ATV

Tag: Ballina

  • Turqia prej nesër e merr komandën e KFOR-it në Kosovë

    Turqia prej nesër e merr komandën e KFOR-it në Kosovë

    Turqia po përgatitet të marrë përsipër komandën e Misionit të NATO-s në Kosovë (Kosovo Force-KFOR), në një periudhë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar rritje, raporton Anadolu.

    KFOR-i, cili filloi me detyrën më 12 qershor 1999 në Kosovë në përputhje me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin, ka rreth 4.500 pjesëtarë ushtarakë ndërkombëtarë nga 27 vende, duke përfshirë 21 anëtarë të NATO-s dhe gjashtë vende partnere që nuk janë anëtarë të NATO-s.

    Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me personel.

    Italia, e cila mori përsipër misionin e 27-të të KFOR-it nga Hungaria më 10 tetor 2022, po përgatitet të dorëzojë detyrën pas përfundimit të periudhës së komandës. Turqia, më 10 tetor 2023, me anë të një ceremonie do të marrë përsipër komandën.

    Zyrtarët e Ministrisë turke të Mbrojtjes Kombëtare, në një deklaratë lidhur me çështjen, cilësuan KFOR-in si një nga misionet më të rëndësishme në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

    Burime theksojnë se që nga themelimi kanë vazhduar kontributet e tyre ndaj KFOR-it.

    “Turqia është aktualisht një nga vendet kryesore që ofron mbështetje për misionin e KFOR-it me njësitë tona rezervë operative shtesë”, thanë burimet.

    Ky shtet e njeh pavarësinë e Kosovës, me të cilën ka lidhje kulturore dhe historike, dhe merr pjesë aktive në mekanizmat ndërkombëtarë të krijuar në kuadër të fushës së mbështetjes, ndërsa roli kritik që luan KFOR-i dhe ekzistenca e tij janë ende një domosdoshmëri për Kosovën, thuhet më tej.

    Më tej, duke theksuar se kontributi i Turqisë ndaj KFOR-it do të vazhdojë pa u zvogëluar, burimet thanë: “Me alokimin e misionit të KFOR-it turk, kanë filluar përpjekjet e koordinuara në lidhje me kontributin e njësive”.

    Më 24 shtator, nga një sulm i një grupi të armatosur rëndë ndaj njësiteve policore të Kosovës, u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe katër pjesëtarë të këtij grupi.

    Përgjegjësinë për organizimin e këtij grupi e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe.

  • Rasti i 16-vjeçarit në Pejë, sociologu Brajshori u bënë thirrje prindërve t’i edukojnë fëmijët e tyre që të mos i bullizojnë të tjerët

    Rasti i 16-vjeçarit në Pejë, sociologu Brajshori u bënë thirrje prindërve t’i edukojnë fëmijët e tyre që të mos i bullizojnë të tjerët

    Për muaj me radhë, po bënte plan se si t’i vriste nxënësit e klasës së tij në një shkollë në Pejë. Por plani i B.M, 16 vjeçar u parandalua të shtunën nga Policia e Kosovës që e hetoi dhe e prangosi. Me rastin tani po merret prokuroria speciale.

    Ky incident ka nxitur një debat më të gjerë për çështjen kritike të bullizmit dhe pasojat e tij tek të rinjtë tanë.

    Në një intervistë të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, sociologu Jeton Brajshori ndau pikëpamjet e tij për këtë ngjarje shqetësuese.

    “Realisht ky është një lajm shumë i tmerrshëm, pra të cilin e kemi marrë këto ditëve të fundit, ndërsa fatmirësisht akti nuk është kryer. Pra, ky është një plus i madh, sepse ka arritur që të ketë preventivë sa i përket këtij rasti. Ajo çfarë mund të them në start është që ne realisht kemi dështu si prindër, kemi dështu si familje, kemi dështuar si shkollë, kemi dështuar komplet si shoqëri. Nuk e them këtë në rastin e personit i cili ka dashur ta bëjë aktin, por për personat të cilët e kanë pruar një vendim të tillë që ta bëjë ky. Pra, personat të cilët kanë bullizuar në vazhdimësi, kanë shkaktuar dëme ndoshta të pariparueshme te ky i ri, për arsye se nuk është lehtë për një person, i cili me siguri se ndoshta është edhe tip introvert, për arsye se tipat introvertë janë ata të cilët atakohen më shumë nga bullizuesit. Pra, thjesht ka qenë një diçka që ka qenë e paimagjinueshme për ne deri më sot. Ne kemi pa mes shutit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi pasur rastin në Serbi që ka ndodhë, mirëpo edhe atë qysh atëherë është shtruar pyetja se a mund të ndodhë tek ne. Fatmirësisht, pra po them, është parandaluar diçka, mirëpo si shoqëri kemi dështuar totalisht”, tha Brajshori.

    Ai përmendi edhe rolin që mund të kenë video lojërat tek të rinjtë, për të ndërmarrë akte të tilla.

    “Zakonisht personat të cilët kanë probleme familjare, shohin dhunë në familje, kanë probleme të ndryshme socio ekonomike janë të prirur që të bëhen bullizues apo e kundërta. Siç duket, ne ende jemi në fazën fillestare të hetimeve dhe nuk e dimë saktë se si ka rrjedhur gjërat më herët, pra si ka si e ka pasur statusin në familje personi, a i ka prind të divorcuam, po prapëseprapë kjo nuk e ç’bënë atë që personat nuk duhet të bullizojnë. Me siguri se personi ka qenë i bullizuar, qoftë në mënyrë verbale, qoftë në mënyrë fizike apo përmes rrjeteve sociale dhe në këtë mënyrë kur e marrim parasysh edhe siguria tek ne, çalon shumë dhe ka shumë armë pa leje, atëherë ka pasur edhe të le që të sigurojë armë me pra dhe të bëjë plane që ta kryejë aktin. Po ashtu, edhe ndikim në këtë të mendosh, pra një mënyrë të tillë për të bërë një vrasje masive ndikojnë edhe video-lojëra të shumta, si PUBG, Counter Strike dhe gjëra të cilat pra i luajnë vazhdimisht të tinxherët tanë”, vlerësoi Brajshori.

    Ai tha se prindërit duhet të kenë më shumë komunikim me fëmijët e tyre, në mënyrë që ata të jenë më të edukur kur dalin nga shtëpia.

    “Secili prind duhtet të flasë me fëmijët e tyre qysh në fëmijërinë e hershme, pra të mësohet që secili person ka të drejtë në familjen e vet, për brenda familjes të bëjë disa probleme të vogla, mirëpo në rrugë, në shkollë, atëhere ndryshojnë rregullat, duhet të jemi të edukur, duhet të jemi të rrespektuar dhe në këtë mënyrë, të mos shkaktojmë lëndime qoftë fizike, qoftë psiqike te personat e tjerë, për arsye se askush nga ne nuk dëshiron që të na ndodhë një gjë e tillë. Pra, prindërit duhet në konsultim me mësimdhënësit dhe psikologin e shkollës të krijojnë atë trekëndëshin e dijes dhe të parandalimit dhe të flitet vazhdimisht për dukuritë negative, sepse këta persona më vonë pra merren me sjellje delikuente, ndërsa duhet të cekim edhe atë që prindërit duhet t’i dëgjojnë shumë fëmijët e tyre, të diskutoj të tyre të bëjnë gjëra të tilla pa dëshirën e tyre dhe në këtë mënyrë besoj që në një të ardhme të afërt duhet të bëhen edhe hulumtime empirike, atëherë do të dalim me rezultate më të sakta”, tha Brajshori. /atvlive.tv

  • 200 ushtarë britanikë arrijnë në Kosovë si përforcim i KFOR-it

    200 ushtarë britanikë arrijnë në Kosovë si përforcim i KFOR-it

    200 ushtarë të ushtrisë britanike kanë arritur në Kosovë si përforcim i KFOR-it.

    Kështu ka bërë të ditur Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë përmes një postimi në “X”.

    “Dyqind ushtarë të Ushtrisë Britanike po mbërrijnë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë “, thuhet në njoftim.

    “Nën komandën e NATO-s, forcat do të jenë të disponueshme për të kryer operacione në përputhje me mandatin e KFOR-it për të mbajtur një mjedis të sigurt e të qetë, dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Britania e Madhe vendosi të dërgojë trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, me kërkesë të komandantit suprem të Aleancës për Evropën, SACEUR, gjeneralit amerikan Chris Cavoli.

    Ndërsa, mbrëmë Rumania ka sjellë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u lëndua një polic tjetër.

