ATV

Tag: Ballina

  • Eksperti amerikan i Institutit Hudson: Veriu dobësoi Kosovën, trimëroi Serbinë, përfitoi Rusia

    Eksperti amerikan i Institutit Hudson: Veriu dobësoi Kosovën, trimëroi Serbinë, përfitoi Rusia

    Luke Coffey një bashkëpuntor i lartë në Institutin Hudson dhe analist me përvojë sai përket sigurisë dhe politikës së jashtme ka shkruar lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Republikës së Kosovës dhe rezultatin që sipas tij ka prodhuar gjithë ajo që ka ndodhur.

    Coffey thotë se dhuna që shpërtheu në veri të Kosovës më 29 maj, prodhoi trupa të NATO-s të lënduar, Kosovën e ka dobësuar dhe komunitetin transatlatnik e ka ndarë.

    Ai tutje thotë se nga ajo që ka ndodhur në veri të vendit, Serbia është trimëruar dhe Rusia është fuqizuar.

    “Përleshjet lanë trupat e NATO-s të plagosur, Serbia u trimërua, Kosova u dobësua, Rusia u fuqizua dhe komuniteti transatlantik u nda”, ka shkruar Coffey.

    Coffey thekson se Ballkani vazhdon të mbetet një zonë destabiliteti që politikbërësit nuk duhet ta injorojnë.

    Ai kujton konfliktet e ndodhura pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e Jugosllavisë, konflikte që thotë se u vunë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së jashtme ushtarake.

    Anëtari i Institutit Hudson thotë se situate vazhdon të mbetet e brishtë dhe se ngjarjet në Kosovë e tregojnë një gjë të tillë.

  • Çfarë kuptohet me marrëveshjen e BE-së për migracionin?

    Çfarë kuptohet me marrëveshjen e BE-së për migracionin?

    Vendet e Bashkimit Evropian më në fund kanë arritur (pothuajse) të pamundurën: një marrëveshjeje për migracionin.

    Të enjten vonë, 21 vende të BE-së realizuan atë që ata e përshëndetën si një marrëveshje “historike” për të riformuar – për herë të parë në vite – se si kontinenti përpunon dhe zhvendos azilkërkuesit.

    Nëse pakti arrin përmes negociatave përfundimtare me Parlamentin Evropian, ai mund të ndryshojë fytyrën e migracionit evropian.

    Qëllimi kryesor: pengimi i refugjatëve ilegalë të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian.

    Kërkesat për azil do t’i nënshtrohen një procesi të përshpejtuar për të lehtësuar kthimin në vendin e origjinës ose në vendin tranzit.

    I gjithë procesi (ekzaminimi dhe referimi) duhet të zgjasë maksimumi gjashtë muaj.

    Këto procedura në kufijtë e jashtëm do të zbatohen për emigrantët nga vendet me norma pranimi refugjatësh nën 20%, si Turqia, India, Tunizia, Serbia apo Shqipëria.

    Megjithatë, azilkërkuesit nga, për shembull, Siria, Afganistani ose Sudani do të kenë të drejtën e një procedure të rregullt.

    Kështu mbetet i diskutueshëm “koncepti i një vendi të tretë të sigurtë”.

    Me fjalë të thjeshta marrëveshja dikton mundësinë e kthimit të migrantëve – kërkesat e të cilëve për azil konsideroheshin të papranueshme – në vendet e treta të konsideruara “të sigurta” si Tunizia apo Shqipëria.

    Pra në këto vende, do të ketë jo vetëm kthime të shtetasve të tyre që nuk i plotësojnë kushtet – por dhe të atyre që e kanë përdorur për kalim tranzit.

    Marrëveshja parashikon krijimin e 30 mijë vendeve në të gjithë BE-në për këtë proces, me synimin për të akomoduar 120 mijë emigrantë në vit.

    Konventa vendos solidaritet të detyrueshëm por fleksibël ndërmjet shteteve anëtare në kujdesin e azilkërkuesve.

