ATV

Tag: Ballina

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot kryesisht me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-7gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-25gradë Celsius.

    Sipas institutit, do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

  • Pritet të nivelizon çmimet e barnave

    Pritet të nivelizon çmimet e barnave

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Nuk janë hiq të rralla rastet kur për produktin e njëjtë, qytetarët paguajnë dyfishin e çmimit nga një barnatore në tjetrën.

    Farmacitë kanë mundësinë që t’i shesin barnat me çmimin që e caktojnë vetë ata por, jo edhe për shumë kohë.

    “Vitin e kaluar në parlamentin e Republikës së Kosovës ka kaluar Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave. Ky Ligj është në fazën e implementimit. Deri më datën 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh ligji por në këtë drejtim, kemi formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Kritik ndaj afatit kohor të përcaktuar nga vetë ministri, shprehet njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitija.

    Duke thënë se tavani i këtyre çmimeve është dashur të caktohej kohë më parë, ai nuk mendon se ka përgatitje sa duhet meqë edhe mbledhjet e komisionit përgjegjës ishin të pakta.

    “Kam dyshimet e mia, kjo nuk është një çështje e freskët, është miratuar kohë më parë por nuk ka filluar të zbatohet, edhe nuk ka pasur diskutime mjaftueshëm…”, tha Bujar Vitija.

    Por nëse gjithçka shkon sipas planit të ministrit, Vitija përmend benefitet që do të kenë qytetarët nga kjo.

    Sipas ligjit për çmimin e produkteve medicinale, kostoja e tyre do të vendoset në banderolë të secilit produkt, dhe do të jetë e njëjtë në të gjitha barnatoret.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • BQK-ja po punon që Kosova të anëtarësohet në SEPA

    BQK-ja po punon që Kosova të anëtarësohet në SEPA

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Banka Qendrore e Kosovës është duke punuar, por nuk e di se kur do të jetë pjesë e Zonës së Pagesave Vetëm me Euro, e njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.

    BQK-ja thotë se janë në proces të përmbushjes së kritereve ligjore dhe teknike, por më pas varet nga Këshilli Evropian i Pagesave për vendimin final.

    “Ky është proces shumë teknik ku vlerësohet përmbushja e secilit kriter ligjor e teknik me fokus të lartë për kapacitetin e vendit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit. Pra, kërkohen ndryshime në kornizën ligjore dhe rregullative në disa fusha, sikurse u përmendën më sipër, si dhe zhvillime të mëdha infrastrukturore (teknike) janë të nevojshme, të cilat Republika e Kosovës është duke i adresuar dhe përgatitur”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    SEPA, që mund të aplikohet edhe në shtetet joanëtare të BE-së, lehtëson pagesat dhe transaksionet ndërkufitare, duke i plotësuar standardet e njëjta.

    BQK-ja thotë se Kosova përfiton nga kjo, sidomos në uljen e kostos së remitencave dhe shkëmbimit tregtar me vendet evropiane.

    Ky po konsiderohet hap shumë i rëndësishëm edhe nga ekonomistët.

    Pas problemeve që u shfaqën për çështjen e dinarit, si zgjidhje Zonën e Pagesave Vetëm me Euro e dha edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në fillim të shkurtit.

    Andaj Gerxhaliu ani pse e sheh problematike, shpreson që kriteret për aplikim në BE të plotësohen deri më 13 maj kur pritet të mbahet takimi mes kryenegociatorëve, pikërisht për dinarin.

    Jetësimi i SEPA-s, sipas ambasadores së BE-së në Mal të Zi, Oana Cristina Popa, brenda një viti do t’ia kursente tërë rajonit 500 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Për ngecjet në diskutimet për të zhdukurit”, BE-ja bën përgjegjëse Kosovën

    “Për ngecjet në diskutimet për të zhdukurit”, BE-ja bën përgjegjëse Kosovën

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Zbatimi i deklaratës së përbashkët nuk ka filluar ende”, është konstatimi zyrtar i Bashkimit Evropian për dokumentin e dakorduar në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vucic, më 2 Maj 2023, për çështjen e të zhdukurve me dhunë.

