ATV

Tag: Ballina

  • Deputetët e Listës Serbe erdhën në seancën e sotme për ta vazhduar mandatin

    Deputetët e Listës Serbe erdhën në seancën e sotme për ta vazhduar mandatin

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas një muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për seancë, por jo në sallën e zakonshme.

    Meqë salla plenare është ende në rinovim, u improvizua kjo sallë alternative.

    Këtu erdhën edhe deputetët e Listës Serbe, vetëm sa për ta vazhduar mandatin, dhe më pas dolën jashtë pa marrë pjesë në asnjë diskutim.

    Kjo nxiti reagimin e opozitës.

    Kuvendi më pas sqaroi se organizimi i seancës me këso kushte nuk u bë për shkak të Listës Serbe, sepse ata edhe ashtu do të kishin mandat deri në fund të gushtit.

    Sallën të enjten, e lëshuan edhe partitë opozitare, meqë nuk kaloi propozimi i tyre që të tërhiqen nga rendi i ditës tri projektligje, ai për KPK-në, KPM-në, si dhe ai për Zyrtarët Publikë.

    Ky veprim e pamundësoi punën, në mungesë kuorumi, pasi në sallë mbetën vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Prandaj dita u mbyll me vetëm një propozim të miratuar, kërkesën që Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës të kthehet për plotësim në Komision.

    Deputeti nga AAK-ja, Bekë Berisha, hodhi akuza në drejtim të deputetit të pushtetit, Enver Dugolli, që, sipas tij, ka propozuar amendamente që nuk janë rezultat i grupit punues.

    “Ky projektligj me ato amendamente nuk duhet të miratohet, sepse do ta cenojë sigurinë kombëtare, do të cenojë bashkëpunimin në këtë fushë edhe me partnerët tanë”, tha Berisha.

    Njësoj u tha edhe nga PDK-ja.

    “Qëndrojnë ato që tha Bekë Berisha, është një konflikt mes dy institucioneve të vendit. Me këto amendamente është mënjanuar nga përgjegjësia, qoftë për emrin e drejtorit, i largohet kompetenca institucionit të Presidenti të vendit”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

    Akuzat u mohuan nga partia në pushtet.

    “Nuk qëndrojnë të gjitha ato pretendime që Berisha i përmendi. Pajtohemi që sot ky projektligj të kalohet në Komision dhe në kuadër të Komisionit të trajtohet me tutje për ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Meqë ishin prezent, fjala iu dha edhe deputetëve të listës serbe, por që nuk e shfrytëzuan atë.

    Kështu, me 69 vota për, 4 kundër, asnjë abstenim u vendos që të kthehet për plotësim në Komision ky projektligj.

  • Reshjet në Dragash, dhjetëra shtëpi bëhen të pabanueshme

    Reshjet në Dragash, dhjetëra shtëpi bëhen të pabanueshme

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Çdo gjë që pati brenda, ia dëmtoi uji.

    Myrtezan Imeri nga fshati Kuk i Dragashit, thotë se niveli i ujit nga përmbytjet e së mërkurës, brenda shtëpisë i shkoi rreth 2 metra.

    Brenda dhomave tash ka shumë baltë dhe hyrja brenda bëhet me vështirësi.

    Imeri thotë se shqetësimin më të madh në ato momente e kishte nxjerrjen e fëmijëve dhe bashkëshortes që ishin brenda.

    Tash, halli i tij është se ku do të qëndrojnë.

    Shtëpia iu bë e pabanueshme edhe Vesel Avdullahut.

    Nga presioni i ujit, Hanz Ymerit iu thyen xhamat e bodrumit dhe iu dëmtuan shumë pajisje.

    Dëmet e mëdha të shkaktuara nga reshjet, nga afër erdhi për t’i parë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se është fat që nuk ka të vdekur, e për dëme materiale tha se qeveria do t’u dalë në ndihmë.

    Kryetari i komunës tha se një gjë e tillë nuk ishte mundur të parandalohet, por pati kritika edhe për banorët e këtij fshati.

