Gazetari dhe analisti, Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi se komuna e Prishtinës ka realizuar vetëm 28% investime kapitale vitin e kaluar, shifër kjo që sipas tij është një dështim për komunën.
“Më shumë kishte larë borxhe se sa që ka bërë investime kapitale Përparim Rama. E pash në krahasim me vitin e kaluar, diku dy milionë borxhe të lame i kish sivjet, prej 5.7 milionë në 3.7 milionë, ndërsa investimet kapitale i ka 28 për qind me mesatare rreth 2% në muaj. Më e përmbyllë vitin në Prishtinë me 28% investime kapitale, është dështim total. Po thonë Albinit nuk po i thotë ‘puna e mbarë kurrkush, por as Përparim Ramës nuk i ka thënë ‘puna e mbarë” askush vitin e kaluar”, tha Hamidi.
Pas këtyre fjalëve ka reaguar nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i cili tha se viti i kaluar ka qenë një vit i vështirë për Prishtinën.
“Ka qenë vit i vështirë dhe i japë shpjegimet pse ka qenë vit i vështirë. Kemi gjetur 20 e kusur milionë euro kontrata të bllokuara në organin shqyrtues të prokurimit”, tha Zogaj. /atvlive.tv
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili njëherësh ishte edhe ministër i Bujqësisë, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për pronat në qendër të Prishtinës, për të cilat dje ministri aktual i Bujqësisë Faton Peci kishte denoncuar se ato po përdoren kundërligjshëm.
“Ka qenë një raport i tërë i auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës për këtë temë dhe shumë tema të tjera. Me to jemi marrë në mënyrë intensive. Kryesisht, shumica dërmuese për mos të thënë të gjitha, këto prona janë në menaxhimin dhe pronësinë e Institutit Bujqësor të Kosovës, aty është edhe gjeneza e këtij problemi dhe strumbullari i gjithë këtij keq menaxhimi, prandaj në bashkëpunim edhe me auditorin e përgjithshëm edhe me prokurorin e shtetit, jam marrë me këtë temë”, tha Mustafa.
Ai tha se për këto prona, do të duhej ta kishte më të qartë prokuroria se sa vet Ministria e Bujqësisë.
“Ministria e Bujqësisë e ka të qartë se kujt i ka dhënë kontratën për qiradhënie, nëse ka pasur ndonjë mandej ndonjë uzurpim të hapësirave ose keq menaxhim në kuptimin e zgjerimit të atyre hapësirave ose ndërrimit të planit arkitekturor, pastaj natyrisht që me ligj merret prokuroria me këto raste. Jemi marrë edhe ne”, tha Mustafa.
Ai tha se i bashkëngjitet ministrit Peci për t’i bërë thirrje prokurorisë që të merret seriozisht me këtë temë.
“Zotri Peci ka vazhduar ato përpjekjet tona, ka dërguar me një nivel tjetër sepse është tepër gjatë aty, tani ka kaluar gati dy vite e gjysmë dhe pjesën tjetër, i bashkëngjitëm atij dhe kujt do që prokuroria të merret seriozisht me këto tema”, u shpreh Mustafa. /atvlive.tv
Vaksinat kundër tërbimit të kafshëve duhej të shpërndaheshin me aeroplan.
Për këtë projekt ishte përgatitur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, por, për shkak të kushteve klimatike fluturimi s’qe i mundur.
“Ky aktivitet ka për synim shpërndarjen e vaksinave për kafshët e egra, me synim që të kujdesemi për aspektin shëndetësor të kafshëve, por njëkohësisht përveç aspektit shëndetësor edhe parandalimin e mundësisë së shpërndarjes së sëmundjeve, qoftë kafshët e egra, por edhe kafshët shtëpiake. Krejt kjo është në funksion të rritjes së angazhimit tonë, si institucione për të ruajtur shëndetin publik, qoftë për qytetarët, por edhe për kafshët”, tha Peci.
Ai foli edhe për vendet ku do të shpërndahen këto vaksina.
“Vaksinat shpërndahen në shumicën e territorit të Republikës së Kosovës, kryesisht në zonat malore, kodrinore-malore, por edhe të kullosave, nuk përfshihen zonat ku ka lumenj, ose ku ka liqene dhe si total objektivi është shpërndarja e 250 mijë vaksinave”, tha Peci.
