ATV

Tag: Ballina

  • Deputetja britanike: Armët në Veri po kontrabandohen nëpër kishat ortodokse, KFOR është në dijeni

    Deputetja britanike: Armët në Veri po kontrabandohen nëpër kishat ortodokse, KFOR është në dijeni

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovës përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse. Ajo tha se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni.

    “Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, ka njoftua ajo në twitter.

  • Konfirmohet: Primoz Gliha do ta drejtojë kombetaren e Kosovës

    Konfirmohet: Primoz Gliha do ta drejtojë kombetaren e Kosovës

    Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e sotme ka emëruar ekipin e trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024.

    KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards.

    Kujtojmë se ndeshjen e parë si trajneri i Kosovës do ta zhvillojë me nëntë shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, ndaj Zvicrës në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’. /atvlive.tv

  • BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

    BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

    Kosova, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

    Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Federata boshnjako-kroate.

    Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Vlera e përgjithshme e kornizës është 2.1 miliardë euro.

    Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së.

    Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte thënë se kishte aplikuar edhe për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk kishte specifikuar më shumë në lidhje me to.

    Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë prej 1.8 miliard eurosh.

    Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

    Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

    Mali i Zi me projekte “të papërshtatshme”

    As Mali i Zi nuk ka përfituar grantet e bllokut, pasi projektet e paraqitura nga Podgorica, nga Komisioni Evropian janë parë si “parakohshme dhe të papërshtatshme”.

    “Mali i Zi ka paraqitur projekte investimi në fushën e energjisë, mjedisit dhe transportit që janë vlerësuar nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor si të parakohshme për financim ose të papërshtatshme për financim”, konfirmoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për mediat.

    Ajo shtoi se shpreson që Podgorica të vazhdojë me përgatitjen dhe maturimin e këtyre propozimeve për investime për paraqitjen e serishme të tyre në thirrjet e reja në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

    Pisonero konfirmoi gjithashtu se Mali i Zi përfiton nga tri projekte të asistencës teknike, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, në kuadër të kësaj thirrjeje për përgatitjen e investimeve në sektorët e transportit dhe energjisë.

    Më 30 qershor, KE-ja kishte njoftuar për miratimin e 14 projekteve kryesore investuese në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzor dhe mbështetjes për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.

    Entiteti serb s’përfiton asnjë grant

    Grante në vlerë prej 303 milionë eurosh janë miratuar edhe për projektet infrastrukturore në Bosnje e Hercegovinë. Por, të gjitha grantet do të përqendrohen në Federatën boshnjake-kroate dhe jo në entitetin e Republikës Sërpska.

    Grantet, pjesë e paketës së investimeve prej 2.1 miliardë dollarësh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojnë disa projekte, përfshirë ndërtimin e dy seksioneve të autostradës panevropiane që lidh Budapestin me portin kroat të Plloçes.

    Projektet e tjera në Bosnje, që do të mbështeten nga këto grante, kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë në Sarajevë dhe rehabilitimin e një pompe depozituese në një hidrocentral në jug të shtetit.

    Bashkimi Evropian e kishte paralajmëruar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, që të ndalë retorikën secensioniste dhe lëvizjet që minojnë shtetin e Bosnjës.

    Delegacioni i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse nuk janë mbështetur projektet në Republikën Sërpska.

    Fondet e miratuara janë mbi gjysma e 528 milionë eurove që janë miratuar për rajonin në formë të granteve nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), së bashku me disa kontribute të shteteve të bllokut dhe Norvegjisë, por edhe kreditë nga institucionet ndërkombëtare financiare. /rel

  • ​Stano: Lajçak në Prishtinë, për të gjetur rrugën për de-përshkallëzimin e situatës

    ​Stano: Lajçak në Prishtinë, për të gjetur rrugën për de-përshkallëzimin e situatës

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano theksoi se menjëherë duhet të ndodhë de-përshkallëzimi i situatës.

    Stano tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak po viziton Kosovën për të gjetur përfundimisht rrugën e shtensionimit të situatës dhe të ketë kthim të bisedimeve për normalizim në kuadër të dialogut.

    Në konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano tha se Lajçak në vazhdimësi po udhëton në rajon edhe në kuadër të frymës së diskutimeve të Këshillit Evropian.

    “Kjo vizitë specifike është vazhdim i Këshillit Evropian. Këshilli Evropian, siç e dini, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së po diskutonin për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ata kërkuan për deeskalim të shpejtë, pra kjo është në frymën e diskutimeve të Këshillit Evropian dhe konkluzioneve të Këshillit se Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak që të udhëtojë si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd për t’i çuar çështjet përpara për të gjetur përfundimisht rrugën për të de-përshkallëzuar dhe të mos kemi përshkallëzim, të mos jemi dëshmitarë të tensioneve të vazhdueshme, por të de-përshkallëzojmë dhe në fund të kthehemi te bisedimet për normalizim në kuadër të dialogut”, ka thënë ai.

    Sipas tij, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së u kanë bërë thirrje dy palëve për de-përshkallëzimin e situatës. Ai shtoi se aktualisht nuk janë krijuar kushte për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut.

    “Ky është pikërisht objektivi dhe qëllimi i të gjitha aktiviteteve që po zhvillohen tani. Kështu, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së, të organit më të lartë vendimmarrës të Bashkimit Evropian, u kanë bërë thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë, të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzim. Ata gjithashtu përshkruajnë se çfarë pritet të bëjnë të dyja palët, dhe vizita e Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, në rajon, vizitat e liderëve individualë nga shtetet anëtare në rajon po e çojnë përpara këtë. Ata janë aty për të krijuar atmosferën ku të dyja palët më në fund do të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe t’i kthehen dialogut. Kjo do të thotë de-përshkallëzim i menjëhershëm, renditja e hapave siç është përshkruar më parë dhe më pas zgjidhja e situatës, zvogëlimi i tensioneve dhe kthimi në punën normale për dialogun. Pra, sigurisht që në një moment do të mbahet takimi i ardhshëm i dialogut, por për këtë nuk janë krijuar kushtet tani, ne kemi ende këtë fazë ku duhet të çojmë përpara atë që u diskutua në Këshillin Evropian, prandaj përfaqësuesi i lartë Lajçak është sot në Prishtinë dhe më vonë do të jetë në Beograd”, shtoi ai.

    Tutje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian theksoi se fokusi duhet të jetë që menjëherë të depërshkallëzohet situata.

    “Tani për tani, siç thashë, prioriteti është tek vendimi i liderëve të 27 shteteve anëtare të BE-së, në konkluzionet e Këshillit Evropian prioritet është de-përshkallëzimi i menjëhershëm, kështu që le të mos fokusohemi në atë që mund të ndodhë, tani duhet të fokusohemi në lidhje me atë që duhet të ndodhë menjëherë dhe ajo që duhet të ndodhë menjëherë është de-përshkallëzimi, ndaj duhet të shohim hapa që të çojnë në de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe urgjent, kjo është pikërisht ajo që po diskutohet si vazhdim i Këshillit Evropian nga Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak në Prishtinë tani dhe në Beograd më vonë”, shtoi ai.

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak gjatë pasdites do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /KP

  • Osmani: Të përkushtuar që sfidat t’i tejkalojmë me partnerë e aleatë

    Osmani: Të përkushtuar që sfidat t’i tejkalojmë me partnerë e aleatë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke aluduar për situatën në veri ka thënë se Kosova është e përkushtuar që sfidat t’i tejkalojë me partnerë e aleatë. Këto komente Osmani i bëri në takimin me kryeministrat evropianë, atë të Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

    Në komunikatën për media thuhet se takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

    “Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku.Më tej, Presidentja Osmani theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

    E një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të sigurisë në veriun e vendit.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Në takim, presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë”, thuhet në komunikatë.

    Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

    Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

    “Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”.

    Takimi u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë, thuhet në fund të komunikatës.

  • Kurti i pret në Qeveri dy homologët, Mark Rutte nga Holanda e Xavier Bettel nga Luksemburgu

    Kurti i pret në Qeveri dy homologët, Mark Rutte nga Holanda e Xavier Bettel nga Luksemburgu

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i pritur në oborrin e Qeverisë dy homologët, Mark Rutte nga Holanda e Xavier Bettel nga Luksemburgu, raporton Ekonomia Online.

    Mëngjesin e së martës Kurti i ka pritur të dy në Aeroportin e Prishtinës. Dy kryeministrat më pas janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

    Përderisa pas takimit me Kurtin do të mbajnë konferencë për medie.

  • Stano flet për masat e BE-së ndaj Kosovës

    Stano flet për masat e BE-së ndaj Kosovës

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se BE-ja ka vendosur të zbatojë një sërë masash kundër Kosovës për shkak se ajo nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzuar situatën.

    Ai tha për Tanjug se puna e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është pezulluar përkohësisht, se është vendosur që Kosova të mos ftohet në ngjarje të nivelit të lartë, se vizitat dypalëshe do të ndërpriten, përveç atyre që synojnë zgjidhjen e krizës. në veri të Kosovës në kuadër të dialogut me mbështetjen e BE-së.

    “Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (VBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga Bordi i VBIF më 29-30. qershor”, tha Stano dhe shtoi se autoritetet në Prishtinë janë njoftuar për këto masa më 28 qershor.

    Stano më herët kishte njoftuar se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën dhe se pritet që gjatë vizitës të diskutohet për qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe vazhdimin e dialogun.

  • Tensionet e fundit në veri, dy kryeministra evropianë vizitojnë sot Kosovën

    Tensionet e fundit në veri, dy kryeministra evropianë vizitojnë sot Kosovën

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë sot Kosovën.

    Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

    Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë kanë vizituar edhe Serbinë.

    Rutte dhe Bettel do të zvhvillojnë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët do të diskutojnë, “mes tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Ndërkaq, më 29 qershor, Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

    Megjithatë, BE ka vendosur disa sanksione për vendin tonë.

  • “Vazhdoni kështu”, Clinton para shqiptarëve: Faleminderit për gjithçka që keni bërë

    “Vazhdoni kështu”, Clinton para shqiptarëve: Faleminderit për gjithçka që keni bërë

    Ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton në fjalimin e tij para godinës së kryeministrisë, ndër të tjera tha se Shqipëria vazhdon të ketë probleme ekonomike, por e rëndësishme është që vendi të jetë në anën e duhur të historisë.

    Ai tha se Shqipëria po ecën përpara dhe vendet aleate duhet të bëhen bashkë për ta mbështetur.

    Në fund ai theksoi se sot ka marrë një dhuratë më të madhe se sa nderi, pasi pa çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë.

    Pjesë nga fjala e Bill Clinton:

    Ne e dimë që ju ende keni probleme ekonomike, jemi të vetëdijshëm që ka sfida të cilat të tjerë duhet të bashkohen me ju, që t’ju ndihmojë. Ju jeni njerëz, nuk jeni të përsosur, por mund të jeni në anën e duhur.

    Për mua kjo nuk është thjeshtë një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu që nuk është i ri dhe nuk ka më pushtet politik, një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju.

    Kjo është dita kur konfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë marrin vendime më të mira dhe njerëzit që ngulen dhe rrinë në një grup marrin vendime akoma më të rëndësishme.

    Ajo që kam më shumë përzemër tanimë është që nipërit e mi të kenë një të ardhme më të mirë, dhe ju ma keni bërë të qartë që jeni dakord me këtë.

    Unë dëgjova ata fëmijë dhe më lanë të fjalë. Mos harroni ju nuk jeni perfekt, do të bëni gabime, dikush do të thotë për ju që nuk është e vërtetë, ju duhet të gjeni mënyrën se si t’i përgjigjeni asaj.

    Miku Mandela, ishte një gjeni për mënyrën se si i kontrollonte sulmet ndaj tij. Me kujtohet që dikur në një aeroport, në momentin kur Mandela doli nga burgu dhe personat me ngjyrë që nuk kishin votuar për 300 vjet, po shihnin Mandelën dhe ai pa një vajzë të bukur të vogël dhe e pyet a e di se kush jam unë? Po i tha ajo, ti Mandela dhe t’i je presidenti im. Ai tha po, për pak kohë, por nëse ti studion shumë t’i mund të jesh po ashtu një presidente e Afrikës së Jugut.

    Kjo është ajo çfarë unë ndjeva kur pashë këta fëmijë sot. Ju kërkoj të vazhdoni kështu, na duhen modele. Dhe ndonjëherë vendet që kanë popullsi të vogël, kanë mundësi t’i shohin njerëzit si njerëz, jo si personazhe vizatimore.

    Pasi kam lënë Shtëpinë e Bardhë me kanë ndodhur dy gjëra. Isha në një restorant, kamarieri erdhi të merrte porosinë, pa kush ishte, hoqi tabakë dhe mu ul në gjunjë dhe më tha, “falë teje familja ime është gjallë”. Ata që ishin me mua nuk e kuptuan, unë i thash është shqiptar nga Kosova.

    Vazhdoni kështu, mos i hidhni njerëzit poshtë kur ju gënjejnë. Bëni që gjithkush që vjen në Shqipëri, të shkojnë në vendin e tyre me dëshirën që vendi i tyre të jetë më shumë se i juaji.

    Dikur ju ishit një derë e zymtë e mbyllur, tani ju jeni një derë e hapur.

    Faleminderit për gjithçka që keni bërë për të vërtetuar se ajo çfarë kemi të përbashkët është më e rëndësishme se sa ndasitë tona dhe se duhet të ndërtojmë një jetë kur të gjithë jemi bashkë.

    Sot më dhatë një dhuratë të madhe, më të madhe se sa nderi. Më lat të shoh çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu./abcnews.al

  • Bettel: Inkurajojmë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Bettel: Inkurajojmë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, theksoi se është shumë e rëndësishme që të deeskalohet situata në veri të Kosovës dhe se vendet e Beneluksit inkurajojnë fuqishëm bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Beograd, pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte, Bettel kujtoi se ky është rajoni ku filloi Lufta e Parë Botërore.

    “Ne e dimë se lufta e fundit në kontinent, para Ukrainës, ishte në këtë rajon dhe ne ende shohim se nuk kemi nevojë për shumë zjarr për të shpërthyer. Ka mjaft tension mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.

    Po ashtu, ai ka bërë të ditur se nesër do të shkojë në Prishtinë me bashkë me homologun nga Holanda, Mark Rutte.