ATV

Tag: Ballina

  • Reforma në KPK, Komisioni i Venecias e hedh poshtë idenë për rritjen e numrit të anëtarëve

    Reforma në KPK, Komisioni i Venecias e hedh poshtë idenë për rritjen e numrit të anëtarëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Dy ditë pasi e prezantoi në Komisionin e Venecias, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, doli në një konferencë për media, ku tregoi se nuk e mori përkrahjen nga ky institucion rreth disa ndryshimeve në projektligjin për Këshillin Prokurorial.

    Ministria ka dështuar të bindë Komisionin rreth idesë për rritjen e numrit të anëtarëve të përkohshëm në 21, duke marrë rekomandim që përbërja e KPK-së të jetë me shtatë anëtarë.

    Komisioni i Venecias nuk e përkrahu rritjen e numrit të anëtarëve për disa arsye.

    Ndryshimet, ministrja Haxhiu tha se do t’i nisin qysh në muajin janar të vitit të ardhshëm.

    Ndër vërejtjet kryesore të shoqërisë civile rreth projektligjit ishte mosbalancimi mes anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë.

    Me përbërjen prej 21 anëtarëve dhe përzgjedhjen e disave prej tyre nga Kuvendi, sipas KDI-së, ekzistonte rreziku nga politizimi i KPK-së.

    Ministria e Drejtësisë hartoi një projektligj të ri për KPK-në, pasi ai paraprak i miratuar nga Kuvendi, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndër të tjera kishte dhënë vërejtje për mosbalancimin mes anëtarëve dhe fuqisë vendimmarrëse nga anëtarët prokurorë.

  • Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

    Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Brengosëse për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor vlerësohet fitorja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi e koalicionit të udhëhequr nga partia e Aleksandar Vuçiqit.

    Në këtë kontekst shihen pretendimet e hapura ndaj Kosovës, të shprehura nga presidenti i Serbisë, teksa shpalli fitoren e partisë së tij.

    Në rrethanat e reja, sipas profesorit Milazim Krasniqi, Vuçiqi do të vijojë me politikën agresive, duke ia bërë të vështirë Kosovës procesin e dialogut.

    “Fitorja e tij, pa dyshim, është dëshmi e kontinuitetit të politikës së tij nacionaliste dhe destabilizuese në drejtim të Kosovës. E dyta, me siguri që do të mbetet partner kredibil i BE-së dhe i Uashingtonit, për shkak të fuqisë reale që ka dhe rolit destabilizues që mund të ushtrojë drejt Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës. Dhe e treta, në dialog, ai do të jetë shumë i fuqishëm, ashtu që Qeveria jonë do të ketë përballë atë Vuçiqin e vjetër, por me një mandat të ri”, tha Krasniqi.

    Krahas konstatimit se Vuçiqi e përdori sulmin terrorist në Banjskë për efekt të brendshëm tek elementet nacionaliste dhe frikësim të perëndimit, profesori Krasniqi pret shtim presioni me synim autonominë.

    “Ai do t’i ruajë vijat e kuqe të Serbisë në raport me Kosovën, që nënkupton taktizime të shumta. Përdorimin e serbëve të Kosovës për lojërat e tij destabilizuese dhe për maksimalizimin e politikës në raport me Kosovën, për të marrë favore në proceset e integrimit të BE-së, për të ruajtur kursin pro-rus e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

    Fitorja e Vuçiqit, sipas politologut Fidan Ukaj, nënkupton vazhdimin e politikës destruktive të Serbisë, e cila cenon të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit.

    “Është lajm i keq jo vetëm për procesion dialogues Kosovë-Serbi, por po ashtu edhe për rrugën evropiane të të gjithë rajonit dhe sigurinë nacionale e rajonale, për arsye se Vuçiqi e ka dëshmuar një gjë të tillë, duke rrezikuar sigurinë nacionale qoftë në Bosnjë e Malin e Zi, e po ashtu agresionin e fundit më 24 shtator në veri të Kosovës”, tha Ukaj.

    Rusia, përmes zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, mirëpriti fitoren e partisë së Aleksandar Vuçiqit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

  • Kusari-Lila arsyeton mungesën e deputetëve të VV-së: Komisioni Hetimor absurd, s’i dihet synimi

    Kusari-Lila arsyeton mungesën e deputetëve të VV-së: Komisioni Hetimor absurd, s’i dihet synimi

    Shefja e Grupit Parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, i tha Ekonomia Online, se Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, është duke bërë të kundërtën e asaj që kanë për qëllim Komisionet e tilla.

    Sipas saj, ky është Komision absurd të cilit nuk i dihet synimi, duke shtuar se VV-ja nuk ka për qëllim që ta ndaloj punën e këtij Komisioni me mospjesëmarrje pasi sipas saj, kjo parti vetë e ka votuar formimin. Ajo mungesën e deputetëve të VV-së në këtë Komision në dy mbledhjet e fundit e ka arsyetuar se mbledhjet po bëhen pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera që janë caktuar më herët.

    Shefja e VV-së në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se formimi i këtij Komisioni është i kotë pasi për dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë filluar hetimet dhe janë arrestuar disa persona.

    “Ne si Grup Parlamentar e kemi votuar formimin e Komisionit në seancë, e natyrisht edhe kemi thënë që përkundrejt që besojmë që është e kotë për faktin se këtu ka një proces hetimorë. Komisionet Hetimore synimin e kanë që të nxjerrin në dritë diçka në raste se besojnë se ka bazë për hetimet penale të mëtutjeshme. Ky ka shkuar e kundërta, do të thotë ka shkuar qerrja para kalit që nuk mund të ndodh kështu. Qe tashmë vetëm kanë filluar hetimet, ka pasur edhe arrestime ndërsa është në dosje enorme materiale të Ministrisë, ato do t’i duhen edhe Komisionit Hetimor në të ardhmen e afërt, do të jenë në pronësi të Prokurorisë që nuk do ti ndaj me ta, për arsye se nuk ndan Prokuroria materiale të cilat i posedon ose të cilat i ka konfiskuar nga Ministria relevante për qëllim të hetimit penal”, tha ajo.

    Ajo tha se nuk e din se cili është synimi i deputetëve të opozitës sa i përket këtij Komisioni, sipas saj, ata po mundohen që të tregojnë që dinw ta bëjnë punë e hetuesit më mirë se vetë hetuesit. Prandaj sipas Kusari-Lilas, ky Komision në një farë forme tregon një qëllim negativ dhe degradim të punës se Kuvendit në raport me mandatin Kushtetues e legjislativ.

    “Në vetvete kjo është një Komision absurd i cili nuk e di se ku dëshirojnë me dalë ose çfarë është synimi apo dojnë me tregu disa prej deputetëve të opozitës që din me bw punë e hetuesit më mirë se vetë hetuesit. Apo kanë përvojën paraprake qoftë të policisë, qoftë të organeve të hetuesisë për të dëshmuar që nuk keni shkuar aq larg sa kërkoheni në këtë proces. Prandaj është tepër kompleks edhe është në një farë forme e tregon një qëllim negativ dhe degradim të punës se Kuvendit në raport me mandatin Kushtetues e legjislativ”, tha ajo.

    Shefja e GP të VV-së, duke iu përgjigjur komenteve të opozitës, tha se VV-ja nuk e ka qëllim që të kundërshtoj këtë Komision edhe pse ka dyshime që serioze se mund të nxjerrët diçka paralel me organet e hetuesisë. Ajo tha se deputet e VV-së nuk janë duke marr pjesë në mbledhjen e këtij Komisioni pasi mbledhjet e saja po behën pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera.

    “Sido qoftë ne nuk kemi thënë se do të dështojmë punën e Komisionit, Komisioni vazhdon punën e vetë përkundër që kemi hezitime serioze apo dyshime serioze se mund të nxjerr diçka krahas ose paralel me organet e hetuesisë. Por që fatkeqësisht menaxhimi i takimeve të këtij Komisioni po behtë në çakordim apo pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera. Përshëmbull javën e kaluar ne ishim në Komision për Ekonomi, diskutimi ende vazhdonte ishte vetë ministrja aty, deputetet e opozitës ngritën nga Komisioni, ne kishim kuorumin të vazhdojmë dhe vazhduam dy prej anëtareve të këtij komisioni ishin prezent në Komisioni për Ekonomi dhe natyrisht ata duhet që të jenë pjesë e Komisionit funksional dhe jo pjesë e komisionit Hetimor përderisa puna e Komisionit vazhdon”, tha ajo.

    Kusari-Lila tha se administrata dhe udhëheqësit e Komisionit Hetimor, që janë nga opozita, duhet që të kenë kujdes në momentin kur vendosin kohën për mbledhje, pasi ajo tha se në këtë mënyre pozita po vendoset në lajthitje dhe se primare për deputet e VV-së është agjenda legjislative, përgatitjen e ligjeve dhe miratimi i tyre, raporton EO.

