ATV

Tag: Ballina

  • Dosja e trashë penale e të dyshuarve për grabitjen në Suharekë

    Dosja e trashë penale e të dyshuarve për grabitjen në Suharekë

    Të paktën për gjashtë raste, ka mbajtur dënim me burgim, njëri prej të dyshuarve për grabitjen e një argjendarie në Suharekë. Bujar Basha u arrestua vetëm dy muaj e gjysmë pasi u lirua nga Burgu i Sigurisë së Lartë, pas përfundimit të dënimit me 5 vjet e dy muaj, për grabitje.

    Sipas Policisë, grupi i të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Suharekë ka të kaluar kriminale. Ndërkaq, Këshilli për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Lirive të Njeriut thotë se ekziston rreziku për përsëritjen e veprave penale, në mungesë të programeve për risocializim të të burgosurve.

    Sipas KMDLNJ-së, Kosova qëndron mirë me legjislacion, por disa nga programet nuk po zbatohen.

    Kushti kryesor që të dënuarit të integrohen në shoqëri pas përfundimit të dënimit është angazhimi në punë, thonë nga Këshilli.

    Por, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Social thonë se duhet bërë më shumë për rehabilitimin e këtyre personave.

    Ndërkohë, në një përgjigje për ATV-në, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se për të reduktuar nivelin e recidivizmit, synohet reforma në ofrimin e programeve rehabilituese. Sipas SHKK-së, me iniciativë të Ministres së Drejtësisë tashmë është themeluar një grup punues për reformën në këto programe.

    “Si rezultati i kësaj dhe duke marrë për bazë kërkesat dhe nevojat e të burgosurve, në institucionet tona janë duke u zbatuar këto programe: Programi rehabilitues për ndryshim të mendimit; Menaxhimi i zemërimit; Intervista motivuese; Biseda për ndryshim; Programi kundër dhunës në familje; Programi rehabilitues për radikalizëm dhe risocializimin e të rinjve; Programi masat kundër varësisë (drogë, alkool, etj.) dhe Programi i përgjithshëm rehabilitues”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

    Aktualisht në institucionet korrektuese funksionojnë edhe Qendrat për aftësim profesional të të burgosurve, të cilat, sipas SHKK-së, kanë hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e trajnimeve, si dhe për prodhim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Grabitja e argjendarisë në Suharekë, nga një muaj paraburgim për 4 persona

    Grabitja e argjendarisë në Suharekë, nga një muaj paraburgim për 4 persona

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve me inicialet B.B., B.I., L.C., T.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë veprën penale grabitje në një argjendari në Suharekë.

    Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se B.B., B.I., dhe L.C., më 22 nëntor, në ora 15:45 në Suharekë, në lokalin argjendaria “Diakos 2”, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze, duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B. dhe A.B.

    Në njoftim thuhet se të pandehurit me inicialet B.B., B.I., K.G., D.G., dhe L.C., që të gjithë të maskuar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij.

    Pas kësaj, ata fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze”, ngjyrë hiri, largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., arrestohen nga Policia.

    I pandehuri, T.B., më 30 nëntor 2023, në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit T.B., gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e policisë, me urdhër së procedurës paraprake policia ka gjetur një revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS and B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armët. Se, a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

    Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit e arrestuar, të dëmtuarit, dhe dëshmitarët eventual, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit.

    Po ashtu duke marrë parasysh faktin se të dyshuarit kanë qenë në arrati deri në ditën e arrestimin, atyre iu është caktuar masa e paraburgimit me qëllim të sigurimit të prezencës së tyre gjatë fazës hetimore.

    Ndryshe, për të njëjtin rast, më 27 nëntor 2023, gjyqtarja e procedurës paraprake kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe të pandehurve F.T., dhe A.B., iu ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se kishin kryer veprën penale dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

  • Vrasja e Liridona Murselit, Policia arreston dy persona – po bastisen dy lokacione në Gjakovë

    Vrasja e Liridona Murselit, Policia arreston dy persona – po bastisen dy lokacione në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për rastin e vrasjes së Liridona Murselit, vrasje kjo e cila tronditi vendin më 29 dhjetor në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë.

    E ndjera është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.

    Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare.

    Siç bën të ditur Policia e Kosovës, pas arrestimit të personave të dyshuar janë duke vazhduar bastisjet në dy lokacione të qytetit të Gjakovës.

    Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.”, thuhet në komunikatë.

  • Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Hagë pa masa mbrojtëse, dëshmitari i parë Sadik Halitjaha

    Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Hagë pa masa mbrojtëse, dëshmitari i parë Sadik Halitjaha

    Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Gjykatën Speciale në Hagë do të dëshmojnë pa masa mbrojtëse

    Zëdhënësi për media, Christopher Bennett, tha për Reporterin se dëshmitari i parë javën e ardhshme do të jetë Sadik Halitjaha.

    “Dëshmitarët e javës së ardhshme do të dëshmojnë të gjithë pa masa mbrojtëse. Prandaj, procedurat duhet të jenë kryesisht publike. Dëshmitari i parë është edhe dëshmitari i fundit (Sadik Halitjaha), i cili do të përfundojë dëshminë e tij. Dy dëshmitë tjera do të jenë po ashtu me interes”, u shpreh Bennett.

    Halitjaha, ka dëshmuar në Hagë më 16 nëntor.

    Avokatët Emmerson dhe Venkateswari e pyetën dëshmitarin lidhur me strukturat komanduese dhe organogramët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Prokurori James Pace në pyetjet shtesë drejtuar dëshmitarit Halitjaha, paraqiti një dokument të ri, dokument i cili u kundërshtua nga pala mbrojtëse e Thaçit, por ky kundërshtim nuk u aprovua nga trupi gjykues.

    Sipas prokurorit Pace, ky dokument ka të bëjë me një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim dhe mbledhje të automjeteve të ndryshme për nevojat e ushtrisë.

    Lidhur me këtë dokument, dëshmitari Halitjaha tha se ky vendim nuk është zbatuar sepse është nënshkruar nga personat jokompetentë.

    Edhe pse ishte paraparë që dëshmia e këtij dëshmitari të përfundojë sot, kjo nuk ndodhi sepse nuk pati kohë të mjaftueshme për pyetjet shtesë të prokurorit Pace dhe për pyetjet eventuale të trupit gjykues dhe mbrojtësit të viktimave, por edhe ato shtesë të palës mbrojtëse, andaj dëshmia e dëshmitari Halitjahaj do të vazhdojë edhe në seancën e 4 dhjetorit.

    Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

  • BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

    Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme. Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

    REL ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitura për këtë takim, ku nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

    “Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

    Pikërisht, përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

    Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

    Deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht.

    Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

    Në draftin e konkluzave për Serbinë edhe një herë do t’i bëhet thirrje Beogradit që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj civilëve, ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë protestës së dhunshme të serbëve lokalë më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

    Serbisë po ashtu i kërkohet që të sjellë para drejtësisë edhe sulmuesit e Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

    Gjatë sulmit, që Kosova e cilëson terrorist dhe e fajëson Serbinë për të, u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve të armatosura gjatë 24 shtatorit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, ndërkaq ka mohuar se ka gisht në këtë sulm.

    “Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

    Në pjesën ku flitet për obligimet e Serbisë për të ndërmarrë masa për të sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve, thuhet se Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.

    Sipas draft-konkluzave, Këshilli kërkon nga Serbia që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa të tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”, thuhet në dokument.

    Po ashtu, në konkluza pritet që blloku të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia.

  • Mira Murati në listën e 25 grave më të ndikimit për vitin 2023, sipas Financial Times

    Mira Murati në listën e 25 grave më të ndikimit për vitin 2023, sipas Financial Times

    Shqiptarja Mira Murati, është përfshirë në listën e 25 grave më të ndikimit në botë për vitin 2023, të publikuar nga Financial Times, përcjell atvlive.tv.

    Kjo listë përfshin personalitete si Margot Robbie, Beyonce, Barbara Kingsolver, Ursula von der Leyen dhe shumë gra të tjera, sipas raportimit të Financial Times.

    “Mira Murati, shefe e teknologjisë së OpenAI, është në krye të transformimit të thellë dixhital për momentin. E lindur në Shqipëri, Mira tani jeton në epiqendrën e evolucionit të shpejtë të inteligjencës artificiale. Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës, produkte këto që do të na ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si ne punojmë, mësojmë dhe shprehemi në mënyrë krijuese. Udhëheqja vizionare e Miras shtrihet shumë përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë Inteligjencën Artificiale në jetën tonë të përditshme, si dhe si të zhvillojmë këtë inteligjencë me përgjegjësi në lidhje me sigurinë dhe rregulloren”, thuhet në shkrimin e Financial Times.

    “Tepër e menduar në parashikimin e ndërveprimeve njerëzore, Mira e mbron Inteligjencën Artificiale në mënyrë aktive për testime të hapura, publike – duke na inkurajuar të kapim këtë moment unik në kohë, ku ne kemi lirinë sesi teknologjia do të na riformojë dhe sesi ne e formësojmë atë”, thuhet më tej këtë artikull.

    Një gjë e rrallë e dukshme është fakti që një grua drejton një kompani teknologjike. Historia dhe lidershipi i Mirës janë një burim frymëzimi, ashtu si teknologjia që ajo e mbikëqyr dhe e përcakton të ardhmen e zhvillimit të saj. / atvlive.tv

  • Presidentja Osmani më 15 dhjetor i drejtohet Kuvendit me fjalimin vjetor

    Presidentja Osmani më 15 dhjetor i drejtohet Kuvendit me fjalimin vjetor

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me 15 vjetor do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, në fjalimin vjetor, raporton EO.

    Këtë e ka konfirmuar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Besnik Tahiri, duke sqaruar se me 14 dhjetor do të ketë seancë për votimin në lexim të dytë të buxhetit.

    Tahiri e ka kritikuar Qeverinë që asnjë nga amendamente e propozuar nga opozita nuk i kanë marrë parasysh.

    “Sot është thirrur një mbledhje e Kryesisë e cila nuk ka kuorum për t’u mbajtur megjithatë u diskutuar për mbajtjen e dy seancave, atë të buxhetit me 14 dhjetor dhe me 15 për raportim e presidentes Osmani”.

    “Ajo që unë dua të them lidhet me buxhet fatkeqësi e madhe është për këtë vend që amendament të cilat janë dorëzuar nga shumica e deputetëve nuk do të trajtohen nga Komisionin për Buxhet dhe nuk do të marrin mbështetjen e kuvendit. Buxheti i miratuar në këto rrethana nuk përkon me kërkesat as të sektorit publik e privat”.

  • “Gëzim i madh në sytë e mërgimtarit” – Shikuesit e emisionit “n’Frekuencë” mbledhin mbi 20.000€ për t’ia siguruar protezën e dorës Vjollca Deliut

    “Gëzim i madh në sytë e mërgimtarit” – Shikuesit e emisionit “n’Frekuencë” mbledhin mbi 20.000€ për t’ia siguruar protezën e dorës Vjollca Deliut

    Javën e kaluar, drejtuesi i emisionit ‘n’Frekuencë me Robin’, Robert Bojaj, me dëgjuesit ka filluar iniciativën për Vjollca Deliun , për t’i mbledhur 20 mijë euro që t’ia sigurojnë protezën e dorës.

    Vjollca Deliu nga Ferizaj, ishte e ftuar ftuar dy javë me parë në emisionin STUDIO A, ku bëri një rrëfim tejet prekës për jetën e vështirë me dy prindërit e saj të sëmurë në njërën anë, si dhe paragjykimet e bulimin e njerëzve për shkak se ajo nuk e ka njërën dorë.

    Pas iniciativës së moderatorit Robert Bojaj, dëgjuesi i rregullt i emisionit ‘n’Frekuencë me Robin’, mërgimtari Driton Kastrati, i vetëm ka nisur t’i mbledhë këto 20 mijë euro, qëllimin e së cilës e ka arritur për një javë.

    “Kur e kam dëgjuar së pari rastin, si rast ka qenë shumë i prekshëm i Vjollca Deliut edhe për atë punë kam thënë se duhet me bat ë gjithë nga pak për me ia arritë qëllimin. Kam thënë deri për vit të ri, ishalla e kryj e mbërrij një shumë të caktuar që e mbrrij shumën 20 mijë euro, nuk e kam paramendu kaq shpejt. Por që kryhet për një javë dhe secili donator, familjar që kam shku me kërku, nuk kanë hezitu vetëm e kanë dhënë shumën e duhur aq sa kanë pasë mundësi. Falë donatorëve, shoqërisë edhe disa frekuencerave që më kanë shkru kanë dhënë para dhe ia kemi arritë qëllimit, dmth shuma prej 20 mijë euro është arritur”, thotë Dritoni në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ‘n’Frekuencë me Robin’ në ATV.

    Ai tregon se shumë e fundit prej më shumë se 2000 euro e kanë dhënë dy miq të tij, të cilët janë vëllezër, për ta kompletuar në 20 mijë.