    Edhe pse ishte cilësuar çështje humanitare, me nevojë urgjente për zgjidhje, një vit pas, ende nuk ka pajtim për finalizimin dokumenteve përcjellëse për të nisur jetësimin e deklaratës.

    “Fatkeqësisht jo, nuk ka risi, nuk ka progres për të raportuar në këtë fazë. Ende po presim, si Bashkim Evropian, nëse do të mund të shohim palët të lëvizin përpara. Kjo është për dialogun në përgjithësi dhe këtë çështje në veçanti. Marrëveshjet e dakorduara duhet të përcillen me veprime konkrete, dhe nuk është BE-ja ajo që ka mungesë vullneti për veprime, janë palët”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Në një përgjigje plotësuese, krahas thirrjes që palët të merren vesh sa më shpejtë për Termat e Referencës së Grupit Punues, zëdhënësi i bllokut 27-antarësh për bllokadën përgjegjëse e bëri Kosovën.

    “Negociatat për Termat Referencës filluan në Maj 2023. Aktualisht, ato kanë ngecur si pasojë e përgjigjes së pazakontë ndaj draftit të fundit të propozuar (i katërti që nga fillimi i negociatave), të cili lehtësuesi i BE-së e ndau me palët në Dhjetor 2023… Deklarata, është një dokument i rëndësishëm i cili saktëson zotimin e palëve për të mos e politizuar çështjen e personave të zhdukur, për të avancuar bashkëpunimin përfshirë ndarjen e informacioneve, identifikimin e përbashkët të zonave të varrezave dhe përcjelljen efektive të gërmimeve”, ka thënë Stano.

    Në Qeverinë e Kosovës nuk dhanë përgjigje të re.

    Më 21 Mars, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se pas prezantimit të draftit final të Termave të Referencës, Serbia kishte sjellë një propozim të ri – të cilin ai e pati cilësuar “ndërhyrje me qëllim të zvarritjes së procesit”.

    “Ka një kërkesë për ndryshimin e një prej neneve të dokumentit apo termave të referencës, ku tregon se çka ndodhë në rastet kur ka mosmarrëveshje në Grupin Punues. Kjo bie ndesh me idenë se pse e kemi fut atë nen në plotni, dhe mendoj se Serbia dëshiron të ndryshon substancën e marrëveshjes”, ka thënë Bislimi.

    Nëpërmjet rishikimit dhe përditësimit të Termave të Referencës të Grupit Punues, gjë që parashihet në pikën e fundit të Deklaratës së 2 Majit, Kosova synon të largojë UNMIK-un nga dokumenti.

    Afër 25 vjet nga përfundimi i luftës, rreth 1600 persona mbesin ende të zhdukur.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qëndrimi i Borrellit, “tregues i politikës së pabalancuar dhe çorientuar”

    Qëndrimi i Borrellit, “tregues i politikës së pabalancuar dhe çorientuar”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me kritika u përcoll reagimi i Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë – pjesë e së cilës janë të sanksionuarit nga SHBA-ja, Aleksandar Vulin dhe Nenad Popovic.

    Në vlerësimin e profesorit Dritëro Arifi, i cili problemin e sheh përtej dy anëtarëve të kabinetit qeveritar, qëndrimi i Borrellit është tregues i humbjes së kredibilitetit të politikës së jashtme të unionit evropian.

    “Problemi është tek ideologjia politike dhe filozofike e Serbisë. Pra, një serbi që ka një qëndrim anti-perëndimor, në njëfarë mënyre këtu BE-ja po dështon të prodhojë politika pozitive për Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të jetë edhe një lloj kurthe për vetë BE-në, për shkak se mos-vendosmëria e tyre për të shtyrë procese përpara do ta penalizojë Ballkanin dhe vetë BE-në në një të ardhme të afërt”, tha Arifi.

