ATV

Tag: Ballina

  • Kurti nga Greqia: BE-ja, projekti më i rëndësishëm – duhet ta mbrojmë

    Kurti nga Greqia: BE-ja, projekti më i rëndësishëm – duhet ta mbrojmë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë Forumit Ekonomik të Delphit që po mbahet në Greqi ka thënë se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm politik.

    Ai tha se BE-ja, po ashtu është edhe procesi historik i paqes dhe prosperiteti që nga Lufta e Dytë Botërore, projekt të cilin duhet “ta ushqejmë dhe mbrojmë”.

    “Në qershor do të bëhen njëzet vjet nga Samiti i Selanikut dhe premtimi për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor. Për të bërë një hap të madh përpara, nevojitet një mendim i ri”, ka shkruar Kurti.

  • Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Thaçin

    Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Thaçin

    Ish-senatori zviceran Dick Marty ka pohuar se inteligjenca serbe e ka kërcënuar atë për ta fajësuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin për vrasjen e tij, shkruan gazeta zvicerane Blick, përcjell atvlive.tv.

    Në një intervistë për Radio Televizionin Zviceran, Marty deklaroi se përgjegjësit për kërcënimet kishin lidhje me shërbimet sekrete serbe, të cilët kishin frikë se Thaçi mund t’i shmangej drejtësisë.

    Marty shprehu zhgënjimin për mungesën e ndërhyrjes së autoriteteve zvicerane pas kërcënimeve.

    Ai u vendos nën mbrojtje të lartë policore në dhjetor të vitit 2020 pas kërcënimeve nga shërbimi inteligjent serb.

    Në një deklaratë në atë kohë, Marty kishte pohuar se kërcënimet ishin një përpjekje për të transferuar fajin për vrasjen e tij në Kosovë.

    Ish-senatori është autor i një raporti që akuzon krerët e UÇK-së për krime lufte. /atvlive.tv

  • Mitrovica e Veriut merr vendim për hapjen e urës së Ibrit

    Mitrovica e Veriut merr vendim për hapjen e urës së Ibrit

    Për shumë vjet, këto vetura të misioneve ndërkombëtare janë të vetmet që mund të lëvizin mbi urën e lumit Ibër. Megjithatë, situata mund të ndryshojë pas një vendimi që mori Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut.

    Vendimi, i siguruar nga ATV-ja, saktëson si veprim të parë largimin e pengesave të vendosura tash e disa vjet.

    “Sot, me datë 28.04.203, me propozim të asamblistes Aida Ferati – Doli, rendit të ditës iu shtua edhe një pikë: propozimi për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Veriut dhe funksionalizimin e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve. Ky propozim u votua nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

    Por, për ta siguruar zbatimin, vendimi do t’u dërgohet organeve të sigurisë.

    Përkundër që përmes dialogut në Bruksel për vite të tëra janë bërë përpjekje për hapjen e urës, Kuvendi nuk e ka njoftuar paraprakisht Bashkimin Evropian.

    Kjo lëvizje e së premtes po vlerësohet më shumë si vendim populist i partisë në pushtet qendror e tashmë edhe në Mitrovicë të Veriut.

    “Nuk do të zbatohet ky vendim meqë fillimisht është çështje e sigurisë në të cilën përfshihen KFOR-i dhe EULEX-i, pastaj edhe Policia e Kosovës. Aktualisht as Bashkësia Ndërkombëtare nuk besoj se do të lejojë këtë lëvizje dhe në mes tjerash do të hapte çështjen e ridefinimit të kufijve mes dy qyteteve, sepse kjo nuk është sqaruar gjatë dialogut”, tha Milica Andric – Rakic, njohëse e rrethanave politike.

    Pas luftës në Kosovë, ura mbi lumin Ibër ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe veriore, me shumicë serbe. /atvlive.tv

  • Nipi vret xhaxhain e tij për çështje prone

    Nipi vret xhaxhain e tij për çështje prone

    Një parcelë e tokës fare pranë kësaj shtëpie dyshohet se u bë shkak që nipi ta vrasë xhaxhain e tij.

    B.B., rreth të 40-tave, në mëngjesin e së premtes vrau S.B, 50 vjeç, në fshatin Kijevë të Malishevës.

    Viktima i cili jetonte në Angli, kishte ardhur para disa ditëve në vendlindje dhe po banonte në të njëjtën shtëpi me të dyshuarin për vrasjen e tij.

