ATV

Tag: Ballina

  • Prishtinë: Një shtëpi merr flakë në lagjen e spitalit

    Prishtinë: Një shtëpi merr flakë në lagjen e spitalit

    Një shtëpi në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka marrë flakë.

    Ekipet e zjarrfikësve janë shkuar në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin.

    Po ashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Policisë së Kosovës.

    Sipas burimeve të ATV-së, nuk ka njerëz brenda kësaj shtëpie, derisa nuk dihet çfarë e ka shkaktuar zjarrin./atvlive.tv/

  • Njohja e Kosovës, Osmani i bashkohet thirrjes ndaj Google

    Njohja e Kosovës, Osmani i bashkohet thirrjes ndaj Google

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkangjitur iniciativës që i bën thirrje Google ta njohë Kosovën si shtet.

    Ajo ka kërkuar nga Google që të njohë prefiksin +383, në të gjitha shërbimet e saj.

    “Është vendim që është zgjatur shumë. Do të ishte një kthesë e vogël në rrugën e gjatë drejt barazisë, çasjes dhe përfshirjes.” ka thënë mes të tjerash Osmani.

    Ajo ka shpërndarë edhe linkun e peticionit.

  • Letra pozitive, por “për qasje të balancuar, BE-ja duhet ta njohë Kosovën”

    Letra pozitive, por “për qasje të balancuar, BE-ja duhet ta njohë Kosovën”

    Thirrja e dhjetëra ligjvënësve evropianë dhe amerikanë ndaj BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, për të ndryshuar qasjen në raport me Kosovën dhe Serbinë, vlerësohet si hap i rëndësishëm pozitiv nga profesorë të shkencave politike.

    Megjithëkëtë, profesori Dritëro Arifi konsideron se letra, në të cilën përmendet mungesa e presionit ndaj Serbisë, mund të mos mjaftojë nëse Bashkimi Evropian nuk ndërmerr hapa të rëndësishëm në raport me Kosovën.

    Profesori në Winchteser të Anglisë, Seb Bytyçi, letrën e vlerësoi si zhvillim të rëndësishëm në kuadër të përpjekjeve për të krijuar një vrull diplomatik për të ndryshuar qasjen “akomoduese” të perëndimit ndaj Serbisë.

    Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së Ukrainës në këtë letër.

    Teksa tha se nuk pret efekte të menjëhershme, por ndryshim të ngadaltë të qasjes nga BE-ja, profesori Arifi vlerësoi se politikat e Qeverisë lidhur me situatën në veri u dëshmuan të dështuara, sepse prodhuan masa ndëshkuese.

    Deputetja Britanike, Alicia Kearns, njoftoi se 10 kryetarë të komiteteve për politikë të jashtme, përfshirë atë të Ukrainës, dhe 56 ligjvënës evropianë dhe amerikanë u kanë kërkuar BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë – për të mos lejuar një politikë të përqendruar në Beograd. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidenca: Serbia ka emëruar organe ilegale në pesë komuna të Kosovës

    Presidenca: Serbia ka emëruar organe ilegale në pesë komuna të Kosovës

    Shefi i Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, ka thënë Serbia ka emëruar organet ilegale në disa komuna të Kosovës.

    Përmes një postimi në Twitter ka shkruar se organet ilegale janë emëruar në Klinë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Leposaviq

    Vela ka shkruar se kjo është shkelje e marrëveshjes së Brukselit dhe sovranitetit të Kosovës.

    “Lëvizja e fundit e Serbisë: Emërimi i zyrtarëve në organet ilegale komunale në Klinë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Leposaviq. Kjo është shkelje flagrante dhe mospërfillje e marrëveshjes së Brukselit dhe sovraniteti i Kosovës është shembull i agresionit institucional të aplikuar vetëm nga Rusia në Ukrainë”, ka shkruar ai në Twitter.

  • Aksion policor në një banesë në Mitrovicë të Veriut

    Aksion policor në një banesë në Mitrovicë të Veriut

    Policia e Kosovës po kryen një operacion në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, në bazë të informacioneve se aty ka laborator droge.

    Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.

    “Kemi nisur aksionin në bazë të informacionit se aty mund të ketë laborator droge. Kemi gjetur pajisje për laborator [droge], për kriptovaluta, shok-bomba, armë, municione”, tha Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Ekipit të REL-it nuk i është lejuar që t’i afrohet ndërtesës ku po kryet aksioni. Gazetarëve të REL-it u është thënë se bëhet fjalë për një banesë private.

    Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës, apo kundër kriptovalutave në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.

    Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

    Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.