    Me qeverinë e re në Beograd ai nuk pret që Milan Radoicic dhe përgjegjësit tjerë të vihen para drejtësisë për sulmin terrorist të 24 Shtatorit, teksa vë në dyshim qasjen e BE-së në raport me ndëshkimin eventual të Serbisë.

    “Cili kriminel e dënon vetveten?! Pra, nuk ka sens të presim diçka të tillë. E dyta, BE-ja po bie në kontradiktë tash kur Kosova ka masa… Ndërsa nga ana tjetër Serbia mbetet një vend kandidat për BE dhe i ka hapur negociatat. Prandaj po them, politika e BE-së është e pa balancuar dhe e çorientuar, mos të themi që mund të ketë gabime të njëpasnjëshme, sidomos në politikën e jashtme nëse vazhdohet me këtë ritëm”, tha Arifi.

    Pasi theksoi nevojën që BE-ja dhe SHBA-ja të aplikojnë politikë më rigoroze ndaj Serbisë, politologu Fidan Ukaj tha përbërja e qeverisë së re e shtetit fqinj është mesazh i qartë kundër perëndimit.

    “Kjo përbërje e Qeverisë është jo-shpresëdhënëse se do të ketë normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se Ballkani mund t’i bashkohet BE-së. Për arsye se pjesë e Qeverisë janë persona të sanksionuar nga ana e SHBA-së, e po ashtu, dëshmon se Qeveria e Serbisë nuk është e interesuar që t’i plotësojë kushtet dhe kriteret e BE-së, e po ashtu t’i dorëzojë akterët ose kryerësit e aktit terrorit në veri të Kosovës”, tha Ukaj.

    Ndryshe nga blloku evropian, duke rikujtuar se Vulin dhe Popovic mbesin në listën e të sanksionuarave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera me përfshirjen e tyre në Qeverinë e re të Serbisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Deputeti i Bundestagut: Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje, anëtarësimi i Kosovës në KiE këtë muaj, e vetmja rrugë përpara

    Deputeti i Bundestagut: Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje, anëtarësimi i Kosovës në KiE këtë muaj, e vetmja rrugë përpara

    Këshilli i Europës feston sot 75 vjetorin e themelimit dhe deputeti i Bundestagut, Knut Abraham ka gjetur rastin të kujtojë sot se Asambleja Parlamentare e kësaj organizate të rëndësishme muajin e kaluar konkludoi me shumicë të madhe votash se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për t’u bërë anëtare e saj.

    Tash, Abraham shkruan se Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje dhe se nëse respektohen standardet dhe vlerat, atëherë Kosova do të duhej të anëtarësohej në KiE këtë muaj.

    “Komiteti i Ministrave ka dy zgjedhje: 1) Të veprojë në përputhje me vlerat dhe standardet tona duke e pranuar Kosovën këtë maj. 2) Ose, ta injorojë vlerësimin e detajuar të juristëve të shquar, tri raportuesve, tri komisioneve dhe PACE… duke mos marrë asnjë vendim”, shkroi deputeti gjerman në “X”.

    Kjo e dyta, thotë ai, do të dërgonte sinjal të dëmshëm te deputetët dhe qytetarët.

  • Pashkët ortodokse, Kurti: Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë

    Pashkët ortodokse, Kurti: Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.

    Kurti ka uruar që fryma e Pashkës të dhurojë mirëqenie, shëndet, lumturi e begati.

    “Fryma e Pashkës ju dhuroftë mirëqenie, shëndet, lumturi dhe begati, që t’i gëzoni dhe ndani me familjet, miqtë dhe fqinjët tua”.

    Më tutje i pari i vendit ka thënë se në këtë ditë kujtojmë bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë në Kosovë.