    Të tronditur nga kjo ngjarje mbetën të afërmit e familjes Berisha.

    Sipas kushëririt të tij, viktima dhe i dyshuari nuk kanë pasur më herët ndonjë konflikt.

    I dyshuari për këtë vepër është arrestuar.

    Për vrasjen e 50-vjeçarit dyshohet se është përdorur një armë zjarri, e cila është gjetur në vendngjarje dhe është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë. /atvlive.tv

  • Pozhari: Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga Gërvalla

    Pozhari: Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga Gërvalla

    Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin DIREKT në ATV, tha se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila dje në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e akuzoi homologun serb për krime lufte.

    “Nuk paraqet kurgjë mendësi kjo që e ka bërë Daçiq. Me të drejtë Gërvalla i tha se ti i takon kohës së Millosheviqit dhe jo rastësisht i kanë thënë ‘Slloba’ i vogël, ngase në të kaluarën, Serbia këto taktika i ka përdorur. Ka dashur që të mbjellë urrejtje ndër shqiptare, të çojë edhe deri në vëlla vrasje. Gjithmonë njihet sistemi i UDB-së që ka pasur një rol tepër aktiv dhe sot vjen në një situatë përfaqësuesi i fytyrës së regjimit më të tmerrshme të Millosheviqit, zëdhënësi i tij Daçiq, t’ia thotë këto bijës së një atdhetari që është vrarë nga dora e zezë e UDB-së nën diktatin e atmosferës së atëhershme të Serbisë, është tepër e ulët”, tha Pozhari. /atvlive.tv

  • ​Stano: Më 2 maj do të prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit

    ​Stano: Më 2 maj do të prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se në takimin e 2 majit, në rend dite do të jetë miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe prezantimi i draftit të parë të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

    Ai ka folur disa ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Bruksel.

    Stano nuk ka komentuar kritikat që liderët serb i kanë bërë për zgjedhjet lokale të mbajtura në veriun e Kosovës.

    “Mund të them vetëm se si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë vërejtjet e ndryshme që vijnë nga të gjitha palët, por presim që takimi i nivelit të lartë të dialogut të mbahet të martën këtu në Bruksel. Ngase kjo është platforma ku çështjet diskutohen dhe shpresojmë që edhe të zgjidhen. Dhe meqenëse kjo është dita e fundit e punës para këtij takimi të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Bruksel, ndoshta do të ndaja disa detaje më shumë se çfarë presim dhe çfarë është në agjendën e takimit”, ka thënë ai, trnsmeton KP.

    Ai ka thënë se më 2 maj, palët do të mbajnë takim të nivelit të lartë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell si dhe atij special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

    “Ky takim do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe pritet që palët të miratojnë deklaratën për personat e pagjetur si pikë të parë të rendit të ditës, dhe kjo do të pasohet nga prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe diskutimi rreth kësaj. Dhe pastaj do të ketë mundësi për të diskutuar të gjitha çështjet e tjera aktuale me rëndësi politike”, ka thënë Stano.

    Në një konferencë për media, Stano ka thënë se nuk spekulojnë skenarë të mundshëm.

    “BE-ja si lehtësues po përpiqet t’i ndihmojë të dyja palët që të arrijnë progres dhe të lëvizin në procesin e dialogut për të përmbushur zotimet e tyre, sepse Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga gjërat për të cilat tashmë është rënë dakord. Pra, duhet të zbatohet si shumë gjëra të tjera që janë rënë dakord dhe duhet të zbatohen. Pra, ne do të ecim përpara, do të përparojmë, ose të paktën do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar të dyja palët që të bëjnë përparimin e nevojshëm drejt zbatimit dhe drejt ecjes përpara në dialog”, ka shtuar ai.

    Takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të mbahet më 2 maj në kryeqendrën evropiane.

    Kjo vjen pasi një muaj më parë palët janë takuar në Ohër ku janë dakorduar për aneksin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

  • Kurti takoi Lajçakun: Marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa

    Kurti takoi Lajçakun: Marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot në Greqi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Kurti ka bërë të ditur se me Lajçakun ka diskutuar për takimin e radhës në Bruksel dhe zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat në veri.