    “E njëjta ka ndodhur sot, në të njëjtën kohë mbahet një Komision tjetër apo një grup punues i cili ka mbikëqyrje të një projektligji, takime të caktuara që prej javës së kaluar, prapë ka takim të Komisionit Hetimor në të njëjtën kohë. Prandaj duhet që të kemi shumë kujdes edhe administrata, por edhe udhëheqësit e komisionit hetimorë të dy nga opozita kur caktojnë takime të këtilla”.

    “Në mënyrë që mos të vihen në lajthitje pastaj edhe deputetet e opozitës se ne primare e kemi agjendën legjislative, përgatitjen e ligjeve, miratimin e tyre, gjë të cilën opozita nuk është duke bërë. Në një farë forme njëanshëm është duke funksionuar puna e Kuvendit veç me opozitën për çështjet të projektligjeve dhe Komisioneve funksionale, përderisa opozita dëshiron që të merret me hetime, letë vazhdojnë deri ku e qojnë nuk e di, por që për ne primarja është puna në Komisionet e përhershme dhe Komisionet funksionale”, tha ajo.

  • Elshani: Një numër i vogël i automjeteve nuk janë riregjistruar në targa RKS, nuk kemi shqiptuar ende gjoba

    Elshani: Një numër i vogël i automjeteve nuk janë riregjistruar në targa RKS, nuk kemi shqiptuar ende gjoba

    Zëvendës komandanti për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se pas skadimit të afatit për riregjistrim në targa RKS, nuk kanë pasur rast që dikujt t’i jetë shkruar dënim apo vërejtje, për shkak se numri i veturave. që ende nuk janë riregjistruar është shumë i vogël.

    “Kemi një numër shumë të vogël të veturave që mbeten të paregjistruara në Kosovë dhe në rrugë shihet se nuk ka më targa KM dhe kjo nuk është më problematike për ne. Sot një polic mund të paralajmërojë dikë nëse e sheh në rrugë, sepse ndoshta po shkoni në spital, keni një urgjencë dhe policia do t’ju ndihmojë, jo t’ju mohojë të shkoni diku. Policia mund të shkruajë një biletë ose të konfiskojë veturën, por deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast të paralajmërimit në rrugë e aq më pak të gjobëvënieve.

    “Nuk kemi pasur asnjë rast të vetëm”.

  • Rusia fort e interesuar për gjykimin në Hagë, ankohet në OKB se krerët e UÇK-së “po i mbajnë mirë”

    Rusia fort e interesuar për gjykimin në Hagë, ankohet në OKB se krerët e UÇK-së “po i mbajnë mirë”

    Më 12 dhjetor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt një konferencë ku u fol për aktivitetet e mekanizmave të mbetur lidhur me gjykatat penale. Aty më e zëshmja ishte Maria Zabolotskaya, përfaqësuese e Rusisë. Një pjesë të mirë të fjalimit, ajo ia ka dedikuar Kosovës dhe Gjykatës Speciale. Madje, me detaje të cilat nuk dihen publikisht. Nacionale sjell detaje.

    Shteti i Rusisë po del të jetë mirë i informuar për të gjitha zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Hagës. Madje, përveç proceseve e detajeve që janë të shpalosura publikisht, duket se ata kanë dijeni edhe për “masat ekstreme” që iu vendosen ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim.

    Gjatë një konference ku u diskutua për aktivitetet e mekanizmave të mbetur nga gjykatat penale, përfaqësuesja ruse, Maria Zabolotskaya, ka krahasur kushtet me të cilat mbahen në paraburgim serbët e dyshuar për krime lufte, dhe të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

    Zabolotskaya aty përmend se Thaçi e të tjerët kanë mundësi shëtitje, mundësi leximi, dhomën e lutjeve, kontot bankare me të cilat mund të bëjnë blerje dhe detaje të tjera. Kjo pavarësisht se të gjitha këto janë të rregulluara me procedura e udhëzime specifike, dhe janë parime bazë të të drejtave të njeriut.

    “Regjimi i paraburgimit që Dhomat për tetë shqiptarë të Kosovës, përfshirë të ashtuquajturin ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është sa më i butë. Ai përfshin të drejtën për të përdorur palestrën, bibliotekën dhe dhomën e lutjeve, për të ecur në zonën e caktuar dhe për të paguar mallrat dhe shërbimet me para nga një llogari e veçantë. Sanksionet për shkeljen e rregullave të regjimit janë gjithashtu shumë të buta: paralajmërim, gjobë monetare, heqje e përkohshme e disa privilegjeve”, tha ajo në këtë konferencë.

    Këto informacione që rusja i tha në këtë konferencë, disa prej tyre janë publike. Kjo në disa udhëzime, rregullore të Gjykatës Speciale për paraburgimin. Duket se Rusia është fort e interesuar për kushtet e paraburgimit, duke i njohur me detaje disa prej rregullave. Ajo deklaroi se në rast se ka shkelje, atëherë personat dërgohen dy javë në izolim, por pa i ndaluar telefonatat.

    “Masa ekstreme” është vendosja dy-javore në izolim, por pa ndalim të telefonatave”, tha ajo.

    Në Udhëzuesin për Disiplinë që është gjithashtu publik, jepen detaje për kushtet për të cilat foli përfaqësuesja e Rusisë. Pra, gjithçka për të cilën është ankuar Rusia, është e rregulluar me ligjet e Speciales.

    “Izolimi si masë disiplinore e jashtëzakonshme zgjat sa më pak që të jetë e mundshme dhe gjithsesi jo më shumë se shtatë (7) ditë të njëpasnjëshme. Kur jepet një masë disiplinore përmbledhëse e disa shkeljeve disiplinore, izolimi zgjat sa më pak që të jetë e mundshme dhe sido që të jetë, jo më shumë se katërmbëdhjetë (14) ditë të njëpasnjëshme”, thuhet në dokument.

    Ajo gjithashtu foli edhe për numrin e madh të vizitave, dhe e vlerësoi si “skandal” faktin që Thaçi i kishte takuar prindërit. Vizita e parë që Thaçi e kishte pasur me prindërit qysh prej arrestimit.

    “Gjithashtu, vetëm në vitin 2022, personave të arrestuar iu lejuan 880 vizita (nga familjarë dhe të tjerë). Madje, në fund të majit dhe në fillim të shtatorit 2023, Hashim Thaçi u lejua të vizitojë Kosovën për të parë prindërit e tij të sëmurë. Kjo përkundër disa skandaleve të profilit të lartë që përfshinin frikësimin e dëshmitarëve në rastin e tij. Me fjalë të tjera, ne shohim një dallim të dukshëm në kushtet e paraburgimit ndërmjet të dënuarve serbë dhe shqiptarë të Kosovës”, tha ajo.

    Megjithatë, numri i vizitave gjithashtu është fakt publik në raportin e punës për vitin 2022.

    Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të ruses, si dhe dokumentet ku nuk flitet askund për “masat ekstreme”.

    FJALIMI

    UDHËZUESI PËR DISIPLINË
    RREGULLORE E PARABURGIMIT
    UDHËZUESI I ZYRËS ADMINISTRATIVE
    RAPORTI I PUNËS 2022

  • Zero buxhet për Ferizajn, komuna rrezikon të mbetet pa projekte

    Zero buxhet për Ferizajn, komuna rrezikon të mbetet pa projekte

    Mos përfshirja e komunës së Ferizajit në buxhetin e projekteve kapitale për vitin e ardhshëm ka shkaktuar reagime të shumta. Një nga projektet që do të mbetet pa u realizuar në mungesë të mjeteve buxhetore është shkolla e fshatit Manastirc”.

    Por kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, thotë se ndërtimi i shkollës në fshatin Manastirc është vetëm një nga dhjetëra projekte të kësaj komune që vazhdimisht po injorohen nga qeveria e Kosovës.

    Komuna e Ferizajt konsiderohet ndër taksapaguesit më të mëdhenj, e cila mbush arkën e shtetit me 20 për qind të të hyrave të përgjithshme. Përkundër kësaj, qeveria e la jashtë buxhetit për investimet e reja kapitale.

    Një ndër projektet që nuk mori përkrahjen e qeverisë është edhe ndërtimi i shkollës së re “Dëshmorët e Lirisë”, në fshatin Manastirc të Ferizajit. Ky lajm nuk ju pëlqeu aspak banorëve të këtij fshati, të cilët paralajmëruan masa.

    “Shkolla nuk i plotëson as kushtet elementare, nëse nuk ndërtohet na kena me hy në grevë kena me i ndalë fëmijët prej shkollës”, tha një banore e fshatit Manastirc të Ferizajt.

    “Shkolla si plotëson as kushtet elementare, kundërmon, terr, punon me dy ndrrime…”, tha një tjetër banore për RTV21.

    Mungesa e energjisë elektrike është vetëm një nga problemet e shumta që ballafaqohet shkolla në fshatin Manastirc në Ferizaj. Drejtori i kësaj shkolle flet për nevojën e një objekti të ri shkollor.

    Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se nuk është hera e parë që komuna të cilën ai e udhëheqë ballafaqohet me këto probleme. Aliu thotë se shkolla në fshatin Manastirc është vetëm një ndër projektet e shumta të kësaj komune të cilat po zvarriten që nga viti 2021.

    Sipas Institutit GAP, 21.9 milionë euro të ndara nga qeveria për investime të reja kapitale për vitin 2024, të destinuara për komunat, janë ndarë në mënyrë të pabarabartë. Më shumë se gjysma e këtij buxheti prej 13 milionë euro janë ndarë për katër komunat e udhëhequra nga LVV-ja, Gjilani, Kamenica, Podujeva dhe Shtimja.

  • Opozita serbe kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd

    Opozita serbe kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd

    Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive Serbe (SNS) ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd.

    “Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal”, tha koalicioni.
    Nga ky koalicion po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”.

    Më herët, SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

    Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiq, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.

    Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ishte 57.65 për qind.

    Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor deri më tani janë numëruar votat për zgjedhjet parlamentare në pothuajse 35 qendra të votimit.

    Sipas rezultateve paraprake, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 50.42 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkaq lista “Serbia kundër dhunës” ka fituar 19.25 për qind. E treta është lista “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 7.19 për qind të votave.

    Në vendin e katërt është lista “Shpresë për Serbinë” me 4.45 për qind të votave, pasuar nga “Ne – Zëri i popullit” me 4.06 për qind.

    Ndërkaq, “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 0.79 për qind të votave. Kjo listë pritet të fitojë një ulëse në Parlamentin serb.

    Në këto zgjedhje, banorët serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar. Kjo pasi votimet nuk janë lejuar të mbahen në territorin e Kosovës, krahasuar me vitet më parë.

    Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

    Zgjedhjet e 17 dhjetorit ishin të pestat të organizuara në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

  • Aleksandër Vuçiq shpall fitoren në zgjedhjet e së dielës në Serbi

    Aleksandër Vuçiq shpall fitoren në zgjedhjet e së dielës në Serbi

    Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

    Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.

    Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, me 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse.

    Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.

    Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve me të drejtë vote për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.

    Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.

    Presidenti Vuçiq ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

    Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd.

    Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe, e ka shpallur, po ashtu, fitoren e partisë.

    Bërnabiq i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.

    Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë.

    Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.

    Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.

    Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë – gjithsej 8.273.

    Fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.

    Mbarëvajtja e procesit zgjedhor

    Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë.

    Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime.

    Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë bartur me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd.

    Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira – i themeluar në Beograd më 1997 – ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka vizituar disa qendra zgjedhore në Beograd.

    “Ambasada amerikane i ka 14 ekipe të shpërndara nëpër Serbi dhe Beograd”, ka thënë ai, teksa ka komentuar praninë e vëzhguesve të huaj në këto zgjedhje.

    Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake.

    Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

    Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

    Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

    Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

    Serbët e Kosovës udhëtuan drejt Serbisë për të votuar

    Banorët serbë të Kosovës janë parë qysh në mëngjesin e së dielës duke u nisur për në Serbi, për të votuar për zgjedhjet atje.

    Banorët serbë janë organizuar për të udhëtuar me autobusë.
    Banorët serbë janë organizuar për të udhëtuar me autobusë.
    Në orë e paradites, në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Merdare, Jarinje dhe Bërnjak – janë krijuar kolona të gjata.

    Serbët e kanë bërë këtë rrugë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk është zhvilluar në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

    Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Komisioni Zgjedhor në Serbi, ka thënë se deri në orën 18:00 kanë votuar rreth 22.000 votues serbë nga Kosova, nga rreth 122.000 sa kanë pasur të drejtë.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

    Thirrje shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

    Shqiptarët e Luginës kanë garuar këtë herë me dy lista.

    Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar.

  • Vazhdon shitja e barnave pa banderolë nëpër farmaci

    Vazhdon shitja e barnave pa banderolë nëpër farmaci

    Përgatiti: Sara Shehu

    Medikamenti Cardioace, që shërben për funksionim normal të zemrës dhe kontribuon në normalizimin e qarkullimit të gjakut, po shitet pa banderola në disa barnatore në Prishtinë.