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar një video ku shihen trupat rumun të KFOR-it duke hyrë në Kosovë nga kufiri me Maqedoninë.

  • Kurti për raportet Vuçiq-Radoiçiq: Putini i vogël në Beograd duhet ta ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik

    Kurti për raportet Vuçiq-Radoiçiq: Putini i vogël në Beograd duhet ta ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik

    ryeministri Albin Kurti ka thënë se është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se armët dhe stërvitjet luftarake të serbëve që sulmuan fshatin Banjskë të Zveçanit kanë ardhur nga Serbia.

    Ai në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” ka theksuar se të gjitha armët e konfiskuara janë prodhuar në Serbi, dhe kanë ardhur nga Serbia, dhe sipas tij për nga lloji dhe sasia kanë mjaftuar për një ushtri të tërë.

    “Faktet e lartpërmendura na çojnë në përfundimin se nuk bëhet fjalë vetëm për një bandë kriminale dhe terroriste apo për shtetas të armatosur, por për profesionistë që kanë kryer trajnime serioze, me një lloj arme me origjinë nga Serbia. Serbia, po e përsëris, u ka siguruar pajisje ushtarake, ka kryer stërvitje luftarake, ka përcaktuar qëllime politike dhe ka ofruar mbështetje të plotë logjistike. Më në fund, dihet se ky grup terrorist ka kryer stërvitje në “Livadhet e Pasulit”, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe”.

    “Përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme edhe për ata që nuk duan ta shohin dhe dëgjojnë. Së dyti, Milan Radoiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë. Dhe të gjithë janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Më 29 shtator të këtij viti, vetë Vuçiq njoftoi dorëheqjen e Radoiçiqit nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, pas pranimit të Radoiçiqit se ka udhëhequr përgatitjet dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

    Kurti ka komentuar edhe arrestimin e më pas lirimin e Radoiçoqit nga autoritetet serbe.

    “Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian: Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje”.

    “Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë tashmë shumë herë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka thënë Kurti.

    Ai duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit, ka thënë se nëse ky akt i Serbisë nuk do të ndëshkohet, Serbia do ta përsëris atë.

    “Është e qartë se sulmi terrorist në Banjskë në Zveçan kërcënoi integritetin tonë territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, sulmi terrorist nxori në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë”.

    “Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, ka thënë Kurti.

  • Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik të përhapet

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik të përhapet

    Një luftë e re në tetor. Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë, të plagosur, pengje e shkatërrime gjithandej.

    “Sulmi më i keq kundër Izraelit që nga Lufta Yom Kipur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e njohur po ashtu si Lufta e Tetorit.

    E gjitha filloi më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës.

    Mijëra raketa u hodhën në lagje të banueshme, luftëtarët hynë brenda komuniteteve, vranë banorë dhe morën pengje.

    Në përgjigje, ushtria e Izraelit nisi sulmet nga ajri në Rripin e Gazës, ndërsa Qeveria e vendit shpalli zyrtarisht luftë kundër Hamasit.

    “Izraeli do t’i hakmerret fuqishëm Hamasit. Kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të dielën e 8 tetorit.

    Arsyet e sakta të sulmit të Hamasit nuk janë të qarta, por dhuna mes dy palëve ka qenë në rritje prej muajsh.

    Komandanti i Hamasit, Mohammed Deif, u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të grupit kundër Izraelit.

    Por, është e paqartë nëse palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij.

    Askush “nuk dëshiron të shohë ndonjë përshkallëzim rajonal”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.

    Ai tha se Hamasi dhe mbështetësit e tij janë “plotësisht përgjegjës për aktin e tmerrshëm të terrorit” në Izrael, për “vrasjen e civilëve dhe rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm”.

    Kush mund të përfshihet?

    Një skenar i keq do të ishte përfshirja e grupit të fuqishëm militant libanez, Hezbollah.

    I parë si kërcënim i madh nga Izraeli, grupi mbështetet prej vitesh nga Irani dhe ka lidhje të ngushta me Hamasin.

    Të dielën në mëngjes, Hezbollahu lëshoi një numër raketash dhe predhash në veri të Izraelit, por pa shkaktuar viktima.

    “Nëse Izraeli dërgon trupa tokësore në Gazë ose bën diçka tjetër drastike, atëherë Hezbollahu mund të hapë një front në Liban dhe ta mbrojë vendimin e tij duke thënë se nuk ka zgjidhje, duhet ta mbrojë Palestinën”, tha për France24 Hussein Ibish, nga Instituti i Shteteve Arabe të Gjirit.

    “Do të mund ta shohim Izraelin në një luftë me shumë fronte, me grupe të ndryshme të rezistencës – shumica e tyre nën kontrollin e Iranit”, tha ai.

    Sulmi i papritur palestinez ngjall frikë për “një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme”, shkroi Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.

    “Irani është, sigurisht, mbrojtës i Hezbollahut [si dhe i grupeve të tjera militante palestineze]. Ekziston një rrezik gjithnjë e më i madh për një konflikt me dy fronte, i cili do të shkatërronte pjesë të Izraelit dhe një pjesë të madhe të Libanit, ku është i bazuar Hezbollahu. Ekziston rreziku i përshkallëzimit”, vlerësoi instituti me seli në Nju Jork.

    Irani, armik i betuar i Izraelit, ishte ndër vendet e para që mirëpriti ofensivën e Hamasit kundër Izraelit.

    Izraeli, prej vitesh, e akuzon atë për furnizimin e grupeve militante me armë dhe me inteligjencë.

    Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se vendi i tij e mbështet mbrojtjen legjitime të kombit palestinez, duke shtuar se Izraeli dhe mbështetësit e tij “janë përgjegjës për paqëndrueshmërinë në rajon” dhe se ata “duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë çështje”. Ai u bëri thirrje qeverive myslimane që “ta mbështesin kombin palestinez”.

    Sipas një analize të Këshillit Atlantik, nëse Hezbollahu përfshihet në konflikt, “Izraeli do të përballet me një luftë mbarëkombëtare që nuk e ka përjetuar tash e sa dekada”.

    “Ditët dhe javët e ardhshme ka të ngjarë që të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e sigurisë së Izraelit, por ato mund të përcaktojnë edhe të ardhmen e pozitës së tij në rajon”, thuhet në këtë analizë.

    Hezbollahu, sipas gazetës Financial Times, ka një arsenal raketash shumë më të madh dhe më të sofistikuar se Hamasi, i cili tenton të mbështetet në raketat e bëra vetë.

    “Përfshirja e tij në konflikt do të kërcënonte ta mposhtte sistemin mbrojtës të Kupolës së Hekurt të Izraelit”.

    “Hezbollahu ia përgjaku hundën Izraelit gjatë konfliktit njëmujor në vitin 2006 dhe ai fitoi përvojë në fushëbetejë, pasi ndërhyri në luftën civile të Sirisë për ta mbështetur presidentin Bashar al-Assad”, shkroi Financial Times.

    Sky News kujtoi se marrëveshja e paqes midis Arabisë Saudite dhe Izraelit dukej se ishte afër, por “ajo që do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, mund ta vërë atë në dyshim”. “Ndoshta ky është qëllimi i Hamasit”, shkroi mediumi britanik.

    Sipas tij, ky nuk është rund i zakonshëm i dhunës – “është shumë më serioze se kaq” dhe “inkursioni tokësor nuk përjashtohet”.

    “Përgjigjja e Izraelit ndaj sulmeve ka të ngjarë të jetë e një shkalle të tillë që do t’i frenojë përpjekjet e SHBA-së për normalizimin saudito-izraelit, nëse jo t’i silurojë ato krejtësisht”, shkroi në platformën X Amberin Zaman, analiste në Al-Monitor, një ueb-faqe që mbulon Lindjen e Mesme, me bazë në Uashington.

    Ushtria izraelite urdhëroi një përforcim masiv të trupave, ndërsa tubime për të shprehur mbështetje për Hamasin, u mbajtën në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor, në një demonstrim mbështetjeje për të, pas sulmit të Hamasit.

    Ai tha se SHBA-ja do të ofrojë edhe municione për Izraelin, ndërsa do t’i shtojë avionët luftarakë në rajon.

    Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?

    Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.

    Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.

    Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.

    Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.

    Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

    Ai udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007.

    Hamasi në tërësi – ose në disa raste krahu i tij ushtarak – cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera. /rel

  • Në Parlamentin e Këshillit të Evropës diskutohet sot për tensionet në veri të Kosovës

    Në Parlamentin e Këshillit të Evropës diskutohet sot për tensionet në veri të Kosovës

    Në seancën e rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot pritet të diskutohet për situatën në Kosovë.

