ATV

Tag: Ballina

  • Dita Botërore e Refugjatëve, Haradinaj: Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu

    Dita Botërore e Refugjatëve, Haradinaj: Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se shqiptarët e dinë më së miri ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

    “Dita Botërore e Refugjatëve na rikujton përpjekjen e okupatorit serb për spastrimin etnik duke deportuar me forcë miliona shqiptarë nga Kosova gjatë Luftës Çlirimtare 1998-1999, por edhe deportimin e qindra mijëra të tjerë anekënd botës nga zonat e luftës”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka falënderuar të gjithë ata që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira.

    “Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu…Falënderues përjetësisht ndaj të gjithë miqve tanë kudo nëpër botë që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira”, ka thënë Haradinaj.

  • Vazhdojnë të mbesin të bllokuara rrugët në drejtim të tri pikave kufitare me Serbinë

    Vazhdojnë të mbesin të bllokuara rrugët në drejtim të tri pikave kufitare me Serbinë

    Ministria e Punëve të Brendshme, saktësisht Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar bën të ditur se vazhdojnë të jenë të bllokuara pikë-kalimet kufitare Jarinjë, Merdarë dhe Bërnjak.

    Kështu bën të ditur Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdarë, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.

    Protestuesit kanë bllokuar gjithashtu pikën kufitare në Bërnjak. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.

    “Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

    Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

     

  • Escobar e Lajçak vihen në lëvizje, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

    Escobar e Lajçak vihen në lëvizje, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

    Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga kolegu i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nesër do të diskutojnë për rifilimin e këtij procesi.

    Një diskutim i tillë publik vjen pas tensioneve në komunat veriore, pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj atje. Tensionet u rriten edhe më shumë të mërkurën e kaluar, kur autoritetet serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, transmeton Paparaci.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë që të tre zyrtarët e PK-së të lirohen pa kushte dhe menjëherë.

    Nga ana tjetër, BE-ja dhe ShBA-të kanë bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë që të ulën në tavolinë dhe ta shtensionojnë situatën. Ndërkombëtarët po ashtu kanë përpiluar tri kërkesa kryesore ndaj të dyja vendeve për ta zgjidhur këtë situatë.

    Sipas Këshillit Atlantik, progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar dhe ndërmjetësuar nga BE-ja, kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës.

    Diskutimi i nesërm që do të fillojë në ora 15:00 me kohën tonë lokale, pritet të ofrojë njohuri se si ShBA-ja dhe BE-ja synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që të dyja vendet të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme.

    Mes tjerash, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve. BE-ja ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

  • Giresse tregon nëse do të jetë pjesë e Kosovës

    Giresse tregon nëse do të jetë pjesë e Kosovës

    Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Alain Giresse ka thënë se e ardhmja e tij është e hapur.

    “Do ia lëmë të ardhmes”, ka thënë Giresse kur është pyetur rreth të ardhmes së tij pas humbjes nga Bjellorusia.

    Giresse ka potencuar se nuk pasur gjëra shumë pozitive në ndeshjen e djeshme, por se nuk dihet se çfarë ndodh në futboll.

    “Kemi tentuar sikurse lojën e kaluar ta fitojmë lojën dhe kishim të njëjta qëllime. Në futboll asnjëherë nuk kemi siguri se çfarë mund të ndodh. Nuk ka pasur shumë gjëra pozitive”, ka thënë Giresse.

    Kosova u mposht nga Bjellorusia me rezultat 2:1, duke përfunduar në pozitën e parafundit në Grupin I.

  • Ministria e Jashtme: Mos udhëtoni përmes Serbisë, ka protesta në Jarinje dhe Merdare

    Ministria e Jashtme: Mos udhëtoni përmes Serbisë, ka protesta në Jarinje dhe Merdare

    Sharr Jakupi, shef i stafit në kabinetin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që po udhëtojnë drejtë Kosovës.

    Sipas tij, në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinje dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.

    Jakupi theksoi se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave, transmeton Paparaci.

    Ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë apo rrugët përmes Maqedonisë Veriore.

    “Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, shkroi ai në Facebook.

    “Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”.

    Paparaci raportoi sonte se disa serbë i kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare nga Serbia për në Kosovë.

    Ata e kanë bllokuar edhe rrugën në drejtim të pikave kufitare prej Serbisë në Kosovë. Këtu përfshihen edhe pengesat për automjetet transportuese të mallrave, përveç veturave dhe autobusëve.

    Disa qytetarë, kanë treguar për Paparacin se në pikë-kalimin kufitar në Merdare, serbët nuk kanë lejuar të hynë autobusët dhe disa automjete prej Kosovës.

