ATV

Tag: Ballina

  • Dëmet nga shiu ua vështirësojnë trajtimin pacientëve me kancer

    Dëmet nga shiu ua vështirësojnë trajtimin pacientëve me kancer

    Reshjet e shiut fundjavën e kaluar shkaktuan dëme materiale në Klinën e Onkologjisë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Arsyeja?

    Kompanitë e kontraktuara për renovimin e kulmit të kësaj klinike, nuk arritën të kryenin punimet me kohë.

    Për pasojë, dokumentet e pacientëve janë dëmtuar, janë prishur disa kompjuterë, janë dëmtuar tavanet dhe muret e zyrave dhe dhomave të pacientëve, që marrin trajtimin për lloje të ndryshme të kancerit në Onkologji.

    Në kohën kur ka nisur sanimi i dëmeve, nën zhurmën e sharrave e çekanëve, pacientët merrnin terapitë e tyre kundër kancerit.

    “Po na pengon [zhurma] pak, por çka të bëjmë. Edhe ata duhet të punojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një paciente e shtrirë në katin e dytë të Onkologjisë.

    Shiu shkaktoi dëme edhe në kuzhinën e klinikës, nga ku shpërndahet ushqimi për pacientët.

    hiu që depërtoi në klinikë ka prekur edhe kabinetin e citostatikëve, aty ku përgatitet terapia për pacientët që trajtohen me kimioterapi.

    Kjo ka detyruar stafin të ndryshojë vendin e materialit për përgatitjen e terapisë për pacientët me kancer.

    Në një prej dhomave, ku pacientët marrin terapinë, për shkak të rrjedhjes së vazhdueshme të ujit, janë larguar dy shtretër të pacientëve.

    Për renovimin e kulmit të Onkologjisë janë angazhuar dy kompani private. Të pyetur për punën dhe dëmet e shkaktuara në klinikë, përfaqësuesit e kompanisë nënkontraktuese sqaruan se deri te depërtimi i ujit në klinikë erdhi për shkak se kompania kryesore, që ka fituar tenderin për renovim, nuk ka arritur me kohë të sjellë materialin për mbulimin e kulmit dhe prandaj janë shkaktuar dëmet fundjavën e kaluar.

    Por, kompania kryesore, në komunikimet që ka pasur me zyrtarët përgjegjës, ka thënë se masat paraprake mbrojtëse janë marrë, por dëmet u shkaktuan për shkak të erërave të forta.

    Mbikëqyrja e punimeve në kulmin e Onkologjisë është në përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë.

    Njomzaj Blakaj, menaxhere e projektet të efiçencës së energjisë, tha për REL-in se në kontratën e punimeve është specifikuar se gjitha dëmet eventuale të shkaktuar gjatë ndërtimit do t’i marrë përsipër kompania që e ka fituar tenderin.

    “Kompania ndërtuese, pas gjendjes së krijuar ka thënë se do t’i bëjë të gjitha sanimet e dëmeve të shkaktuar”, tha Blakaj.

    Të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e kompanive ndërtuese.

    Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) po pret që të bëhet vlerësimi i saktë i dëmeve.

    “Ne presim që të bëhet një vlerësim i saktë i dëmeve dhe të rregullohen sa më parë”, tha një nga drejtorët në SHSKUK.

    Në Klinikën e Onkologjisë, tashmë të dëmtuar nga reshjet e shiut, nga fillimi i vitit e deri në muajin korrik janë kontrolluar 30.000 persona.

    Deri po atë muaj, janë konfirmuar 1.224 raste të reja me kancer.

    Në këtë klinikë, në vitin 2022 ishin kontrolluar apo kishin marrë shërbime 47.351 persona, ndërkaq 1.736 ishin raste të reja.

    Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.

    Brenda 24 orëve, aty mesatarisht marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

    Shpeshherë, pacientet aty presin në radhë me orë të tëra për të gjetur shtrat për të marrë kimioterapi. /REL

  • Kurti tregon për 8 profilet e reja që do të shtohen në arsimin dual

    Kurti tregon për 8 profilet e reja që do të shtohen në arsimin dual

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka treguar se duke filluar nga muaji shtator i këtij viti, do të shtohen tetë profile të reja në arsimin dual.

    Këto profile që i ka treguar Kurti përmes një postim në Facebook janë: Rrobaqepësi, Automekanik, Metal përpunues, Përpunues i drurit, Instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, Instalues elektrik, Tregti me shumicë dhe pakicë dhe Estetist.

    “Përveç profileve kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere (kamarier), floktar e murator, nga viti i ardhshëm shkollor do të fillohet edhe këto profile të reja në arsimin dual. Tashmë po zgjerohemi në 21 shkolla në 13 komuna të ndryshme, me 12 profile”, ka shkruar Kurti, të mërkurën.

  • Agjentët e FBI-së vrasin të dyshuarin për kërcënim të Presidentit Biden

    Agjentët e FBI-së vrasin të dyshuarin për kërcënim të Presidentit Biden

    Një person, i akuzuar për kërcënime ndaj Presidentit Joe Biden, u vra nga agjentët e FBI-së në Juta disa orë përpara se Presidenti pritej të mbërrinte atje të mërkurën, thanë autoritetet.

    Agjentët FBI-së po përpiqeshin të zbatonin një urdhër arresti në shtëpinë e të dyshuarit Craig Deleeuw Robertson në Provo, në jug të qytetit Salt Lake, në në orën 6:15 të mëngjesit kur filluan të shtënat me armë, thuhet në deklaratën e FBI-së.

    Robertson postoi në internet të hënën se kishte dëgjuar se Presidenti Biden po vinte në Juta dhe se po planifikonte të gjente një kostum kamuflazhi dhe “të pastronte pluhurin nga snajperi M24”.

    Postimet treguan se ai dukej se zotëronte një snajper me rreze të gjatë veprimi dhe shumë armë të tjera, si dhe veshje kamuflimi, thanë hetuesit në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.

    Robertson gjithashtu iu referua një “vrasjeje presidenciale” dhe bëri kërcënime të tjera kundër Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, thuhet në dokumentet e gjykatës.

    Sipas autoriteteve, Robertson kishte shkruar në Facebook në shtator të vitit 2022 se “Është koha e duhur për një ose dy vrasje presidenciale. Së pari Joe, pastaj Kamala!!!” Postimi i tij është përfshirë në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Asnjë avokat mbrojtës nuk u përmend menjëherë për zotin Robertson në dokumentet e gjykatës.

    Nuk u publikuan detaje të mëtejshme në lidhje me të shtënat, të cilat janë duke u analizuar nga FBI-ja.

    Presidenti Biden është në mes të një turneu në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ai vizitoi të mërkurën shtetin e Nju Meksikos, ku foli në një fabrikë që do të prodhojë turbina për prodhimin e energjisë nga era dhe pritet të shkojë më vonë gjatë ditës në Juta.

    Të enjten, ai pritet të vizitojë një spital të Departamentit të Veteranëve për të folur rreth ligjit PACT, i cili zgjeroi përfitimet për veteranët e ushtrisë amerikane dhe do të mbajë një takim për mbledhje fondesh për zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024. /VOA

  • Ragmi Mustafi emërohet këshilltar politik i Besnik Bislimit

    Ragmi Mustafi emërohet këshilltar politik i Besnik Bislimit

    Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, është emëruar këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

    Sipas tij, kjo rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    Ndërsa deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shkruar se emërimi i Mustafit në këtë pozitë e mban Luginën pjesë të agjendës qeveritare.

    Sipas tij, kjo është një përzgjedhje e mirë për t’i krijuar hapësirën që të vazhdojë angazhimin, sipas tij të palodhur, për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë./KosovaPress

  • Presidentja Osmani dekreton guvernatorin e ri të BQK-së

    Presidentja Osmani dekreton guvernatorin e ri të BQK-së

    Presidentja Vjosa Osmani, sot ka dekretuar guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Ahmet Ismailin.

    Në njoftim thuhet se presidentja osmani ka uruar Ismailin për përzgjedhjen nga Kuvendi i Kosovës, duke i dëshiruar suksese në realizmin e detyrave dhe përgjegjësive, të cilat burojnë nga kjo pozitë e rëndësishme.

    “Sipas Presidentes Osmani, Kushtetuta, ligjet, integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë udhërrëfyes përgjatë punës në institucionet shtetërore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

    Ndërkaq, Ismaili ka prezantuar vizionin e tij për BQK-në, si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të bazuar në përkushtimin ndaj shërbimit publik, efikas dhe transparent.

    Kjo është biografia e guvernatorit të ri të BQK-së: 

    Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik, ku edhe ka marrë titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa.

    Guvernatori në ardhje i institucionit më të rëndësishëm financiar në vend, është 39 vjeçar, i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë bashkë me familjen.

  • Mashtruan dhjetëra persona në TikTok, arrestohen dy persona në Gjilan

    Mashtruan dhjetëra persona në TikTok, arrestohen dy persona në Gjilan

    Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy persona në Gjilan, pasi kanë kryer veprën penale “Mashtrim”.

    Sipas një komunikate drejtuar mediave, thuhet se të dyshuarit përmes rrjetit social ‘’Tik Tok’’ kanë mashtruar dhjetëra persona, kinse do t’u shesin para të falsifikuara, mirëpo në anën tjetër i kanë mashtruar këta persona duke përfituar nga ta shuma të konsiderueshme të mjeteve materiale.

    “Sot, me datën 09.08.2023, është zbatuar Plani Operativ përkatës ku hetuesit e S.H.K.E, në orët e mëngjesit kanë realizuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, për kontrollimin e shtëpisë së personit të dyshuar F.S. dhe njëkohësisht i dyshuari është arrestuar. Gjithashtu është arrestuar edhe personi i dyshuar A.S. për të cilin janë siguruar prova se ka bashkëpunuar me personin tjetër F.S.”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Tutje, Policia njoftoi se me aktvendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Gjilan është iniciuar rasti ’Mashtrimi’ nga neni 323 i KPRK-së dhe dy të dyshuarit e lartcekur janë dërguar në mbajtje për 48 orë./atvlive.tv/

  • Kurti kritikon sistemin e drejtësisë: Vettingu është zgjidhja

    Kurti kritikon sistemin e drejtësisë: Vettingu është zgjidhja

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar kritika ndaj sistemit të drejtësisë në vend.

    Kryeministri Kurti tha se persona të ndryshëm me precedentë penal lëvizin lirshëm si pasojë e ngecjes së sistemit të drejtësisë.

    Ai para kabinetit qeveritar në mbledhjen e së mërkurës, tha se reforma në sistemin e drejtësisë është domosdoshmëri dhe vettingu është zgjidhja.

    Kurti e mirëpriti edhe letrën e ligjvënësve evropian dhe amerikan drejtuar Brukselit zyrtar dhe Uashingtonit, ku theksohet mbështetja ndaj Kosovës dhe kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

  • Sulmohet një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Vushtrri

    Sulmohet një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Vushtrri

    Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se një pjesëtarë i tyre është sulmuar fizikisht pas mesnatës, në qytetin e Vushtrrisë.

    Sipas raportit të policisë ky sulm kishte ardhur si pasojë pasi të dyshuarit kishin refuzuar që t’i binden urdhrit të Policisë së Kosovës, ku me ç ‘rast njëri nga të dyshuarit e ka sulmuar një zyrtar policor duke i shkaktuar lëndime.

    “Vushtrri, 08.08.2023 – 00:30. Janë arrestuar 3 (tre) të dyshuar meshkuj  kosovarë,  pasi që nuk kanë përfillur urdhrat e zyrtarëve policor e më pas njëri nga të dyshuarit e ka sulmuar një zyrtar policor”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Tutje, Policia njoftoi se si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndim trupor, për çka ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Për shtatë muaj, 14 vrasje në Kosovë

    Për shtatë muaj, 14 vrasje në Kosovë

    14 vrasje janë të raportuara në Polici vetëm brenda shtatë muajve.