Vaksinat kundër tërbimit të kafshëve janë të sigurta dhe s’paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo të kafshëve, bazuar në përshkrim të prodhuesit të vaksinës.
“Për AUV-in, ky projekt është shumë i dobishëm dhe AUV i bën të gjitha përpjekjet që këtë sëmundje ta ketë nën kontroll. Aktivitete të cilat zhvillohen për këtë sëmundje janë vaksinimi vjetor i tërbimit të kafshëve shtëpiake, gjithashtu me këtë projekt vaksinohen edhe kafshët endacake”, tha Bafti Murati nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Projekti do të duhej të zgjaste 6 ditë, por varet edhe nga moti, derisa financohet nga Komisioni Evropian. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Asnjë hap para nuk ka lëvizur procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Që nga 7 prilli kur Komisioni për Buxhet i rekomandoi kryetarit të Kuvendit ta kthejë procesin në pikën zero, ky institucion vazhdon të heshtë duke e lënë kështu procesin të bllokuar.
Derisa Banka Qendrore thotë se janë në pritje të Kuvendit për dhënien e dritës së gjelbër, për ta hapur për herë të dytë konkursin, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje as për televizionin.
Asnjë informacion nuk e kanë as anëtarët e Komisionit parlamentar për Buxhet, të cilët thonë se kjo po bëhet qëllimisht.
“Këtu ka konflikt të brendshëm partiak të Lëvizjes Vetëvendosje dhe po shihet se ata po mundohen secili me ndiku në përzgjedhjen e guvernatorit dhe më thanë shkurt e shqip, këtu ka lojë pazari”, tha anëtari i Komisionit për Buxhet, Mërgim Lushtaku.
Lushtaku shtonë se anëtarët e panelit për përzgjedhjen e guvernatorit do të duhej të shkarkoheshin, pasi, sipas tij, mund të përsëriten sërish gabimet e njëjta.
“Anëtarë të panelit e kanë sjellë në këtë fazë këtë proces, ata nuk janë më kredibilë për të udhëhequr një proces tjetër për guvernatorin e Kosovës”, tha Lushtaku.
Pas përfundimit të mandatit të ish-guvernatorit Fehmi Mehmeti, më 29 mars në këtë pozitë si ushtrues detyre erdhi Bashkim Nurboja.
Parregullsitë e bëra gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator, bënë që ky proces të përsëritet edhe një herë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Pa asnjë darkordim për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, përfundoi takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.
Pajtim nuk pati për termat e referencës të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës e as të Grupit të Përbashkët punues për të zhdukurit, pasi, sipas kryenegociatorit Bislimi, Petkoviç ishte i interesuar të diskutonte vetëm për Asociacionin.
Për takimin e parë të Grupit Punues për të pagjeturit u përmend një afat prej 60 ditësh, i cili varet fillimisht nga miratimi i termave të referencës që, eventualisht, duhet të bëhet në një takim tjetër të kryenegociatorëve.
Teksa konstaton se marrëveshja është në pikën zero të zbatimit, Fitim Mulolli nga PolCon nuk pret që diskutimet të marrin epilog të shpejtë.
“Jo të barten pas verës, por sigurisht edhe 2024-ta do të na zërë, sepse, po e përsëris, aq shumë ka terminologji të përgjithshme dhe të paqartë në atë marrëveshje të Ohrit dhe do të duhet të formohen grupe e nëngrupe punuese, do të duhet të hartohen udhëzues e manuale zbatimi etj., për të arritur në një fazë për të qenë të gatshëm për zbatim e lëre më për të pasur zbatim të plotë të asaj marrëveshjeje”, tha Mulolli.
Teksa përmend se marrëveshja ishte arritur për shkak të presionit ndërkombëtar dhe jo vullnetit të palëve, opinionisti Bekim Kabashi vlerëson se Asociacioni është pikë kyçe dhe se çështjet e tjera përdoren për zvarritje të procesit.
