ATV

Tag: Ballina

  • Mot i vranët dhe me reshje shiu

    Mot i vranët dhe me reshje shiu

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira, intervale me diell dhe reshje lokale shiu.

    Reshjet do të jenë më të shprehura pasdite dhe në mbrëmje. Reshjet e shiut pushojnë mëngjesin e së hënës, ku më pas do të ketë edhe intervale më të gjata me diell.

    Temperaturat sot do të sillen në mes 6 deri në 12 gradë celsius.

  • Edhe Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, pritet të takohet me kryetaren e Parisit

    Edhe Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, pritet të takohet me kryetaren e Parisit

    Me ftesë të Presidentit të Forumit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku pjesëmarrës janë liderë nga e gjithë bota.

    Forumi po trajton temën e mbrojtjes së planetit dhe njerëzve, ndaljen e kërcënimeve dhe luftërave, garantimin e besimit dhe sigurisë në botën digjitale, adresimin e pabarazisë, ndryshimet klimatike, biodiversitetin, pandemitë e ndryshme dhe ndërtimin e paqes dhe i një bote më të sigurtë për të gjithë.

    Në margjinat e këtij Forumi dyditor, Ministrja Gërvalla mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Kryetarja e Komunës së Parisit, duke shfrytëzuar mundësinë e takimeve me personalitete të ndryshme të botës.

    Në këtë Samit po qëndron dhe kryeministri Albin Kurti.

  • Kurti: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide

    Kurti: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në një diskutim në kuadër të Forumit të Paqes në Francë, ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve.

    Ai tha se shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide, teksa shtoi se njerëzit që sipas tij, kanë parë ëndrra për shumë për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo ndryshimin e kufijve, e kanë të vështirë ta braktisin atë nostalgji e të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike.

    “Projekti i këmbimit të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejt midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si për familjen e tyre që flasin për territoret e shteteve të tyre sikur të ishin prova private”.“Por, kjo ka pasur një lloj shije feudale që nuk ekziston më, por më duhet të pranojë që përkundër dështimit të projektit, ideja ekziston ende por pa ndonjë gjasë të madhe që të hyjë në fuqi”, tha Kurti.

    Kurti foli edhe për njohjen e Kosovës nga Serbia, nga e cila tha se duhet të ketë edhe njohje de facto edhe de jure.“Pra, sa më shpejt që të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de-facto e de-jure, po them de jure dhe de facto sepse Serbia e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën de jure por jo de facto, sepse ka raporte të vecanta me Republikën Srpska që e shfrytëzon pushtetin e vet për të minuar shtetndërtimin demokratik”.

    “Ndërsa në anën tonë, Serbia na njeh de facto në shumë aspekte, por jo de jure. Na duhet de jure dhe de facto, dhe njëkohësisht një lloj simetrie në të drejtën e pakicave. E di që të drejtat e pakicave nuk mund të jenë identike, por edhe ky disbalanci tejet i madh midis vendeve të rajonit shkakton tensione e që mund të jenë atraktive për disa qendra për destabilizim”, tha Kurti.

  • Qerkini për padinë për gjenocid ndaj Serbisë: Asnjë politikan s’është në “tokë të bukës”, s’kemi të drejtë

    Qerkini për padinë për gjenocid ndaj Serbisë: Asnjë politikan s’është në “tokë të bukës”, s’kemi të drejtë

    Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” Bajram Qerkini tha se siç duke asnjë politikanë në Kosovë nuk është në “tokë të bukës”, duke iu referuar paralajmërimeve për padi për gjenocid ndaj Serbisë.

    Duke komentuar deklaratën e ministres së Drejtësisë, se krerët e shtetit janë angazhuar personalisht në këtë çështje, Qerkini i tha Ekonomia Online se për padi të këtij lloji Kosova nuk ka të drejtë ngase nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

    Sipas tij, politikanët po i mbajnë peng familjet e të pagjeturve dhe se me veprimet e tyre vetëm po u hedhin “hi syve” e nuk po ndërmarrin asnjë veprim.