    “Në bazë të shënimeve që i kemi nëpër fleta, nëpër donacionet që kam shku nëpër shtëpi dhe i kam mbledhë, për me e arritë qëllimin janë mbledhë 17746 franga që shumën tjetër prej 2254 franga kanë shprehë dëshirën dy shokët e mi që janë dy vëllezër për me e dhanë këtë shumë, me e ba 20 mijë për Vjollca Deliun”, tregoi Dritoni.

    Në emision ‘n’Frekuencë me Robin’ u publikuan edhe lista e plotë e donatorëve, të cilët dhuruan para për të siguruar shumën prej 20 mijë euro për Vjollca Deliun.

    Vjollca Deliu, me datën 13 nëntor të këtij viti ishte e ftuar në emisionin STUDIO A te Blerona Zeqiri, ku bëri një rrëfim shumë prekës për jetën e saj tejet të vështirë për shkak të gjendjes së saj me aftësi të kufizuara.

    Ajo tregoi se është fëmija i vetëm i prindërve dhe se i duhet të përkujdeset për ta, pasi nënën e ka në dializë, ndërsa edhe babain e ka të sëmurë për shkak se është invalid i luftës.

    “Mami është pak e sëmurë kurse babi, edhe për të mund të them të njëjtën gjë sepse ai është invalid i luftës, kurse mami në dializë, veshkat nuk i funksionojnë fare, por në përgjithësi po ia dalim. Besomë që nuk e di as vet, besoj që është forca ajo që më jep Zoti sepse besoj shumë në Zot, por po ia dalim me gjithë këto vështirësi. Jam e vetme nuk kam pasur ndihmë nga ndokush që të kujdesët për neve”, rrëfen Vjollca në STUDIO A.

    Ajo tregon se këtë problem e ka që nga lindja dhe falë mbështetjes së familjes, mësuesve e profesorëve, i ka tejkaluar bullizimin e paragjykimet ndaj saj.

    “Periudha kur kam qenë në shkollë, ka pasur raste kur ka pasur bullizëm, por e kam pasur fatin që i kam pasur prindërit shumë të mirë. Edhe mësuesit, profesorët më kanë mbështetë shumë edhe e kam tejkalu bullizmin, paragjykimet edhe nënçmimet që më janë bërë për shkak se nuk e kam pasur dorën. Këtë e kam kuptu shumë herët, por pjesa kur kam fillu me e pasë kompleks ka qenë prej moshës 26 vjeçare, sepse çdo lloj bullizmi që është bërë ose paragjykim prej personave tjerë që i kam pasur të përkohshëm në jetën tem, i kam taku e kanë lëshu një llaf a një fjalë a diçka, është kalu. Por, kur të vjen prej personave që ti i ke shumë përzemër, ti i do shumë edhe në vend që ti e pret mbështetjen e tyre, ata mundohen me të paragjyku, me të nënçmu në mënyrën më të keqe të mundshme, mandej edhe bullizmin… mandej kjo ka fillu me u ba kompleks, pastaj një kohë të gjatë për tri vjet dhe kam fillu me ra në depresion”, rrëfen mes lotësh Vjollca.

    Ajo tregon se është e punësuar, por pjesa e dorës për të është një zbrazëti, të cilën dëshiron me çdo kusht që ta plotësojë.

    Me rrogën që e ka, Vjollca thotë se sigurimi i një proteze për dorën e saj është e pa arritshme, pasi që kjo shumë përafërsisht është 20 mijë euro.

    Kujtojmë se sot, Vjollca Deliu ka marrë lajmin e gëzueshëm, pasi që pas iniciativës së moderatorit Robert Bojaj, dëgjuesi i rregullt i emisionit ‘n’frekuencë me Robin’ në ATV, mërgimtari Driton Kastrati, i vetëm ka arritur që ti mbledh 20 mijë euro e nevojshme për të siguruar protezën e dorës për Vjollcën. /atvlive.tv

  • DASH kritikon Kosovën për dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizëm

    DASH kritikon Kosovën për dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizëm

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se në Kosovë gjatë vitit 2022, institucionet e drejtësisë vazhduan të shqiptonin dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin, dhe tha se ka edhe lirime të parakohshme për këto akuza.

    Në raportin për Terrorizmin për shtetet, sa i përket Kosovës, u tha se më 2022, Prishtina vazhdoi të riatdhesonte shtetasit e saj nga kampet dhe qendrat e ndalimit në Siri.

    Aty u tha se operacioni i tretë i riatdhesimin të maj, u krye në bashkëpunim me Shqipërinë dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.

    “Deri më tani, Kosova ka riatdhesuar mbi 120 shtetas. Vlerësohet se 80 shtetas të tjerë vazhdojnë të jenë në kampet e të zhvendosurve apo në qendrat e ndalimit, ose në fushëbeteja në Siri. Dënimet e ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin kanë vazhduar”, u tha në raportin e DASH-it.

    Sipas SHBA-së, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, “janë caqe potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.

    “Gjatë vitit 2022, Kosova ndoqi penalisht një grua të riatdhesuar me ndihmën e SHBA-së. Edhe pse kjo grua u dënua me dy vjet burgim për shkak të bashkimit në grupin Shteti Islamik, gjykatat e Kosovës kanë dënuar të riatdhesuarit me tre deri në katër vjet e gjysmën burgim për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të IS-it”, u tha në raport.

    Po ashtu, në raportin për Kosovën përmendet ngritja e aktakuzës ndaj Ylber Belës, për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist. Bela ishte riatdhesuar në Kosovë në maj, në përpjekjen e përbashkët me SHBA-në.

    Në raportin e DASH-it u përmend edhe rasti i aktakuzës ndaj katër personave të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste kundër rendit kushtetues. Ata dyshohen se kishin tentuar të krijonin struktura organizative për të kryer sulme terroriste në Kosovë duke kontaktuar me një zyrtar të lartë të grupit Shteti Islamik.

    DASH tha se në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë liroi nga akuzat katër persona: dy dyshoheshin për përgatitje të sulmeve ndaj klubeve të natës, kishave dhe forcave të Kosovës, dhe dy për vepra të tjera penale. Ata u liruan në mungesë të provave.

    Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme. Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.

    DASH vuri në pah se Kosova ka legjislacion për të luftuar edhe financimin e terrorizimit, por tha se ka mungesë të një strategji për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.

    “Megjithatë, dënimet e shkurtëra, lirimet e parakohshme dhe me kusht, si dhe joroganizimi i mbikëqyrjes pas lirimit paraqesin kërcënime për sigurinë”, u tha në raport.

    Sa i përket incidenteve terroriste më 2022, DASH përmend edhe arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, në dhjetor të vitit 2022, nën akuza për terrorizëm, pas sulmit që përfshiu mjete shpërthyese ndaj zyrave lokale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndaj stafit të këtij komisioni në Mitrovicë të Veriut.

    Arrestimi i tij kishte nxitur banorët lokalë të vendosnin barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar për disa javë rrugët që çonin drejt pikëkalimeve kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

    Barrikadat u hoqën pasi Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

    Po ashtu, raporti përmend edhe dënimin që i bëri Qeveria e Kosovës sulmeve të armatosura ndaj policisë në veri të Kosovës, që i cilësoi si akt terrorist.

    “Prokurorët kosovarë i klasifikuan këto incidente të lidhura me akuza terroriste dhe raste kundër rendit kushtetues”.

    Sa i përket aspektit të sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, raporti i DASH-it tha se “çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhdon të kufizojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj në atë rajon. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të promovuar një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit”.

    DASH po ashtu përmend edhe vlerësimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë se që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, në Kosovë ka pasur rritje të dezinformatave dhe se ato “janë gjithnjë e më shumë nxitëse të mendimit të dhunshëm ekstremist dhe polarizimi ndëretnik ka kontribuar në rritjen e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës”.

    Në një raport të publikuar në fund të nëntorit të vitit 2023, të hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), u tha se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina, të cilat synojnë të nxisin një luftë ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë./REL/

  • Kryeministri Kurti viziton sot Gjilanin

    Kryeministri Kurti viziton sot Gjilanin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të vizitojë komunën e Gjilanit.
    Sipas njoftimit, Kurti do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni.
    Bëhet e ditur se pas takimit do të ketë prononcim për media.
    Derisa kryeministri Kurti do t’i vizitojë punimet në fillimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”.
    ”Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, viziton Komunën e Gjilanit, ku do të takohet me kryetarin Alban Hyseni. (Zyra e kryetarit, Gjilan. Prononcimi për media në ora 09:15) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do t’i vizitojë punimet në fillimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”. (Ora 09:30)”, thuhet në njoftim.