    Ai ka shkruar se marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt. “Pa parakushte dhe pa vonesa.”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell do të thërrasë të martën (2 maj) një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç informoi BE, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët, duke filluar nga ora 18:00.

    Ndryshe, takimi më 2 maj do të jetë i pari ndërmjet kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që nga dakordimi në Ohër më 18 mars për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi. Ndërkaq, dy kryenegociatorët e dialgout, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar me 4 prill, kur është thënë se ka pasur pajtim për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

  • Ndikimi serbo-rus në Mal të Zi, në Komunën e Zetës iniciohet deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës

    Ndikimi serbo-rus në Mal të Zi, në Komunën e Zetës iniciohet deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës

    Forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Kuvendin Komunal të Zetës në Mal të Zi kanë iniciuar një deklaratë ku i kërkohet kësaj Komune që të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kërkesa është iniciuar nga grupi i asamblistëve “Për të ardhmen e Zetës”, i drejtuar nga Fronti Demokratik, e mbështetur edhe nga Partia Popullore Demokratike, të dy forca pro-serbe dhe pro-ruse.

    Sipas kësaj partie, kërkesa do të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Zetës, ndërsa nga iniciuesit shprehën të bindur se ajo do të kalojë. Miratimi i mundshëm do të sillte në një situatë qesharake ku Komuna kundërshton vendimin e shtetit.

    “Ne përkrahim fuqishëm vendimin e grupit të këshilltarëve komunalë ‘Për të ardhmen e Zetës’ i drejtuar nga Fronti Demokratik për miratimin e një deklarate në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të Zetës për anulimin dhe pavlefshmërinë e vendimit për njohjen e të ashtuquajturit të shtetit të Kosovës në territorin e komunës së Zetës”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KosovaPress të Partisë Popullore Demokratike të Malit të Zi.

    Partia Popullore Demokratike e Malit të Zi shprehet se njohja e pavarësisë së Kosovës “është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij”, sipas tyre, kjo është “një politike e jashtme tradhtare të drejtuar kundër interesave të Malit të Zi dhe shtetit më të afërt në rajon Serbisë”.

    Nga kjo parti thonë se pasi Komuna e Zetës të miratojë këtë deklaratë, duhet që të njëjtën ta miratojnë edhe komunat e tjera e kështu sipas tyre “të fillojnë procesi i kthimit të Malit të Zi në burimet e tij historike e shpirtërore” nga Serbia.

    Pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar dhe zgjedhjes së Jakov Millatoviq si president i ri i partisë “Evropa tani” të mbështetur nga këto forca, nga njohës të sigurisë dhe politikës u ngrit alarmi se orientimi pro-perëndimor i Malit të Zi, vend anëtar në NATO, mund të ndryshojë.

    Komuna e Zetës e cila ka rreth 20.000 banorë, shumica te minoritetit serb në Mal të Zi, u bë Komunë vetëm vitin e kaluar me vendim të presidentit në largim Milo Gjukanoviq.

  • BE-ja konfirmon agjendën e takimit të 2 majit mes Kurtit e Vuçiqit

    BE-ja konfirmon agjendën e takimit të 2 majit mes Kurtit e Vuçiqit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi sot se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Stano nuk deshi të komentojë kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha Stano.

    I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.

  • Kuvendi i Mitrovicës vendos ta hapë për qarkullim urën mbi lumin Ibër

    Kuvendi i Mitrovicës vendos ta hapë për qarkullim urën mbi lumin Ibër

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut të premten ka vendosur për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

    Kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nedzat Ugljanin, njoftoi se sot është marr vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

    Siç njoftoi ai, vendimi u mor me shumicë votash në Kuvendin Komunal.

    Menjëherë pasi kjo u bë e ditur, Lista Serbe ka lëshuar kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente.

    Në një reagim të lëshuar, nga kjo parti e kanë quajtur vendimin që u mor me shumicë votash si “jolegjitim” dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    “Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës”, thuhet në reagim.

    Sipas pretendimeve të Listës Serbe ky vendim “është vazhdim i pushtimit të Veriut nga Albin Kurti”.

    “Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë ​​për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha. Parandalimi i lëvizjeve të tilla nga ana e këshilltarëve të Prishtinës dhe Kurtit do të ishte në përputhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar të gjitha veprimet që cenojnë procesin e dialogut”, përfundon reagimi i tyre.