ATV

Tag: Ballina

  • Zgjedhjet në veri më shumë çështje politike se juridike, serbët mund të mos e nënshkruajë peticionin

    Zgjedhjet në veri më shumë çështje politike se juridike, serbët mund të mos e nënshkruajë peticionin

    Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri, si pjesë e marrëveshjes për destabilizimin e situatës në veri, po shihet me skepticizëm nga njohës të rrethanave juridike e politike në vend, raporton Ekonomia Online. Madje ata thonë se serbët mund të mos e nënshkruajë peticionin fare, duke e bojkotuar sërish procesin e zgjedhjeve.

    Njohësi i rrethanave juridike në vend Anton Nrecaj, tha për Ekonomia Online, se në aspektin ligjor zgjedhjet në veri veç se janë mbajtur dhe se kërkesa për zgjedhje sërish është më shumë politike.

    Sipas tij, janë dy forma për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë, zgjidhja politike që do të mundësohej me dorëheqjen e kryetarëve si dhe përmes peticionit.

    “Zgjedhjet në veri janë çështje më shumë politike, në aspektin ligjor zgjedhjet janë mbajtur, janë organizuar, ka pasur një bojkotim masiv të komunitetit shumicë që jeton atje, në atë zonë, por që zgjedhjet kanë qenë legjitime. Nga ana tjetër a munden këta zyrtarë, kryetarë të komunave të cilët janë zgjedhur, mund të them se nuk është demokratike për shkak se nuk i përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të cilët jetojnë atje”.

    “Më pas, politikisht duhet të gjendet një zgjidhje dhe zgjidhja e vetme që mund të gjendet është në dy forma; e para me iniciativë të vetë qytetarëve që të kërkojnë zgjedhje për shkak se këtë e lejon edhe ligji dhe forma tjetër është edhe forma politike ku kryetarët e zgjedhur atje mund të dorëhiqen dhe të fillojnë proceset e zgjedhjeve në nivel lokal në veri”, u shpreh Nrecaj.

    Megjithatë Nrecaj thotë se për mbajtjen e zgjedhjeve duhet të ofrohet siguri që t’u mundësohet të gjithë qytetarëve të votojnë. Ai madje me ironi thotë se kryetarët aktual janë të vetmit në botë që i njohin qytetarët q i kanë votuar, raporton EO.

    “A ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve është çështje tjetër të cilën organet e drejtësisë duhet ta vlerësojnë sepse për t’u mbajtur zgjedhjet fillimisht duhet të ketë kushte të sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve e a kemi siguri, a kemi kushte për momentin aktual për mbajtjen e zgjedhjeve është çështje tjetër të cilën duhet ta vlerësojnë organet kompetente. Në aspektin politik zgjidhja më e mirë do të ishte qytetarët të cilët jetojnë atje të përfaqësohen nga personat të cilët i votojnë”.

    “Unë shpesh herë e them me ironi se kryetarët e komunave të veriut janë të vetmit kryetarë në botë që i njohin votuesit e vetë, kështuqë ata i kanë secili diku 300-350 ose 400 vota. Kjo realisht nuk është e drejtë, dhe nuk është demokratike, sepse demokracia nënkupton përfaqësimin e interesit të qytetarëve. 300 vota ose 400 nuk e përfaqësojnë interesin e qytetarëve që jetojnë atje pavarësisht asaj pjesës së dallimeve apo problemeve politike të qeverisë”, shtoi Nrecaj.

    Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se edhe sikur të nënshkruhej një peticion si procedurë do të merrte kohë dhe se kjo kërkon bashkëpunim, raporton EO.
    Madje sipas tij, për inicimin e peticionit veçse ekziston e si përfundim, sipas Ibrahimit nuk është se është duke u bërë diçka shumë e madhe në këtë drejtim.
    Ai shtoi se e sheh këtë si problem politik, e si të tillë nuk mendon se do mund ta zgjidhnin aktet nënligjore e aq më pak udhëzimet administrative.

    “Me këtë rast nuk garantohet edhe pse po trumbetohet shumë se po bëhet një udhëzim administrativ, dhe më lejoni të theksoj se me udhëzime administrative me akte nënligjore është vështirë të zgjidhen problemet politike, domethënë nëse dikush ndërmerr një iniciativë të tillë, kush janë ata qytetarë të cilët do ta nënshkruajnë peticionin, duke e marrë parasysh që në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës, qytetarët e Kosovës janë shumicë kushtimisht të pakicës serbe dhe ata duhet ta plotësojnë atë peticion”, tha ai, raporton EO.

    “Pra nëse t’i shkon e ndërmerr një iniciativë të tillë ajo njëherë për njëherë mund të dështojë sepse qytetarët serbë ndoshta nuk do ta nënshkruajnë atë peticion, për këtë arsye nëse nuk ka dakordancë politike që qytetarët e komunitetit serb ta nënshkruajnë peticionin do të thotë do të dështojë që nga fillimi. Për këtë arsye nuk është e domosdoshme të trumbetohet se është duke u bërë diçka e jashtëzakonshme kur nuk është në realitet duke u bërë diçka e jashtëzakonshme sepse ligji ekziston, ligji ta lejon mundësinë e fillimit të procedurave për peticion dhe nuk ka nevojë të ndermirën hapat për të hartuar një akt nënligjor i cili mendohet të jetë mbi ligjin. Sepse ligji veç ekziston”.

  • Moti sot me diell dhe vranësira, maksimalja 27 gradë celsius

    Moti sot me diell dhe vranësira, maksimalja 27 gradë celsius

    Në Kosovë sot do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës thuhet se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-27 gradë celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare.

  • Murati: Në muajin korrik norma e inflacionit ka rënë në 2.4%, në krahasim me vendet e rajonit Kosova qëndron më së miri

    Murati: Në muajin korrik norma e inflacionit ka rënë në 2.4%, në krahasim me vendet e rajonit Kosova qëndron më së miri

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sipas shifrave të publikuara nga ASK këtë javë, në muajin korrik norma e inflacionit në Kosovë ka rënë në 2.4 për qind.

    “Edhe në muajin korrik norma e inflacionit ka vazhduar ngadalësimin duke rënë në 2.4%, sipas shifrave të publikuara nga ASK këtë javë”, ka shkruar Murati.

    Murati ka thënë se në krahasim me vendet e rajonit, Kosova qëndron më së miri.

    “Përkundër sfidave të vazhdueshme, në krahasim me vendet e rajonit Kosova qëndron më së miri”, ka thënë tutje Murati.

  • Kurti: S’është racionale të insistohet kundër Kosovës me masa

    Kurti: S’është racionale të insistohet kundër Kosovës me masa

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë parimore dhe jo kokëfortë në menaxhimin e situatave në vend. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian “është mirë që këtë ta pranoj, vlerësoj e mirëkuptoj sa më parë”.

    Kurti ka shtuar se BE-ja duhet sa më parë t’i tërheq masat që ka ndërmarrë ndaj Kosovës, teksa ka përmendur se është Serbia ajo që nuk po respekton marrëveshjet për të cilat janë dakorduar.

    “Nuk e di se kur do të tërhiqen, besoj se duhet të hiqen sa më parë sepse Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide dhe të përkushtuar në dialog, që ka rezultuar me marrëveshjen bazike. Me 27 shkurt ne në Bruksel e kemi realizuar marrëveshjen bazike, që është njohje reciproke de facto. Në marrëveshjen e Ohrit ia bashkëngjitëm edhe një aneks implementimi me 12 pika, por është Beogradi që e ka shkelur këtë. Ne kemi thënë le ta zbatojmë në plotni dhe pa kushte”, ka theksuar ai në një intervistë për televizionin lokal të Tetovës, “TV Koha”.

    Kurti ka deklaruar se kundërshtimet për marrëveshjet nuk vinë nga Kosova, duke shtuar se edhe depërshkallëzimi në veri tashmë në masë të konsiderueshme ka ndodhur, e gatishmëri edhe për zgjedhje të parakohshme ka.

    “Nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa, prej atyre financiare deri te vizitat e nivelit të lartë. Do duhej të hiqeshin dhe letra e mbi 50 parlamentarëve perëndimorë është hapi i duhur në drejtimin e duhur që të përmirësohet qasja ndaj Kosovës dhe të ashpërsohet ndaj Serbisë që nuk distancohet as nga Millosheviqi, as nga Putini”, ka theksuar tutje.

    I pyetur nëse vizitat e tij në Komunën e Tetovës dhe Çairit në Maqedoninë e Veriut ishin ndonjë mesazh i fshehtë politik, Kurti ka thënë se ka shkuar vetëm sepse është ftuar e jo për diçka tjetër.

  • Presidentja Osmani e ministri Ejupi flasin për avancimin e FSK-së

    Presidentja Osmani e ministri Ejupi flasin për avancimin e FSK-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim njoftues ministrin e sapoemëruar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi ministrin Maqedonci duke i dëshiruar suksese në punë, raporton KosovaPress.

    “Presidentja Osmani vlerësoi lartë arritjen e deritanishme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksoi rëndësinë e angazhimit të mëtutjeshëm në avancimin e FSK-së në zhvillimin e plotë të kapaciteteve profesionale e operacionale në përputhje me standardet e NATO-s”, citohet në komunikatë Osmani.

    Në këtë kontekst, në funksion të përmbushjes së synimeve si shtet, Presidentja Osmani siguroi se Ministria e Mbrojtjes do ta ketë gjithmonë përkrahjen e pakursyer të saj.

    “Nga ana tjetër, ministri Maqedonci e falënderoi Presidenten Osmani për mbështetjen dhe u zotua se do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e detyrave”, thuhet të njoftim.

  • Sqarohet Rohde për “njohjen”: Avokatët kosovarë mund të praktikojnë ligjin gjerman vetëm me diplomë përkatëse

    Sqarohet Rohde për “njohjen”: Avokatët kosovarë mund të praktikojnë ligjin gjerman vetëm me diplomë përkatëse

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde është sqaruar pasi ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti dha një lajm se Gjermania ka njohur licensat e avokatëve kosovarë. Rohde e ka bërë të qartë se për të praktikuar ligjin gjerman, avokatët kosovarë duhet të kenë një diplomë përkatëse dhe se ky kusht, mbetet për përfaqësimin e klientëve në gjykatat gjermane.

    Rohde përmes një shkrimi në Twitter, ka deklaruar se përditësimi i fundit, pra ajo që ambasadori Ajeti e paraqiti si “njohje” të avokatëve kosovarë, ka të bëjë vetëm me aktivitetet jashtëgjyqësor, pra jo me procedura gjyqësore.

    “Sqarim për shkrimin tim më poshtë: Përderisa avokatëve kosovarë u lejohet që të punojnë në Gjermani, praktikimi i ligjit gjerman bën të nevojshme një diplomë përkatëse. Ky kusht mbetet për përfaqësim të klientëve në gjykata gjermane. Përditësimi lidhet vetëm me aktivitetet ekstrakurrikulare të avokatëve, duke i përjashtuar procedurat gjyqësore.” – ka shkruar ambasadori gjemran.

  • ​Kurti thirrje Maqedonisë së Veriut: Afër shqiptarëve e bullgarëve dhe larg Serbisë

    ​Kurti thirrje Maqedonisë së Veriut: Afër shqiptarëve e bullgarëve dhe larg Serbisë

    Gjatë vizitës zyrtare që i ka bërë dy komunave të Maqedonisë së Veriut, Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në manifestimin mirëseardhës që u organizua për nder të tij, në sheshin “Iliria”.

    Pasi ka falënderuar nga zemra për pritjen dashamirëse që i është bërë, kryeministri Kurti, tha se është e vështirë të gjendet një tjetër popull të paktën në Evropë, për të cilin gjeografia ka qenë kaq përcaktuese dhe e rëndësishme për historinë e tij, siç është për ne shqiptarët.

    Duke përshkruar distancën ajrore mes Prishtinës dhe Tetovës, e që është vetëm 74 kilometra, por si distancë rrugore, Prishtina dhe Tetova janë larg njëra tjetrës 122 kilometra, kryeministri Kurti tha se përtej këtyre dy shifrave, ku rrugorja është gati sa dyfishja e ajrores, ka edhe një dimension të tretë, që është ai kohor.

    “Duke shkurtuar rrugët, ne fitojmë kohën. Ashtu siç e përjetova unë sot, si një rrugë të shkurtër dhe që mund të shkurtohet edhe më shumë, sepse me ngazëllim dhe dëshirë erdha t’ju takoj juve sot e sonte këtu. E tash, në këtë pikë, nuk e kam fjalën për rrugët automobilistike dhe autostradat, por për rrugët më të rëndësishme që janë rrugët e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes neve, mes Prishtinës dhe Shkupit dhe Tiranës, Tetovës e Gostivarit, Kumanovës e Preshevës, Shkodrës dhe Ulqinit që të jetojmë më mirë e të zhvillohemi më shumë pa dallim e pa diskriminim”, tha kryeministri.

    Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma me vlerë e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian.

    Këtu, ai pati edhe një thirrje për Maqedoninë e Veriut.

    “Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha Kurti.

    Më tej, ai tha se është aty si kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me shqiptarët e trevave të Maqedonisë së Veriut, “fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilin kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore”.

    “Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Ballkan apo nëpër mërgatë, duhet të punojmë për më shumë demokraci e liri, drejtësi e mirëqenie. Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër. Dhe ne ia kemi dëshmuar edhe vetës edhe të tjerëve këtë, si gjatë gjithë historisë ashtu edhe para dy dekadash, kur mijëra shqiptarë nga Kosova të dëbuar gjatë luftës më 1999 nga gjenocidi, u strehuan nga vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë të të gjitha këtyre anëve”, tha ai, duke shtuar se gjuha që e flasim, e kaluara e përbashkët dhe identiteti duhen gjallëruar bashkërisht.

    “Ajo çfarë ndodhë në Kosovë, ndjehet njësoj edhe në Tetovë, ashtu siç ajo çfarë ju brengos juve këtu, është shqetësimi edhe i neve atje” përfundoi Kurti.

  • ATK realizon mbi 70 inspektime në restorante e diskoteka – Murtezaj: Vlera e gjobave mbi 200 mijë €

    ATK realizon mbi 70 inspektime në restorante e diskoteka – Murtezaj: Vlera e gjobave mbi 200 mijë €

    Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj, tha për Ekonomia Online se kanë shtuar aktivitetet në monitorimin e kategorive të tatimpaguesve të cilët kanë aktivitet të shtuar gjatë sezonit të verës, siç janë këngëtarët, diskotekat e restorantet.

    Qëllimi i këtij inspektimi sipas Murtezajt është që ata deri në fund të afatit të deklarimit t’i përmbushin detyrimet e tyre ndaj shtetit, në të kundërt merren masa të tjera.

    “Para së gjithash qasja jonë është sektoriale dhe njëri nga sektorët e identifikuar si sektor më problematik nëse mund t’i themi në përmbushje tatimore është pikërisht sektori i gastronomisë ku dihet që ende vazhdojnë të kenë më së shumti prezencën e kuponëve fiskalë nga ana e kafiterive, restoranteve, e të tilla. Por në të njëjtën kohë kjo pjesa e gastronomisë, dhe e akomodimit nënkupton përfshirjen e grupeve të tjera të tatimpaguesve siç janë këngëtarët, diskotekat e të tjera”.

    “Tashmë siç e kemi parë në publikimet tona në ditët e fundit kemi shtuar aktivitet të rritur në këtë grup të tatimpaguesve për shkak të sezonës verore. E dimë që në këtë sezon rritet edhe aktiviteti i këtyre tatimpaguesve ose bizneseve, dhe qasja jonë është që të bëhet identifikimi apo gjetjeve ose krijimit të informatave për këtë kategori të tatimpaguesve, gjithnjë me qëllim që atyre fillimisht t’ju bëjmë thirrje që të vetëdeklarojnë dhe të paguajnë detyrimet tatimore, pastaj në rast se pas përfundimit të afatit të deklarimit nuk i përmbushin detyrimet tatimore gjithsesi ekziston edhe vegla sekondare ose vegla e dytë që neve ligji na obligon që të ndërmarrim, pra kontrolli”.

    Për më tepër Murtezaj tha se vetëm nga inspektimet e fundit të kryera nga inspektorët e ATK-së, që sipas tij janë diku mbi 70 të tilla, kanë hasur në afro 300 punëtorë të padeklaruar, në 100 000 kuponë të moslëshuar aspak në rend të parë, e vlera e ndëshkimeve nga këto inspektime shkon në 200 000 euro.

    “Vetëm nga këto inspektimet e fundit që ishin mbi 70 kemi diku afër 300 punëtorë të padeklaruar apo të paformalizuar, pastaj janë 100 000 kuponë jo fiskalë ose mos lëshimi fare i asnjë dokumenti që i ofron si dëshmi për pagesë dhe të gjitha këto kanë bërë që zyrtarët tonë, inspektorët tonë t’i ndërmarrin veprimet juridike në shqyrtim me masa ndëshkuese. Ndoshta nuk është shumë evidente në ndëshkimet se në çfarë vlerash. Nga të gjitha këto vizita që janë realizuar deri më tani, mbi 70 vizita, e vlera e ndëshkimeve është diku mbi 200 000 euro, por që aspak nuk është objektiv apo fokus i yni që të vrapojmë pas gjobave”, tha ndër të tjera për Ekonomia Online zv.drejtori ekzekutiv i ATK-së.

    Megjithatë zv.drejtori ekzekutiv i ATK-së, tha se nuk pretendojnë e as nuk e kanë si synim që përmes kontrollit apo ndëshkimeve ta përmbushin buxhetin ose objektivat e tyre.

    E këtë Murtezaj e mbështeti edhe me statistika ku tha se mbi 90% të të hyrave të përgjithshme të ATK-së janë nga përmbushja vullnetare, ndërsa vetëm pak mbi 10% të hyrave të përgjithshme vijnë si rezultat i këtyre inspektimeve apo kontrolleve që realizohen nga ky institucion.

    Murtezaj shtoi se ka raste ku gjenden një numër i printerave jofiskalë të gjetur e edhe i punëtorëve të padeklaruar nga ana e kategorisë së diskotekave, restoranteve e bizneseve të tjera që periudhën sezonale e kanë më të ngarkuar.

    “Asnjëherë nuk është qasja jonë që ne përmes kontrollit dhe ndëshkimeve të pretendojmë të përmbushim buxhetin ose objektivat tona. Synim i vazhdueshëm i yni është që përmbushja vullnetare të jetë ai i cili realizon edhe objektiven e të hyrës tatimore, por në raste të caktuara jemi të obliguar ndaj personave apo bizneseve të cilat nuk i binden kërkesave ligjore t’i ndërmarrim veprimet tona juridike. Mund të themi lirisht se jemi në një trend të mirë sepse mbi 90% të të hyrave të përgjithshme të ATK-së janë nga përmbushja vullnetare, ndërsa pak mbi 10% të hyrave të përgjithshme vijnë si rezultat i këtyre inspektimeve apo kontrolleve që realizohen nga ATK-ja. Varësisht nga sezoni edhe planet e veprimeve tona janë të shtrira në horizontin kohor”.

    “Pra, varësisht nga koha apo periudha se cilat aktivitete apo veprimtari kanë aktivitete të shtuara, ne i shtrijmë edhe aktivitetet e tona operative në terren. Në këtë rast gjatë kësaj sezone, thashë edhe më parë dihet se diskotekat kanë aktivitet të shtuar, restorantet, dhe të tjera. Dhe në këtë rast jemi duke bërë inspektime. Gjetjet tona po tregojnë se ka një mospërmbushje, një mosrespektim të zbatimit të ligjit nga ana e kësaj kategorie të tatimpagueseve dhe në këtë rast zyrtarët janë të obliguar që përveç të tjerave t’i ndërmarrin edhe masat ndëshkuese. Një fenomen që është evident gjatë këtyre inspektimeve, ka raste kur printerë jofiskalë, ka raste ku gjenden punëtorë të padeklaruar”, tha Murtezaj.

  • Gjuajte me armë në drejtim të Policisë në veri, arrestohen 5 persona

    Gjuajte me armë në drejtim të Policisë në veri, arrestohen 5 persona

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar pesë persona në Zubin Potok derisa gjatë tentimit për ndalim kishte shkëmbim zjarri në drejtim të policisë.

    Personat ishin ndaluar nën dyshimin për kontrabandë me mallra, ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e komunës së Zubin Potokut, policia ka has në një kombi dhe disa vetura të cilat besohej se kontrabandonin mallra. Gjatë tentimit për ndalim ka pas shkëmbim me armë zjarri por nuk ka të plagosur. 5 persona janë arrestu, ndërsa janë konfisku kombi dhe tri vetura”, ka Elshani.

    Hetimet rajonale po merren me rastin i cili cilësohet sulm ndaj personave zyrtarë, posedim narkotikësh dhe kontrabandim me mallra.

  • Mbrojta e të akuzuarit për krime lufte i kërkoi Albin Kurtit të dëshmojë, reagon Qeveria

    Mbrojta e të akuzuarit për krime lufte i kërkoi Albin Kurtit të dëshmojë, reagon Qeveria

    Mbrojtja e Dragisha Millenkoviqit, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit ka dorëzuar një kërkesë në Qeverinë e Kosovës.

    Avokati i Millenkoviqit, Dejan Vasiq, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes të intervistohet për këtë rast.
    Duke përmendur faktin se Kurti, në kohën kur i dyshuari Millenkoviq ka punuar në burgun e Prishtinës, ka qenë i arrestuar, Vasiq thotë që dëshmia e kryeministrit është shumë e rëndësishme për klientin e tij.

    ATV-ja ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit për media, për një qëndrim rreth kërkesës së Vasiq. Qeveria përmes një përgjigje me shkrim, ka mohuar se kryeministri Kurti ka pranuar ndonjë ftesë nga institucionet e drejtësisë.

    “Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Gjykatat për t’u paraqitur në ndonjë cilësi. Nuk besoj që e ka marrë malli për to. As për këtë rast ai nuk pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga institucionet e drejtësisë. Nëse gjykatat kanë ndonjë kërkesë ndaj tij, atë le ta bëjnë zyrtarisht dhe për të do të marrin përgjigje”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim në Qeverinë e Kosovës.

    ATV dje ka raportuar se avokati Dejan Vasiq ka paraqitur kërkesën e tij që Kurti të jetë i fituar si dëshmitar i mbrojtjes edhe Prokurorisë Speciale.

    Rasti ende është në fazën e hetimeve.

    Millenkoviq u arrestua në qershor të këtij viti, e pakënaqësitë për arrestimin e tij i shprehën banorët e Graçanicës përmes protestave disa ditë me radhë./atvlive.tv