Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit konfirmohet se ministrat do të mblidhen në orën 10:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Rendi i ditës nuk është bërë publik.

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit konfirmohet se ministrat do të mblidhen në orën 10:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Rendi i ditës nuk është bërë publik.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konsideruar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës në Kosovë është i nevojshëm.
Zëdhënësi i DASH-it, Matt Miller, në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se për ta qetësuar situatën në veri është e nevojshme që të gjitha palët të punojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Kështu u shpreh ai derisa u pyet për qëndrimin e SHBA-së lidhur me propozimin që NATO-ja përmes KFOR-it të marrë kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të depërshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë, sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Miller.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas deklaratave të tij për komandantin legjendar, Adem Jashari.
Kurti, me anë të një postimi në ‘facebook’ ka thënë se Vuçiq është i obsesionuar me komandantin legjendar, shkruan Gazeta Insajderi.
“Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, ka thënë ai.
“Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë”, shtohet më tej në postimin e tij.
Vuçiq pak ditë më parë pati kritika pse ndërkombëtarët i referoheshin Adem Jasharit si luftëtar lirie.
“Kur Serbia shkoi në Drenicë që të qerojë hesapet me ata që donin ndaheshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht (Jugosllavia), ata (ndërkombëtarët) thanë se ata janë luftëtarë të lirisë të udhëhequr nga Adem Jashari e jo nga terroristët. Duket që vetëm serbët janë terroristë gjithmonë”, deklaroi përplot viktimizim Vuçiqi.

Kryetari i Nisma’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shpallja ditë zie nga Qeveria e Serbisë, si dhe konferenca e para dy nete, tregon qartë se presidenti Vuçiq qëndron mbrapa asaj që ka ndodh në veri.
“Vetë faktin që Qeveria e Serbisë shpallë ditë zie, konferenca e shtypit të Vuçiqit neve na ka tregu që ai qëndron mbrapa këtij. Shqetësimi i Vuçiqit është mos realizimi me sukses i aksionit. Pesë-gjashtë vende e tradhton veten, tradhtohet nga qëndrimi atë natë. Një nga ato thotë, si është e mundur për një orë me u rrethu. Është i tmerruar për vrasjen e policit tonë, jo për shkak që është vra, por pse me ndodh ajo, sepse ka qenë plani tjetër. Flet këndej s’kam me e njoftë pavarësinë, do me thanë, asnjë rast atë natë nuk ka pasë distancim nga ajo që ka ndodhur veç ka pasë një gjë, ka hedhur zjarr”, tha Limaj.
Ai tha se në vazhdimësi, politika e Serbisë i ka ‘gjuajtur’ serbët e shteteve të tjera.
“Ka thënë ‘serbët e Kosovës’. I gjuajti sikur që i ka gju gjithmonë politika serbe, i ka gju gjithmonë serbët e Bosnjës, i ka futë në zjarr në Kroaci, i ka lënë pa shtëpi e pa tokë, pa atdhe, sot janë nëpër Serbi. I ka gju serbët e Bosnjës, të Malit të Zi, të Kosovës në vazhdimësi, dhe në fund, parmbrëmë tha ‘jo këta janë serbët e Kosovës’. Asnjë serb nga Serbia qendrore tha nuk është angazhuar”, tha Limaj. /atvlive.tv

Përgatiti: Teuta Arifaj
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës. Sipas tij, grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u takuan spontanisht “për të shprehur shqetësimet e tyre”.
“Ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë bashkë për t’i shprehur shqetësimet. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture duke marrë parasysh trajnimin dhe pajisjet”, tha Hovenier.
I pyetur rreth videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilën shihej se pjesë e grupit të armatosur në Banjskë ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ambasadori Hovenier konfirmoi se e ka parë, por nuk mund as ta konfirmojë e as hedh poshtë vërtetësinë e videos.
E kam parë këtë video. Kaq mund të them. S’jam në pozitë të komentoj. Ka shumë gjëra që nuk dihen ende dhe kjo është e komplikuar, por këtë e marrim shumë seriozisht. Ishte kërcënim për Kosovën dhe popullin e Kosovës, me pasoja tragjike. Po punojmë me partnerët që të kuptojmë çka ka ndodhur dhe të mbahen përgjegjës ata që e bënë këtë. Jemi me popullin e Kosovës kur përballen me kërcënime dhe kjo do të vazhdojë edhe në këtë rast”, tha Hovenier.
I pyetur se çfarë pret tani nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – Hovenier u përgjigj se pret zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Ambasadori amerikan komentoi zhvillimet e së dielës pas takimit që pati gjatë ditës me presidenten Vjosa Osmani.

Një pjesë e partive opozitare në Parlamentin serb e kanë akuzuar partinë në pushtet, Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për sulmin në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
Presidenti i partisë opozitare serbe, Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, tha më 26 shtator se presidenti Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq “janë përgjegjësit kryesorë për gjakderdhjen në Banjskë” të Zveçanit, transmetoi agjencia Beta.
Duke komentuar për videon e publikuar më 26 shtator nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që pretendoi se shfaqte Radoiçiqin në manastirin e Banjskës i pajisur me armë zjarri, Aleksiq tha se politika e Listës Serbe, SNS-së dhe qasja e Vuçiqit ndaj Kosovës pësuan debakël.
“Pas konfliktit të armatosur në Banjskë, në të cilën vdiqën të paktën katër persona, Vuçiq duhet të japë dorëheqje. Radoiçiq nuk ka mundur të armatosë dhjetëra serbë në veri pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit dhe shërbimeve serbe të sigurisë. Këta të dy kanë më së shumti përgjegjësi për gjakun e derdhur në Banjskl”, tha Aleksiq.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar. Emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikani opozitar në Kosovë.
Deri më tani, Lista Serbe dhe Vuçiq publikisht e kanë mbrojtur atë. Vuçiq nuk ka komentuar pretendimet për përfshirjen e Radoiçiqit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Deputeti nga subjekti opozitar, Partia pro-Evropiane Demokratike, Sërxhan Milivojeviq, tha se Vuçiq duhet të japë dorëheqje, sepse në, siç u shpreh ai, luftën njëditore të tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lideri serb sakrifikoi serb të rinj në Kosovë.
Duke komentuar akuzat e Sveçlës se Radoiçiq udhëhoqi 30 serbë që sulmuan Policinë në Banjskë të duekën, Milivojeviq tha se pjesëmarrja e Radoiçiqit në këtë ngjarje tragjike “nuk do të ishte befasi”.
“Nëse Radoiçiqi ka marrë pjesë në këtë ngjarje, atëherë është e qartë se regjimi në Beograd i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq qëndron prapa çdo gjëje. Nëse Radoiçiqi ose kushdo tjetër ka organizuar këtë gjë pa miratimin apo urdhrin nga Beogradi, ai tashmë do të ishte arrestuar apo do të ishte fundi i Vuçiqit”, tha ai.
Kreu i partisë opozitare të krahut të djathtë, Dveri, Boshko Obradoviq, kërkoi nga Qeveria serbe që të njoftojë për numrin emrat e të vrarëve, të plagosurve dhe arrestuarve në mesin e serbëve në Kosovë.
Ai tha se është “veçmas skandaloze” që pushteti në Serbi po ua lë fajin serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, lideri i partisë së krahut të djathtë, Partia e Re Demokratike, Millosh Jovanoviq, tha se ngjarjet e fundit në Kosovë tregojnë se Qeveria e SNS-së duhet të ndryshojë “politikat shkatërruese” sa i përket Kosovës.
“Ky është fundi dhe kjo situatë tragjike tregon se ne duhet të bëjmë ndryshime thelbësore në Serbi. Qeveria duhet të ndryshojë sepse për 12 vjet në pushtet të tyre dhe politikat që nga viti 2008 na kanë sjellë deri te kjo”, tha ai.
Një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi përleshjen e armatosur me Policinë e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se tre sulmues janë vrarë dhe tetë persona janë arrestuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.
Sulmi është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL/