  • Propaganda serbo-ruse falsifikon edhe viktimat boshnjake si ato shqiptare

    Propaganda serbo-ruse falsifikon edhe viktimat boshnjake si ato shqiptare

    Ashtu sikurse ngjau me gruan simbol të eksodit të Kosovës, nënën Sherife Luta, të cilën serbët u munduan ta paraqisnin para botës si refugjate serbe, njëjtë ndodhi me boshnjaken Nermina Mujkiq.

    Fotografia e Mujkiq u keqpërdorë nga presidenti i “Republikës Srpska” në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili tha se Nermina, atëbotë foshnje, ishte gjoja viktimë e krimeve të kroatëve.

    Por, një gjë të tillë e demantoi “instraga.ba” duke publikuar një fotografi të boshnjakes Nermia Mujkiq, e cila kishte shkruar “Kjo jam unë”.

    Instraga ka publikuar një artikull ku shpjegohet se si ekspozoi foshnja e luftës nga Zhepa fabrikën e gënjeshtrave të Vuçiqit dhe Dodikut.

    Aty jepet një narrativë që demanton tërësisht pretendimet e Dodikut.

    “Prijedori është vendi i Tomashicas. Vendi ku u kryen krimet e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të zyrtarëve më të lartë të Republikës Srpska. Vend kampi. Vendi ku u krye gjenocidi, i cili nuk u gjykua vetëm për arsye politike. Nuk kishte “stuhi” në Prijedor. Prijedori ishte Omarska dhe Keratermi. Nuk kishte refugjatë nga Prijedori. Nga Prijedori dolën të dëbuarit. Me faktin se disa të dëbuar u pushkatuan nga pas dhe u shtynë në humnerën e Korićanski stijene. Ky ishte Prijedor në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë. Kurse sot është vetëm një vend gënjeshtrash.

    “Fakti që nuk e mban mend momentin kur është bërë fotografia nuk do të thotë se Nermina Mujkiq nuk e di se kush është dhe nga është. Nuk do të thotë se ajo nuk e di që nëna e saj Sabina është dëbuar nga Zhepa. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund ta njohë nënën e saj.

    “Nermina Mujkiq, foshnja e dëbuar nga Zhepa, e mposhti “Olujen” nga Prijedori vetëm me një fjali. Dhe Aleksandar Vuçiqin e Milorad Dodikun. Dhe një fabrikë e plotë gënjeshtrash në të dy anët e Drinës.

    “Kjo jam unë, në krahët e mamasë sime.

    “Dhe ajo nuk duhet të kishte thënë asgjë më shumë. Ajo tha gjithçka për veten dhe regjimet në Beograd dhe Banja Lluka.

    “Ajo quhet Nermina Mujkiq. Nëna e saj është Sabina Mukiq. Është nga Zhepa. Ajo u dëbua në korrik 1995. Ajo nuk është serbe. Ajo është boshnjake. Nuk është nga Kroacia, është nga Podrinja boshnjake. Ajo nuk është viktimë e krimeve kroate. Ajo është viktimë e krimeve serbe. Ashtu si mijëra boshnjakë të tjerë nga Prijedori, ku u shënua përvjetori i ‘Stuhisë’ kroate”, shkruan Instraga mes tjerash.

    Lidhur me këtë ka reaguar drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, i cili ka thënë se shtrembërimi i së vërtetës duke i paraqitur viktimat e shkaktuara nga ta si viktima serbe është metodë serbe dhe ruse.

    “Kjo është metodë ruse dhe serbe. Viktimat e shkaktuara prej tyre, duke u konvertuar si viktima serbe. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me këtë foto nga Kosova”, ka shkruar Musliu në Twitter.

    Kujtojmë se, dy vjet më parë, Ambasada ruse në Afrikën e Jugut, keqpërdori fotografinë e nënës Sherife Luta, duke i ndërruar kombësinë në përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën.

    Fotografia e saj u manipulua dhe u përdorë në tweetin propagandues të Ambasadës ruse, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, për çka pati shkruar KosovaPress.

  • Deputetja britanike: Letrën për raportet Kosovë-Serbi e mbështeten 10 kryetarë të komisioneve për punë të jashtme

    Deputetja britanike: Letrën për raportet Kosovë-Serbi e mbështeten 10 kryetarë të komisioneve për punë të jashtme

    Deputetja britanike, Alice Kearns, ka bërë thirrje se në letrën e nisur nga ajo për raportet Kosovë-Serbi të drejtuar për BE-në, ShBA-në dhe Britaninë e Madhe, kanë nënshkraur 10 kryetarë të komisioneve për punë të jashtme të shteteve perëndimore dhe 56 deputetë.

    Në Twitter, ajo ka theksuar se të gjithë këto shtete dhe individë kanë bërë thirrje për ndryshim që të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku të sigurohemi që të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës. Është e rrallë që kaq shumë kryetarë të komiteteve të punëve të jashtme të mblidhen për të ngritur shqetësimet dhe për të shprehur një angazhim të përbashkët për de-përshkallëzimin. Ne duam të shohim një rrugë euroatlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Me respektim dhe dëgjim të pakicave”, ka shkruar Kearns.

    Ajo është shprehur e lumtur edhe për kontributin dhe punën e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko, që e ka mbështetur këtë letër.

    “Gjithashtu, është unike të kesh që një pjesëtar kaq të lartë ukrainas të fletë në mbështetje të Kosovës”, ka thënë Kearns.

  • Letra për Kosovën, Joseph: Nënshkrimi i Merezhko e afron njohjen nga Ukraina

    Letra për Kosovën, Joseph: Nënshkrimi i Merezhko e afron njohjen nga Ukraina

    Një letër e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve parlamentare të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera por në të cilën iu bashkua edhe Oleksandr Merezhko kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Ukrainës, një vend që s’e ka njohur ende Kosovën shtet, ka ngjallur reagime.

    Profesori amerikan nga universiteti “Johns Hopkins”, Edward Joseph, mendon se me këtë akt të Merezhkom, pjesë e partisë së presidentit Zelensky, Ukraina i është afruar njohjes së Kosovës.

    Përmes një postimi në Twitter, Joseph tha se mes emrave të nënshkruar në këtë letër, më kryesori është nga Ukraina, ka raportuar Kosovapress.

    “Nënshkruesi kryesor nuk është nga SHBA/BE, por nga Ukraina. Nëse është autentike, duke nënshkruar një letër ku thuhet ‘Kosova është një vend sovran’, Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme, ju e keni afruar Ukrainën me njohjen e Kosovës. Merezhko është një avokat i respektuar ndërkombëtar, nga partia e Zelensky; ky i fundit është takuar me presidenten e Kosovës në qershor”, shkroi Joseph duke kujtuar këtu takimin mes Osmanit dhe Zelensky në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

    Joseph thotë se njohja e Ukrainës do të shërbente edhe për pesëshen e vendeve të Bashkimit Evropian dhe katërshes së NATO-s që nuk e njohin Kosovën të ndryshojnë qëndrim.

    “Menendez, Titus, Torres mund të përparojnë mesazhin e tyre të fuqishëm duke i kërkuar administratës së Bidenit që t’i kërkojë Kievit të njohë Kosovën – duke kufizuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan, duke i dhënë fund Beograd-centrizmit në politikën e Ballkanit dhe duke i liruar serbët e Kosovës nga përdorimi si pengje”, vijoi Joseph.

  • Vazhdojnë pritjet e qytetarëve në kufi, Merdarë deri në 3 orë

    Vazhdojnë pritjet e qytetarëve në kufi, Merdarë deri në 3 orë

    Qytetarët që janë rrugës për të hyrë në Kosovës apo edhe për të dal nga vendi, në disa pika kufitare janë duke pritur me orë të tëra.

    Sipas Qendrën për Menaxhimin Kufitar, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Merdarë vazhdon të jetë pika më e ngarkuar, ku qytetarët për të hyrë në Kosovë janë duke pritur 2 orë e gjysmë deri në 3 orë.

    Ndërsa pritje ka edhe për të dal nga kjo pikë kufitare deri në 2 orë.

    Ndërsa, kolonat janë bërë të hyrje dhe dalje deri në 800 metra.

    Ndërsa pikat e tjera vazhdojnë të jenë më të qeta për kalim.

  • Lushtaku: Shfaqja në Dokufest e turpshme – pasqyrë e Qeverisë Kurti

    Lushtaku: Shfaqja në Dokufest e turpshme – pasqyrë e Qeverisë Kurti

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka thënë se ajo çfarë është shfaqur në DokuFest duke iu referuar zhveshjes, sipas tij është shfaqje e turpshme për publikun.

    Ai shton se nuk kishte art e as modernizëm.

    ”Është degjenerim“, ka shkruar Lushtaku në Facebook, të dielën.

    Sipas tij, kjo është pasqyra më e mirë e Qeverisë së Albin Kurtit.

    ”Për shkak të përmbajtjes së papërshtatshme, nuk po i shpërndaj fotografitë e Dokufestit të mbajtur në Prizren”, ka thënë ai.