    Në një rast të tillë ka hasur edhe një qytetare nga Prishtina.

    “Këto medikamente po shiten pa banderolë, m’ka ra në raste urgjente me i ble, s’po i këqyr kurrkush në ato momente a kanë a s’kanë banderolë, institucionet duhet me i mbikëqyr ma shumë barnatoret”, thotë një qytetare.

    Farmacistja e njërës nga barnatoret në afërsi të Qendrës Klinike Universitare, prapa kamerës u arsyetua se banderola mungon për shkak se ilaçi vjen i paketuar me shumicë.

    Inspektorati Farmaceutik nëpërmjet një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka realizuar afro 900 inspektime. Megjithatë, numri i gjobave të shqiptuara nga ana e tyre është i ulët.

    “Lidhur me parregullsi të takuara janë shqiptuar 231 gjoba, prej të cilave 86 gjoba për produkte medicinale ilegale (pa banderolë). Ndërsa, në adresën e Inspektoratit farmaceutik kanë arritur 66 ankesa të palëve, të bëra përmes Linjës së Ankesave, Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes protokollit dhe përmes E-mailit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Farmaceutik.

    Përderisa në tregun farmaceutik shiten medikamente pa banderola, nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Jehona Hakaj, lavdëron punën e Inspektoratit Farmaceutik duke thënë se këto raste janë në rënie falë angazhimit të tyre.

    “Është zvogëluar numri i barnave pa banderola, nuk mundemi me siguru që tërësisht është mënjanu… Rritja e numrit të inspektorëve farmaceutikë oshtë ka sjell një punë të mrekullueshme, janë shtu edhe 8 inspektorë. Çdo bar duhet në AKPPM me kanë e regjistrume … çdo ilaç, bar duhet të ketë banderolë”, tha Jehona Hakaj, nënkryetare e OFK-së.

    Nga Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore, institucion ky që obligon secilën barnatore të ketë produktet me banderolë, kanë treguar për ATV se tashmë janë furnizuar me banderola dhe se nuk kanë mungesa.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kritika për kapitalin themeltar të fondit sovran

    Kritika për kapitalin themeltar të fondit sovran

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ndërmarrjet publike kryesore të shtetit, do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran me themelimin e tij.

    Projket-ligji për Fondin Sovran, të premten, me votat e deputetëve të pozitës, kaloi në lexim të dytë në Kuvend.

    Referuar projekt-ligjit, kapitali themeltar i fondit do jetë njëzet milion euro.

    Mes tjerash, si burim financimi do shërbejnë edhe grantet dhe donacionet, por edhe huat e garantuara nga Republika e Kosovës.

    Teksa shprehet kritik në raport me konceptin e Fondit Sovran, eksperti i ekonomisë, Fidan Qerimi ka kritika sa i përket kapitalit themeltar të fondit.

    Duke e ndikuar Fondin pastaj indirekt në ndërmarrjet publike dhe ky ndikim indirekt është njëfarë fshehje e ndikimit indirekt në ndërmarrjet publike…20 milion euro janë mjete të papërfillshme duke e përfshirë telekomin për bërjen e rrjetit nga 4G në 5G nëse marrim “Trepçën” se sa investime duhen”, tha Qerimi.

    Me miratimin e projekt-ligjit në Kuvend, duke përfshirë edhe 47 amandamentet e propozuara, Kosova tashmë ka Fond Sovran në letër.

    Por, ekonomisti Qerimi, është skeptik lidhur me implementimin i ligjit në praktikë.

    “Nuk e shoh serioze qasjen e Qeverisë në Fondin për Sigurime Shëndetësore, njëjtë besoj që do ndodhë edhe me këtë fond përveçse në fushatën zgjedhore të përdoret si një sukses, por nuk e shoh se ky fond do ketë efekte në ekonomi për një kohë të gjatë. Shtetet që janë marrë për bazë këto fonde si të suksesshme kanë një qëndrueshmëri dhe kulturë qeverisëse krejt tjetër”, tha Qerimi.

    Në mënyrë që asetet të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran, ato duhet të jenë të komercializueshme dhe të premtojnë fitim brenda një periudhe të arsyeshme, ndërsa në rast se aseti është ndërmarrje duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë.

    Themelimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, ka qenë premtim i kamotshëm i partisë në pushtet.

    Ndërkohë, partitë opozitare, janë deklaruar se Ligji për Fondin Sovran do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Me themelimin e Fondit Sovran do shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: