak: Kosovë–Iowa thellojnë bashkëpunimin

    Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe me ftesë të Inspektoratit Gjeneral të kësaj Garde, ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Ministrisë së Mbrojtjes, i udhëhequr nga gjeneralmajor Irfete Spahiu dhe i shoqëruar nga këshilltarja e NALT-it, kolonel Bryant, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vizitë morën pjesë gjithashtu kolonel Ramiz Bytyqi, major Vilson Musaj dhe rreshter shtabor Jeton Ramadani.
    Gjatë kësaj vizite njëjavore, ekipi u prit nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin u zhvillua një takim i veçantë pune mes tij dhe gjeneralmajor Spahiut.
    Vizita filloi me pritjen zyrtare nga ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga kolonel Piters dhe nënkolonel Mosby, ku pas fjalëve mirëseardhëse u mbajtën prezantime nga të dyja palët dhe më pas u zhvillua një trajnim për programin e inspektimit CIP-it, përgatitje kjo për inspektimin e përbashkët që u realizua më 13 dhe 14 shtator në Regjimentin 185 të Stërvitjeve.
    Po ashtu, ekipi zhvilloi një vizitë informuese në Forcat Ajrore të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ku u njoftua në detaje për detyrat dhe përgjegjësitë specifike të kësaj strukture.
    Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit nga Kosova morën pjesë edhe në ceremoninë “Gara e ushtarit më të mirë, ku morën pjesë tre pjesëtarë të FSK-së. Në vijim, u realizua një vizitë në shtëpinë e veteranëve të Iowa-s në qytetin Marshalltown, ku gjeneralmajor Spahiu u adresua personalisht veteranëve të akomoduar atje, ndërsa një tjetër ndalesë domethënëse ishte vizita në muzeun ushtarak “Iowa Gold Star Military Museum” në Camp Dodge.
    Në fund të vizitës në SHBA, delegacioni i Inspektoratit të Përgjithshëm vizitoi edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Moines, ku u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve amerikanë.
  • Premtimi i Presidentes për kushte më të mira për ushtarët, ende asgjë konkrete

    Premtimi i Presidentes për kushte më të mira për ushtarët, ende asgjë konkrete

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Paga më të larta, sigurim shëndetësor e spital ku do të trajtohen u pati premtuar presidentja Vjosa Osmani ushtarëve, në fund të vitit të shkuar. Atëkohë presidentja pati listuar 7 shtylla në bazë të programit kombëtar për FSK-në.

    Por, deri më tani ushtarët nuk gëzojnë asnjë nga këto që përmend komandantja supreme e tyre. Madje, kanë edhe mungesa në pajisje bazë siç janë çizmet.

    Institucioni që presidentja udhëheq e as Qeveria nuk treguan nëse ka nisur ndonjë punë në jetësimin e këtij projekti. Megjithatë, një gjë e tillë thuhet se është e domosdoshme.

    “Investimi në Forcën e Sigurisë në kuptimin e kushteve, sigurimit shëndetësor dhe gjithçka tjetër që lidhet me mirëqenien e tyre është më se i domosdoshëm dhe është investim i qëndrueshëm dhe i dobishëm dhe investim strategjik për Kosovës, sepse një FSK e konsoliduar mirë, e përgatitur mirë në kuptimin logjistik, teknik dhe çdo aspekt tjetër do të ishte një garanci për një siguri të qëndrueshme në Republikën e Kosovës”, deklaroi profesori i lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj.

    Për më tepër përmirësimi i kushteve vlerësohet se do rriste edhe interesimin e të rinjve për të qenë pjesë e këtij institucioni.

    “Përmirësimi i kushteve më të mira është më se i domosdoshëm që ata të ndihen më me dinjitet, të ndihen më të trajtuar mirë nga shoqëria dhe njëkohësisht kjo prodhon dhe determinon vullnetin dhe motivin për perfomancë më cilësore”, shtoi tutje Çollakaj.

    Forcës së sigurisë së Kosovës pritet që gjatë këtij viti t’i shtohen edhe 600 pjesëtarë, derisa me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Në kazermën “Adem Jashari”, sot nga ora 10:30 do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Gjermania për FSK-në.

    Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

     

  • Gjermania i dhuron automjete FSK-së

    Gjermania i dhuron automjete FSK-së

    Republika Federale e Gjermanisë do t’i dhurojë automjete për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve do të mbahet nesër.

    Ceremonia do të organizohet në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari” në Prishtinë, me fillim prej orës 10:30.

    “Në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, të enjten, më 11 prill, duke filluar nga ora 10:30, do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Republika Federale e Gjermanisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë: ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në paralajmërimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e shumë njësive ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “ne jemi gjithmonë të gatshëm, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vendin tonë”.

    Në një intervistë të dhënë për “Anadolu”, Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi.

    Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

    “Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

    Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

    “Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu.

    Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

    Ministri Maqedonci tha se janë në fazën e dytë të realizimit të planit për transformimin e FSK-së në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve këmbësorike dhe luftarake për mbrojtjen e rajonit dhe se do të kalojnë në fazën e tretë dhe të fundit në vitin 2025 dhe në këtë kontekst, do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, si dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake, deri në vitin 2028.

    Duke theksuar se aktualisht FSK-ja ka personel me rreth 4 mijë pjesëtarë, Maqedonci tha se në mesin e tyre janë 55 pjesëtarë turq të Kosovës.

    Ai tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të sigurisë kombëtare të Kosovës, shtuar thënë se kanë krijuar kapacitete mbrojtëse në përputhje me doktrinën e NATO-s dhe se të gjitha pajisjet dhe sistemet e armatimit i kanë blerë sipas standardeve të NATO-s.

    “Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”, theksoi ministri, duke nënvizuar se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri.

    Kosova do të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Ministri Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.

    Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.

    “Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.

    Ne kemi “marrëdhënie të veçanta” me Turqinë në fushën ushtarake

    Maqedonci tha se ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    Ai tha se Kosova me Turqinë kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.

    “Ne në vazhdimësi kemi njësi dhe individë që i trajnojmë në Republikën e Turqisë. Kemi shumë ekipe të ushtrisë turke të cilat në Kosovë zhvillojnë trajnime të ndryshme për njësitë e FSK-së. Kemi gjithashtu raporte të shkëlqyera në aspektin e industrisë ushtarake, pra, më saktësisht të blerjeve ushtarake. Në këtë aspekt, për të rritur më shumë këtë bashkëpunim, në fillim të këtij viti nënshkruam një marrëveshje kornizë ushtarake me Republikën e Turqisë në Ankara bashkë me ministrin (Jashar) Gyler. Gjithë kjo mbështetje që Turqia ofron për kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë janë vërtet vitale që vendi ynë, më saktë Ministria jonë e Mbrojtjes dhe FSK, të kenë sot një nivel të lartë profesionalizmi dhe ndoshta të jetë ndër ushtritë më të zhvilluara në rajon në aspektin e gjithëmbarshëm”, theksoi ai.

    Duke folur për dronët “Bayraktar TB2”, që Kosova i bleu nga Turqia gjatë vitit të kaluar, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit me to janë duke vazhduar.

    “Njësitë e veçanta që merren me drejtimin e Bajraktarëve TB2, zhvillojnë aktivitete të ndryshme me ta dhe me të vërtetë ne i shohim si asetet kyçe të FSK-së”, theksoi ministri.

    Duke deklaruar se në inventarin e FSK-së kanë produkte turke si raketa kundërtank “Omtas” dhe automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetër, Maqedonci shtoi gjithashtu se do të blejnë nga SHBA-ja raketa kundërtank “Javelin”, për të cilat procesi ende po vazhdon.

    FSK-ja, e cila u themelua në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave në Kosovë dhe përtej kufirit, për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera, filloi procesin e transformimit të saj në ushtri me ndryshime ligjore nga viti 2018. Procesi pritet të zgjasë 10 vjet.

  • Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Me ftesë të komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe delegacioni i tij po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Ajova, SHBA.

    Në ditën e parë të vizitës, gjenerali Osborn priti në takim bilateral gjeneral Jasharin ku u diskutua për aktivitetet e përbashkëta në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes dy forcave si dhe synimet për avancimin e aktiviteteve bazuar në planin afatmesëm të bashkëpunimit. Të dy gjeneralët u pajtuan të zhvillojnë tutje programin në fushat e manovrës, logjistikës, kibernetikës, mjekësisë si dhe zhvillimit të korit të nënoficerëve. “Po ashtu gjatë kësaj vizite u realizuan edhe disa sesione të prezantimeve për rekrutimin dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, mbi gatishmërinë si dhe modernizimin. Të dy delegacionet patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe praktika nga të dy vendet përkatëse”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në ditën e dytë të vizitës së tij Gjeneral Jashari dhe delegacioni i tij u pritën nga zëvendës guvernatori i Ajovës, Adam Gregg. Gjatë takimit gjeneral Jashari falënderoi Gregg për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Ajovës po jep për Kosovën në përgjithësi dhe FSK-në në veçanti. KOMFSK pati mundësi të informojë atë për arritjet e FSK-së, dhe rrugën përpara në zhvillimin e kapaciteteve të reja. Zëvendës guvernatori u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe të arriturat si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar tutje në thellimin e bashkëpunimit në nivel sa më të lartë.

    “Delegacioni i FSK-së, ka vizituar edhe Konsullatën e Kosovës në Ajova, ku u pritën nga Sekretari i Parë i Konsullatës, Fatmir Rrahmanaj. Ai prezantoi punën e konsullatës dhe angazhimin e tyre në koordinimin dhe sinkronizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë”, thuhet në njoftim.

  • Maqedonci: FSK-ja është gati për anëtarësim në NATO

    Maqedonci: FSK-ja është gati për anëtarësim në NATO

    Prania e 48 bazave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë, vazhdon të jetë rrezik real dhe si i tillë do të trajtohet, tha ministri i Mbrojtjes.

    Si fakt shqetësues, Ejup Maqedonci përmendi edhe armatosjen e shtetit fqinj, nga Rusia dhe Kina.

    “Prezenca ushtarake e ushtrisë së Serbisë në jug të territorit të Serbisë dhe prezenca e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës duke i shtuar kësaj edhe bazamentin që është qasja hegjemoniste dhe agresive politike e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, ky rrezik është real dhe vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real dhe vlerëson që vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real”, deklaroi ministri Maqedonci.

    Anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, ministri i Mbrojtjes e sheh si problem politik duke e lidhur me qëndrimin e vendeve mosnjohëse.

    “Ne kemi bërë hapa jashtëzakonisht të shumtë për përgatitjen e kapaciteteve tona mbrojtëse për anëtarësimin në NATO. Ministria e Mbrojtjes planifikon dhe organizon punën e saj bazuar në planifikimin që e bënë edhe NATO, në dokumentet që aplikon në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet, trajnohet dhe përgatitet siç përgatiten të gjitha vendet e NATO-s, ushtarakët tanë përgatiten me doktrinën e NATO-s dhe shumica e pjesëtarëve tanë janë të trajnuar në shkollat e tyre. Sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, vendi ynë qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik, duke pasur parasysh që është vendim politik i secilit shtet brenda tij për çështjen e pranimit apo të mospranimit të një vendi në NATO, dhe i kemi katër vende të mosnjohjes që paraqesin në vazhdimësi problem në aspektin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO.”, tha Maqedonci.

    Ministri kosovar i Mbrojtjes, edhe një herë theksoi se grupi terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi policin Alban Rashiti,  me 24 shtator në Banjskë ka përdorur armatim të prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë dhe ishte trajnuar nga instruktorë ushtarakë në Serbi.

  • Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati gjashtë vjetëve, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë do të furnizohen me uniforma. Megjithatë, nuk dihet sasia e uniformave e as vlera e kontratës.

    “Është nënshkruar kontrata e re dhe tashmë uniforma janë duke u prodhuar. Është kontratë e klasifikuar, blerje të përjashtuara sipas ligjit të prokurimit”, deklaroi Liridona Gashu nga Ministria e Mbrojtjes.

    Teksa nuk dihet asgjë për kontratën e re, 5 milionë euro ishin destinuar për uniforma kamuflazh dhe rezistente ndaj ujit e erës. Mirëpo, tenderi i hapur në vitin 2022, kishte dështuar. Ndërkaq, furnizimi i fundit me uniforma rezistente ndaj ujit dhe erës, sipas njoftimit në platformën e-prokurimi ishte bërë në fund të vitit 2018.

    Andaj, ushtarët e Forcës së Sigurisë, aktualisht detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera.

    Disa prej tyre edhe i kanë qepur në mënyrë që t’i përdorin përsëri.

    Televizioni, kupton se muaj më parë secilit ushtarakë që mund t’i ketë një apo dy palë uniforma tjera rezervë, i është kërkuar që ato t’i kthejë mbrapa FSK-së, njërën. Ministria e Mbrojtjes e mohoi që një kërkesë e tillë ishte bërë për shkak të mungesës së uniformave.

    Ish-koloneli Afrim Veseli, tha se që nga themelimi i Forcës së Sigurisë, pajisja me uniforma ka qenë gjithmonë problematike.

    “Është fatkeqësi e madhe qysh ushtarët janë në ketë gjendje. Gjatë gjithë kohës sa kam shërbyer, uniforma ka qenë gjithmonë problematike. Materiali ka qene i dobët dhe furnizimi asnjëherë nuk është bërë me kohë” , thotë Veseli.

    Ndërkohë, pas dështimeve të shpeshta të tenderit 2 milionësh për furnizim me çizme, Ministria e Mbrojtjes në mënyre urgjente ka blerë vetëm 330 palë çizme në fund të vitit të kaluar./atvlive.tv/

  • Rreth 300 pjesëtarë të FSK-së pritet ta padisin Ministrinë e Mbrojtjes, kjo është arsyeja

    Rreth 300 pjesëtarë të FSK-së pritet ta padisin Ministrinë e Mbrojtjes, kjo është arsyeja

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, janë duke e paditur Qeverinë e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Mbrojtjes për moskompensimin e diferencës së pagës sipas rregullores për rritje të pagave të pjesëtarëve të FSK-së, sipas gradave të tyre.

    Rregullore kjo që ishte në fuqi nga 14 shkurti i vitit 2020 deri me 28 korrik 2021.

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë po kërkojnë kompensim për 18 muaj sa ishte në fuqi rregullorja e nënshkruar në kohen kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
    E gjithë kjo, dëshmohet nga një komunikim mes Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në të cilin pati qasje ATV-ja.

    ATV-ja ndërkaq ka siguruar edhe një aktgjykim ku Gjykata Themelore në Pejë vendosi në favor të pjesëtarit të FSK-së që kompensimin vendosi ta kërkojë përmes rrugëve ligjore.

    “DETYROHET e paditura Ministria e Mbrojtjes – Forca e Sigurisë së Kosovës, që paditësit në emër të kompensimit shtesë për ngritje profesionale me gradën rreshter, për periudhën nga data 01.02.2020 deri me datën 28.07.2021, t’ia paguaj diferencën në shumën prej 2,583.00 € si dhe shpërblimin jubilar për 10 vite të përvojës së punës, shumën prej 112.20 €, në shumën e përgjithshme prej 2,695.20 €”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

    Ndërkaq, pretendimet e Qeverisë në këtë rast gjyqësor, Gjykata Themelore në Pejë i cilësoi të pabazuara.

    Teksa Zyra e Kryeministrit e as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë kthyer përgjigje, nga burime jozyrtare, televizioni kupton se numri i atyre që kanë përgatitur padi shkon deri në 300.

    Ndryshe, rregullorja parashihte që sipas gradave, pjesëtarët të marrin këto paga: ushtari 525 euro, ushtari i klasës së parë 580 euro, tetari 641 euro, ndërsa rreshteri 708 euro./atvlive.tv/

  • As pas dy vjetësh, Ministria e Mbrojtjes s’nënshkruan kontratë për çizmet e FSK-së

    As pas dy vjetësh, Ministria e Mbrojtjes s’nënshkruan kontratë për çizmet e FSK-së

    Duke e cilësuar tenderin në dosje si “ekstrem emergjent” Ministria e Mbrojtjes pak para vitit të ri ka blerë çizme për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë. Në mënyrë urgjente, kjo ministri e ka furnizuar FSK-në me 330 palë çizme, sasi kjo që kap vlerën e 50 mijë eurove.

    Por tenderin me procedurë të negociuar, Ministria e Mbrojtjes ia ka dhënë një operatori ekonomik që në tenderin me procedurë të hapur i cili është duke u shqyrtuar në OSHP e kishte shpallur si të papërgjegjshëm.

    Faktin se Ministria e Mbrojtjes e ka thirrur për negocim një operator ekonomik që paraprakisht ishte shpallur si i papërgjegjshëm, avokati Qëndrim Arifi e sheh me doza dyshimi.

    Sipas tij, kjo procedurë nuk është aspak transparente dhe duhet të përdoret sa më rrallë.

    Ministria e Mbrojtës qysh në qershor të vitit 2022 e kishte hapur tenderin për “Furnizim me Çizme Ushtarake”. Por, as pas 1 viti e gjysmë, kjo ministri nuk ka arritur të nënshkruajë kontratë.

    Tenderi 2 milionë eurosh që parashihte blerjen e 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore është për shqyrtim në Organin Shqyrtues të prokurimit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://www.youtube.com/live/RO19hgFozrw?si=0P3qa1uhX3ZUx-dr