    Vendet do të jenë të detyruara të marrin një numër të caktuar aplikantësh që vijnë në një vend të BE-së me presion migrantësh, ose, në rast të dështimit, të japin një kontribut financiar.

    Priten të paktën 30 mijë zhvendosje vjetore të azilkërkuesve dhe është vendosur një kompensim ekonomik prej 20 mijë eurosh për çdo azilkërkues.

    Polonia dhe Hungaria, vende që refuzuan të pranonin kuota për azilkërkuesit gjatë krizës së vitit 2015, votuan kundër marrëveshjes.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e quajti këtë “të papranueshme”.

    Mbështetësit po e përshëndesin marrëveshjen si një terren krijues, duke ofruar ndihmë për shtetet kufitare pa i detyruar në fakt vendet e tjera të pranojnë azilkërkuesit.

    Por avokatët e migracionit shqetësohen se zgjerimi i kontrolleve të azilit në kufi thjesht do të shtojë numrin e qendrave të ndalimit ku njerëzit do të qëndrojnë për muaj të tërë.

    Teksti aktual ligjor nuk është publikuar ende.

    Sipas marrëveshjes, sistemi i ri i azilit të BE-së do të përmbajë dy rrugë: një procedurë më të rreptë azili të kryer pikërisht në kufi, e cila mund të përfshijë një periudhë të shkurtër ndalimi, dhe një proces tjetër, më lejues.

    Ekzaminimi paraprak do të përcaktonte se ku shkon çdo person.

    Besimi i përhapur në mesin e atyre që janë përfshirë në bisedime është se Italia do të përdorte klauzolën për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në Tunizi, e cila është bërë një stacion popullor rrugor për ata që shkojnë në Evropë.

    Zyrtarisht, një migrant duhet të ketë “qëndruar” në një vend, ose të ketë familje atje, në mënyrë që të dërgohet në atë vend.

    A do t’i zhvendoste marrëveshja emigrantët nëpër Evropë?

    Po, por jo kudo.

    Për vite me radhë, debati bipolar në Evropë ishte midis atyre si Italia, e cila kërkonte “zhvendosje të detyrueshme” të emigrantëve në të gjithë BE-në dhe vendeve si Polonia dhe Hungaria, të cilat kategorikisht e refuzuan sugjerimin.

    Vendi i arritjes së marrëveshjes është një zgjidhje klasike e Brukselit që është quajtur “solidaritet i detyrueshëm”.

    Klauzola po lexohet si një mënyrë që BE-ja në thelb t’u japë para vendeve si Tunizia – një ndjenjë që u forcua vetëm kur Komisioni njoftoi se presidentja, Ursula von der Leyen, do të vizitonte Tunizinë me lideren italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte.

    Edhe ky kompromis i ka shkaktuar shqetësim disa vendeve, me zyrtarët polakë që tashmë kërcënojnë se do të bojkotojnë pagesat e kërkuara – përpos refuzimit të çdo personi shtesë, duke pasur parasysh 1 milion refugjatët ukrainas që vendi po pret.

    Ç’pritet më tej?
    Çdo negociatë e BE-së është bizantine dhe me shumë nivele. Kjo nuk do të jetë ndryshe.

    Ndërsa vendet e BE-së tani kanë mbështetje të mjaftueshme për marrëveshjen, ata ende duhet të merren me Parlamentin.

    Tashmë, shumë nga e majta kanë ngritur shqetësime në lidhje me procedurën kufitare të reagimit, për të cilën ata pretendojnë se thjesht mund të krijojë më shumë qendra ndalimi përgjatë skajit të BE-së.

    Ka gjithashtu zhgënjime për politikën e zgjeruar të kthimit dhe perspektivën e thjesht pagimit të vendeve jashtë për të marrë më shumë përgjegjësi.

    Megjithatë, marrëveshja shihet si shansi më i mirë i BE-së për të riparuar procedurën e saj të çalë të azilit dhe për t’i shpërndarë migrantët në mënyrë më të barabartë në të gjithë kontinentin që nga viti 2016, kur lufta siriane nxiti një turmë refugjatësh që kërkonin strehim në Evropë.

    Siç është tani, marrëveshja e kësaj jave e vendos BE-në në rrugën e duhur për të finalizuar të gjithë paketën përpara zgjedhjeve evropiane në qershorin e ardhshëm.

    Marrëveshje ose jo marrëveshje – prisni që të jetë një çështje zgjedhore.

  • Profesori serb: Kosova është e humbur, s’mund të risundohen mbi 1 milionë shqiptarë

    Profesori serb: Kosova është e humbur, s’mund të risundohen mbi 1 milionë shqiptarë

    Situata në veri të Kosovës, e cila eskaloi deri në dhunë në fund të muajit të kaluar, ka marrë vëmendjen botërore.

    Veç përplasjeve në distancë mes liderëve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të Serbisë, reagime ka pasur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila në masë të madhe ka qenë kritike ndaj qasjes së Kosovës, gjegjësisht të qeverisë Kurti, ndaj këtij problemi.

    Në këtë mes ka reaguar edhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko, i cili për RT Balkan, një operacion shtetëror rus i medias, tha se “qëllimi i Perëndimit është të ndryshojë politikën e Serbisë” – një mesazh që shkoi në veshët e nacionalistëve serbë që e shohin Rusinë si mbrojtës i tyre dhe urrejnë Shtetet e Bashkuara për shkak të fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 gjatë luftës mbi Kosovën, raporton “The New York Times”.

    Një studim i kohëve të fundit nga “Demostat”, një grup kërkimor, zbuloi se vetëm 3 për qind e serbëve thanë se admironin Shtetet e Bashkuara dhe dëshironin marrëdhënie të mira me të, në kontrast me 22 për qind që mendonin kështu për Rusinë. Në të njëjtën kohë, 32 për qind favorizuan Bashkimin Evropian dhe vendet skandinave, duke treguar se mbështetja për Rusinë, megjithëse e fortë, mbetet prapa asaj për Perëndimin në përgjithësi.

    Mirëpo, ajo që ambasadori rus e paraqiti si një komplot perëndimor për të nxitur telashe në Kosovë dhe për të rrëzuar zotin Vuçiq, shihet pikërisht si e kundërta nga shumica e ekspertëve dhe gjithashtu nga protestuesit.

    Kosova, tha Çedomir Çupiq, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, “është tashmë e humbur” sepse nuk ka asnjë mundësi reale që Serbia të marrë mbrapsht dhe të sundojë më shumë se një milion shqiptarë etnikë të padurueshëm. Por për Rusinë, tha ai, pasionet e brendshme që ajo gjeneron ende janë një dhuratë nga perëndia për Moskën – një “kruajtëse dhëmbësh që ajo mund ta përdorë gjithmonë për t’i bërë SHBA-në dhe Evropën të ndihen nervozë”.

    Dhuna në Kosovë ka dhënë gjithashtu një lajm të rrallë të mirë për zotin Vuçiq, duke luajtur rolin e të fortit si mbrojtës i interesave serbe, ndërsa ai përpiqet të qetësojë protestat në rrugët e Beogradit.

    NYT shkruan më tej se situata ka acaruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilët prej kohësh janë përpjekur të ulin temperaturën dhe të ndërmjetësojnë një zgjidhje për Kosovën. Ata dënuan me terma jashtëzakonisht të ashpër dislokimin e forcave të sigurisë në veri të Kosovës nga z. Kurti, kryeministri kosovar.

  • 24 vjet nga fundi i Serbisë në Kosovë

    24 vjet nga fundi i Serbisë në Kosovë

    Sot, bëhen 24 vjet nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.

    Ushtria serbe është dorëzuar nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare në tokë dhe bombardimeve të NATO-së që e kanë detyruar të nënshkruajë marrëveshjen e kapitullimit më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë.

    Marrëveshja është nënshkruar nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë.

    Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:

    c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare, duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.
    d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën
    e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.

