ATV

Tag: Ballina

  • Zjarri në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është shuar, gazetari i ATV-së tregon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Zjarri në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është shuar, gazetari i ATV-së tregon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Zjarri i madh që ka përfshirë Fabrikën e Plastikës në Drenas, ende nuk është shuar, raporton gazetari i ATV-së, Armand Hoti direkt nga vendi i ngjarjes.

    “Është bërë mbi 8 orë që pavarësisht kushteve të këqija atmosferike, pra ditës më shi dhe intervenimit të pandalshëm të zjarrfikësve, zjarri këtu në Parkun e Biznesit në Korroticë të Epërme të Drenasit, ende nuk është fikur”.

    Ai tregon se edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës ka vënë në shërbim të asistimit të fikjes së zjarrit autoblindat, të cilat i përdor për shpërndarjen e protestuesve.

    “Aktualisht në vendin e ngjarjes janë njësitet e zjarrfikësve që vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës, gjë që nuk ndodhi gjatë ditës, por kanë ardhur më vonë edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës, të cilët po përdorin pajisjet që i kanë të montuara në automjetet, të cilat i përdorin për largim të protestuesve dhe kështu po asistojnë në fikjen e zjarrit”, raporton gazetari Armand Hoti.

    Më shumë detaje nga vendi i ngjarjes i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve të ATV-së në videon më poshtë:

  • Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku. Ai ka thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur në sport për vajzat dhe gratë kosovare

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku pasi kjo e fundit javën e kaluar siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit më 2024, pasi mposhti në gjysmëfinalen e turneut kualifikues italianen, Alessia Mesiano.

    Hovenier ka shkruar në rrjetin X për përkushtimin dhe punën e sportistes Sadiku, duke thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur dhe dëshmi e arritjeve të grave në sport.

    “Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës! Përgëzime Donjetës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Puna e jote e palodhshme dhe përkushtimi shërbejnë si frymëzim për vajzat dhe gratë kosovare sportiste”, ka shkruar Hovenier.

  • ​KQZ-ja miraton mbi 233 mijë euro buxhet për organizimin e votimit më 21 prill në komunat veriore

    ​KQZ-ja miraton mbi 233 mijë euro buxhet për organizimin e votimit më 21 prill në komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar buxhetin për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

    Buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën 233 mijë e 204 euro.

    Poashtu KQZ-ja ka marr vendim edhe për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore.

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqi, ka njoftuar se kanë trajtuar një sërë dokumentesh. Ai kërkoi poashtu që të miratohen afatet e reja.

    “Këshilli për Operacione Zgjedhore ka trajtuar sot një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me përgatitjen e procesit të ri të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave nga funksionet e tyre në katër komunat dhe një prej tyre ka qenë edhe vendimi për caktimin e afateve dhe aktiviteteve për këtë proces të votimit dhe bashkangjitur gjeni dokumentet me afate ju e dini që është praktikë tashmë që kur ka qoftë zgjedhje të jashtëzakonshme por edhe të rregullta por sidomos kur ka organizime në këtë rast votim që shkon në procedura të zgjedhjeve të jashtëzakonshme atë herë KQZ sipas ligjit e ka të përcaktuar që t’i hartoj afatet e reja me kohën që e ka në dispozicion”, ka theksuar Krasniqi.

    Derisa Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të votoj pro pa i parë dokumentet.

    Këto afate do të duhej me rrjedh nga sot e tutje po fakti që këto 5 pika janë trajtu në Këshill të Operacioneve Zgjedhore dhe prej këshillit futemi drejt në mbledhje ka qenë e pamundshme me i pa këto dokumente duke fillu prej planit operacional që e kanë hartuar deri tek çështje të tjera të cilat janë pika të rendit të ditës. E kam të pamundshme për dokumentet që si kam pa të votoj pro”, ka thënë ai.

    Ndryshe, sipas vendimit të KQZ-së afatet kryesore për organizimin e këtij procesi i referohen afatit prej 44 ditësh.

  • Gjykata Kushtetuese: Mbi 40 milionë euro do t’iu kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri

    Gjykata Kushtetuese: Mbi 40 milionë euro do t’iu kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri

    Më shumë se 40 milionë euro do t’iu kthehen konsumatorëve, të cilët kishin paguar rrymën për serbët në veri bazuar në një vendim të marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

    Tashmë vendimi ka marrë formën përfundimtare, pasi një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka gjetur asnjë shkelje në vendimin e Themelores, Apelit dhe Supremes.

    “Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

    “Në vijim, për sa i përket ndërlidhjes së pretendimeve të Zyrës për Rregullatorin për Energji me të gjeturat e Gjykatës në Aktgjykimin KO93/21 , me parashtrues Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë, Aktgjykimi sqaron që ky rast dallon në mënyrë përmbajtjesore nga rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, sepse në rastin KO93/21, Gjykata kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e Rekomandimeve [Nr.08-R-01] të 6 majit 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas të cilave (i) ishte autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) ishte detyruar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”. thuhet në njoftim.

    “Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin KO93/21, Gjykata, kishte konstatuar që akti i kontestuar i Kuvendit nuk është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kushtetutës, ndër tjerash, sepse dallimi në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në bazë të vendbanimit, (i) ndjektë qëllimin legjitim të zbatimit të marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike; dhe (ii) ishte i natyrës së përkohshme. Marrë parasysh dispozitat ligjore, qëllimin legjitim dhe përkohshmërinë e aktit të kontestuar të Kuvendit, përfshirë detyrimin e Qeverisë që të adresojë çështjet që ndërlidhen me sistemin përkatës të faturimit, Gjykata kishte vlerësuar që i njëjti ishte proporcional me qëllimin e ndjekur”, bëhet e ditur më tutje.

    Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor të vitit 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, e kishte detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017 kanë paguar për rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

    Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

    “Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm Vendimin e lartcekur të Zyrës për Rregullatorin për Energji dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës për periudhën 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, në vlerën prej dyzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë euro (40.855.480.00 EUR). Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe Ligjit nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thekson vendimi.

    Që nga vendimi i parë i Themelores në vitin 2021, ende nuk ka nisur kompensimi i qytetarëve.

  • Flet pronari i fabrikës që u kaplua nga zjarri në Drenas: Dëmet janë mbi 10 milionë euro

    Flet pronari i fabrikës që u kaplua nga zjarri në Drenas: Dëmet janë mbi 10 milionë euro

    Një zjarr ka shpërthyer sot rreth orës 11:00 në Fabrikën e Plastikës te “Parku i Biznesit” në Drenas.

    ATV ka dalë në vendin e ngjarjes, nga ku raporton se zjarrfikës të shumtë janë dukë bërë përpjekjet për të lokalizuar zjarrin.

    Drejtori i fabrikës, Arian Shabani në një prononcim të shkurtër për ATV-në, tha se dëmet janë më të mëdha se 10 milionë euro.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka bërë thirrje për ndihmë në shurjen e zjarrit edhe nga komunat e tjera.

    Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, njëherësh kemi aktivizuar Shtabin emergjent komunal. Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera”, ka deklaruar Lladrovci.

  • Serbia hap degë mobile bankare në afërsi të pikave kufitare me Kosovën

    Serbia hap degë mobile bankare në afërsi të pikave kufitare me Kosovën

    Banka Postare e Kursimeve e Serbisë ka ngritur disa degë mobile të improvizuara në afërsi të katër pikave kufitare me Kosovën: Jarinje, Bërnjakë, Konçul dhe Merdar.

    Sipas autoriteteve në Serbi, një gjë e tillë është bërë për t’ua lehtësuar serbëve të Kosovës tërheqjen e të ardhurave nga buxheti i Serbisë, të cilat ata i marrin në dinarë, njofton REL, redaksia në gjuhën serbe.

    Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutë të vetme për transaksionet e pagesave në Kosovë, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, në bazë të të cilës rregullore Dogana e Kosovës ka ndaluar importin e dinarëve nga Serbia në dy raste.

    Sipas Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë “kjo zgjidhje teknike është e karakterit të përkohshëm, derisa të vendoset funksionimi normal i transaksionit të pagesës në zonat me shumicë serbe në Kosovë”.

    Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur një fazë tranzicioni prej tre muajsh, në mënyrë që qytetarët të mos pësojnë nga zbatimi i rregullores së re, duke iu dhënë njëherësh kohë të mjaftueshme për t’i hapur llogaritë bankare dhe për të pranuar mjetet në valutën euro.

    Për këtë çështje në fund të muajit të kaluar u diskutua edhe në Bruksel, por nuk pati ndonjë rezultat. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak tha se nevojiten takime tjera shtesë lidhur me këtë temë.

  • Kurti në përvjetorin e demonstratave të ’81-shit: Jugosllavia i shtypi shqiptarët

    Kurti në përvjetorin e demonstratave të ’81-shit: Jugosllavia i shtypi shqiptarët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar përvjetorin e nisjes së demonstratave të 1981-shit, duke thënë se aty ishte ngjizur një lëvizje e tërë për artikulimin e pakënaqësive ndaj Jugosllavisë.

    Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se shqiptarët nën Jugosllavi ishin të nënpërfaqësues, të diskriminuar, të shtypur dhe të prapambetur ekonomikisht.

    “Nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik, që duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë, brenda një muaji, nxori në rrugë për të demonstruar qindra mijëra njerëz të një popullsie të Kosovës asokohe diç më shumë se një milion e gjysmë. Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni”, ka shkruar kryeministri.

    Postimi i plotë i tij:

    43 vite nga fillimi i demonstratave të vitit 1981

    Këto ditë bëhen 43 vite prej demonstratave të vitit 1981, të cilat filluan më 11 mars të atij viti. Pas një revolte spontane për kushte më të mira në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 4 mars, një javë më pas, u organizua demonstrata e parë masive e një serie të tillash, që në histori kanë hyrë si
    “Demonstratat e ’81-shit”. Sikur revolta e 4 marsit ashtu edhe demonstrata e 11 marsit, u shtypën me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë.

    Nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik, që duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë, brenda një muaji, nxori në rrugë për të demonstruar qindra mijëra njerëz të një popullsie të Kosovës asokohe diç më shumë se një milion e gjysmë. Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni.

    |Pas demonstratës së 11 marsit, u demonstrua edhe më 26 mars, më 1 dhe 2 prill 1981, si dhe në tubime e aktivitete të tjera. Të gjitha këto u shtypën egërsisht nga policia dhe aparati shtetëror i dhunës, pasuar nga përndjekje, gjyqe politike, burgosje, tortura dhe vrasje. Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës u përfshi nëpër procedura ndalimi policor apo gjyqësor dhe marrje në pyetje përgjatë viteve në vijim, teksa mbi tre mijë të burgosur i kaluan mbi 25 mijë vite në burgje. Kështu më 1986, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Europë. Menjëherë pas demonstratave të nisura si studentore më 1981 e të shndërruara në popullore, Universitetit të Prishtinës iu ndërrua emri dhe u quajt Universiteti i Kosovës në Prishtinë, deri më 1983 kur iu rikthye emri “Universiteti i Prishtinës”.

    Demonstratat e vitit 1981, e nxorrën parullën popullore “Kosova Republikë”, që për vite do të vazhdonte të shkruhej edhe si shkurtesë “KR”, nëpër mure e rrugë. Ajo prodhoi një gjeneratë të re të aktivistëve politikë që vetvetiu do ta merrte emrin “Brezi ‘81”. I asaj kohe, është edhe ky punim i Hydajet Hysenit, njërit prej organizatorëve të demonstratave të ’81-shit, i titulluar “Bisha unitariste”, e i cili reflektonte dorën e zgjatur të Moskës mbi zhvillimet në Jugosllavi (vëreni kthetrat mbi Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Vojvodinë). Shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999.

    Në kujtim të të gjithë të vrarëve nga policia gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, si dhe në shenjë mirënjohje për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës!

  • ‘Oppenheimer’ triumfon në ceremoninë e çmimeve OSCAR

    ‘Oppenheimer’ triumfon në ceremoninë e çmimeve OSCAR

    Oppenheimer, filmi biografik që paraqet përpjekjet për ndërtimin e bombës së parë atomike, mori 7 çmime OSCAR, përfshirë edhe çmimin si filmi më i mirë i vitit.

    Protagonisti i filmit, irlandezi Cillian Murphy, u vlerësua me OSCAR si aktori më i mirë për rolin e fizikantit J. Robert Oppenheimer, që ndërtoi bombën e parë bërthamore në vitin 1940 për SHBA-në dhe që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    “Ne bëmë një film për njeriun që krijoi bombën e parë atomike dhe për mirë apo për keq ne po jetojmë në botën e Oppenheimer”, tha aktori, përcjell KultPlus.

    Regjisori i filmit, Christopher Nolan u vlerësua gjithashtu me OSCAR për regjinë.

    Filmi Oppenheimer ka arkëtuar deri tani 953.8 milionë dollarë.

    Ndërkohë, OSCAR fitoi edhe Emma Stone, si aktorja më e mirë për rolin e një gruaje të ringjallur nga të vdekurit në filmin “Poor Things”.

    Ky është OSCAR-i i dytë për Emma Stone, që e fitoi edhe në vitin 2016 si aktorja më e mirë për filmin muzikal “La La Land”.

  • KQZ sot shqyrton vendimet për proces zgjedhor në veri

    KQZ sot shqyrton vendimet për proces zgjedhor në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhje. Pjesë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për shkurtimin e afateve të rregullta zgjedhore.

    Përkatësisht ky shqyrtim ndërlidhet me votimim për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet me datën 21 prill 2024.

    Tutje KQZ ka bërë të ditur se do të shqyrtojë edhe miratimin e platit të aktiviteteve për procesin e votimit, planin e informimit publik, kalendarin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe raportin e plotësuar të verifikimit të nënshkrimeve të peticionit.

  • ​Escobar viziton Kosovën këtë javë: Në fokus dialogu dhe dinari

    ​Escobar viziton Kosovën këtë javë: Në fokus dialogu dhe dinari

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën.

    Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit. Ai pritet të jetë në Prishtinë nga e mërkura.

    “Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit.

    Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.

    Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.

    “Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, kishte thënë Escobar më 23 shkurt.

    SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.

    Departamenti i Shtetit tha se i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile dhe komunitetin serb në Kosovë, përveç zyrtarëve qeveritarë.

    “Ai do të mbajë takime edhe në lidhje me ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para të gatshme dhe për të bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës pa pengesa”, thuhet në njoftim.

    Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, filloi të zbatohet nga 1 shkurti.

    Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Rregullorja është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

    Më 4 mars, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i bënë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

    “Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja… Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.

    Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

    Ndërkohë, në Belgjikë, Escobar do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak dhe me zyrtarë evropianë dhe të NATO-s për të biseduar “për përpjekjet për t’i çuar përpara reformat të cilat do të sjellë prosperitet, stabilitet dhe paqe afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.