ATV

Tag: Ballina

  • KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq

    KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq.

    Ndërsa, lista me kandidatët për asamble të Zveçanit ka marrë votat e mjaftueshme dhe është certifikuar.

    Në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) nuk është parashtruar asnjë ankesë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

    “Ne kemi kërkuar nga PZAP nëse ka pasur ndonjë ankesë brenda 24 orëve të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Nga PZAP na kanë njoftuar se nuk ka parashtruar askush ankesë. Janë plotësuar kushtet për certifikimin e rezultateve“, ka thënë ai.

    Në zgjedhjet e 23 prillit, në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq ka dalë fituese Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok, Partia Demokratike e Kosovës.

  • Vrasja në Kijevë, Policia jep detaje

    Vrasja në Kijevë, Policia jep detaje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Kijevë të Malishevës, ku një person dyshohet se ka privuar nga jeta një person tjetër.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, deklaroi ai.

    Tutje, Elezaj njoftoi se lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore, derisa hetimet janë duke vazhduar./atvlive.tv/

    Vritet një person në fshatin Kijevë

  • Lajçak sërish në Greqi për dialogun Kosovë-Serbi, takohet me kryediplomatin Dendias

    Lajçak sërish në Greqi për dialogun Kosovë-Serbi, takohet me kryediplomatin Dendias

    Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takim me kryediplomatin grek, Nikos Dendias, për diskutimin e procesit të dialogut, si dhe për rajonin.

    Për takimin dje ka njoftuar Dendias, i cili njoftoi për temën e takimit.“Gjatë një takimi të mbajtur më herët sot në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, diskutova me Përfaqësuesin Special Miroslav Lajçak për progresin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”.

    Ndërkaq, sot Lajçak e ka falënderuar Dendias për interesin dhe mbështetjen e tij në përpjekjet në detyrat e tij në Ballkanin Perëndimor.

    “Faleminderit i dashur Nikos Dendias për interesin e Greqisë për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen për përpjekjet tona të përbashkëta në rajon”.

    Emisari Lajak përgjatë procesit të dialogut ka zhvilluar shpesh takime me kryediplomatin grek.

  • Në Spanjë temperaturat arrijnë në 40 gradë

    Në Spanjë temperaturat arrijnë në 40 gradë

    Spanja është duke u përballur me një mot jashtëzakonisht të nxehtë prillin e këtij viti, ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë celsius në disa pjesë të vendit.

    Shërbimi kombëtar i motit i Spanjës tha se temperaturat do të “arrijnë vlerat tipike të verës” në pjesën më të madhe të vendit.

    Në orën tre të pasdites, në Kordobë ishte 38.7 gradë ndërsa në Sevilje, 37,8 gradë.

    Agjencia Shtetërore Meteorologjike tha se temperaturat ishin “jashtëzakonisht të larta” për muajin prill për shkak të një mase ajri shumë të ngrohtë dhe të thatë që vinte nga Afrika e Veriut.

    Qeveria spanjolle ka kërkuar fonde emergjente nga Bashkimi Evropian për të mbështetur fermerët dhe blegtorët në qendrat bujqësore të vendit.

    Aktualisht, 27% e territorit spanjoll është klasifikuar si në një thatësirë “emergjente” ose “alarm”, sipas Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik, derisa rezervat ujore janë në 50% të kapacitetit kombëtar.

  • Themelimi i “Asociacionit”, kryefjalë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Themelimi i “Asociacionit”, kryefjalë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shndërruar në kryefjalë dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku u diskutua raporti i UNMIK-ut për Kosovën. Në këtë mbledhje, shtetet aleate të Kosovës kanë përshëndetur marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë të arritura në Bruksel dhe Ohër, por gjithashtu kanë kërkuar zbatim të zotimeve nga këto marrëveshje, me theks të veçantë, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Tani është veçse e konfirmuar se në takimin e 2 majit midis kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të diskutohen hapat e radhës për formimin e “Zajednicës”, si një nga obligimet “emergjente” të kondensuara nga marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe u shndërrua në kryefjalë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku shtete të rëndësishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe e Franca kërkuan që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe që “Zajednica” të formohet menjëherë.

    Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fjalën e tij ka lavdëruar Kosovën dhe Serbinë për hapat në marrëveshjen siç e ka quajtur ai “ligjërisht të obligueshme” në Bruksel dhe Ohër, derisa ka kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë hapi i radhës në këtë drejtim.

    “Shpreh lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrjen e hapave përpara me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme në Bruksel e Ohër. Ftojmë shtetet të lëvizin me shpejtësi në zbatimin e tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin. Shpresojmë të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin mes liderëve në Bruksel më 2 maj, pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jetë hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.”, tha ai.

  • Bislimi: Angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur

    Bislimi: Angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Suedisë, Jan Knutsson.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, Bislimi ka folur mbi objektivat dhe synimet e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi objektivat e synimet e radhës, ku puna dhe angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur. Përtej vazhdimit të avancimit deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, marrja e pyetësorit dhe më tej e statusit të vendit kandidat vijojnë të mbeten prioritare dhe me vëmendje të veçantë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

  • Gërvalla Daçiqit: Thaçi dhe të tjerët do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre

    Gërvalla Daçiqit: Thaçi dhe të tjerët do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, dhe të tjerët në Hagë që po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, janë të pafajshëm dhe argumentet janë në anën e tyre.

    Për këtë ajo ka folur derisa i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në seancën e Këshilli të Sigurimit të OKB-së.

    “Është e vërtetë që zotëri Thaçi është për momentin në Hagë, por unë besoj fuqimisht se ai do të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai vet, dhe të tjerët që janë të akuzuar, kanë çdo argument në anën e tyre, se janë të pafajshëm nga ato akuza, dhe nuk ja vlen asnjë koment më shumë lidhur me atë që thatë për mua, qoftë si dëshmitar, apo si diçka, pra ndërlidhjen time me çfarëdo dëshmie në Hagë, kjo është e pavërtetë”, ka thënë Gërvalla.

    Ajo ka theksuar se populli i Kosovës ka mbrojtur shtëpitë e tyre, por terroriste ishin forcat serbe të sponsorizuara nga shteti i tyre.

    Ministrja e Jashtme i ka thënë politikanit serb se ai dhe udhëheqësit në Serbi e kanë të vështirë të shpjegojnë për qytetarët se kanë humbur Kosovën në vitin 1999.

  • Diskutimi për të zhdukurit, “urgjencë” në takimin e 2 majit

    Diskutimi për të zhdukurit, “urgjencë” në takimin e 2 majit

    Pesë ditë para takimit Kosovë – Serbi në Bruksel, pikërisht në ditën e përkujtimit të të zhdukurve, kryeministri Albin Kurti deklaroi se çështja e tyre do të diskutohet atje.

    Madje, Kurti po pret që kjo çështje të trajtohet edhe me urgjencë.

    “Gjykimi në mungesë mundësohet tash e 4 vjet, prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi që i kemi për krimet në Kosovë të shndërrohen e aktakuza për përgjegjësit, sikurse në Kroaci edhe në Kosovë mund të gjykohen në mungesë. Është e paarsyeshme çfarëdo vonese, se dëshmitarët po vdesin e po plaken”, tha Kurti.

    Derisa, për deklaratën e të zhdukurve me dhunë në nivel kryenegociatorësh është arritur pajtim, Andin Hoti shpreson se miratimi i saj të bëhet edhe nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.

    “Kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruajë, në moment të fundit Vuçiq është tërhequr për arsyet që unë nuk i di, kështu që unë po lutem dhe shpresoj që deklarata të nënshkruhet, të aprovohet në fakt më 2 maj dhe pastaj do të lutem më shumë që rezultatet të vijnë si pasojë e implementimit të kësaj deklarate”, tha Hoti.

    Megjithatë, pritjet po janë të pakta nga familjarët. Sipas tyre, ekzekutivi nuk po punon sa duhet.

    “Nuk ka send që nuk dihet, thotë se nuk ka të dhëna. Por kjo do punë dhe angazhim për zbardhjen e fatit të 1.600 personave…”, tha kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini.

    Sipas nenit katër të aneksit të marrëveshjes së Ohrit dhe miratimin e Deklaratës së të Zhdukurve, sipas përfaqësuesve të institucioneve, Serbia do të detyrohet ta marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë. /atvlive.tv

  • Gërvalla në tri gjuhë: Daçiqi është përgjegjës për krime lufte

    Gërvalla në tri gjuhë: Daçiqi është përgjegjës për krime lufte

    Fjalimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ministrja e Jashtme e Kosovës e kishte planifikuar ta mbajë në shqip, por një kërkesë e tillë iu mohua.

    “Daçiq foli me gjuhë të popullit të vet, e jo në gjuhën angleze, siç bëjnë të gjithë. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë”, tha Gërvalla.

    Por, kjo nuk e ndaloi kryediplomaten kosovare që në shqip ta akuzojë homologun serb për krime lufte.

    “Vuçiq ishte ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit, për ngjarjet në Kosovë dhe ai ende po vepron si ministër propagande. Edhe ky që foli para nesh, ka qenë dora e djathtë e Kasapit të Ballkanit që është përgjegjës për luftërat në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Gërvalla.

    Paraprakisht, në seancën qe u kryesua nga Rusia, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.

    Ai gjithashtu e beri të qartë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

    “Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë. Prishtina po e shmang qëllimshëm përmbushjen e këtij obligimi”, tha Daçiq.

    Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Megjithatë, raporti u kritikua nga ministrja e Jashtme e Kosovës.

    “UNMIK-u është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë”, theksoi Gërvalla.

    Në raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë u vlerësua se korniza e re e dialogut mund të prodhojë zgjidhje afatgjate.

    Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve. /atvlive.tv

  • Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, injoron ministrin Krasniqi

    Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, injoron ministrin Krasniqi

    Ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i emëruar nga ish-ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, ka injoruar ftesën për takim nga ministri aktual, Elbert Krasniqi.

    Gati një muaj pasi ATV-ja raportoi se Danijela Vujicic, deputete e partisë së Aleksandar Vucicit në parlamentin e Serbisë, është kryesuese e ekipit, ministri Krasniqi publikoi tri vendime të qeverive të kaluara për ndryshimet në përbërje.

    “Nga përbërja fillestare, vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues. Pika e gjashtë e vendimit të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën më 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, tha Krasniqi.

    Kryeministri Albin Kurti nuk tregoi nëse do ta ndryshojnë përbërjen e ekipit.

    “Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka ftuar në takim ekipin menaxhues, por ai nuk është përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë, e cila merret për së afërmi me këtë menaxhues për draft-statutin”, tha Kurti.
    Edhe pse Vujicic ishte emëruar në Qeverinë e tij, në një intervistë në CONTEXT në ATV, ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se ekipi nuk ka prodhuar asgjë atëkohë.

    “Unë nuk jam marrë me Asociacionin e komunave, as me status të Kishës Ortodokse. Qeveri pas qeverie në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, ministri i pushtetit lokal është dashur ta themelojë këtë ekip menaxhues. Nuk ka pasë asnjë zhvillim në këtë drejtim, sepse fokusi im si kryeministër ka qenë në marrëveshjen përfundimtare”, tha Hoti.

    Sipas marrëveshjes së vitit 2013, Ekipi Menaxhues i cili ka për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit, duhet të përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, më 2 Maj, në një intervistë në Sllovaki, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, tha se është e rëndësishme të fillojë puna për përcaktimin e statusit dhe kompetencave të Asociacionit. /atvlive.tv