    Të fundit janë ato në dy lokale, një në Prishtinë e tjetra në Klinë.

    Për këto incidente me armë, njohësit e sigurisë po kërkojnë shkarkime në Polici.

    “Pra nga rasti në Bon Vivant duhet të merren veprime të shkarkimeve në nivelin e drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës, në aspektin menaxherial do të duhet të kemi dorëheqje. Po njëkohësisht do të duhet të jepet përgjegjësi e parë, ministrit të Punëve të Brendshme, i cili duhet të bëjë një hap mbrapa duke mundësuar të kemi një riorganizim institucional në kuadër të MPB-së”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Shifra e regjistruar për vrasje, sipas sociologut Jeton Brajshori, është e lartë dhe shqetësuese.

    “Këto vrasje janë shumë shqetësuese, sepse kanë filluar të bëhen përditshmëri dhe në një shoqëri me krizë kur fillon të bëhet dhuna normalitet dhe përditshmëri, atëherë normalisht që e ardhmja do të jetë e zymtë për rininë tonë”, tha Jeton Brajshori, sociolog.

    Brajshori tregon edhe disa nga shkaqet që mund të dërgojnë deri në kryerjen e këtij akti.

    “Shkaqet janë problemet e ndryshme për arsye se ka probleme që trashëgohen më herët, kanë bërë probleme më herët, vazhdojnë në rrugë, vazhdojnë në lokale, siç e kemi parë rastin në Klinë, problemi është bartur nga Zvicra në Kosovë, këto janë shkaqet që trashëgohen dhe fatkeqësisht organet e drejtësisë nuk kanë arritur t’i parandalojnë me kohë”, tha Brajshori.

    Megjithatë, Policia e Kosovës, gjatë periudhës janar – korrik të këtij viti, ka konfiskuar 636 armë, ndërkaq numri i municionit të konfiskuar është 9.531. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ende s’ka reagim nga BE-ja për letrën e ligjvënësve euro amerikanë

    Ende s’ka reagim nga BE-ja për letrën e ligjvënësve euro amerikanë

    Ende nuk ka reagim zyrtar nga Bashkimi Evropian lidhur me thirrjen e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë për ta ndryshuar qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    Zyrtarë të BE-së nuk u përgjigjën lidhur me shqetësimet e ligjvënësve për mungesën e presionit ndaj Serbisë dhe rrezikun e rrëshqitjes drejt një politike për Ballkanin, të përqendruar në Beograd.

    Duke e falënderuar për, siç shkroi, “ekspozimin e agjendës destruktive dhe destabilizuese të Serbisë”, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti përshëndetën iniciativën e udhëhequr nga kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.

    “Mirënjohëse ndaj të gjithë nënshkruesve për mbështetjen e plotë për sovranitetin e Kosovës dhe demokracinë. Së bashku, ne mund t’i ruajmë vlerat që ndajmë dhe të forcojmë demokracinë”, ka shkruar Osmani.

    “Faleminderit Alicia Kearns, Senator Menendez, Michael Roth dhe pjesës tjetër të kryetarëve të komisioneve për politikë të jashtme dhe parlamentarëve të lartë, të cilët thirrën për solidaritet me Kosovën dhe një qasje ndaj rajonit me më shumë vëmendje ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

    Falënderim për ligjvënësit evropianë dhe amerikanë pati edhe kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj.

    “Arritjet e deritanishme si shtet i kemi falë ndihmës dhe bashkërendimit me aleatët tanë, me ShBA-në në veçanti. Ky akt është vulë e asaj se Kosova është euro-atlantike dhe se ky përkushtim do të jetë i përhershëm”, ka shkruar Haradinaj.

    Në një kundër-reagim, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, tha se mirëpret letrën pasi, sipas saj, ajo është dëshmi që Kurti ka mbështetje dhe inkurajim të plotë për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: