ATV

Tag: Ballina

  • Kosova rrezikon të mbetet nën hijen e luftërave në Ukrainë e në Izrael

    Kosova rrezikon të mbetet nën hijen e luftërave në Ukrainë e në Izrael

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Krahas Ukrainës, që tashmë ishte në krye të listës së prioriteteve, sulmi terrorist që Hamasi kreu ndaj Izraelit, të shtunën, dhe ngjarjet pasuese, morën vëmendjen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

    Derisa në samtin e Granadas, Kosova u përmend vetëm një herë në deklarimet publike të krerëve të institucioneve të BE-së, në samitin jo-formal të ministrave të jashtëm, të martën, të thirrur me urgjencë nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ajo nuk u përmend fare – të paktën jo në adresimet për media.

    Përkundër shpërqendrimit momental të vëmendjes, opinionisti Fidan Ukaj theksoi se bashkësia euro-atlantike do ta kthejë fokusin kah Kosova porsa të finalizohet hetimi për sulmin terrorist në Banjskë, që, sipas tij, do të përcillet me ndëshkim ndaj Serbisë dhe kthim në dialog.

    “Mendoj se pas këtij epilogu të hetimeve dhe të vendosjes së masave nuk ka një rrugë tjetër dhe do të fillojë një ofensivë diplomatike e Bashkimit Evropian, e po ashtu e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që palët t’i kthejë në proces dialogues dhe të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë”, tha Fidan Ukaj, opinionist.

    Pasi tha se raportet Kosovë – Serbi përbëjnë problem më periferik për bashkësinë euro-atlantike, në raport me zhvillimet në Izrael dhe Ukrainë, profesori Dritëro Arifi vlerësoi se mund të ketë zbehje, por jo humbje të tërësishme të fokusit.

    “Rasti i Kosovës është një rast i izoluar, të cilin perëndimi mund ta menaxhojë, mirëpo zgjidhja e problemit mund të marrë kohë. Këtë në e kemi diskutuar me shumë vite, se duhet t’i shfrytëzojmë momentumet, ne nuk i kemi shfrytëzuar momentumet, apo së paku i kemi injoruar dhe vonuar, dhe në këtë rast tash duhet të presim dhe të shpresojmë që perëndimi të mos na harrojë”, tha Arifi.

    Rëndësia e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, sipas tij, e mban aktive diplomacinë perëndimore.

    “Mund të tentohet që ndoshta brenda këtij viti mund të bëhet diçka shumë e shpejtë me një presion, sidomos mbi palën serbe, e cila është burimi i të gjitha problemeve në Ballkanin Perëndimor. Të mos harrojmë që konflikti Kosovë-Serbi nuk e atakon vetëm Kosovën, por realisht e atakon Ballkanin Perëndimor dhe më tej, që i bie që i destabilizon edhe vendet e BE-së dhe të NATO-s. Prandaj mendoj se fokusi nuk do të largohet, por krejt varet se si rrjedh konflikti në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë”, tha Arifi.

    Dy javë e gjysmë pas sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radojicic, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Binjaku, Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

    Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi ishte mbajtur më 14 Shtator.

  • Edhe Sllovenia do ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR

    Edhe Sllovenia do ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nga rreth 95 sa numëron tani, Sllovenia synon ta shtojë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, në të paktën 100, konfirmoi ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë.

    Kur kaluan mbi dy javë pas sulmit terrorist në Banjskë, situata në veriun e Kosovës, sipas vlerësimeve të NATO-s, vazhdon të jetë e tensionuar.

    “Ne kemi parë tensione të shtuara atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Duke përmendur se KFOR-i po pajiset me armatim të rëndë, Admirali Stuart B. Munsch, i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Itali, theksoi se misioni mund të vendoset në gjendje të lartë gatishmërie, nëse kjo kërkohet nga Brukseli.

    “NATO-ja po mban forca të mëtejshme të pajisura me armatim edhe më të rëndë, të aftë për fuqi luftarake, në gjendje të lartë gatishmërie, që mund të përcaktohet nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, tha admirali Munsch.

    Por, sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, shtimi i trupave dhe armatimit, është parapërgatitje në rast të ndonjë sulmi potencial të radhës.

    “Pas një vlerësimi është marrë vendimi për të rritur numrin e kontingjenteve, por edhe armatimit për kundërvënie, në rast të ndonjë rreziku apo kërcënimi të mundshëm, pas kësaj që ndodhi në Banjskë”, tha Ibishi.

    Pas sulmeve terroriste në Banjskë, Mbretëria e Bashkuar tashmë ka dërguar një kontingjent prej 200 trupash në Kosovë. Shtete si Rumania e Gjermania kanë paralajmëruar këtë.

    Aktualisht pjesë e KFOR-it janë rreth pesë mijë trupa nga 27 vende.

  • Ambasadorja gjermane në Serbi: Të formohet Asociacioni dhe të mbahen zgjedhjet në veri

    Ambasadorja gjermane në Serbi: Të formohet Asociacioni dhe të mbahen zgjedhjet në veri

    Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad ka thënë se situata aktuale për popullin në veri të Kosovës është e paqëndrueshme, duke kërkuar kthim të shpejtë në dialog, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serb.

    Konrad ndër të tjerash gjithashtu ka bërë të ditur se duhet të zbatohet edhe plani i de-përshkallëzimit, e cila nënkupton gjuhën e urrejtjes dhe zbardhjen e fakteve të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë.

    “Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme për ne që në këtë moment të krijojmë parakushtet për të rinovuar atë dialog sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel në vitin 2013, si dhe marrëveshjet e arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër, që natyrisht përfshin krijimin të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Këtu përfshihet edhe zbatimi i de-përshkallëzimit, që nënkupton gjuhën e urrejtjes dhe ndriçimin e ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë. Situata aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, si dhe për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, tha ajo për mediumin serb, Blic.

    E pyetur se cilat mund dhe duhet të jenë hapat e parë për të dalë nga situata aktuale, ajo tha:

    “Në këtë moment më e rëndësishmja është de-përshkallëzimi nga të dyja palët, heqja dorë nga provokimet nga të dyja palët dhe ndriçimi i fakteve në Banjskë. Është një çështje e rëndësishme për sigurinë e njerëzve. Duhet të ndërmerren hapa të vendosur sa më shpejt që të zgjidhen të gjitha çështjet jetike të popullit përmes dialogut, i cili përfshin krijimin e një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe. Duhet të ketë zgjedhje të reja sa më shpejt dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e përbashkëta”, tha ajo.

  • Kuvendi nesër seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Propozim-Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë

    Kuvendi nesër seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Propozim-Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen nesër në seancë të jashtëzakonshme.

    Përmes një komunikate për media, Kuvendi bën me dije se në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00, në rend dite është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Njoftimi i plotë:

    Rendi i ditës

    1. Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 tetor 2023:

    3 Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,

    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,

    8. Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,

    9. Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,

    10. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

    11. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,

    12. Propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.​

  • Zyrtare: Merret vendimi për ndeshjen mes Kosovës e Izraelit

    Zyrtare: Merret vendimi për ndeshjen mes Kosovës e Izraelit

    Ndeshja mes Kosovës e Izraelit përfundimisht nuk do të zhvillohet. Kështu ka bërë të ditur sot presidenti i Federatës së Futbollit të Izraelit, Moshe Zuarez.

    I pari i futbollit në Izrael ka deklaruar se momentalisht askush nuk e ka mendjen te futbolli dhe presin që UEFA të caktojë një datë tjetër për ndeshjen ndaj Kosovës, e cila nuk pritet të jetë afër.

    “Ne presim të dimë kohën e lojës së shpejti, por sigurisht që nuk do të ndodhë shumë shpejt. Për momentin, askush nuk mendon të luajë futboll. Situata në vendin tonë është e tmerrshme dhe shpresojmë që e gjithë kjo të përfundojë së shpejti”, tha Zuarez.

    Kosova e Izraeli ishte paraparë të ballafaqohen më 15 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

    Kosova ndodhet në pozitën e parafundit në Grupin I me vetëm katër pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, ndërsa Izraeli ka 11 pikë duke u pozicionuar në vendin e tretë.

    Ndeshja është shtyrë për shkak të luftës mes Izraelit e Palestinës që ka nisur tash e sa ditë.

  • BE-ja thotë se masat mbesin në fuqi: Nuk kemi parë hapa kuptimplotë nga Kosova për shtendosje në veri

    BE-ja thotë se masat mbesin në fuqi: Nuk kemi parë hapa kuptimplotë nga Kosova për shtendosje në veri

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se shtetet e unionit nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje të plotë të situatës në veri andaj edhe masat ndëshkuese mbeten në fuqi.

    “Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati, apo mungesës së shtendosjes që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhë para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi”, ka thënë Stano.

    Ai gjatë një konference për medie tha se BE është ndërmjetësuesi i sinqertë i dialogut duke i ndihmuar palët të gjejnë një konsensus.

    “E kemi përsëritur shumë herë, nuk ka asgjë tjetër për të thënë rreth kësaj. Rruga drejt BE-së për Kosovën e Serbinë shkon pashmangshëm nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, s’ka rrugë tjetër, të dy palët duhet ta kuptojnë se dialogu duhet të vazhdoj dhe palët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë kuptimplote duke arritur kompromisin e nevojshëm për t`i normalizuar raportet”, është shprehur Stano.

    Zëdhënësi i BE-së nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka ndonjë pako të masave për Serbinë, mirëpo ka theksuar se janë duke e pritur hetimin e plotë.

    “Kur jemi tek hetimi, më duhet ta përsërisë atë që kam thënë shumë herë tani më, presim rezultatin përfundimtar të hetimit të plotë. Kur të përfundohen hetimet, e BE-ja të ketë rezultatet, e të ketë pamje të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush qëndron prapa kësaj, atëherë shtetet anëtare do të vendosin për hapa tjerë”- tha ai.

  • Gazetarja e ATV-së zbulon çfarë tha Stoltenberg për Kosovën, para ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s

    Gazetarja e ATV-së zbulon çfarë tha Stoltenberg për Kosovën, para ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën e sotme për media, ka folur për praninë e Aleancës veri-atlantike nëpërmjet misionit të saj KFOR në Kosovë.

    Këtë e ka konfirmuar gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli ku po mbahet takimi i takimi i ministrave të mbrojtjes të të gjitha shteteve anëtare të NATO-s, takim ky që do të vazhdojë sot dhe nesër gjatë tërë ditës, për të diskutuar çështjet që po ndodhin në gjithë botën.

    “Në ora tetë e mëngjesit edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, mbajti pra fjalimin hapës të kësaj ceremonie organizimi dyditor, i cili pas saj mbajti një fjalim, ku pastaj edhe priti të gjitha delegacionet, ku si delegacion i parë ishte ai i Ukrainës, bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me të cilën mbajtën edhe një konferencë për media, ku u fol se aty do të vazhdojnë që të implementohen tani e tutje të gjitha vendimet të cilat u morën samit të këtij viti, samitin e NATO-s i cili u mbajt në Vilnius të Lituanisë. Me këtë rast u përmendën nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg edhe Kosova, duke thënë saktësisht se “do e adresojmë si çështje prezencën e NATO-s në Kosovë, sepse ne po shohim ngritje të tensioneve në atë pjesë, andaj që ne do të punojmë drejt të shtimit të forcave të NATO-s edhe prezencës tonë në Kosovë”, tregon gazetarja Vitaku.

    Ajo tha se Kosva dhe Ballkanit Perëndimor pritet të diskutohen në këto takime, detaje të të cila do të japë sekretari Stoltenberg në takimet e radhës me media.

    “Sigurisht se Kosova edhe pse nuk është specifikisht pjesë e agjendës të këtij takimi dyditor të ministrave të Mbrojtjes, Kosova edhe Ballkani Perëndimor do të diskutohen në përgjithësi, duke marrë parasysh tensionet të cilat ndodhën edhe javët e kaluara në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, duke diskutuar edhe shtimin e prezencës së NATO-s me misionin më të madh të cilin NATO-s e ka në Kosovë, që është KFOR-i. Sot dhe nesër gjithashtu sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg do të mbajë edhe konferenca për media, nëpërmjet të cilave ai do të japë edhe më shumë detaje se çfarë do të ndërmirret edhe drejt Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor për të ulur tensionet të cilat edhe Stoltenberg i përmendi që tashmë po e shohin që janë ngritur ato edhe do të punojnë në drejtë të shtimit të rritjes së forcave të NATO-s në Kosovë”, tregon gazetarja Flaka Vitaku drejtpërdrejt nga Brukseli. /atvlive.tv

  • Konjufca: Gjermania mbetet partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

    Konjufca: Gjermania mbetet partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës së tij në Gjermani është takuar me Anton Hofreiter, Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun Gjerman.

    Ai ka njoftuar se me anëtarë të tjerë të këtij komisioni patën mundësi të shkëmbenim perspektivat rreth çështjeve të interesit të përbashkët.

    “Z. Hofreiter e falënderova për mikpritjen dhe i shpreha mirënjohje për kontributin e tij, të komisionit që drejton dhe të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në çështjet e proceseve integruese evropiane, ekonomisë dhe energjisë së qëndrueshme dhe liberalizimit të vizave”, shkroi Konjufca në Facebook.

  • Amerika i dhuron Policisë shtatë dronë, Hovenier: Përkrahja nuk do të mungojnë asnjëherë

    Amerika i dhuron Policisë shtatë dronë, Hovenier: Përkrahja nuk do të mungojnë asnjëherë

    Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, kanë përfituar donacion shtatë dronë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes projektit ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, raporton EO.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier, tha se shteti i tij është i përkushtuar që ta ndihmojë Policinë. Ai madje tha se përkrahja nuk do të mungojnë asnjëherë.

    “7 dronë që i dhurojmë Policisë dhe IPK-së, do të ndihmojnë në luftimin e dukurive negative. Do të jenë burim jetik për të luftuar krimet e organizuara dhe luftimin e kontrabandës. Marrja e informatave të mira do të ndihmojë edhe marrjen e veprimeve me kohë”.

    “Mbështetja për IPK, ne i japim mbështetje transparencës dhe llogaridhënies, prandaj do të punojmë me Policinë drejt quarjes përpara veprimet që janë në të mirë të qytetarëve. Dua të them se gjatë pesë viteve të fundit, ShBA-ja ka ofruar mbi 20 milionë dollarë mbështetje në forma të ndryshme për organizatat e policisë”, tha tutje Hovenier.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, falënderoi Amerikën për ndihmën e vazhdueshme në përkrahje të Policisë në shtimin e kapaciteteve e modernizimin e pajisjeve.

    “Është gjithmonë kënaqësi ta kemi ambasadorin për mbështetjen e Policisë por edhe të shtetit, andaj e çmojnë mbështetjen ndër vite për shtetin tonë e sidomos për ditët e fundit kur e humbëm rreshterin Afrim Bunjaku. Në lidhje me donacionin është i nevojshëm dhe i çmueshëm për Policinë dhe do të ndihmojë në ngritjen kapaciteteve tona por edhe në aspektin e protestave dhe të manifestimeve të ndryshme. Janë dronë që janë selektuar nga ekspertët tanë”, tha Hoxha.

    “Kjo ka bërë që edhe operacioni i 24 shtatorit të jetë i suksseshëm dhe është incizuar nga dronët që i kemi aktualisht”, tha tutje Hoxha.

    Drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës, Taulant Hodaj, tha se pajisje të tilla do t’i ndihmojë që ta mbajmë lartë profesionalizmin dhe ta monitorojmë punën e Policisë, raporton EO.

    “Si IPK po mundohemi që të jemi të përkushtuar që ta mbajmë nivelin e profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Mbështetja me këshilla e me pajisje, ka bërë që të ngritet profesionalizmi për Policinë e Kosovës. Pajisje të tilla siç janë këta dronë, do na ndihmojë që ta mbajmë lartë profesionalizmin dhe ta monitorojmë punën e Policisë”, tha ai.

  • Hamidi thotë se nëse edhe 2-3 muaj nuk ka zgjidhje konkrete, çështja Kosovës përfundimisht do të dalë në rend të dytë

    Hamidi thotë se nëse edhe 2-3 muaj nuk ka zgjidhje konkrete, çështja Kosovës përfundimisht do të dalë në rend të dytë

    Nëse edhe këta 2-3 muajt e ardhshëm nuk ka diçka konkrete, mendoj se çështja e Kosovës, përfundimisht do të dalë në rend të dytë. Kështu deklaroi gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi në emisionin CONTEXT në ATV.

    Sipas tij, Kosova do të mbetet një problem në të ardhmen nëse nuk bëhet një zgjidhje më shpejt.

    “Në këtë muaj pritet një valë e presionit të madh, pesëshja ndërkombëtare e kryesuar nga SHBA, BE-ja, Gjermania, Italia dhe Franca do të ketë vizita në Kosovë dhe Serbi dhe po besoj se ka një iniciativë për me e rikthy dialogun, me fillu me e zbatu atë marrëveshje që është arritë me 18 mars në Ohër. Nëse edhe këta 2-3 muajt e ardhshëm nuk ka diçka konkrete, mendoj se çështja e Kosovës, përfundimisht do të dalë në rend të dytë, sepse po e shohim sa zhvillimet. Pas Luftës në Ukrainë, po e shohim edhe luftën në Izrael, ndërsa në vitin e ardhshëm do të ketë parapërgatitje për zgjedhje në SHABA, pastaj në BE dhe çështja e Kosovës do të mbetet një problem në të ardhmen dhe nuk dihet si kemi me e zgjidhë”, tha Hamidi. /atvlive.tv