    Sesioni duhet të diskutojë gjithashtu situatën në Izrael dhe Nagorno-Karabakh.

    Seanca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbahet pas orës 16:00.

    Më 24 shtator, një grup terroristësh sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

    Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

    Kosova ka fajësuar për këtë sulm terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Në BE disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Trupi gjykues do të dalë përpara ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte në Kosovë.

    Akoma nuk është bërë e ditur nëse seanca e sotme do të jetë e hapur apo e mbyllur për publikun.

  • Pse Serbia i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kur flet për Kosovën?

    Pse Serbia i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kur flet për Kosovën?

    Në diskutimet për Kosovën, autoritetet serbe nuk mungojnë asnjëherë t’i referohen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar më 10 qershor 1999, e cila zyrtarizoi autoritetin e OKB-së mbi Kosovën. Edhe pse thelbësisht katastrofike për Serbinë, Rezoluta ruante zyrtarisht sovranitetin e saj mbi Kosovën.

    Një ditë para miratimit të Rezolutës 1244, presidenti i RF të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi Marrëveshjen e Kumanovës, e cila i dha fund bombardimeve tre mujore të NATO-s mbi RFJ-në.

    Rezoluta 1244 konfirmoi praninë ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Republikën Federale të Jugosllavisë dhe themelimin e Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Edhe pse Jugosllavia humbi kontrollin e drejtpërdrejtë mbi Kosovën me Rezolutën e Republikës Federale të Jugosllavisë, ajo ruajti kontrollin formal dhe ligjor, në atë mënyrë që OKB-ja deklaroi se Kosova është pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë.

    “Vendosja e një administrate të përkohshme për Kosovën si pjesë e pranisë civile ndërkombëtare nën të cilën populli i Kosovës do të mund të gëzojë autonomi thelbësore brenda RF të Jugosllavisë, e cila do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Administrata e përkohshme duhet të sigurojë një administratë kalimtare , dhe në të njëjtën kohë të themelojë dhe mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse demokratike me qëllim të sigurimit të kushteve për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës”, thuhet në Rezolutë.

    Institucionet e përkohshme të Kosovës

    Institucioneve të OKB-së iu dha detyra që të formojnë institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, kuvendin, presidentin, qeverinë dhe sistemin gjyqësor, gjë që është bërë ndërkohë.

    Ishte Kuvendi i Kosovës në vitin 2008, që miratoi Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia, si “trashëgimtare juridike e RF të Jugosllavisë”, nuk e pranoi. Në të njëjtin vit, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deri më sot, mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Në anën tjetër, Rezoluta 1244 përcaktonte se zgjidhjet politike për krizën në Kosovë duhet të bazohen në parimin e lartpërmendur të “autonomisë thelbësore” brenda RF të Jugosllavisë. Pavarësia nuk përmendet në këtë kuptim dhe prandaj Serbia sot përdor Rezolutën 1244 si argument në të gjitha negociatat me palën kosovare.

    Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Me rastin e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi një mendim këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pyetjen në vijim: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes? në Kosovë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konkludoi në opinionin e saj këshillues se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, rezolutën 1244 të OKB-së, apo rendin juridik ndërkombëtar në Kosovë. Në fund u konstatua se institucionet e përkohshme në Kosovë formalisht dhe juridikisht nuk e kanë sjellë Deklaratën dhe as nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare, por se liderët e shqiptarëve nga Kosova kanë sjellë një dokument jodetyrues.

    Edhe pse Deklaratën e sollën përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës dhe të cilët në atë moment ishin në sallën e Kuvendit, ajo nuk u soll formalisht nga vetë Kuvendi i Kosovës.

    “Gjykata ka dëgjuar tashmë se shpallja e pavarësisë nuk është lëshuar nga autoritetet e përkohshme dhe as ka hyrë në fuqi në rendin juridik në të cilin funksionojnë ato institucione të Përkohshme”.

    Nëse nuk do të ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata nuk do të mund të konstatonte as shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në realitetin politik, Deklarata nisi një ortek të njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera, gjë e cila është ndalur ndërkohë nga lobimi i Serbisë, pjesërisht me argumentet e lartpërmendura.

  • Opozita: Nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin

    Opozita: Nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin

    Punësimet përmes lidhjeve familjare apo përkatësisë partiake vazhdojnë të jenë shqetësim për qytetarët në Kosovë. Disa nga qytetarët e pyetur për këtë çështje thonë se asgjë nuk ndryshoi në këtë drejtim dhe kjo është një ndër arsyeje pse ata po vazhdojnë të dalin jashtë vendit.

    Ndërkohë, partia në pushtet e mohon një gjë të tillë ndërsa deputetë nga opozita thonë se nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin.

    “Ka nuk janë ndalë secilën qeveri ka, njësoj kurfar përmirësimi ska… për qata po ikin nëse ska punë duhet me ikë”, tha një qytetar.

    “Po jo mor nepotizmi është n’gjak është kulturë e jona është e njejtë s’ka ndryshu kurgjo. Ka ndryshu rrotacioni i pushtetit, por jo njerëzit”, tha një qytetar.

    “Mu nisë vet nga organet e drejtësisë ka intervenime, ka lidhje, ka korrupsion, ka keqpërdorime…”, tha një tjetër qytetar.

    Përkundër se qytetarët pasqyrojnë një realitet tjetër, partia në pushtet thotë se qeveria aktuale po e lufton nepotizmin nëpër institucionet publike.

    “Po pa dyshim që po, nuk mund të themi që është zhdukë por nuk mund të bëjmë krahasim me vitet e kaluara nuk është në atë masë që ka qenë”, tha Fjolla Ujkani, deputete e LVV-së për RTV 21.

    Pretendimet e LVV-së për çrrënjosje të nepotizmit, i hedh poshtë partia më e madhe opozitare PDK, e cila po ashtu është kritikuar për këtë fenomen gjatë kohës sa ishte në pushtet.

    Deputetja Ganimete Musliu, thotë se LVV-ja jo vetëm që nuk po e lufton nepotizmin, por siç shprehet ajo, korrupsioni dhe nepotizmi janë kthyer në normë për këtë qeveri.

    “Fatkeqësisht nepotizmi ka kalu në një shkallë tjetër de nivel tjetër si nepotizmi edhe korrupsioni ka kalu në formë tjetër nëse në të kaluarën na kanë akuzu pa bazë për nepotizëm në njëfar forme u skuqshim ose u distancojshim ndërsa sot përveç që ka shënu rritje nepotizmi sot partia në pushtet e mbështetë atë dhe sulmon të gjithë ata që e bajnë transparente ato raste.. këta skishin as marre e asnjë fije të përgjegjësisë dhe në mënyrë të organizume i mbështesin qoftë nepotizimin qoftë korrupsionin”, tha Musliu për RTV21.

    Edhe sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, nepotizmi është thelluar dhe më shumë me qeverinë aktuale.

    “Sa i përket nepotzimit mendoj që kjo qeveri edhe pse ka premtuar që do ta bëjë një gjë të tillë do ta luftoj nepotizmin ajo tashmë e ka përforcu në çdo pore të institucioneve me nje fjalë është thellu edhe më tëpër nepotizmi”, tha Lekaj.

    Njohësi i çështjeve të ekonomisë Safet Gërxhaliu, thotë se nepotzimi është kthyer në një fenomen shqetësuese dhe demotivues për të rinjtë.

    Sipas hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare, mungesa e mundësive për punësim, nepotizmi dhe korrupsioni, mbeten tri sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë.

  • Mbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit

    Mbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit

    Mbi 1.000 persona janë vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës, pasi militantët palestinezë të Hamasit, kryen një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxiti kundërpërgjigje nga forcat izraelite.

    Autoritetet në Izrael kanë thënë se të paktën 600 persona janë vrarë gjatë dhunës, ndërkaq numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 413.

    Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e viktimave janë 78 fëmijë dhe 2.300 persona janë plagosur.

    Këto shifra vijnë teksa për të dytën ditë me radhë, forcat izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar përleshjet në jug të Izraelit.

    Më herët gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit shpalli gjendje lufte. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shteti u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.

    “Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.

    Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.

    Ndërkaq, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se 74.000 persona në Rripin e Gazës janë strehuar në disa shkolla, pasi Izraeli u bëri thirrje banorëve që jetojnë rreth Gazës që brenda 24 orëve të evakuohen.

    Kjo agjenci po ashtu konfirmoi se një prej shkollave që ajo drejton në këtë zonë ishte cak i një sulmi të dielën, por tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur viktima si pasojë e sulmit.

    Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.

    Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.

    Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të artilerisë në Liban dhe përmes një sulmi me dron ndaj një pike të kontrollit të Hezbillahut pranë kufirit, tha ushtria. Nuk ka raportime për viktima nga këto sulme.

    Inkursioni nga Gaza në jug të Izraelit – që është më i madhi në dekada – mund të minojë përpjekjet që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara për bashkimin e rajonit sa i përket sigurisë dhe mund të kërcënojë aspiratat palestineze për shtetësi dhe ambiciet e mbështetësit kryesor të Hamasit, Iranit.

    Luftëtarët e Hamasit nisën sulmin e tyre mëngjesin e 7 tetorit duke goditur me breshëri raketash jugun e Izraelit. Sulmet me raketa iu mundësuan luftëtarëve të grupit të infiltrohen në Izrael nga Gaza – një rrip toke që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

    “Ne do të hakmerremi për këtë ditë”, tha të shtunën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

    Ai po ashtu ka paralajmëruar se i pret një “luftë e gjatë dhe e vështirë” kundër Hamasit.

    Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha më herët gjatë të dielës se operacionet po vazhdojnë të dielën në tetë zona përreth Gazës, ndërkaq televizioni Al Hadath citoi Gjysmëhënën e Kuqe palestineze të ketë thënë se 18 persona janë vrarë pasi Izraeli shënjestroi dy shtëpi në qarkun Beit Hanun të Gazës.

    Në veri, Hezbollahu – që mbështetet nga Irani – tha përmes një deklarate se kreu një sulm me raketë dhe artileri në tri caqe, përfshirë një pikë ku ishte vendosur një radar në fermat Sheba të pushtuar nga Izraeli. Kjo copë toke është pushtuar nga Izraeli më 1967 dhe Libani pretendon se i përket atij.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulm artilerie në jug të Libanit.

    Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se sulmi që nisi në Gaza do të përhapet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem. Banorët në Gaza po përballen qe 16 vjet me një bllokadë izraelite.

    Gjatë fjalimit, Haniyeh përmendi kërcënimet ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, bllokadën e vazhdueshme izraelite në Gaza dhe normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe shteteve të rajonit.

    “Sa herë iu kemi paralajmëruar se populli palestinez po jeton në kampe të refugjatëve për 75 vjet, dhe ju keni refuzuar që të njihni të drejtat e popullit tonë?”, tha ai.

    Zyra e Netanyahut tha se kabineti i tij i sigurisë ka miratuar hapat për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe Xhihadit Islamik – një tjetër grup militant – “për vite të tëra” përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike, furnizimeve me karburante dhe dërgimin e mallrave për në Gaza.

    Autoriteti Palestinez të dielën dorëzoi kërkesë për një mbledhje urgjente të ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe.

    Kërkesa për mbledhje vjen në kohën e “agresionit të vazhdueshëm dhe brutal të Izraelit kundër popullit palestinez, përfshirë edhe përshkallëzimin nga hyrja në xhaminë Al-Aksa të mijëra kolonëve”, tha Muhannad Al Alkouk, ambasador në Ligën Arabe.

    Pas nisjes së sulmit masiv të Hamasit, shtetet në mbarë botën i ofruan mbështetje Izraelit dhe theksuan se ai ka të drejtë të mbrojë veten. Presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu paralajmëroi shtetet e tjera që janë “palë armiqësore e Izraelit” që të mos tentojnë që të shfrytëzojnë situatën.

    “Bota po shikon”, tha Biden gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë.

    Në mbarë Lindjen e Mesme ka pasur edhe demonstrata në mbështetje të Hamasit, me flamujt e Izraelit dhe SHBA-së që janë djegur në Irak, Liban, Siri dhe Jemen. Ndërkaq, Irani dhe Hezbollahu kanë përgëzuar Hamasin për sulmin.

    Zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Arouri, tha se grupi ka kapur një numër të madh robërish izraelitë, përfshirë zyrtarë të lartë. Ai tha se Hamasi ka mjaft pengje sa të detyrojë Izraelin që të lirojë të gjithë palestinezët që janë në burgje.

    Hamasi ka argumentuar se sulmi është kryer për shkak të, siç ka thënë, përshkallëzimit të sulmeve izraelite ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem. /rel