    “Asnjë politikan nuk është në tokë të bukës edhe nuk konsultohen me njerëz që nuk kanë të drejtë të bëjnë padi penale deri sa nuk janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Nuk kanë të drejtë kanë shumë punë për më bërë. Po na mbanë edhe neve peng me këso fjalësh të mëdha të cilat po shikojnë disa gjëra thua që na nuk hamë bukë as nuk pimë ujë, na po e dimë që politika po na mbanë peng personave të pagjetur dhe kur të bëhet kjo pyetje për mua, unë e di që është veç punë politike ose ma na hedh hi syve”.

    Duke folur për kompensimin e dëmeve të luftës, ai u shpreh i bindur se kjo nuk do të ndodh edhe pas 100 vjetësh, edhe pse garantohet me Konventa Ndërkombëtare, duke marrë shembull Gjermaninë.

    “A e dini sa vjet është dashur edhe tek tash i paguan dëmet e luftës Gjermania, a Serbia është ende më e fortë se ka qenë edhe sot që është Gjermania. Shtetit i Republikës së Kosovës mbas 100 vjetëve a do të mundet me i realizuar këta çka e kanë përmend. Ai nuk po me i kthen familjarët. A ua merr mendja që punët tona elementare nuk po përgjigjen këtë kohë që është e detyrueshme me Konventa Ndërkombëtare me na u kthyer fëmijën e nuk po na u kthen e po e kthen dëmi. Po nisem prej neve të cilën na ua ka ndaluar edhe pensionet paret të thata i ka marrë edhe nuk ka mundur Kosova me na nxjerr asnjë cent”.

    Kritika ka pasur ai edhe për ndërkombëtarët, duke thënë se nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim., raporton EO. Qerkini ka folur edhe për takimin që ditë më parë ka pasur me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, i cili i kishte thënë se institucionet e Kosovës nuk janë treguar efikase në kërkesat ndaj tyre për të pagjeturit.

    “Jemi ka mbahemi peng prej kësaj politike të mbrapshtë së pari vendorët tani ndërkombëtarët. Unë kam pasur para disa dite takim me ambasadorin amerikan Hovenier ku haptazi kam thënë pse nuk po na ndihmoni kur kem emra dhe mbiemra pikat kryesore ku i kemi më të dashurit tonë, kemi numrin me kod ku gjenden njerëzit tonë që i ka marrë Serbia, pse këta nuk po na ktheni,  ju jeni ata që mundeni me ua mbyll gojën Beogradit edhe Kosovës me thënë mos groponi pa lidhje ja ku janë imazhet satelitor. A e dinë se çfarë më ka thënë, tha para dy dite kam pasur takim me Kryqin e Kuq ndërkombëtar se ju duhet me bë Kryqit të Kuq kërkesën. Më tha që nuk kanë dërguar ende kërkesë, e neve këta tanët na thonë se Beogradi i ka fajet, nuk po i hap arkivat, nuk ka me i hap kurrë bëhuni të bindur arkivat e ushtrisë nuk i hap Serbia”.

  • E fajëson ASK-ja, Murati: S’kemi përgjegjësi për dështimin e regjistrimit të popullsisë

    E fajëson ASK-ja, Murati: S’kemi përgjegjësi për dështimin e regjistrimit të popullsisë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nuk merr përgjegjësi për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë i paraparë të nis më 1 nëntor. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë fajësuar dikasterin e drejtuar nga Murati.

    Ministri Murati për KosovaPress, thotë se e kanë ndihmuar ASK-së për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si Ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces.

    “Ministria e Financave ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për t’i kryer disa punë që ata (ASK) nuk kanë pasur resurse t’i përfundojnë…Ne e kemi marrë atë vendim dhe i kemi ndihmuar ASK-së…Është problem kur dikujt i ndihmon, mundohet t’i fajësoj atë që po e ndihmon. Ministria e Financave nuk e ka përgjegjësi regjistrimin e popullsisë, e ka ASK-ja”, thotë Murati.