“Dialogu me Serbinë nuk ka më kuptim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zeqir Gashi.
Duke folur pas përleshjeve të dhunshme në Banjskë, ky qytetar i Prishtinës thotë se të gjitha rundet e deritashme të bisedimeve “kanë shkuar kot”.
“Rasti i fundit në veri është një pasqyrë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare, Evropës dhe Amerikës, se Kosova është duke e mbrojtur territorin e saj dhe se Serbia është agresori që nxit incidente”, thotë ai.
Më 24 shtator, një polic i Kosovës mbeti i vrarë pasi patrulla me të cilën ishte, u sulmua nga grupe të armatosura.
Ngjarja ndodhi në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Përleshjet që pasuan mes sulmuesve dhe forcave të rendit rezultuan edhe me tre sulmues të vrarë dhe disa të arrestuar.
Zyrtarët e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për “agresionin”, ndërsa në Serbi mohuan se kanë gisht në këto ngjarje.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011, por përmbushja e qëllimit duket e largët.
Çfarë thonë qytetarët?
“Kur bien viktima nga aktet terroriste, dialogu bëhet i pavlerë”, thotë Zeqir Gashi.
“Duhet ne të qesim kushte për dialog dhe jo Serbia të prijë gjithmonë me kushte”, thotë Rrezarta Basha.
“Nuk ia vlen të diskutohet më për dialogun, sepse qëllim i Serbisë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe destabilizimi i situatës. Ata e destabilizuan dhe a ia vlen tutje? Jo”, shprehet ajo.
Për Shemsedin Popajn, dialogu është alternativa e vetme për zgjidhjen e problemeve. Por, shton ai, pa sqarimin e të gjitha rrethanave të incidentit në Banjskë, kthimi i Kosovës në dialog nuk do të ishte opsion real.
“Unë mendoj se duhet të ndërrohet formati. Çështjen e dialogut mund ta zgjidhin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kuptohet, me përkrahjen edhe të Bashkimit Evropian, por fjalën kyçe duhet ta ketë SHBA-ja”, thotë Popaj.
Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi?

Dragani nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe -thotë se palët duhet t’i kthehen dialogut në mënyrë edhe më intensive.
“Dialogu duhet të jetë e ardhmja dhe mendoj se është gabim i madh që këto bisedime nuk janë më të shpeshta”, thotë ai.
Sipas Sandrës, askush nuk do që situatat si ajo në Banjskë të përsëriten, andaj “dialogu është i domosdoshëm”.
“Nuk mendoj se shumë gjëra do të ndryshojnë për mirë në fillim, por mendoj se duhet të punojmë për këtë. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare deklarojnë se duhet të punohet për dialog dhe vazhdimisht bëjnë thirrje për dialog, mbase do t’i detyrojnë të dyja palët të vazhdojnë”, thotë Sandra.
Ku qëndron dialogu?
Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet në vitin 2011, tre vjet pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar kurrë.
Rundi i fundit i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zhvilluar më 14 shtator, por nuk është raportuar për ndonjë përparim.
Kurti ka fajësuar ndërmjetësuesit evropianë për anshmëri – gjë që është konsideruar si “akuzë e pabazë” nga BE-ja.
Pas ngjarjeve në Banjskë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialog, Mirosllav Lajçak, ka thënë se, në ditët në vazhdim, do të përqendrohet në gjetjen e një rruge përpara në bisedime.
Thirrje për t’iu kthyer rrugës diplomatike Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse do të merrte pjesë në një rund të ri bisedimesh, po qe se do të kishte ftesë për një të tillë.
Maliqi: BE-ja bëri “gabim trashanik” në dialogun Kosovë-Serbi
Njohësi i proceseve politike në Prishtinë, Agon Maliqi, thotë se incidenti në Banjskë e ka përkeqësuar situatën dhe ka thelluar mosbesimin midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, palët nuk janë të gatshme për dialog.
“BE-ja e ka bërë një gabim trashanik, veçanërisht në Marrëveshjen e Ohrit, duke mos iu paraprirë zhvillimeve dhe duke mos i paraparë të gjitha elementet që mund të jenë problematike në terren, përfshirë problemet që u krijuan me bojkotimin e institucioneve, elementet kriminale, si dhe sigurinë ndaj aktorëve të jashtëm që janë destabilizues”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Maliqi i referohet marrëveshjes që palët kanë arritur gojarisht në mars, e që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Hapat që ka prezantuar BE-ja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në takimin e 14 shtatorit, janë bërë edhe shkak i dështimit të dialogut.
Kurti ka thënë se nuk mund të pranojë kushte, përkatësisht të pajtohet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe përpara se të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Gogiq: Dialogu aktual, kundër-produktiv
Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se formati aktual i dialogut në Bruksel duhet të ndryshojë, sepse, sipas tij, “ky format është shtrydhur dhe nuk mund të japë më rezultate”.
Tensionet që nisën në veri vitin e kaluar, për shkak të riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe, e më pas dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë treguar se dialogu është i pafrytshëm, thotë Gogiq.
Për më tepër, shton ai, “imponimi i marrëveshjeve të reja”, sikurse Marrëveshja e Ohrit, tregoi se dialogu nuk përkon me zhvillimet në terren.
“Gjendja në terren, në veri të Kosovës, tash është më e keqe sesa para dy apo tre vjetësh. Pra, ai dialog nuk ka efekt dhe mbase është kundër-produktiv. Mbase edhe kriza është radikalizuar, për shkak se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë erdhën me disa propozime dhe plane, të cilat nuk ishin të pranueshme as për Kosovën dhe as për Serbinë”, thotë Gogiq.
Si Maliqi, ashtu edhe Gogiq beson se nuk do të ketë rikthim të shpejtë të palëve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, por mund të ketë bisedime për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës në veri, e cila, sipas tyre, mund të sjellë mjaft rreziqe.
Kjo zonë është e banuar me shumicë serbe, e cila nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës. /REL

Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, derisa ka etiketuar shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e posaçëm, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjegjës për eskalimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.
Butikofer, derisa ka shpërndarë një video ku shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radoiçiç, gjatë sulmit terrorirst kundër Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet të kenë dyshime për përfshirjen e Serbisë në vrasjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës.
“Nuk besoj seriozisht se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të mbajë përgjegjësi për këtë, apo nuk jeni dakord Josep Borrell? Dhe seriozisht nuk besoj se mund të ketë dyshim se autoritetet e Beogradit kanë qenë bashkëpunëtorë, apo nuk jeni dakord Miroslav Lajcak? Tani çfarë do të bëni?”, ka pyetyr Butikofer të martën pasdite.
Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë në veriun e territorit të banuar kryesisht me shumicë serbe, qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe lënduar dy tjerë.
Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar nga shteti serb.
Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë. Në mesin e tyre edhe Radojiçiç.
Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës, krahas operacionit anti-terror, ka shpërndarë më shumë se 100 pako ushqimore për serbët e Kosovës në Banjskë.
Ai i ka falënderuar ata për qetësinë, maturinë dhe besimin e tyre.
“Krahas operacionit të saj anti-terror, Policia e Kosovës ka shpërndarë më shumë se 100 pako ushqimore në Banjskë për banorët serbë të Kosovës në këtë zonë, përveç adresimit të nevojave të tjera elementare.
I falënderoj qytetarët tanë për qetësinë, maturinë dhe besimin e tyre. Policia është në shërbimin tuaj”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmi i së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit u krye nga një grup profesionistësh e mirëorganizuar.
Në një deklaratë për gazetarët, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenier ka thënë se ka ende punë që të sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.
“Është sulm shumë serioz. Institucionet e sigurisë së SHBA-së po punojnë bashkë me të Kosovës dhe të tjerët për t’i sqaruar gjithçka që ka ndodhur dhe motivet. E dimë që pati sulm, nga një grup i mirëorganizuar, i stërvitur, profesional dhe që pati shumë pajisje ushtarake. E dimë se sulmuesit vranë një polic të Kosovës”, ka thënë Hovenieri duke shtuar se po ashtu dihet që sulmuesit kanë shfrytëzuar fshehjen në Manastirin e Banjskës për të vazhduar sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
”Ky është një grup i trajnuar dhe i organizuar dhe është dikush pas tyre që i ka pajisur me armatim të rëndë”, ka thënë ai.