    Postimi i plotë:

    Pashkë të bekuar!

    Besimtarëve ortodoks dhe bashkëqytetarëve tanë, ju uroj Pashkën për shumë mot. Le të na përcjellë kjo festë me urime për fillim të ri, shpresë të ringjallur, e besim të forcuar.

    Fryma e Pashkës ju dhuroftë mirëqenie, shëndet, lumturi dhe begati, që t’i gëzoni dhe ndani me familjet, miqtë dhe fqinjët tuaj.

    Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë. Aty ku të gjithë qytetarët e të gjitha besimeve, pa dallim, mund të jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet.

  • Osmani uron Pashkët ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti në mbarë botën

    Osmani uron Pashkët ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti në mbarë botën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë.

    Osmani ka thënë se kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën.

    “Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën. Pashkët ortodokse janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Shpresa, besimi dhe optimizmi për paqe, harmoni dhe shëndet e përcjellshin këtë festë në secilën familje të besimtarëve ortodoksë. Për shumë mote, gëzuar Pashkët ortodokse”, citohet Osmani në urimin e Zyrës së Presidentes.

    Besimtarët ortodoksë sot kremtojnë ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e pashkëve, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve.

  • Këshilli i Evropës mbush 75 vjet

    Këshilli i Evropës mbush 75 vjet

    Këshilli i Evropës, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë me seli në Strasburg të Francës, u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.

    Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

    Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

    Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

    Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

    Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

    Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Këshilli i Evropës është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

    Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme.

    Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Anglishtja dhe frëngjishtja janë dy gjuhët zyrtare të saj.

    Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare dhe Kongresi gjithashtu përdorin gjuhën gjermane, italiane, ruse dhe turke për disa nga puna e tyre. Kosova ka aplikuar në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, për votimin final të së cilës do të vendoset më 16 ose 17 maj 2024.

  • VV-ja e sheh të pamundur marrëveshjen me Serbinë – PDK e AAK fajësojnë pushtetin

    VV-ja e sheh të pamundur marrëveshjen me Serbinë – PDK e AAK fajësojnë pushtetin

    Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të pamundur arritjen e marrëveshjes për dinarin serb, marrë parasysh fushatën e egër dhe qasjes “dekonstruktive” të Serbisë. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e shohin të paarsyeshëm dialogimin në Bruksel për çështje të brendshme, raporton Ekonomia Online.

    PDK e AAK thonë për Ekonomia Online se dinari serb nuk është dashur të futet në agjendën e dialogut dhe si e tillë e shohin gabim.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, tha se dialogu me Serbinë është i vështirë, marrë parasysh sjelljen e Serbisë e pengesat drejtë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    “Nuk mund të ketë dialog me një Serbi për mënyrën së si sillet. Ne kemi pas një marrëveshje të dakorduar e cila ka përmbajt disa pika, ndër to ka qenë zotimi i dy palëve tjetër në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë, ndërkohë në anën tjetër kemi pa pra se me çfarë gjuhe me çfarë ashpërsie Serbia është munduar ta ndalojë Kosovën në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Rexhaj, teksa përmend edhe tentimin e Serbisë për ta aneksuar veriun me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    “Në anën tjetër ka pas një sulm terrorist me motive që të aneksojë një pjesë të Republikës së Kosovës në këtë rast veriut dhe natyrisht në situata të tilla dialogu nuk mund të vazhdojë. Pra duhet të rimodelohet dhe pastaj keni parë edhe idenë kur ndërmjetësit tentojnë t’i gjejnë faj, pra në këtë rast të hedhin faj nga vetvetja ndonëse mendoj se qasja që nga fillimi ka qenë jo e mirë”, tha Rexhaj.
    Ndërsa, sa i përket qasjes së Kosovës në dialog, Rexhaj tha se vendi ynë e ka treguar vetën në aspektin pozitiv duke propozuar edhe marrëveshje.

    “Në raport me dialogun, në aspektin e palës së Kosovës mendoj se Kosova e ka treguar vetën sepse disa herë ka propozuar nënshkrim të marrëveshjes dikush ka thënë ndonëse edhe faktori ndërkombëtar kanë thënë se kur marrëveshja është e dakorduar nuk ka nevojë për nënshkrim por me qenë së ne e njohim pra se me kë kemi të bëjmë pra me një Serbi e cila përherë i ka shkelur marrëveshjet ne kemi 3 marrëveshje të dakorduara me Serbinë zbatimi i tyre dhe pse kanë qenë të dakordum si ajo e targave dhe tjera ka qenë vështirë e implementueshme edhe pse ka pas dakordim ne gjithmonë kemi insistu në nënshkrimin e saj madje edhe në Këshillin e Sigurimit ku kryeministri i Kosovës i drejtohet pra Vuçiqit dhe i thotë eja ta nënshkruajmë mendoj që megjithatë dialogu duhet të rimodelohet dhe shihet në një formë tjetër”, tha ai.
    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e konsideron çështjen e dinarit si e tillë që nuk do duhej të diskutohej në dialog, për faktin se është problem i brendshëm.

    “Problematika dhe negociatat për dinarin nuk do duhet të fillonin fare, kjo është improvizim i institucioneve shtetërore qeveritare të nivelit më të lartë sepse `dinari është problem i brendshëm i Kosovës i rregulluar me ligj, problem të cilin nuk do duhej fare ta nxjerrim në arenën ndërkombëtare”, tha ai për Ekonomia Online.

    I njëjti, shtoi se situata për dinarin ka degraduar dhe tashmë ka sjellë pasoja të mëdha politike dhe ekonomike për vendin tonë.

    “Fatkeqësisht tashmë kjo situatë ka degraduar dhe çështje të brendshme po kalojnë në agjenda ndërkombëtare e që kjo ka pasoja të madhe politike dhe ekonomike për vendin tonë. Pra kemi qenë dhe jemi që çështjet e brendshme të diskutohen brenda por fatkeqësisht qeveria po nxjerr pothuajse çso muaj nga një aferë të paarsyeshme të panevojshme për t’i ikur gjendjes reale në të cilën e ka pruar vendin. Krejtësisht politike krejtësisht për konsum ditor të brendshëm ditor të saj krejtësisht jashtë ligjore krejtësisht të panevojshme. Për mua është e përfunduar sepse ligji është i qartë kompetencat janë të qarta veprimet operacionale që ka ndërmarrë qeveria me ose pa koordinimin e faktorit ndërkombëtar ato janë përgjegjësi direkte e kryeministrit dhe atyre që merren me këtë punë”, tha Shala.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha për Ekonomia Online se nuk ka pas përparim sa i përket çështjes së dinarit pavarësisht takimeve të shpeshta mes dy palëve.

    “Keni të drejtë kur e thoni sepse në ditët e para kur është marrë vendimi në bazë të rregullores të BQK-së, që kanë pas të drejtë dhe ne e kemi përshëndetur këta janë ndalur dhe kanë përvetësuar për vete ia që ne e ndalem dinarin ja që kjo është çështje kushtetuese e vendit dhe që nuk do të vazhdohet nuk do ketë dialog sa i përket çështjes së dinarit në Bruksel por dul e kundërta dhe pesë takime që i kanë pas, nuk ka pas të themi përparim sa i përket çështjes së dinarit”, tha Lekaj.

    Ai tha se Qeveria po del jo serioze ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të saj në mënyrën së si po e trajton çështjen e dinarit.

    “Qeveria po del shumë jo serioze ndaj institucioneve ndërkombëtare e sidomos ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës që është zotuar që nuk do ta diskutoj çështjen e dinarit në Bruksel por ja që po diskutohet ja që e ka ngrit në nivelin politik dhe në nivelin e dialogut”, tha ai.