“Nuk kemi parë vullnet asnjëherë që Kosova dhe Serbia të gjejnë një pajtim për çfarëdo teme qoftë ajo. E kemi palën kosovare, e cila insiston në temat e tjera dhe refuzon të diskutojë për asociacionin. E dëgjuam kryeministrin Kurti që tha se pika 7 nuk është detyrimisht pika që duhet të zbatohet e para, në anën tjetër kemi Serbinë që insiston për Asociacionin”, tha Kabashi.
Më 27 Shkurt, në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, ndërsa më 18 Mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin e zbatimit.
Hapat e vetëm konkretë, deri tani, janë miratimi i Deklaratës për të zhdukurit dhe prezantimit të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Kryeministri Albin Kurti këmbëngul se vetëmenaxhimi i komunitetit serb apo Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk është pika e parë e as e vetmja në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Draft-dokumenti i sekuencimit të zbatimit, të cilin ua ka prezantuar Përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajcak, sipas kryeministrit, nuk mund të bëhet marrëveshje nëse ka në fokus vetëm nenin 7.
“Nuk e përmban neni shtatë marrëveshjen, por marrëveshja nenin shtatë. Këtë gjë zëvendësi im dhe kryenegociatori Bislimi e ka bërë shumë të qartë në takimin e djeshëm që e ka pasur me kryenegociatorin e Serbisë me ndërmjetësimin e zotëri Lajçakut. Ne kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkret, serioz, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që kemi bërë vetëm në nenin shtatë”, tha Kurti.
Ai kërkoi që BE-ja të reagojë për shkeljet që Serbia ia ka bërë marrëveshjes.
“Deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim sa i përket denoncimit tonë për shkeljet e Serbisë. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë të menjëhershëm të marrëveshjes, pa kushte dhe pa vonesa”, tha Kurti.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të mos e interpretojë marrëveshjen në atë formë që Asociacioni të vendoset si parakusht për zbatimin e tërësisë së dakorduar.
“Ne presim që BE-ja të mos kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ndërkaq, të kërkohet pikërisht ajo që janë pajtuar Kosova dhe Serbia. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë, deri tani nuk e kemi pa një gjë të tillë”, tha Osmani.
Më 11 Maj, gjatë vizitës në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, i prezantoi kryeministrit një draft-dokument për metodologjinë e zbatimit të nenit 7, për vetëmenaxhimin e komunitetit serb.
Por, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në Bruksel tha se nuk mund të ketë draft të metodologjisë, pa pasur plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkini, në një prononcim për ATV-vë, tha se Deklarata e Ohrit për personat e pagjetur, për ta ka qenë e errët dhe e paqartë.
“Deklarata e cila ka qenë në Ohër është e errët, gjoja se tash në Bruksel do të sqarohet dhe do të jetë një deklaratë e dakordume ose ajo çka është folur apo është fillu, të folët ose vendoset në Bruksel kur të nënshkruajnë dy palët, kur të merren vesh Vuçiq dhe Kurti”, tha Qerkini.
Ai tha se çfarë ndodhi në Bruksel dhe për çka kanë biseduar Kurti e Vuçiq, nuk e ka ditur.
“Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur se kanë biseduar por se çka nuk e kemi ditur. Pardje kanë shkuar për së dyti për të vazhduar temën të cilën e kanë lënë për personat e pagjetur. Ato politike nuk po i flas. Sipas deklaratës të cilën e ka dhënë Besnik Bislimi kur është kthy, ai ka folë shumë shkurt. Atë natë ka thënë se nuk o morëm vesh për ato çka kemi bisedu, por iu ka interesu veç Asociacioni e aspak këto pikat e tjera”, tha Qerkini. /atvlive.tv
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se është obligim i Kosovës që të hartojë draftin e Asociacionit. Versioni më i mirë, siç tha ai, mund të përgatitet nga Kosova dhe në kohë sa më të shpejtë, transmeton kp.
Për këtë ai u deklarua pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ku theksoi se ky është obligim që të shihet se cilat janë idetë për këtë proces.
“Kjo është një përgjigje e lehtë, mendoj se drafti më i mirë mund të përgatitet nga Kosova për Kosovën, dhe vizioni nuk është draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova, shumë shpejt, për të parë se çfarë idesh konkrete kanë për Asociacionin, dhe ky mendoj se është obligim i Kosovës, që ta çojë procesin përpara”, deklaroi diplomati gjerman.
Ndërsa i pyetur në lidhje me operatorin VisaMetric, e cila obligon qytetarët për të paguar 30 euro për kthimin e pasaportës, Rohde refuzoi të komentojë këtë duke thënë se ky rast është në procedurë.
“Ju duhet të flisni me VisaMetric, sepse me sa di unë, ky është një rast në procedurë dhe unë nuk dua të komentoj për këtë”, përfundoi.
Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme, në takimin me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë shprehur shqetësimet në lidhje me qasjen e Serbisë në procesin e dialogut.
Kështu ka thënë kryetarja e këtij komisioni, Arbreshë Kryeziu, e cila ka shtuar se në takimin e sotëm është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Kemi folur në përgjithësi me ambasadorin për çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, aspekte që ndërlidhen me NATO-n dhe pastaj edhe çështje të anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian, investimet ekonomike në vendin tonë, po ashtu edhe për çështjen e procesit të dialogut, një pjesë e kohës u nda edhe për të diskutuar për çështjet që ndërlidhen në këtë proces. Ndërkohë nuk kemi folur për Visametric-un dhe nuk di çfarë të ju them për këtë çështje sepse mendoj që është çështje që mund ta kishit sqaruar me ambasadorin”, ka thënë Kryeziu.
Më tej, ajo ka shtuar se në këtë takim kanë folur edhe për qasjen dekonstruktive të Serbisë dhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit.
“Ne si deputetë i ndamë qëndrimet e tona sa i përket procesit të dialogut, duke nisur prej momentit kur Kosova e ka pranuar planin franko-gjerman, në kuadër të cilit plan janë dalë dy marrëveshje shumë të rëndësishme, ajo e Ohrit dhe tjetra e Brukselit. Dhe mbi cilin plan po vazhdon faza e re e dialogut. Kemi ndarë edhe shqetësimet tona për faktin që Serbia vazhdon të jetë de konstruktive qysh në orët e para prej kur është marrëveshja në Ohër dhe vazhdon ta shkel dhe mos ta pranojë asnjërën prej pikave të cilat palët janë dakorduar në kuadër të procesit të dialogut. Sigurisht kemi kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë më vigjilent sa i përket qasjes së Serbisë dhe të kërkojë nga Serbia llogari më shumë sa i përket implementimit të pikave që janë në kuadër të marrëveshjes”, ka deklaruar Kryeziu pas takimit.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme është pyetur edhe në lidhje me operatorin VisaMetric, për të cilin Gjykata Komerciale në të dyja shkallët ka vendosur t’ia ndalojë detyrimin për qytetarët nga 30 euro.
Kryeziu ka thënë se për këtë çështje nuk kanë diskutuar me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde.
”Çfarë është interesante për ne për ta pyetur ambasadorin, besoj që diskutohet bashkërisht në komision dhe agjenda për këtë takim të sotëm është bërë tashmë prej disa ditëve, për të mos thënë ka më shumë se 10 ditë që veçse kemi dërguar kërkesën për ambasadorin dhe kemi treguar se cilat janë çështjet me interes për të cilat ne dëshirojmë të flasim. Çështja e Visametric-ut sigurisht që do të jetë çështje që do të kemi për të diskutuar dhe unë do ta kontaktojë personalisht ambasadorin dhe do të flas ekskluzivisht për çështjen e VisaMetric, por përderisa sot nuk ka qenë pjesë e agjendës, nuk mund të ju them që është kjo apo ajo. Sigurisht që është e padrejtë nëse i ndodhë kjo secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Kryeziu. /KP
Një 13-vjeçar në shkollën 9-vjeçare “Asllan Shahini” në Gramsh, dyshohet se është therur për vdekje.
Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur pak çaste më parë në ambientet e shkollës, ku janë përfshirë në konflikt me njëri tjetrin 4 nxënës të klasës së 9-të.
Në konflikt e sipër është plagosur me thikë 13-vjeçari me iniciale F.B., i cili ka humbur jetën nga plagët e marra.
Po ashtu një tjetër nga nxënësit e përfshirë në konflikt ka mbetur i plagosur, gjendja e të cilit nuk dihet ende.
Policia ka mbërritur në vendngjarje për hetimin e rrethanave të ngjarjes tronditëse./TCh