    Në anën tjetër, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë për KosovaPress, ka thënë se shkaktare që regjistrimi të mos fillojë me kohë ka qenë edhe Ministria e Financave.

    Sipas tij, formimi i komisioneve për mbikëqyrës dhe regjistrues ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave.

    “Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor…Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrësve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre komisioneve”, kishte thënë Berisha për KosovaPress.

    Ndërkaq, Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor, porse për shkak të mos përgatitjes me kohë, ASK-ja kishte kërkuar që ky proces të shtyhet për vitin tjetër, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për këtë shtyrje. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.

  • IKShPK-ja mban konferencë për media, flitet për nivelin e manganit në ujin e Liqenit Badoc

    IKShPK-ja mban konferencë për media, flitet për nivelin e manganit në ujin e Liqenit Badoc

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbajë konferencë për media.

    Sipas njoftimit në këtë konferencë do të flitet për nivelin e manganit në ujin e pijes nga Liqeni i Badocit.

    IKShPK-ja njoftoi se konferenca do të mbahet në ora 11:00.

    Ndryshe, IKShPK-ja qysh në fillim të muajit tetor kishte njoftuar për vlerat e larta të manganit, duke apeluar edhe për mospërdorim të ujit, për shkak se konsiderohej se përdorimi i tij mund të shkaktonte probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël.

  • Ambasadori francez flet për vizat: Do të ishte rrezik të mos dëgjohej mesazhi i presidentit Macron

    Ambasadori francez flet për vizat: Do të ishte rrezik të mos dëgjohej mesazhi i presidentit Macron

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka folur edhe një herë mbi raportimet për mundësinë e pezullimit të vizave.

    Ai ripërsëriti fjalët e presidentit francez, Emmanuel Macron në një konferencë për media, duke thënë se ai kërkoi përgjegjësi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “…Pikërisht në këtë kontekst ai ngriti edhe çështjen e liberalizimit të vizave, i cili ishte një gjest besimi, por që në këtë fazë nuk ishte reciprok. Prandaj ai priste që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të angazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.” – ka thënë ai.

    Guerot u pyet sërish se a mund të sigurojë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza pas 1 janarit 2024, duke u përgjigjur se do të ishte rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik.

    “Në këtë fazë, përgatitjet teknike për liberalizimin e vizave më 1 janar po vazhdojnë, por do të ishte me rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik i presidentit që sapo përkujtova.” – u shpreh ai për Kohën.

  • Kurti në Spanjë e përmend agresionin e Serbisë: Ka forca që synojnë ripërcaktimin e kufijve

    Kurti në Spanjë e përmend agresionin e Serbisë: Ka forca që synojnë ripërcaktimin e kufijve

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur përpara anëtarëve të organizatës socialdemokrate në Evropë ku sot u bë anëtare edhe partia të cilën vetë Kurti e udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje.

    Kurti tha se pranimi i VV-së si anëtare vëzhguese në hapin e parë është një dëshmi e besimit ndaj qeverisjes, të cilën Kurti e quajti të mirë, efikase dhe premtuese të cilën ai e udhëheq si kryeministër i Kosovës.

    “Ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë  aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike. Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike”.

    “Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”, tha Kurti.

    Kreu i qeverisë përmendi Raportin e Komisionit Evropian, ku sipas tij, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallen e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues.

    “Përmendje të tjera të rëndësishme janë një rritje prej 34% në punësim, miratimi i ligjeve mbi financimin e partive politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe rreshtimi me sanksione të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Sektori i drejtësisë ka themeluar Gjykatën Komerciale për të drejtat e pronësisë intelektuale, ka përforcuar rikuperimin e aseteve me një koncept të ri të fondit të konfiskimit dhe ka përparuar në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit”.

    “Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit – buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit”, tha tutje Kurti.

    Më tej, Kurti përmendi edhe agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tha se ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin e për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit.

    “Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit”.

    “Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”.

    “Ne përfaqësuesit e forcave të qendrës së majtë në Evropë, e kujtojmë historinë dhe jemi larg të qenit naivë: Historia evropiane ka vërtetuar gjithmonë se ne jemi në ballë të luftës kundër të gjitha formave të ekstremizmave, për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut edhe kur dhuna, racizmi, antisemitizmi dhe islamofobia duket se po fiton terren dhe mendje. Vazhdoj të jem optimistë se ne mund ta forcojmë unitetin tonë në mënyrë që ta ndryshojmë rrjedhën e këtyre ngjarjeve”, tha Kurti.

    Tutje, Kurti tha se Kosova përballet me sfidën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, teksa shtoi se e pranon përgjegjësinë që i takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

    “Këtu e shfrytëzoj mundësinë të ndaj lavde për grupin S&D për udhëheqjen e saj në rezolutën e miratuar te Parlamenti Evropian më 19 tetor. Deri me tani, ky ishte teksti më i qartë politik për sulmin e 24 shtatorit”.

  • Vdes astronauti i NASA-s që udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës

    Vdes astronauti i NASA-s që udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës

    Ka vdekur astronauti i NASA-s, Frank Borman, i cili udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës në Apollo 8.

    Ai vdiq në Billings, Montana, në moshën 95-vjeçare, tha agjencia, raporton BBC.

    Borman dhe dy kolegë astronautë ishin njerëzit e parë që panë ndonjëherë anën e largët të Hënës në ekspeditën Apollo 8 në 1968.

    Administratori i NASA-s, Bill Nelson e kujtoi Borman si një nga më të mirët e NASA-s dhe një hero të vërtetë amerikan me të vërtetë të përkushtuar ndaj punës së tij.

    “Dashuria e tij e përjetshme për aviacionin dhe eksplorimin u tejkalua vetëm nga dashuria për gruan e tij Susan”, tha ai.

    Apollo 8 ishte një mision themelor sepse ishte hera e parë që njerëzit u larguan nga orbita e Tokës, duke humbur nga sytë planetin e tyre.

  • Kombëtarja e Izraelit në futboll arrin në Kosovë nën masa të rrepta sigurie

    Kombëtarja e Izraelit në futboll arrin në Kosovë nën masa të rrepta sigurie

    Ekipi kombëtar në futboll i Izraelit ka arritur në Kosovë të premten, përderisa në aerportin e Prishtinës kishte masa të rrepta sigurie.

    Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Izraelit të dielën zhvillojnë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian.

    Dy autobusët e ekipit izraelit u shoqëruan nga disa makina të Policisë së Kosovës nga aeroporti deri në hotelin ku po qëndron ekipi, ku po ashtu kishte masa të shtuara të sigurisë.

    Kombëtarja e Izraelit pas arritjes në një hotel në Prishtinë më 10 nëntor 2023.

    Federata e Futbollit të Izraelit ka postuar në X – që më herët njihej si Twitter – një video ku dukeshin lojtarët gjatë rrugëtimit të tyre drejt aeroportit në Izrael, të cilët u detyruan të strehoheshin, pasi një raketë u hodh në afërsi.

    “Asgjë nuk do të na ndalë në rrugën tonë drejt Euro 2024”, shkroi federata.

    Kjo do të jetë ndeshja e parë që Izraeli do të luajë që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasit – që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.

    Fillimisht, ndeshja Kosovë-Izrael ishte paraparë të mbahej më 15 tetor.

    Izraeli është në vendin e tretë në Grupin I për Euro 2024, pas Rumanisë dhe Zvicrës, por ka dy ndeshje të paluajtura. Kombëtarja izraelite asnjëherë nuk është kualifikuar për Kampionatin Evropian që kur iu bashkua UEFA-s më 1994. Por, tani duhet të luajë katër ndeshje në dhjetë ditë, në tentim që të kualifikohet./REL