ATV

Tag: Besnik Bislimi

  • Bislimi sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petkoviq

    Bislimi sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petkoviq

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit ku sot pritet të zhvillohen takime në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këtë e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.

    “Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në komunikatë.

    Të enjten, emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

    Ai në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të takohet me kryenegociatorët nga Kosova, Besnik Bislimin, dhe nga Serbia, Petar Petkoviqin.

  • Edhe Bislimi u del në mbrojtje Nagip Krasniqit e Martin Berishajt

    Edhe Bislimi u del në mbrojtje Nagip Krasniqit e Martin Berishajt

    Në komision u thirr për të raportuar për përmbushjen e obligimeve për marrëveshjet e stabilizim-asocimit, por zv.kryeministri Besnik Bislimi, u përball më pyetje për çështje krejtësisht të tjera.

    Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, çoi në përballje zëvendëskryeministrin Bislimi me deputeten e PDK-së, Blera Deliu – Kodra.

    Sipas Bislimit, Prokuroria po merret vetëm me Krasniqin e jo me dhjetëra raste të tjera, të deponuara si keqpërdorime nga menaxhmenti i KEK-ut.

    “Rastet e fundit, shih edhe rastet në KEK dhe arrestimet e fundit në KEK, ku ne kemi përballje të rëndë të institucioneve të Kosovës me korrupsion dhe çka është edhe më e rëndë, kemi një përpjekje të qeverisë që t’i gjykojë institucionet e drejtësisë, prokurorinë e gjykatat”, tha Deliu-Kodra.

    “Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK dhe jemi të vetëdijshëm që diku 30 raste të tilla, janë deponuar në Prokurori nga ana e menaxhmentit të KEK-ut, por ja që nuk ka interes politik të një institucioni që është politik, si është KPK-ja e nuk merret me këto raste”, tha Bislimi.

    Debati mes tyre vazhdoi edhe më tej, por për një çështje tjetër.

    Sipas Deliu-Kodrës, deklarata për personat e zhdukur e dakorduar së fundmi mes Kosovës e Serbisë, është e papranueshme.

    “Shqetësimi im është edhe Deklarata e dakorduar e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic për personat e pagjetur. Përdorimi i togfjalëshit “të zhdukurit me forcë”, në vend të “personave të zhdukur me dhunë” natyrisht që njëson viktimën dhe xhelatin dhe për ne ka qenë shqetësim”, tha Deliu-Kodra.

    “Opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën, pse po u përdorka termi i “personave të zhdukur me forcë”. Cila shkronjë e fjalisë “personat e zhdukur me forcë” çon në njësim të xhelatit dhe viktimës?”, tha Bislimi.

    Në komision nuk u la pa u përmendur edhe çështja e ambasadorit Martin Berishaj, për të cilin thuri lavde zv.kryeministri.

    “Nëse flisni për krimin dhe korrupsionin, e keni parë, e keni rastin konkret që sot ta përfaqëson shtetin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    “Rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur ndaj tij, është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj, me shpresë se mund të nxirret ndonjë beneficion politik, apo përfitim politik”, tha Bislimi.

    Krejt në fund, Bilsimi foli edhe për atë që u thirr në Komision, teksa tha se për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit gjatë vitit të kaluar, prej 235 masave janë zbatuar 136. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Bislimi: Angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur

    Bislimi: Angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Suedisë, Jan Knutsson.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, Bislimi ka folur mbi objektivat dhe synimet e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi objektivat e synimet e radhës, ku puna dhe angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur. Përtej vazhdimit të avancimit deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, marrja e pyetësorit dhe më tej e statusit të vendit kandidat vijojnë të mbeten prioritare dhe me vëmendje të veçantë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

  • Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

    Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Stokholm të Suedisë. Gjatë kësaj vizite, Bislimi do të ketë takime me ministren për Evropë Jessika Rosëall, sekretarin e shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson dhe sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, Jan Knutsson.

    Siç bëhet e ditur, Bislimi do të shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

    Nga zyra e Bislimit thonë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor.

    Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    ”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. […] Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

    Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.

  • Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Në Stazburg ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.

    “Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngusht me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”.

    Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.

    “Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.

    Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.

  • Bislimi: Kosova e para në Evropë që përfiton nga instrumenti i ri i FMN-së

    Bislimi: Kosova e para në Evropë që përfiton nga instrumenti i ri i FMN-së

    Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, dhe Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, kanë qëndruar në SHBA.

    I dyti i qeverisë tha se qëndrimi 5 ditor në SHBA bashkë me ministrin Murati solli rezultate pozitive e lajme të mira për vendin.

    “Me FMN-në, konfirmuam se Kosova do të jetë shteti i parë në Evropë që do të përfitojë nga instrumenti më i ri, i quajtur “Resilience and Sustainability Fund”. Përmes këtij programi fillimisht do të vihet në dispozicion shuma prej 80 milionë euro dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”, ka shkruar ai në ’Facebook’.

    Sipas tij mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore.

    “Pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme. Në takimet me Bankën Botërore, diskutuam rreth projekteve aktuale dhe të mundshme në të ardhmen mbi investime infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu takuam dhe ekspertë kosovarë që punojnë në Bankën Botërore. Ndërkohë me Nënsekretaren për Tregti, Maris Lago, theksuam rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit tregtar me partnerët tanë amerikanë”, tha ai.

    Bislimi ka bërë me dije se kanë kërkuar që të vazhdohet të shfrytëzohet potenciali i madh që ekziston nga kompanitë nga Kosova të eksportojnë edhe në SHBA dhe krijimi i mundësisë për trajnime të rreth 20 ndërmarrësve nga Kosova vitin e ardhshëm në SHBA.

    “Në përmbyllje të kësaj vizite, nuk mund të mungonte dhe takimi i afërt dhe i përzemërt me mërgatën tonë. Folëm për ekonominë në vend dhe investime të mërgatës në nisma të prodhimtarisë në Kosovë”, tha ai.

  • Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk nënkupton Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

    Këto komente, Bislimi i bëri në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke iu referuar tekstit të marrëveshjes së Ohrit që flet për krijimin e një strukture vetmenaxhuese të komunitetit serb në Kosovë.

    “Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës dhe marrëveshja bazike, si dhe aneksi implementues, kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimit të ndjekë një sekuencim që nënkupton se nuk mundet njëra palë të marrë benefitet e marrëveshjes dhe pastaj të vendoset se në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve. Kjo nënkupton që edhe nëse fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese, apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë suksesshëm sepse do të jetë e pamundur që pala kosovare të kryejë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zotëri Vuçiqi publikisht deklaron se nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si obligative por si një lloj menyje ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron t’i zbatojë e cilat jo”, u shpreh ai.

    Bislimi tha se grupi menaxhues për hartimin e statutit të asaj që njihet në opinionin si “Asociacion…” ekziston që nga 2013-ta.

    Ai shtoi se deri më tani ka pasur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues, teksa theksoi se i njëjti është dashur që të raportojë në baza të rregullta te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por shton se raportet e fundit janë dërguar në fund të vitit 2018.

    Në bazë të kësaj, zëvendësi i kryeministrit Kurti tha se “rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe në momentin e prezantimit pushon veprimtaria e tyre, pra nuk ekziston më grup menaxhimit, apo grup menaxhues, pas prezantimit të draftit, dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik”.

    Besnik Bislimi tha se drafti që ai grup do ta prezantojë, duhet t’i përmbushë pesë kritere.

    “Është shumë me rëndësi që drafti që ai grup prezanton do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë që, për shembull, drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; nuk bie në kundërshtim me marrëveshjen e 2013 dhe 2015; nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë; nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb; është në harmoni me letrën e zonja Mogherinit ia ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015 ku i shpreh qartazi se edhe për BE-në, ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto 5 kritere, me shumë gjasë ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shikojmë për alternativat që mund të prezantohet, qoftë nga pala kosovare qoftë nga dikush tjetër. Kjo do të mbetet për t’u parë në takimin e radhës” në Bruksel, tha Bislimi.

  • Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministri Murati udhëtojnë në ShBA

    Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministri Murati udhëtojnë në ShBA

    Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, kanë udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kështu u bë e ditur përmes një komunikate për media nga Kryeministria.

    Në këtë komunikatë thuhet se gjatë kësaj vizite, do të zhvillojnë takime me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

  • ​Aplikimi për anëtarësim në BE, Bislimi këtë muaj në Suedi

    ​Aplikimi për anëtarësim në BE, Bislimi këtë muaj në Suedi

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi do të ketë një vizitë gjatë këtij muaji në Suedi për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

    Nga zyra e Bislimit thonë se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor. Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    Mirëpo, ndryshe këtë proces e shohin dy partitë opozitare, PDK dhe LDK dhe njohësit e proceseve integruese të BE-së, të cilën konsiderojnë se rruga e Kosovës në Bashkim Evropian varet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe pesë vendet mosnjohëse të Kosovës.

    ”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. Gjatë këtij muaji, pritet që zëvendëskryeministri Bislimi të ketë dhe një vizitë në kryeqendrën suedeze, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe rrugën përpara të Kosovës në proceset e integrimit evropian. Hapat përpara dhe rruga tutje në integrimin e Kosovës drejt BE-së, janë biseduar edhe në takimin e fundit me Komisionerin Varhelyi. Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se aplikimi për anëtarësim në BE është bërë vetëm sa për foto në rrjete sociale, pasi shqyrtimi dhe pranimi i aplikacionit nuk është i mundur pa pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës.

    Ajo shton se institucionet kosovare nuk kanë bërë asnjë hap përpara me asnjërën prej këtyre pesë vendeve, rrjedhimisht ato do të jenë kategorike kundër pranimit të aplikacionit të Kosovës për statusin vend kandidat për anëtarësim në BE.

    “Këto aplikime për anëtarësime bëhen sa për foto në rrjete sociale. Asnjë anëtarësim i Republikës sonë nuk mund të bëhet nëse kemi një dritë të gjelbër nga shtetet që janë me fuqi botërore dhe shumë prej tyre janë shtete mike me Kosovën. Vlerësoj se edhe për aplikim në Bashkim Evropian është e njëjta storje si me Këshill të Evropës, pasi ke pesë vende mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e ke asnjë hap që e ke bërë përpara që e ke bërë me asnjërën prej tyre dhe e dorëzon një aplikim, kur e din që po të pestat do të votojnë kundër”, thotë ajo.

    Skeptike për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës gjatë këtij viti është edhe deputetja e LDK-së, njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar për integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

    Ajo thotë për KosovaPress se proceset integruese të Kosovës janë lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë.

    “Të gjitha proceset integruese janë të lidhura me marrëveshjen e (Brukselit) dhe Ohrit që pa implementimin e asaj marrëveshjeje nuk do të ketë hapa të tjerë, siç janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe Këshill të Evropës. E pamë edhe me liberalizimin e vizave, që tani ka mbetur vetëm të votohet në Parlamentin Evropian dhe presim që të përfundojë shpejtë ky proces. Mirëpo proceset të tjera janë të lidhura ngushtë me procesin e dialogut”, deklaron Krasniqi.

    Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE më shumë ka qenë strategjik, për të treguar orientimin properëndimor, pasi, sipas tij, realisht është ditur se aplikacioni i Kosovës nuk do të merret parasysh për një kohë.

    “Trajtimi i aplikacionit të Kosovës me gjasë nuk do të merret parasysh edhe për një kohë. Fakti që Kosova ka aplikuar ka qenë strategjik, tregues i orientimit sesa realisht një pritshmëri që të merret në trajtim kërkesa e saj. Pra më shumë ka qenë për të treguar orientimin, pozicionin se Kosova është palë konstruktive”, thotë Imeri.

    Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

    Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.