ATV

Tag: Ballina

  • ​Rama: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi detyrim ndaj krejt rajonit

    ​Rama: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi detyrim ndaj krejt rajonit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Bruksel, zhvilloi sot një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau detaje nga takimi, teksa theksoi se, de-eskalimi i tensioneve në Kosovë është i domosdoshëm për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, bëri me dije Rama.

    “Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

    Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama udhëtoi dje në Bruksel, për t’u takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

  • ​Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    ​Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

    Samiti do të mbahet në Podgoricë të Malit të Zi ndërsa Osmani ka udhëtuar atje për t’iu bashkuar krerëve të 13 shteteve në bisedimet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

    “Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka njoftuar Zyra e Presidentes.

  • Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të protestës që do të mbahet në Graçanicë, një rrugë do të jetë e mbyllur.

    Në njoftim thuhet se rruga do të jetë e mbyllur deri në përfundimin e protestës, derisa sugjerohet që për sa kohë të zgjatë protesta, pjesëmarrësit në trafik të shfrytëzojnë rrugët alternative.

    “Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se në Graçanicë do të mbahet protestë siç pretendohet “për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviqit nga Kishnica”, për të cilin dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Lipjan, para luftës në Kosovë.

     

  • Hagë: Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

    Hagë: Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë do të vazhdojë edhe sot gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Kjo seancë gjyqësore do të nisë në orën 9:30.

    Të hënën ka filluar dëshminë dëshmitar i i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Marek Gasior, në cilësinë e ekspertit mjekoligjor nga Polonia. Ky ka dëshmuar pa masa mbrojtëse derisa është intervistuar nga prokurorja Gaia Pergolo. Ai ka thënë se si ekspert i mjekësisë ligjore në Kosovë, nga viti 2000 deri në vitin 2008, ka punuar në kuadër të misionit të OKB-së, ndërsa më pas për katër vjet ka punuar me Bashkimin Evropian.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Blinken pas bisedës me Kurtin: Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara

    Blinken pas bisedës me Kurtin: Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është deklaruar pasi e ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Biseda Kurti-Blinken vjen pas zhvillimeve dhe temsioneve në veri të Kosovës.

    Blinken, shkroi në Twitter se plani tre pikësh i propozuar nga Bashkimi Evropian është rruga që duhet të ndiqet.

    “Fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të qetësuar situatën në veri të Kosovës dhe për t’u kthyer menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”, tha Blinken.

    Po ashtu, për këtë bisedë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka ndarë disa detaje.

    Sipas tij, Blinken i ka kërkuar Kurtit që kryetarët e katër komunave veriore të punojnë nga lokacione tjera alternative, e jo në objekte komunale.

    “Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të kërkuar de-përshkallëzimin e menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë thirrjen e vazhdueshme që kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative. Sekretari gjithashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe falënderoi kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në takimin e liderëve të 22 qershorit në Bruksel”, tha ai.

  • Çka bëjnë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që Kosova do t’i shpallë terroriste?

    Çka bëjnë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që Kosova do t’i shpallë terroriste?

    Kosova planifikon t’i shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.

    Tensionet atje i ka rritur instalimi i kryetarëve shqiptarë të komunave qysh në fund të majit. Protestat e komunitetit serb kundër tyre – që në disa raste kanë kulmuar edhe në dhunë – vazhdojnë ende.

    “Ditëve në vijim, unë do të kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste – me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 qershor.

    Në atë konferencë u fol, po ashtu, për disa armë të konfiskuara në një makinë me targa të Beogradit, një ditë më herët në komunën e Zveçanit. Aty u gjetën edhe disa letra ngjitëse të “Brigadës së Veriut”.

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse vendimi për t’i shpallur terroriste dy organizatat, ka shkuar në Qeveri.

    Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nëse Kosova ka dëshmi se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ushtrojnë veprimtari me qëllim të cenimit të rendit kushtetues dhe juridik, atëherë i takon shtetit që t’i shpallë këto organizata terroriste.

    “Vendime të tilla duhet të jenë të bazuara, të arsyetuara mirë dhe të dëshmuara. Kur një organizatë shpallet terroriste, atëherë vetëm pjesëmarrja në të konsiderohet vepër penale, dhe kushdo që bën pjesë në të, duhet të përballet me ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Por, një vendim i tillë, sipas Miftarajt, duhet të merret vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë që, siç thotë ai, vendimi ta ketë edhe legjitimitetin dhe besimin e tyre.

    Çka bën “Mbrojtja Civile”?

    Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.

    Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.

    Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civillna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.

    Në nëntor të vitit 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.

    Një vit më vonë, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” janë parë edhe para qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, por janë larguar nga Policia e Kosovës.

    “Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.

    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.

    Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.

    Ani pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto të fundit kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.

    Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

    Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut.

    Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri.

    Çka bën “Brigada e Veriut”?

    “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”

    Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.

    Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.

    Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.

    Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.

    Për këtë formacion, gushtin e vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.

    “Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq.

    Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.

    Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.

    Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.

    Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

    Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

    Si i trajton ligji i Kosovës organizatat terroriste?

    Me ligjin në Kosovë, në rast se organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë.

    Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

    Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.

    Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.

    Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.

    Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.

    Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.

    Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet./REL

  • Kurti njofton deputetët britanikë për progresin e Kosovës që nga Pavarësia

    Kurti njofton deputetët britanikë për progresin e Kosovës që nga Pavarësia

    Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori Ilir Kapiti, në Parlamentin Britanik takoi deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group).

    Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat e thellimit të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti foli me ta për progresin që Kosova ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë, 15 vjet më parë, e veçanërisht për arritjet në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të sundimit të ligjit në dy vitet e fundit të qeverisjes, të vërtetuara nga shumë raporte kredibile ndërkombëtare.

    “Ai i njoftoi ata edhe me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri të vendit, me agresionin e bandave kriminale dhe të shtetit të Serbisë, dhe me qasjen parimore të Kosovës për shtensionim të situatës dhe me angazhimin konstruktiv të saj në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian drejt normalizimit të plotë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    “Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mikpritjen nga deputetët e Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe për përkrahje e vazhdueshme që i kanë dhënë e po i japin Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”.

  • Hill mirëpret lirimin e tre policëve, bën thirrje për kthim në dialog

    Hill mirëpret lirimin e tre policëve, bën thirrje për kthim në dialog

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka përshëndetur dje lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, që ishin rrëmbyer më 14 qershor.

    Ai ka thënë se tani pret përpjekje shtesë për de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

    “Ne e mirëpresim lajmin për vendimin e gjykatës për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe presim që të bëhen përpjekje shtesë që do të çojnë në de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës aktuale”, tha Hill për KO.

    I pyetur se çfarë pret më pas për krizën në veri të Kosovës, ambasadori amerikan bëri thirrje për zbatim urgjent të planit trepikësh të Bashkimit Evropian dhe kthimin e menjëhershëm të Kosovës dhe Serbisë në tryezën dialogut.

  • Detaje nga biseda telefonike Kurti – Blinken

    Detaje nga biseda telefonike Kurti – Blinken

    Sot pasdite, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati kënaqësinë të zhvillojë një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

    Kryeministri Kurti e falënderoi Sekretarin Blinken për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të ShBA-ve për Republikën e Kosovës, si dhe e informoi atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit.

    U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë.

    Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte.

    Të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.​

  • Deputetja britanike pas takimit me Kurtin: Kosova ia vlen të mbrohet

    Deputetja britanike pas takimit me Kurtin: Kosova ia vlen të mbrohet

    Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dhe deputetja britanike, Alicia Kearns, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Përmes një postimi në Twitter, Kearns ka thënë se Britania e Madhe duhet të qëndrojë pranë partnerëve të saj duke shtuar se takimi me kryeministrin Kurti ishte produktiv.

    Teksa ka theksuar se “Kosova ia vlen të mbrohet”.

    Gjatë takimit Kearns ka thënë se ka diskutuar edhe për përshkallëzimin e situatës në veri të vendit.

    “Duhet të qëndrojmë krah partnerëve tanë. Ishte shumë produktiv takimi me Kryeministrin Albin Kurti këtë mëngjes, për të diskutuar se si të de-përshkallëzohet situata, kthimi i tre policëve të rrëmbyer kosovarë, mbështetja e komunitetit serb në Kosovë dhe milicia e mbështetur nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.

    Ndërsa Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për qeverisjen, progresin në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe.

    “Me deputeten Kearns, kryeministri Kurti diskutoi për qeverisjen, progresin në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe. Vëmendje të veçantë iu dha zhvillimeve të fundit në katër komunat veriore në Kosovë dhe sulmeve të organizuara nga grupe kriminale atje ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe përfshirjen aktive të Serbisë në tensionimin e situatës deri te rrëmbimi i tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës, për të cilët Serbia duhet të mbahet përgjegjëse ndonëse ata u liruan sot gjatë ditës”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.