  • Evropa, kontinenti që po ngrohet më së shpejti në botë

    Evropa, kontinenti që po ngrohet më së shpejti në botë

    Evropa duhet të përgatitet për më shumë valë vdekjeprurëse të të nxehtit, të nxitura nga ndryshimet klimatike, është thënë në një raport të publikuar të hënën.

    Sipas gjetjeve – të raportit të përpiluar nga Organizata Botërore për Mot dhe Shërbimi Evropian për Klimën – ky kontinent ka qenë 2.3 gradë Celsius më i nxehtë vitin e kaluar, në krahasim me epokën para-industriale.

    Thatësia, temperaturat rekorde mbi sipërfaqe të detit dhe shkrirja e pashembullt e akullnajave, janë në mesin e pasojave me të cilat po përballet bota, si pasojë e ngrohjes globale.

    Evropa, e cila është ngrohur dyfish më shumë sesa mesatarja globale, prej vitit 1980, ka regjistruar rekord të temperaturave vitin e kaluar.

    Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë regjistruar vitin e kaluar, verën më të nxehtë ndonjëherë në histori.

    Në raport është thënë se më së keqi do të goditen vendet e varfra, të cilat kanë bërë pak për t’i luftuar emetimet e karbonit, të cilat e rrisin temperaturën.

    Sipas raportit, i nxehti ekstrem i ka lënë më shumë se 16.000 njerëz të vdekur vitin e kaluar, derisa vërshimet dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme në vlerë të 2 miliardë dollarëve. /rel

  • Mospërgjigjja për takim, analistët vlerësojnë se po tentohet të sabotohet dialogu

    Mospërgjigjja për takim, analistët vlerësojnë se po tentohet të sabotohet dialogu

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq, ende nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për takim në Bruksel. Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se kështu po provohet që të sabotohet dialogu. Sipas tyre, një gjë e tillë do të ishte në dëm të Kosovës, ani pse thonë se dështimin e dialogut nuk do ta lejojnë assesi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as Bashkimi Evropian.

    Mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuqiq, duket se nuk ka aq disponim për takim.

    Si njëri ashtu edhe tjetri, nuk i janë përgjigjur ende pozitivisht thirrjes për takim në Bruksel.

    Në këtë mënyrë, sipas njohësve të politikës, po tentohet të sabotohet dialogu.

    “Fatkeqësisht edhe Kosova edhe Serbia, edhe pse janë pajtuar për marrëveshjen, nuk janë të gatshme që ta zbatojnë atë. Kosova në këtë rast Kurti, problem e ka themelimin e asociacionit, pra asociacioni është pengesë që Kurti e ka problem me tejkalu dhe duket që po i kontribuon situatës me veriun, që me e sabotu procesin e dialogut dhe me e ringjallë një dialog të ri, që ndoshta kish me mbërri në një konferencë ndërkombëtare ku kish me u rinegociu komplet marrëveshja”.

    Por një sabotim i tillë i dialogut, sipas Kabashit, nuk do t’i konvenonte Kosovës, pasi që rrezikon të mos jetë më çështje e BE-së.

    “Nëse prolongohet edhe për një kohë, mandej hyjmë në një proces elektoral të Amerikës dhe institucionet e reja që do të themelohen në Bashkimin Evropian kështu që interesi i perëndimit do të bjerë dhe rreziku është që të shkojmë drejt një status-quo-je që më së shumti do ta dëmtonte Kosovën”.

    Politologu Fidan Ukaj vlerëson se as SHBA-ja e as BE-ja nuk do ta lejojnë dështimin e dialogut, pasi thotë se kanë investuar shumë në të.

    “Sigurisht që nuk jemi në fazën më të mirë të procesit të dialogut. Kemi kaluar nga takimet për zbatim të marrëveshjeve për normalizim të raporteve, në menaxhim të krizave, d.t.th është një kthim prapa në dialog. Mirëpo, unë mbes me shpresën se presioni amerikan dhe evropian mbi palët, do ta stabilizojë gjendjen në pjesën veriore të vendit”.

    Kosova e Serbia ndonëse verbalisht, muaj më parë u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara, por që deri me tani asnjëra palë nuk ka treguar interesim në zbatimin e tyre.

     

  • Kërkohet që verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale të mos afatizohet

    Kërkohet që verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale të mos afatizohet

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Plotësim-ndryshimi i ligjit, që mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet, është në proces. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat e tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

    Që nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë që ka përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovës, nuk ka pasur mundësi të aplikojë për ta marrë këtë statut pranë Komisionit Qeveritar.

    Qeveria është në proces e sipër të plotësim-ndryshimit të ligjit që mundëson zgjatjen e afatit të aplikimit edhe për dy vjet të tjera.

    Organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje kërkuan njëzëri që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

    “Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuar, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres, edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndier dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit”.

     “Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatën do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”.

    “Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefiteve, siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime te komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë.”

    E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

    “Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapëseprapë kemi pasur probleme”.

    Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale nga ky komision, u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 eurosh në muaj.

     

  • BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushte, në të kundërtën do të ketë pasoja për palët

    BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushte, në të kundërtën do të ketë pasoja për palët

    Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

    BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

    Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

    Vuçiq më 18 qershor deklaroi në Beograd se nuk do të takohet me Kurtin. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

    Kurti ndërkaq, më 19 qershor tha se fillimisht pret që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd të takojë policët e Kosovës, dhe pasi të kuptojë gjendjen e tyre, do të vendosë nëse do të pranojë ftesën e Borrellit për takim.

    Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel “për të gjetur dalje nga kriza që po e shohim dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut”.

    “Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano gjatë një konference për media.

    Ai shtoi se të hënën gjatë takimit të ministrave të BE-së çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendë.

    “Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, tha Stano.

    Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

    Stano u pyet edhe për situatën aktuale dhe fatin e tre policëve të Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi. Ai tha se “për fat nuk ka pasur përshkallëzim të ri fizik në terren, por ende nuk kemi parë as hapa konkretë të menjëhershëm për shtensionim. Prandaj, edhe i kemi ftuar të dy liderët në Bruksel për të punuar në uljen e tensioneve dhe për hapa konkretë”.

    “Deri më tani nuk kemi dëgjuar përgjigje konkrete, përveç deklaratave jokonstruktive publike të tyre2, tha Stano.

    “Në këtë moment po përqendrohemi në thirrjen e Borrellit që liderët të vijnë në Bruksel. Varësisht se si do të shkojë ky takim, do të shohim më pas se si do të veprohet. Veprimet e të dyja palëve do të reflektohen edhe në diskutimin e ministrave, e pastaj edhe në rrugëtimin evropian të tyre”, përfundoi Stano.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë tre policët e Kosovës. /rel

  • ​Trupi gjykues kërkon shkurtimin e kohës për intervistimin e dëshmitarëve

    ​Trupi gjykues kërkon shkurtimin e kohës për intervistimin e dëshmitarëve

    Turpi gjykues në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, është shprehur i shqetësuar me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Përmes një urdhri, kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët që të shkurtojnë kohën për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

    Në fillim të seancës, Smith ka thënë se prokuroria duhet të rishikojë pyetjet në mënyrë që ndaj të akuzave të zhvillohet një proces gjyqësor me kohë të arsyeshme.

    “Trupi gjykues është i shqetësuar me ritmin si po shkojnë dëshmitë, duke pasur synimin që prokuroria synon ta përfundojë paraqitjen e provave në prill të 2025, unë u detyrova të bëj disa llogaritje dhe kemi bërë rreth 120 orë deri në fund të kësaj jave, do të thotë rreth dhjetë dëshmitarë, ose 12 orë për dëshmitarë. Bëjeni vet llogaritë sa i takon planifikimit, të kuptoni se cili është rezultati, por me këtë ritëm nuk kemi për ta realizuar afatin. Në interes të kursimit të kohës, nuk është e domosdoshëm t’i pyesni dëshmitarët për çështje të cilat nuk janë në nevojë të shqyrtohen. Prokuroria duhet ta reduktojë kohën që nevojitet për pyetjet nga ana e vet, po ashtu mbrojtja ka shpenzuar një kohë të madhe për çështje anësore apo çështje që nuk janë objekt shqyrtimi mes palëve”, ka thënë Smith.

    Gjithashtu, turpi gjykues ka thënë se prokuroria nuk ka pse t’i pyes dëshmitarët për gjëra që tashmë janë të ditura në deklaratat që ata i kanë dhënë.

    “Rregulla 154 është për të reduktuar kohën që nevojitet për të bërë pyetjet nga ana e prokurorisë, dhe ndonjëherë na janë dashur orë të tëra për të pyetur dëshmitarët e rregullës 154, mund ta ndryshojmë ne si trup gjykues por sugjerojmë që ta bëjë vet prokurori. Ne i kemi lexuar deklaratat, ne e dimë çfarë kanë thënë dhe t’i pyesni prap dëshmitarët për gjëra që ne i kemi lexuar në deklaratat e tyre nuk i bënë askujt nderë. Të gjithë ne duhet të kujdesemi që t’i respektojmë afatet për hirë të të akuzuarve”, ka thënë ai.

    Në këtë seancë, trupi gjykues ka dhënë urdhrin e dytë përmes së cilit është zgjatur afati, për mbrojtjen e Thaçit, Veseli dhe Krasniqit, për apelimin e dy vendimeve gjyqësore, deri më datë 26 qershor të këtij viti.

    Ndërsa ka pasur edhe një tjetër urdhër por i njëjti është dhënë në seancë private.

    Pas kësaj, në gjykatore ka dalë dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe mban kodin 3540.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp