ATV

Tag: Ballina

  • Rohde: Procesi i Berlinit nis integrimin ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Rohde: Procesi i Berlinit nis integrimin ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se procesi i Berlinit inicon integrimin jetik ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen e tyre me Bashkimin Evropian.

    Në rrjetin social X, Rohde theksoi se është arritur progres, i cili përkthehet në përmirësimin e përditshmërisë së njerëzve në rajon.

    “Procesi i Berlinit nis integrimin jetik ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen e tyre me Bashkimin Evropian. Progresi i prekshëm i arritur në këtë rrugë përkthehet në përmirësime të rëndësishme në jetën e përditshme të njerëzve në rajon”, shkroi Rohde.

    Ai shtoi në këtë postim një grafik që thotë se tregon katër avantazhe që sjell ecuria e procesit të Berlinit, të cilat përfshijnë mundësi më të mira punësimi, krijimin e një tregu të integruar dhe konkurrues, udhëtimin, studimin dhe punën në Ballkanin Perëndimor pa kufizime dhe shtesë. Rritja e PBB-së në Ballkanin Perëndimor prej 6.7 për qind.

  • Zyrtari i BE-së: Sanksionet ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe hap i kthyeshëm

    Zyrtari i BE-së: Sanksionet ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe hap i kthyeshëm

    Shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, ka thënë se sanksionet e vendosura nga BE-ja janë “të përkohshme dhe hap i kthyeshëm”, raporton Ekonomia Online.

    Siç është shprehur ai në Qeverinë e Kosovës, sapo të arrihet depërshkallëzimi i situatës në veri në përputhje me rekomandimet e BE-së, Kosovës do t’i kthehet ndihma financiare dhe politike.

    Sipas tij, stabiliteti politik është kusht për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës.

    Ai ka thënë se shpreson që deeskalimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që BE-ja ta kthejë fokusin e saj në reformën e Kosovës, e cila është vendimtare për integrim.

    “Dua ta tërheq vëmendjen tuaj për pengesat aktuale në zhvillimin e ardhshëm të bashkëpunimit. Meqenëse stabiliteti politik është aq i rëndësishëm në sigurimin e prosperitetit të Kosovës, situata aktuale politike na bën thirrje të gjithëve për deeskalimin e situatës në veri”.

    “Në këtë drejtim, BE-ja ka miratuar një sërë masash për ta bërë të qartë mesazhin dhe ka pezulluar dispozitën për ndihmën financiare për Kosovën”.

    “Do të doja të theksoja se këto janë masa të përkohshme dhe hap i kthyeshëm. Shkalla jonë e plotë e asistencës financiare dhe angazhimit politik do të rifillojë sapo qeveria ta realizojë përshkallëzimin e situatës në përputhje me rekomandimet e BE-së”.

    “Shpresojmë që shumë shpejt ta lëmë pas dhe ta kthejmë fokusin tonë në reformën që është vendimtare për ta afruar Kosovën me Bashkimin Evropian”, është shprehur Bianciardi.

    Këtë deklaratë, ai e ka bërë pas konferencës për medie me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, rreth udhëzimit administrativ për qeset e plastikës.

  • ​Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe

    ​Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe

    Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e Frederick Abrahams, zyrtar i organizatës Human Right Watch, i cili në gjykatore ka dalë si dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve. Ai po intervistohet nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili ka thënë se raportet e dëshmitarit janë vetëm një riciklim i lajmeve serbe.

    Abrahams po dëshmon për raportet që ai dhe kolegët e tij i kishit përgatitur në periudhën e luftës në kuadër të punës në Human Right Watch.

    Në gjykatore është bërë e ditur se ato raporte kishin cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare në shkrimet ku burim ishin mediat serbe.

    Vet dëshmitari kishte deklaruar se Human Right Watch kishte të njëjtën metodologji pune me Qendrën për të Drejtën Humanitare.

    Avokati britanez, Ben Ememrson, ka paraqitur dokumentet ku shihet burimi i raporteve të Human Right Watch.

    Avokati Emmerson: Kemi një referencë për rrëmbimin e Stalentiq në Mleqan, dhe jepet një përshkrim i ngjarjeve që kanë ndodhur. Dhe mund ta shikoni se burimi nga është marrë informacioni është media e Beogradit, është e saktë kjo?

    Dëshmitari Abrahams: Po.

    Emmerson ka përmendur raportin e 5 gushtit të botuar nga Qendra për të Drejtën humanitare dhe atë të human Right Watch të botuar pastaj në tetor të vitit 1998.

    Emmerson: Raporti i dëshmitarit ka cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare me burime nga mediat serbe

    “Raporti i Humanitarian Law Center ishte botuar më 5 gusht, raporti i parë i Qendrës për të Drejtën Humanitare është botuar me datë 5 gusht ndërkohë që ju keni botuar raportin tuaj në tetor të vitit 1998 dhe kohë më pas, në dhjetor, ju keni botuar një tjetër raport për ndalime dhe abuzime në Kosovë në të cilin ju jepni informacionin e njëjtë, thjeshtë keni bërë një përsëritje të raportit që keni dhënë më herët, thjeshtë keni shtjelluar më tepër. Ajo çfarë duket se ka ndodhur këtu është që burimi ka qenë media serbe, nga media serbe shkonte të Qendra e së Drejtës humanitare pastaj ju e merrni citimin si bazë atë çfarë ka shkruar qendra humanitare e së drejtës, dhe më pas e citoni sikur është i juaji”, ka thënë Emmerson.

    Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se kanë bërë dallim në media meqë shteti i Serbisë atëherë kishte kontroll të fortë në media.

    Abrahams: Kishim nivel të lartë besimi në Qendrën për të Drejtën Humanitare

    “Ne kishim një nivel të lartë besimi në Humanitarian Law Center, ne besonim se ata kishin arsye për të përfshirë atë çfarë kishin përfshirë në raportin e tyre, unë nuk mbaj mend në një bisedë, ose nuk mbaj mend që hulumtuesit apo autoret e raporteve të tyre të kem folur me ta për sa i takon këtyre rasteve konkrete”, ka thënë dëshmitari.

    Emmerson ka lexuar një deklaratë të dëshmitarit i cili ka thënë se hulumtimet e Qendrës për të Drejtën Humanitare kishin të njëjtën metodologji me ato të Human Right Watch.

    Emmerson-dëshmitarit: Në raportin tuaj keni bërë një riciklim të lajmeve serbe

    “Në të thuhet, të gjitha hulumtimet e kryera nga Qendra humanitare në periudhën nga 1990-1999 të gjitha këto hulumtime kishin një metodologji të përbashkët me atë tonën. Hulumtues të trajnuar dhe më përvojë kanë intervistuar viktima dhe dëshmitarë të abuzimeve zakonisht në intervista të gjatë kokë më kokë, burime të shumta me prova mbështetëse kërkohen për të bërë pretendime të besueshme dhe Human Right Watch ka qenë e kujdesshme sa i takon bërjes së pretendimeve publikisht. Kur ishte e mundur ne jemi përpjekur të marrim dëshmi ose të dhëna nga kryesit e pretenduar, do të thotë kjo është deklarata sa i takon metodologjisë për përgatitjen e raporteve tuaja sa i takon vlerësimit të besueshmërisë së burimeve apo fakteve që keni pasqyruar ju. Ne sapo pamë këtë shembull të fundit ku ajo çfarë keni bërë ju nuk është asgjë tjetër veçse një riciklim i raporteve të lajmeve serbe në raportin tuaj dhe më pas citoni vetën tuaj, me fjalë të tjera, pasi kalon koha ju nuk bëni as përfshirjen e medias as përfshirjen e Humanitarian Law Center, por thoni që burimi jemi ne Human Right Watch”, ka thënë Emmerson.

    Kjo është dita e tretë e dëshmisë së Fred Abrahams para trupit gjykues në Hagë.

    Seanca po vazhdon me pyetjet e avokatit Ben Emmerson.

    Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Haziri: Kurti nuk ka bërë asgjë që ka thënë, ka bërë gjithçka çka nuk e ka thënë

    Haziri: Kurti nuk ka bërë asgjë që ka thënë, ka bërë gjithçka çka nuk e ka thënë

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin ‘DPT te Fidani’ në ATV, duke komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca se ’gara do të jetë për vendin e dytë’, tha se LDK garon vetëm për vendin e parë.

    Ai tha se eksponentët kryesorë të Vetëvendosjes ende besojnë se 15 shkurti nuk ka ndodh, por sipas tij, në vitin e tretë të qeverisjes, kjo parti nuk ka realizuar asnjë premtim të saj.

    “Nënkryetari i parë, është nënkryetari i Kuvendit, është më i matur në deklaratë se të tjerët, më i kujdesshëm nga njëherë, por kam besu që ka dalë prej 14 shkurtit si rrethanë e re, sepse eksponentë kryesorë të Vetëvendosjes besojnë që ende 15 shkurtit s’ka ndodhë. Ne jemi në vitin e tretë të qeverisjes, asnjë problem në këtë vend nuk u zgjedh, jo sipas premtimeve që i ka dhënë vetë. Por, nëse muj me parafrazu një mik timin, i cili e ka thanë në mënyrën më të mirë, zoti Kurti asgjë nuk ka ba çka ka thanë, ka ba gjithçka që nuk e ka thanë. Kurrgjë nuk ka realizu çka ka thanë, krejt çka ka ba është diçka që s’ka thanë”, tha Haziri.

    Ai tha se LDK tani ka identifikuar ‘fajin’ pse ka dalë si partia e dytë në shumicën e rasteve, por tani thotë se është rikuperu si parti.

    “LDK-ja vetëm për vendin e parë. Ne i dimë dhimbjet tona politike. Ne e kemi identifiku fajin tonë pse kemi dalë parti e dytë shumicën e rasteve, dhe njehërë parti e tretë. Ne i dimë problemet e tona. LDK-ja e ka fitu LDK-në, ndarja e dhimbshme, e cila nuk ka mundur me u shëru deri tash, por mobilizimi i LDK-së, anëtarësisë së LDK-së dhe dalja përtej nesh, në mobilizim ose në rikthim të besimit, sepse LDK-ja sot nuk flet për anëtarësinë e vet, ne e kemi rikthy humbjen e madhe të 14 shkurtit si votë e pakënaqësisë. Sipas sondazheve, sot LDK-ja është rikuperu nga ai ai defekt, sepse njerëzit tanë e kanë pa nëse ka pasë prej tyre që kanë thënë ‘pakënaqësi për shkak të zhvillimeve të brendshme, ose t’i provojmë edhe këta’. Janë provu tash, nuk ka nevojë ma shumë, nuk po them që dita e mirë shihet në mëngjes në qeverisje, po në vitin e tretë nuk ka asnjë problem të zgjidhur. Përveç kësajna, është kompliku aq shumë politikisht, janë prodhu shtatë kriza e që Kosovën e ka çu në kufizime ndëshkuese ndërkombëtare”, tha Haziri. /atvlive.tv

  • ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen ose ndëshkohen

    ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen ose ndëshkohen

    Administrata Tatimore e Kosovës është duke kërkuar nga bizneset që veprojnë në Mitrovicë të Veriut, të regjistrohen në sistemin e Kosovës.

    Shumë biznese atje, ashtu si edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në veri, nuk janë të evidentuara.

    Kjo do të thotë se ato, prej vitesh, nuk i paguajnë asnjë detyrim shtetit të Kosovës

    Në fakt, popullata serbe në veri, që nga paslufta, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës, por atyre të Serbisë, që funksionojnë në zonë përmes strukturave paralele.

    Edhe kërkesën e fundit të ATK-së, disa udhëheqës serbë të bizneseve me të cilët bisedoi REL-i në Mitrovicë të Veriut, thanë se do ta shpërfillin.

    Pronarja e një salloni të bukurisë, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se ka dëgjuar se inspektorët tatimorë, të shoqëruar nga policia, i kanë paralajmëruar pronarët e bizneseve se duhet të regjistrohen, por se ajo nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë – së paku tash për tash.

    Sipas saj, ky është edhe një tjetër “presion” mbi serbët në veri, që, siç tha, vjen në “kohë të gabuar”.

    Ajo nuk specifikoi më shumë, por tha se nëse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, do të interesohet për procedurat e regjistrimit të biznesit.

    Pronarja e një dyqani ushqimor tha se të ardhurat e saj nuk do të ishin të mjaftueshme, nëse do t’i duhej të paguante taksa.

    “Derisa shkon kështu, unë do të punoj… Kur të vijë koha [e regjistrimit], do ta llogaris nëse një gjë e tillë është mjaft fitimprurëse. Tani për tani, nuk e kam ndërmend… Dhe mendoj se nuk do të më mbyllet lokali, pavarësisht presioneve nga të gjitha anët”, tha kjo sipërmarrëse serbe.

    Javën e kaluar, inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës vizituan disa biznese lokale në Mitrovicë të Veriut dhe iu kërkuan atyre që të regjistrohen në sistemin e Kosovës. Aktiviteti i inspektorëve vazhdoi edhe në fillim të kësaj jave, përkatësisht më 4 shtator.

    Drejtori rajonal i ATK-së, Besim Halili, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e bizneseve të inspektuara, janë të paregjistruara, por nuk ofroi shifra konkrete.

    Ai tha se pronarëve u janë dhënë shtatë ditë kohë për të regjistruar veprimtarinë e tyre.

    “Nëse kanë nevojë për afat shtesë, ne mund ta vazhdojmë, për shkak se është problem… Qendra të regjistrimit të bizneseve – mesa kam unë informacione – nuk ka në këto komuna. Ata [përfaqësuesit e bizneseve] duhet të shkojnë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë [për t’u regjistruar]”, tha Halili.

    Nga të dhënat e kësaj ministrie, dërguar REL-it, nuk vërehet ndonjë rritje e regjistrimit të bizneseve.

    Gjatë krejt muajit gusht, nga komunat me shumicë serbe në veri janë regjistruar vetëm tri biznese – dy nga Mitrovica e Veriut dhe një nga Leposaviqi. Ndërsa, në periudhën 1-6 shtator nuk figuron ndonjë biznes i regjistruar.

    Aplikimi për regjistrim të bizneseve mund të bëhet në çdo qendër komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Aplikimi mund të bëhet edhe online.

    ATK-ja planifikon ta shtrijë inspektimin edhe në komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Halili tha se nëse bizneset nuk regjistrohen, do të pasojnë gjoba, ose do të regjistrohen nga vetë ATK-ja.

    “ATK-ja e ka të drejtën e regjistrimit të bizneseve, në rast se ato nuk regjistrohen vetë. Nëse tatimpaguesi refuzon të regjistrohet, administrata e regjistron vetë për çështje tatimore, i lëshon numër fiskal biznesit në mënyrë të rregullt dhe mund të llogarisë në obligimet tatimore. Në të kundërtën, [biznesi i paregjistruar] mund të gjobitet me gjobë fillestare prej 500 eurosh”, shpjegoi Halili.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në katër komunat me shumicë serbe në veri janë të regjistruara 3.796 biznese, që ushtrojnë veprimtari të ndryshme.

    Leposaviqi është komuna me numrin më të madh të bizneseve të regjistruara, përkatësisht 1.472; pason Zveçani me 854, Mitrovica e Veriut me 807 dhe Zubin Potoku me 663.

    Por, edhe pse janë të regjistruara, sipas Halilit, ato nuk janë të pajisura me pajisje elektronike fiskale, që regjistrojnë hyrje-daljet, rrjedhimisht tatimet që janë të obliguara t’i paguajnë në Administratën Tatimore të Kosovës.

    Halili tha se pajisja e tyre me arka fiskale do të shqyrtohet në ndonjë rast më vonë.

    Me Ligjin për Administratën Tatimore të Kosovës, mosinstalimi i pajisjeve elektronike fiskale ndëshkohet me gjobë.

    Administrata Tatimore e Kosovës ka 13 inspektorë për rajonin e Mitrovicës, prej të cilëve tre janë të komunitetit serb, një boshnjak dhe të tjerët shqiptarë.

    Halili tha se gjatë inspektimeve të fundit në Mitrovicë të Veriut kanë qenë të pranishëm edhe inspektorë të nacionalitetit serb, ndaj të cilëve, siç tha, ka pasur presion nga pronarët e bizneseve serbe.

    Ai tha se gjatë dy ditëve të fundit janë pezulluar aktivitetet e inspektimit dhe se një arsye për këtë ka qenë pikërisht “presioni dhe frikësimi i inspektorëve serbë”.

    “Më 5 shtator kam kërkuar nga ATK-ja që të vijnë në ndihmë dy inspektorë të nacionalitetit serb nga komuna e Graçanicës. Po atë ditë kam pasur informatë se do të vijnë, por më pas më kanë njoftuar se nuk vijnë, për shkak se kanë hyrë në pushim mjekësor”, tha Halili.

    REL-i pyeti në ATK për arsyen e mosdërgimit të inspektorëve shtesë, por nuk mori përgjigje.

    “Unë e kuptoj që kanë presion, por derisa janë inspektorë, duhet të veprojnë… Nëse i nënshtrohemi presionit, atëherë përse ekzistojmë si institucion”, u shpreh Halili.

  • Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri e shtet të pavarur

    Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri e shtet të pavarur

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 33 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.

    “Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

    “Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

    Sipas Presidentes Osmani Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

    “Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, ka thënë Presidentja Osmani.

  • Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt

    Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkruar ne 33 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, duke kujtuar ata që dhanë kontributin në shkrimin e saj.

    Kurti tha se autori i saj, profesor Gazmend Zajmi dhe një grup i përbërë nga juristët më të zotë të Kosovës, u mblodhën fshehur në Prishtinë për të ndarë detyrat mes tyre. Sipas Kurtit, do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë,

    “Ata do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë. Preambulen e Kushtetutës dhe kapitullin Dispozitat e Përgjithshme, e mori përsipër ta hartonte Profesor Kurtesh Saliu. Kapitullin Rendi Ekonomik dhe Social, do ta hartonte Profesor Ejup Statovci. Kapitullin Liritë, të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut dhe Qytetarit e mori për detyrë ta hartonte Profesor Ismet Salihu. Kapitullin Kushtetutshmëria dhe Ligjshmëria, do ta hartonte Fatmir Fehmiu. Kapitulli Organet Republikane iu caktua për detyrë Halit Muharremit. Kurse kapitulli Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit, do ta hartonte Profesor Riza Smaka. Në një kohë rekorde prej më pak se një muaji, ata e përgatitën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tekstin e së cilës, teknikisht e shkroi Nexhmije Ajazi”, ka shkruar Kurti ne Facebook.

    Kurti foli edhe për rrethant në të cilat u miratua kjo Kushtetutë.

    “Qëllimisht u vendos që mbledhja të mbahej në qytetin e Kaçanikut, qëllimisht në një ditë të premte dhe qëllimisht në mbrëmje vonë. Organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik i ishte ngarkuar një këshilli të përbërë nga Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka dhe Maksut Hoxha. Shumë njerëz të tjerë, kryesisht banorë të Kaçanikut u angazhuan në këtë organizim”.

    “Një grup i parë do t’i priste delegatët 3 kilometra jashtë Kaçanikut. Derisa të vinte koha e caktuar për mbledhje, një grup i dytë do t’i sistemonte delegatët duke i strehuar ata te familjet Shehu, Lika, Burrniku, Kuka, Shurdhani etj. Një grup tjetër i përbërë nga ish policë, të prirë nga Tahir Çaka, e kishte për detyrë të ofronte sigurinë për mbajtjen e mbledhjes dhe të kujdestaronte”.

    “Ata ishin të armatosur dhe të gatshëm për t’i mbrojtur delegatët në rast se ky organizim merrej vesh nga policia. Një grup ishte caktuar për përcjelljen e delegatëve pas takimit. Paraprakisht ishin menduar tri rrugë për tërheqjen e delegatëve nga Kaçaniku: rruga e parë, ishte përmes Hanit të Elezit; rruga e dytë shkonte nëpërmjet fshatrave Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Glloboqicë; si dhe rruga e tretë kalonte nga Stanet e Brrutëve në Dërnogllavë dhe prej andej në Bllacë”, shkroi Kurti.

    Më tej, kreu i qeverisë tha se delegatët që kishin ardhur direkt në mbledhje, priteshin te stacioni i trenit në Kaçanik nga delegati Naser Gashi bashkë me Emin Rekën, të cilët sipas tij, i shoqëronin delegatët deri në Shtëpinë e Kulturës.

    “Në rast se gjërat do të shkonin keq, ishte menduar që mbledhja të mbahej në shkollën e fshatit Nikaj të Kaçanikut, ky si një plan B, për të cilin ishte angazhuar Shefket Guri.

    Bibliotekistët Isa Gashi dhe Haki Raka do ta përgatisnin sallën ku do të mbahej mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, kurse Refik Verbani do të kujdesej për teknikën e zërimit”.

    “Për ta dëshmuar këtë ngjarje historike, ishin ftuar gazetari Zenun Çelaj, fotoreporteri Enver Bylykbashi dhe kameramani Mamer Dogani. Të tyre janë fotografitë dhe videoincizimet aq të mirënjohura të asaj mbledhje. Nënshkrimet e delegatëve ishin marrë që më parë, por në mbledhje arritën të merrnin pjesë rreth 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës”.

    “Kështu plot 33 vite më parë, më 7 shtator të vitit 1990, në ora 20:00, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik nisi mbledhja që do ta shpallte Kosovën republikë. Mbledhja u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kurse Rezolutën për Republikën e Kosovës e lexoi Halit Muharremi, Sekretari i Kuvendit”.

    “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë”, shkroi Kurti.

    Kurti, më tej tha se nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981, “Kosova Republikë”, u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, përpara se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008.

  • 33 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    33 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    Në këtë datë të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

    Kushtetuta e republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

    Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./KP

  • Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet sot (e enjte) me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

    Edhe pse misioni paqeruajtës është prezent në Kosovë që nga viti 1999, i njëjti vazhdon t’iu referohet krerëve shtetërorë pa titujt e pozitave përkatëse.

    Në agjendën e publikuar nga Zyra për media e NATO-s, presidentes Vjosa Osmani as kësaj radhe nuk i janë referuar me pozitën që e mban si e para e Republikës të Kosovës, porse vetëm “Ms. Vjosa Osmani – Sadriu from Kosovo”.

    Ndërkaq aty bëhet e ditur se pas takimit Osmani dhe Stoltenberg do të mbajnë konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca është paraparë të mbahet në ora 14:30.

  • Haxhiu: Prokurori special po i hakmerret qeverisë Kurti

    Haxhiu: Prokurori special po i hakmerret qeverisë Kurti

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar rastin rezervave shtetërore, tha se Prokuroria Speciale po i hakmerret qeverisë Kurti.

    “Nuk mundemi me mohu edhe me heshtë faktin që kemi një hakmarrje të Prokurorisë, kryesisht prokuroria speciale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e kemi dëgjuar nga vetë zyrtarët brenda Prokurorisë, që edhe vendimet të cilat nuk kanë asnjë ndikim as financiar e as nuk janë vendime përmbajtjesore, shkojnë edhe kontrollohen nga Prokuroria Speciale, në kuptimin që ‘mos po i nxojmë diku’ që kanë shkelur diku një ligj. Unë i bëj thirrje Prokurorisë që secilin vendim timin, qoftë tek një administrativ dhe të tjera ta trajtojnë atë”, tha Haxhiu.

    Veprimet të cilat rezultuan me bastisje dhe arrestime, Haxhiu i quajti ‘filma të lodht” të prokurorisë speciale, që sipas saj, po duan ta bindin opinionin se edhe në qeverinë Kurti ka afera korruptive.

    “Vetë fakti çfarë kanë bërë me rastin e rezervave shtetërore, për shembull, e keni parë Gjykata e Apelit ka thënë që nuk ka justifikim për t’i mbajtur në paraburgim për faktin se nuk konsiderohet që personat e dyshuar kanë kryer vepër penale. E ata shkun si nëpër filma ashtu të bëjnë skena, kishe po nxjerrin dosje, po sigurisht që kur vjen n’shpi te unë, kur vjen n’shpi te ti, n’shpi të tjerëve, diçka ke me marrë dosje ose kur shkon në institucion, na kemi laptopa, kemi telefona, t’i ke mi marrë, ke mi sekuestru, konfesku e të tjera. Tash kur duken ato në popull, konsiderohet që megjithatë paskan gjetur diçka. Filma të lodht të tyne, ka filma shumë të mirë, po mirëpo këto filma të lodht të Prokurorisë Speciale dhe ata le të vazhdojnë hetimet, domethënë ata janë të lirë komplet t’i bëjnë punët që i kanë nisur ndaj meje, ndaj Rozetës, ndaj krejt Qeverisë, ndaj Kryeministrit Kurti, hiç problem s’e kemi”, u shpreh Haxhiu.

    Ajo akuzoi prokurorinë që ka miliona lëndë që përmbajnë keqpërdorim të miliona eurove, për të cilat nuk kanë filluar as hetimet.

    “Çështja është që kjo nuk është drejtësi, duke qenë që miliona lëndë, si me thënë ë lëndë që përmbajnë keqpërdorim të milionave i ka dërgu infrastruktura, ekonomia, industria, drejtësia, financat, arsimi edhe nuk kanë fillu asgjë hetime. Pra, nëse Prokuroria do zgjedhtë që të merret edhe me ato, ke politikanë të cilët dyshohen për miliona euro, të cilët janë të lirë dhe akuzojnë Qeverinë për krim e korrupsion”, tha Haxhiu.

    Ajo thotë se në Qeverinë Kurti nuk ka ministri të korruptuar, përndryshe sipas saj, vet kryeministri Kurti nuk do i lejonte me të jenë ministra as një minutë.
    “Tash merre me mend, ata enden lirshëm prej foltores të Kuvendit në konferenca për shtyp, Qeveria Kurti nuk ka ministra të korruptuar. Po të kishte, unë jam e bindur që Kryeministri Kurti jo një minutë, po një sekondë nuk do ta lejonte që të jetë ministër”, tha Haxhiu. /atvlive.tv