ATV

Tag: Ballina

  • ​Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot qëndron në Kosovë

    ​Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot qëndron në Kosovë

    Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot do të qëndrojë në Kosovë, ku do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe me përfaqësues të institucioneve të sigurisë.

    Fillimisht takim do të ketë me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, ku në ora 9:20 do të kenë konferencë të përbashkët për media.

    Pas konferencës, delegacionin nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të pritet nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Pastaj delegacioni i Belgjikës në AP të NATO-s takon kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrime Evropiane.

  • Miratimi i Ligjit për pagën minimale, Kurti: Do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë

    Miratimi i Ligjit për pagën minimale, Kurti: Do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me miratimin në lexim të dytë në Kuvend, mundësohet rritja e pagës minimale.

    Kurti tha se me këtë është përmbushur edhe një tjetër zotim tjetër i kësaj qeverie.

    “Me miratimin në lexim të dytë në Kuvend, mundësohet rritja e pagës minimale. Nga 130 euro e 170 euro, në 264 euro bruto për të gjithë”.

    Tutje tha se për punëtorët nën 35 vjeç rritje e pagës minimale për 103%, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç rritje për 55%. Po ashtu hiqet tatimi në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, ndërsa nga heqja e shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

    “Punëtorëve po ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson jetë të dinjitetshme. Falënderoj të gjithë deputetët që votuan këtë ligj”, tha Kurti.

  • Halimi: Dhuna në Kuvend është veprimi i gjuhës së VV-së

    Halimi: Dhuna në Kuvend është veprimi i gjuhës së VV-së

    Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar për dhunën e përdorur në seancën e sotme të Kuvendit, duke thënë se “është veprimi i gjuhës së partisë në pushtet e projekti politik i Kurtit për vendin”.

    Sipas Halimit, nga ky ambient i dhunshëm dhe të folurit për luftën, qytetarët tanë po ikin çdo ditë.

    Halimi ka thënë se qytetarët meritojnë një mendësi të re politike, ku fokusi do të përqendrohet në politika publike të avancuara për përmirësim të jetës së tyre.

    “Realitetet paralele e fiktive të krijuara nga partia në pushtet, e bashkë me to edhe investimet e mëdha digjitale duke krijuar profile të rrejshme, ku me një ‘click’ fyerja e poshtërimi bëhen mënyrë jetese për mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherë e përgjithmonë duhet të marrin fund. Dëmet e shkaktuara pikërisht nga kjo politikë e Albin Kurtit do të jenë vështirë të riparueshme.

    Dhuna në Kuvendin e Kosovës është veprimi i gjuhës së partisë në pushtet e projekti politik i Kurtit për vendin, po bënë hapa prapthi ashtu siç i shkon për shtati vetëm atij, porse vendi nuk po përparon, sepse ai me një kastë popullistësh po ja vjedhin kohën dhe miqtë Kosovës!”, ka shkruar Halimi.

  • Kuvendi kalon në parim Fondin Sovran

    Kuvendi kalon në parim Fondin Sovran

    Kuvendi i Kosovës e ka kaluar në parim projektligjin për Fondin Sovran.

    61 deputetë kanë votuar për projektligj, siç tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm që do të përfshijë shumë ndërmarrje publike.

    Ky mekanizëm ka qenë një nga premtimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

  • Presidenti amerikan viziton anëtarin më të ri të NATO-s

    Presidenti amerikan viziton anëtarin më të ri të NATO-s

    Presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar me liderët nordikë në Finlandë, në ditën e fundit të udhëtimit të tij në Evropë. Takimi i mbajtur në Helsinki vjen një ditë pas përfundimit të Samitit të NATO-s, të cilin presidenti e cilësoi si shumë të suksesshëm.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti takim me liderët nordikë, të enjten, në territorin e anëtarit më të ri të NATO-s, Finlandës, në një demonstrim të fuqisë dhe ndikimit në rritje të aleancës ushtarake kundër Rusisë.

    “Unë e kam bërë këtë qe një kohë të gjatë”, tha Bideni, në hapje të takimit me presidentin finlandez, Sauli Niinistö, në Pallatin presidencial. “Unë nuk mendoj se NATO-ja ka qenë ndonjëherë më e fortë”.

    Bideni u takua gjithashtu me liderët e vendeve të tjera nordike, duke përfshirë Suedinë, Norvegjinë, Danimarkën dhe Islandën. Suedia pritet të bëhet vendi i 32-të, anëtar i NATO-s, pas premtimeve për më shumë bashkëpunim me Turqinë në përpjekjet kundër terrorizmit, ndërsa mbështeti ofertën e Ankarasë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Finlanda fitoi anëtarësimin në NATO në fillim të këtij viti.

    Si Finlanda ashtu edhe Suedia braktisën një histori të mosangazhimit ushtarak dhe kërkuan të bashkohen me aleancën e NATO-s, pasi Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.