    Sulmet që kanë vazhduar për 78 ditë janë anuluar më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark i ka raportuar Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kanë detyruar pushtuesin serb të fillonin tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova.

    Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNMIK, i cili ka administruar vendin deri në shpalljen e Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008.

  • Manchester City fiton për herë të parë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve

    Manchester City fiton për herë të parë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve

    Manchester City ka fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori.

    Skuadra e Pep Guardiolës mposhti Interin me rezultat 1-0 në një ndeshje të fortë, me pak raste por shumë e luftuar.

    Golin e vetëm Manchester City e shënoi në minutën e 68-të me anë të Rodrid, i cili shfrytëzoi një asistim të Silvas.

    Pas golit, Interi kishte një mundësi të artë ta barazonte rezultatin, por fillimisht shtylla e më pas Lukaku ndali golin e sigurt.

    Edhe Foden kishte një rast të mirë por që u ndal nga portieri Onana.

    Ederson ishte me fat në minutën e 89-të por që gjuajtja me kokë e Lukakut përfundoi në këmbën e tij.

    Manchester City fiton trofeun e parë në finalen e tyre të dytë, derisa Interi mbetet me tre tituj nga gjashtë finale të luajtura.

  • Kundërshtohen disa ndryshime në ligjin e ri për zgjedhje

    Kundërshtohen disa ndryshime në ligjin e ri për zgjedhje

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Ende po komentohen ndryshimet që janë bërë me Ligjin e Ri për zgjedhjet e përgjithshme. Mundësia që qytetarët tani të votojnë për 10 kandidatë në vend se 5 sa ishte deri më tani, sipas njohësve vlerësohet si cenim i integritetit të zgjedhjeve dhe mundësi më e madhe për keqpërdorime.

    Kurdo që në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, asnjë person që synon ulësen e deputetit nuk do të mund të garojë nëse është i dënuar në tre vjetët e fundit për vepër penale, me një apo më shumë vjet burgim efektiv.

    Ky është njëri prej ndryshimeve në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar tashmë në Kuvend.

    Megjithatë ky nen po konsiderohet se është bërë për shkak të interesave të partisë në pushtet.

    “E ka kufizu me 1 vit burgim efektiv duk ia përshtat deputetëve të vet që përgjithësisht nuk po dënohen ma shumë e 1 vjet burgim me kusht për rastin e gazit lotësjellës. pra është përshtatje e interesave individuale të një partie.”

    Një tjetër ndryshim që po kundërshtohet është mundësia e votimit të 10 kandidatëve në listat zgjedhore nga 5 sa ishin deri tash.

    “Ndryshimet që janë bërë nga ana e deputetëve cenojnë integritetin zgjedhor. Për shkak se do të lejohen kandidatët të dënuar do të kemi më shumë potencial për keqpërdorim për votat e kandidatëve sepse është rrit për 10 kandidatë e këto vota nuk do të numërohen në vendvotime por në qendra komunale.”

    Mundësia e votimit të 10 kandidatëve edhe nga organizata Demokraci Plus mundëson keqpërdorime.

     “Që me përzgjedhjen  10 kandidatëve vota tjetërsohet shumë dhe rritet manipulimi i votës brenda partive politike. Nr i madh i votuesve nuk e bëjmë përzgjedhjen e 5 kandidatëve e lëre më të 10 kandidatëve dhe lejnë hapësirë që të ketë keqpërdorim nga komisionarët.”

    Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme u miratua në Kuvend të enjten, derisa pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

  • Brenda 5 muajsh u asgjësuan 170 mijë kilogramë mish nga AVUK

    Brenda 5 muajsh u asgjësuan 170 mijë kilogramë mish nga AVUK

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Për shkak të mospërmbushjes së kushteve për konsum, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar mbi 170 mijë kilogramë mish, brenda 5 muajve. Për cilësinë e mishit ankohen edhe qytetarët të cilët thonë se të shpeshta janë rastet kur hasin në mish të prishur.

    Mbi 170 mijë kilogramë mish dhe nënprodukte të tij janë asgjësuar që nga janari e deri në maj të këtij viti.

    Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë produktet u larguan nga tregu për shkak të mospërmbushjes së kushteve për konsum.   E veç produkteve të mishit AUV asgjësoi edhe produkte të tjera siç janë ato të qumështit.

     Përveç lajmërimit nga vet operatorët e biznesit, Thaçi thotë se është një numër i lart i ankesave që vijnë nga qytetarët për cilësi të mishit.

    Një pjesë lajmërohet nga vet operator të biznesit, një pjesë buron nga kontrollet tona dhe një pjesë edhe nga ankesa të qytetarëve…

    Ndërkaq vet qytetarët janë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për mish.

    “Ka pas rast kur jam shkuar në shpi mishi u kanë i prishtë edhe e kena gju…

    Gjatë vitit të shkuar Kosova ka importuar mbi 52 milionë e 700 mijë kilogramë mish.

     

  • Qytetarët, në pritje për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi

    Qytetarët, në pritje për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Plani i Qeverisë së Kosovës për heqjen e qeseve të plastikës nga përdorimi, nuk pritet të realizohet edhe për një kohë. Qytetarët dhe organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit, kërkojnë që këto qese të largohen nga përdorimi sa më parë.

    “Prej janarit 2023 qeset do të bëhen me pagesë…”

    Edhe pse ka kaluar gati një vit nga kjo deklaratë qeset e plastikës vazhdojnë të jepen falas në çdo dyqan.

    Megjithatë, qytetarët janë të gatshëm të heqin dorë nga plastika, si në të gjitha shtetet e tjera evropiane.

    “Mirë kishte qenë me i largu këto qese se këto veç e ndotin ambientin. Ma mirë me marrë torba prej shtëpisë, qysh i kemi pasë në të kaluarën”.

    “Si krejt Evropa ose me pagu pak diçka, naj çmim të volitshëm, ose me marrë prej shtëpisë”.

    Edhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit, thonë se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se kostoja e qeseve.

    “Kështu mund të vetëdijesohen njerëzit për mbrojtjen e mjedisit…”

    Ndërkaq, sipas kryetares së Komisionit për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Pacolli, ky projekt ka ngecur në Qeveri.

    “Tani për tani kemi bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për mbeturina, ku është i inkorporuar sistemi për menaxhimin e qeseve të plastikës, i cili është i adresuar në Kuvend dhe posa ta kemi gati draftin, menjëherë do të merren vendime nga Ministria e Mjedisit”.

    Ndryshe, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon, në të cilin qeset e plastikës për një përdorim ofrohen falas për konsumatorët.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

  • Lidhja e Prizrenit i ‘ribashkon’ prijësit e vendeve shqiptare

    Lidhja e Prizrenit i ‘ribashkon’ prijësit e vendeve shqiptare

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Në Prizren është shënuar 145 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në mesin e mysafirëve të shumtë ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Derisa bënë homazhe në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, vlerësuan përpjekjet për krijimin e një shteti të lirë e të pavarur shqiptar.

    Në Prizren pati kremtë. Në mesin e mysafirëve të ftuar ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.  E gjithë kjo për nder të tubimit më i rëndësishëm kombëtar shqiptar Lidhjes së Prizrenit që shënoi 145 vjetorin e themelimit.

    Sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kjo lidhje ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e kombit.

    “Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëndimore”

    E për homologun e saj nga Shqipëria, Lidhja e Prizrenit projektoi krijimin e një shteti shqiptar.

     “Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar, të lirë dhe të pavarur.”

     Në mesin e mysafirëve ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    10 qershorin e vitit 1878, ai e krahasoi me 28 nëntorin dhe 17 shkurtin.

    “Prandaj 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe ne si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja e Prizrenit shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë po këtu”  

    Lidhja e Prizrenit vlerësohet ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Skënderbeut.

     

     

  • Begaj: Të bëhemi bashkë për të mirën dhe zhvillimin e kombit shqiptar

    Begaj: Të bëhemi bashkë për të mirën dhe zhvillimin e kombit shqiptar

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se ende ka punë për të bërë për kombin shqiptar, por është shprehur i sigurt që do të arrihen me sukses për sa kohë të lihen pas përçarjet dhe bashkohemi për të mirën dhe zhvillimin e kombit tonë.

    Begaj në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Prizrenit për nder të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tha se ndihet krenar me të arriturat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë dhe të gjitha të arriturat e kombit tonë i kanë rrënjët edhe te veprimtaria e lavdishme e patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    “Të gjitha arritjet e deritanishme të kombit tonë shqiptar, kanë rrënjët edhe te veprimtaria e lavdishme e patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, te vizioni që ata na lanë pas dhe që ne duhet t’i trashëgojmë me po kaq dinjitet në të tashmen dhe në të ardhmen. Kemi ende shumëçka për të bërë për atdheun tonë por jam i sigurt që do t’ia arrijmë me sukses për sa kohë të lëmë pas përçarjet dhe të bëhemi të gjithë bashkë, kështu siç jemi sot për të mirën dhe zhvillimin e kombit tonë, kombit shqiptar“, tha ai.

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është organizimi më i suksesshëm politiko ushtarake pas kohës së Skënderbeut dhe ka qenë e mbetet frymëzim për atdhetarët, historianët e politikanët anekënd botës.

    “Lidhja ishte pikënisja kryesore e ngritjes së nivelit të vetëdijes kombëtare dhe si e tillë akoma frymëzon brezat e reja. Sot po festojmë përvjetori e 145 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bashkë këtu në Prizrenin nga ku duhet të vazhdojmë historinë e lavdishme të bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes nesh por edhe në tërë rajonin….tani më shumë se kurrë duhet të punojmë bashkë drejt zhvillimeve tona dhe kështu si vlerë universale të legjitimojmë rolin tonë si faktor stabiliteti në ballkan”, tha ai.

    Kurse, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se pas Besëlidhjes së Lezhës së Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit përfaqëson ngjarjen e dytë më të rëndësishme shqiptare, rizgjimin politik kombëtar në kuadër të perandorisë osmane në një kohë kur tokat shqiptare rrezikoheshin nga të katër anët.

    “Pikërisht këto ngjarje histerike mbeten referencë morale e kombëtare edhe për kohën tonë, aktualitetin ku jetojmë kur po shfaqen rreziqe ndaj gjeografisë së atdheut. Kjo ngjarje na frymëzon të gjithëve që të jemi gjithnjë në lartësinë e aspiratave historike, të idesë së lirisë dhe pacenueshmërisë së atdheut. Kjo ngjarje na vendos para përgjegjësive politike për të quar përpara misionin e përbashkët të afirmimit të qenies sonë në suaza të hapësirës evropiane“, tha ai.

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se beson që nuk ka vend në Kosovë, Shqipëri, Luginë kudo që nuk ndihet mirë kur e shohin Prizrenin mirë.

    “Në vitin 1999, për 121 vjet çka kemi arrit në fund është arrit falë një rruge tepër të saktë që e ka zgjedhur Kosova, ajo rrugë është me qenë pjesë e komunitetit euroatlantik, me i bindë ata miq që dikur kanë raportu, që jonë bërë gabime, me qenë në anën tonë. Kurrfarë rruge tjetër nuk i kish sjell shqiptarët si popullin më të vjetër në Ballkan, por ndër popujt e vegjël të Evropës, nuk i kish sjell në ditën që jemi sot…Kemi me festuar edhe shumë vite që vijnë, por kemi me kanë gjithmonë më të mirë kur kemi me mbrri me i bind të gjithë miqtë tonë se nuk ka rrugë tjetër për ne.”, tha ai, me ç’rast uroi edhe 145-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha ai.

    Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Pandi Seferi tha se sot misioni i përbashkët i të gjithë kryetarëve të komunave është pikërisht ndërtimi i urave midis nesh.