    Ndalesa e shkurtër e Bidenit në kryeqytetin finlandez është pikë kthese e një udhëtimi që ishte skicuar me kujdes për të nxjerrë në pah rritjen e aleancës ushtarake që presidenti amerikan thotë se është forcuar që nga pushtimi rus i Ukrainës. Pranimi i Finlandës në NATO dyfishoi në mënyrë efektive kufirin e aleancës me Rusinë.

    Samiti i suksesshëm i NATO-s

    Bideni mbërriti në Helsinki pas asaj që ai e konsideroi një samit të suksesshëm të NATO-s në Vilnius, Lituani, ku aleatët gjetën gjuhë të përbashkët në lehtësimin e rrugës për Ukrainën, për t’u bërë gjithashtu një anëtare e ardhshme e aleancës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e quajti rezultatin e samitit “një fitore të rëndësishme të sigurisë” për vendin e tij, por megjithatë shprehu zhgënjimin që nuk mori një ftesë të drejtpërdrejtë për t’u bashkuar.

    Bideni dhe zyrtarë të tjerë të administratës gjithashtu zhvilluan biseda të rëndësishme me Turqinë, para se ajo të hiqte dorë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO.

    Bideni tha se ndihej mirë për këtë udhëtim. “Ne arritëm çdo qëllim që kishim vendosur të arrinim”, u tha ai gazetarëve të mërkurën përpara nisjes për në Finlandë.

    Dhe pavarësisht zhgënjimeve të shprehura të Zelenskyyt, Bideni – i cili u takua me udhëheqësin ukrainas të mërkurën në Vilnius – tha të enjten se Zelenskyy “u nda shumë i kënaqur”.

    Dy presidentë të ndryshëm

    Udhëtimi i presidentit amerikan këtë javë – një përpjekje koreografike e përpiktë, që synon të shfaqë kundërshtimin ndërkombëtar ndaj luftës së liderit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë – u zhvillua gati pesë vjet pas ditës kur presidenti i atëhershëm, Donald Trump, qëndroi përkrah Putinit në Helsinki. Kjo ndodhi vetëm disa ditë pasi Trumpi përfundoi një samit të NATO-s, ku ai përçmoi aleancën dhe nga i cili kërcënoi se do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara.

    Në të kundërtën, Bideni ka përkrahur parimet e multilateralizmit që Trumpi i shmangu, duke folur vazhdimisht për nevojën për të rindërtuar koalicionet ndërkombëtare pas katër vjetëve të trazuar nën udhëheqjen e paraardhësit të tij.

    Gjatë hapjes së takimit, Niinistö tha se homologët e tij nordikë kishin një objektiv kryesor: “të garantonin të ardhmen – në aspektin e sigurisë, mjedisor dhe në atë teknologjik”. Bideni shtoi se “kombet rreth tryezës jo vetëm që ndajnë histori të përbashkët, por ndajmë sfida të përbashkëta dhe unë do të shtoja pa modesti edhe vlerat e përbashkëta”.

    Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i cili takoi Bidenin në Oval Office javën e kaluar, i tha Bidenit: Unë të kam takuar ty më shumë sesa kam takuar familjen time.

    Vizita simbolike e Bidenit

    Bisedimet në Pallatin presidencial në zemër të Helsinkit do të fokusohen në bashkëpunimin më të ngushtë midis vendeve nordike dhe Shteteve të Bashkuara për çështjet e sigurisë, mjedisit dhe teknologjisë, tha zyra e Niinistös. Bideni caktoi gjithashtu një konferencë shtypi me Niinistön përpara se të nisej për në Washington.

    Bideni është presidenti i gjashtë i SHBA-së që viziton Finlandën, një vend me 5.5 milionë banorë që ka qenë nikoqir i disa samiteve, SHBA – Bashkim Sovjetik dhe SHBA – Rusi. E para përfshinte presidentin amerikan, Gerald Ford, i cili nënshkroi të ashtuquajturën Marrëveshje të Helsinkit me më shumë se 30 vende të tjera në vitin 1975.

    Por Charly Salonius-Pasternak, studiues i lartë në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, vuri në dukje se vizita e Bidenit shënoi herën e parë që një president në detyrë i SHBA-së erdhi në Finlandë për të nderuar vetë vendin, në vend që ta konsideronte një vend neutral për takime me liderët rusë ose për arsye të tjera të ngjashme.

    “Fakti që Bideni ka zgjedhur të shkojë posaçërisht në Finlandë është simbolik dhe, në njëfarë mënyre, shumë konkret”, tha ai. “Është një lloj mesazhi që vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë”.

    Në epokën e Luftës së Ftohtë, Finlanda veproi si një amortizator neutral midis Moskës dhe Washingtonit dhe udhëheqësit e saj luajtën një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit, duke mbajtur marrëdhënie të mira me të dy superfuqitë.

    Finlanda dhe Suedia fqinje hoqën dorë nga neutraliteti i tyre tradicional politik duke iu bashkuar Bashkimit Evropian në vitin 1995, por të dyja mbetën të palidhura ushtarakisht, me sondazhet që tregonin një shumicë të qartë të qytetarëve të tyre kundër anëtarësimit në NATO. Kjo ndryshoi shpejt pas 24 shkurtit 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën.

  • Kalon Ligji për Pagën Minimale

    Kalon Ligji për Pagën Minimale

    Ligji për pagën minimale është miratuar me 60 vota pro dhe një abstenim, duke vendosur pagën minimale në 264 euro.

    Përjashtimi i veteranëve të luftës nga Ligji ka shkaktuar polemika të mëdha dhe mbetet ende i pazgjidhur.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës vendosë për shumat e pensioneve bazuar në kufizimet buxhetore, koston e jetesës dhe inflacionin”, thuhet në dispozitën që përmbahet në këtë projektligj.

    Amendamentet e propozuara nga AAK dhe PDK për përfshirjen e veteranëve të luftës në ligj janë refuzuar nga shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka festuar miratimin e ligjit, duke vënë në pah pagën minimale prej 264 euro.

  • S’ka qartësi kur dhe si hiqen masat e BE-së, pas hapit të parë nga Kosova

    S’ka qartësi kur dhe si hiqen masat e BE-së, pas hapit të parë nga Kosova

    Tërheqja e një pjese të Policisë që ishin vendosur në dhe përreth katër ndërtesave komunale në veri, është hapi i parë që Kosova ndërmori, sipas dakordimit me Bashkimin Evropian, për shtensionim të situatës.

    Pas veprimeve fillestare nga Qeveria, presidentja Vjosa Osmani pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese – të cilat i vendosi në fund të muajit të kaluar.

    “Ne shpresojmë që BE-ja t’i tërheqë masat të cilat janë ndërmarrë ndaj Kosovës padrejtësisht dhe ne mund të vazhdojmë me më shumë suksese në dialog. Sa u përket procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve nuk ka nevojë për shumë kohë. Ligjet e japin mundësinë për organizimin e zgjedhjeve”, tha Osmani.

    Heqja e masave, sipas kryeministrit Albin Kurti, duhet të bëhet para takimit të javës së ardhshme të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkovic, për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

    Bashkimi Evropian nuk tregoi kur ose nëse ka filluar me heqjen e masave, dhe nëse heqja e tyre do të bëhet gradualisht apo përnjëherë.

    Në një reagim të mërkurën, edhe pse dakordimit për hapat fillestarë iu referua si lajm i mirë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret nga Kosova edhe hapa të mëtejmë pozitivë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dënohet dhuna në Kuvend

    Dënohet dhuna në Kuvend

    Dëm të madh ndaj institucioneve demokratike, e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, përdorimin e dhunës fizike në parlamentin e Kosovës.

    Sipas presidentes, dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

    “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
    Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, tha Osmani.

    Grushtet në Kuvend i ka dënuar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke shtuar se në çdo demokraci ka dallime të forta, por ato duhet të zgjidhen përmes diskursit e jo dhunës.

    “Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, tha Hovenier.

    Me tone kritikuese ndaj opozitës, për ngjarjet në Kuvend reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, tha Rama.

    Derisa dhuna u dënua edhe nga shoqëria civile, partia opozitare, Lidhja Demokratike, është distancuar nga përleshjet në Kuvend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Grushte mes pushtetit e opozitës në Kuvend, në përleshje nuk u përfshinë LDK-ja e AAK-ja

    Grushte mes pushtetit e opozitës në Kuvend, në përleshje nuk u përfshinë LDK-ja e AAK-ja

    Seancat e Kuvendit të Kosovës shpesh janë të zhurmshme. Por, seanca e së enjtes ishte edhe e dhunshme. Debati eskaloi në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.

    Fillimisht PDK-ja ngjiti pllakate në foltore të Kuvendit, duke e paraqitur kryeministrin si Pinokio. Fotografia qëndroi fare pak meqë atë e laroi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    Pavarësisht këtyre lëvizjeve, kryeministri Albin Kurti vazhdoi të fliste. Atij më pas iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    Reagim të shpejtë karshi tij pati ministri Hekuran Murati, derisa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e sulmoi me shishe Lushtakun.

    Në përleshje brenda sekondash u përfshinë edhe ministra e deputetë të tjerë.
    Reagoi edhe sigurimi i kryeministrit. Gjatë kacafytjes, kryekuvendari kërkonte qetësi e në një moment e ftoi policinë brenda sallës.

    Ata qëndruan brenda në sallë derisa kryeministri u largua. Në përleshje në të cilën u dhanë shumë grushte nuk u përfshinë fare dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.

    Rreth tre orësh pas përleshjes, deputetët u kthyen në sallë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përplasen sërish deputetët e PDK-së dhe LVV-së

    Përplasen sërish deputetët e PDK-së dhe LVV-së

    Sërish ka ndodhur një përplasje midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Kjo ka ndodhur në momentet kur mazhoranca në Kuvend po insiston në mbajtjen e seancës së Kuvendit dhe kjo po kundërshtohet nga PDK-ja.

    Në këto momente, ka pasur shtyrje dhe tensione midis deputetëve të PDK-së dhe LVV-së. Tensionet dhe gjuha e ashpër mes tyre po vazhdon.