    Vlera e dëmeve të shkaktuara të mërkurën, pritet të kuptohet pas vlerësimeve të komisionit përkatës, që u themelua nga komuna.

  • Seancat në salla alternative, deri në sesionin tjetër

    Seancat në salla alternative, deri në sesionin tjetër

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kështu sikur të enjten, në sallë alternative, deputetët e kabineti qeveritar, seancat në Kuvend do t’i mbajnë deri në fund të këtij sesioni.

    Salla plenare që është në rinovim e sipër, do të jetë e gatshme tek në sesionin vjeshtor.

    Punimet për renovimin e saj, që nisën para një muaji, nuk kanë përfunduar ende. Kështu vendosja e pajisjeve të reja pritet të kryhet gjatë pushimit midis dy sesioneve.

    “Punimet për instalimin e pajisjeve në sallën e seancave të Kuvendit janë duke vijuar sipas planifikimit dhe pritet të përfundojnë para fillimit të sesionit vjeshtor të Kuvendit”, thuhet në njoftimin nga Kuvendi i Kosovës.

    Por, mbajtja e seancave në këso kushte, nuk po vlerësohet e duhur nga opozita.

    Deputeti i Partisë Demokratike, Rashit Qalaj, konsideron se renovimet në këtë kohë nuk kanë qenë të rastësishme.

    Renovimi i sallës plenare do të përfshijë ndërhyrjet në inventar, zërim, kamera e mikrofona, ndërsa do të rikthehet edhe votimi elektronik.

  • ​S’ka kuorum, nuk vazhdon seanca plenare

    ​S’ka kuorum, nuk vazhdon seanca plenare

    Në mungesë kuorumi, nuk është vazhduar seanca plenare. Të pranishëm në sallën alternative ku është mbajtur seanca e sotme, kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Paraprakisht, deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën plenare meqë nuk është mbështetur kërkesa për tërheqjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo seancë do të vazhdohet javën e ardhshme.

    “Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë e vazhdojmë javën e ardhshme”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

    Në seancën e sotme plenare ishin paraparë mbi 30 pika të rendit të ditës.

  • O’Brien shpërndan deklaratën e Borrell: Moszbatimi i marrëveshjeve humbje për të dyja palët

    O’Brien shpërndan deklaratën e Borrell: Moszbatimi i marrëveshjeve humbje për të dyja palët

    Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Jim O’Brien ka komentuar takimet e djeshme në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Ai tha se moszbatimi i marrëveshjeve që janë nënshkruar në të kaluarën janë një mundësi e humbur nga të dyja palët.

    Ai nënvizoi se palët duhet që të angazhohen për të trajtuar problemet mes tyre në kuadër të dialogut të mundësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, tha O’Brien.

    Në ndërkohë, në Bruksel dje janë mbajtur takimet e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell është takuar veç e veç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

    E takim të përbashkët nuk pati.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE’së Josep Borell në fund të takimeve me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se takimi trilateral s’është mbajtur për shkak të Kurtit.

    Bisedat ishin të vështira siç kanë qenë gjithmonë dhe në fund skishte takim trilateral. Kosova s’ishte gati për këtë s’kishte vullnet për këtë takim trilateral. Serbia ishte gati ta bëjë. Por duhen dy për të vallëzuar tango” ka thënë ai.

    Tutje Borell ka thënë se aktualisht “marrëveshja mbetet e paimplementueshme”.

    “Është e rëndësishme që të shkojmë përpara që të shkojmë përpara, por marrëveshja mbetet e paimplementueshme më shumë se një vit pasi ishte arritur. Dy palët janë përgjegjëse për mos përmbushjen e premtimeve që bënë. Mos-implementimi është humbje për të dy palët”, ka thënë ai.

    Në anën tjetër, Kurti tha se që nga takimi I fundit që kanë pasur trepalësh, kanë ndryshuar shumë gjëra, duke filluar nga sulmi terrorist në Banjskë e deri tek letra për marrëveshjen bazike të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

    Kurti ka përmendur tri garancionet që i ka kërkuar në këtë takim.

    “Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëcka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Sic e tha edhe vetë Borrell unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijne nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letres së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB’së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë është dorëzimi I Radojqitit autoriteteve të Kosovës”, tha Kurti.

    Rreth këtyre zhvillimeve dje komentoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Ai tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se një takim i tillë ishte paralajmëruar nga Bashkimi Evropian.

    “Kurti nuk ka dashur të më shohë. Unë jam kthyer në takim tre herë, më kanë përcjellë mesazhet e tij, kështu që jam përgjigjur. Ai person nuk dëshiron të më shoh. Ata thanë që nuk ishte gati për një takim me mua”, deklaroi Vuçiq pas përfundimit të raundit të dialogu.

  • Kuvendi mban seancën plenare, i reaguan BE dhe gazetarët

    Kuvendi mban seancën plenare, i reaguan BE dhe gazetarët

    Kuvendi i Kosovës sot mban seancën e radhës në të cilën janë paraparë të shqyrtohen 32 pika të rendit të ditës, ndër to edhe projektligji për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial për të cilët ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. E lidhur me projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, disa herë kanë reaguar organizatat e gazetarëve.

    Seanca e cila nis në orën 10:00, kësaj radhe do të mbahet në sallën 506, për shkak të punimeve në sallën e seancave të Kuvendit.

    Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin për tre projektligje që janë planifikuar për leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës të enjten, duke deklaruar se draftet nuk kanë përfshirë rekomandimet që synojnë përputhjen e tyre me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.

    Bëhet fjalë për projektligjin për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial. Para seancës, përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, do të mbajnë ehde një konferencë për media.

    Ndërkohë, BE-ja theksoi se Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural nuk ka marrë parasysh këshillat e gjera të ofruara nga BE-ja gjatë procesit të hartimit.

    Udhëzimet e BE-së theksonin përputhjen e ligjit me parimet e meritës, të mbështetura nga një opinion i veçantë i Komisionit të BE-së. Çështje kyçe, si ndikimi në pozicionet menaxheriale dhe procedurat e rekrutimit, promovimit dhe performancës në shërbimin civil, mbeten të paadresuara.

    Projektligji ruan dispozitën kontroverse ‘viti zero’, që kërkon që shërbimi civil aktual dhe zyrtarët publikë në menaxhimin e ulët dhe të mesëm të fillojnë mandatin e parë të shërbimit të tyre, duke kundërshtuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. BE-ja paralajmëron se kjo dispozitë rrezikon profesionalizimin dhe stabilitetin e shërbimit civil.

    BE-ja gjithashtu ngriti shqetësime për Projektligjin mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, duke vënë në dukje se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga një Opinion Ligjor i Këshillit të Evropës. Këto rekomandime adresojnë çështje kritike, përfshirë kompetencat dhe financimin e Komisionit, procedurat e zgjedhjes dhe afatet e shërbimit për anëtarët e tij, dhe proporcionalitetin e sanksioneve. Ndërsa pranojnë disa ndryshime të rëndësishme në rregullimin e medias, BE-ja theksoi nevojën për rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore dhe përputhjen me standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës.

    Në lidhje me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shprehu keqardhje që Kosova nuk ka kërkuar një opinion të mëtejshëm nga Komisioni i Venecias, pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme që parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve jo-profesionistë, përfshirë Komisionin e Parazgjedhjes. BE-ja përsëriti rekomandimin e saj të fortë për të rikonsultuar Komisionin e Venecias dhe shprehu shqetësim se këshillat e saj për rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit të Parazgjedhjes janë injoruar.

    BE-ja theksoi se këto projektligje janë thelbësore për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Përputhshmëria me standardet evropiane do të jetë vendimtare në vlerësimin e përparimit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit. BE-ja apeloi Kuvendin që të rishqyrtojë edhe një herë ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përputhen me standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet e mëparshme. Ligjet e drejta dhe të drejta, të përputhura me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë thelbësore për mbajtjen e sundimit të ligjit në shoqëritë demokratike dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, deklaroi BE-ja.

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

    5. Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë,

    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    9. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt,

    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport,

    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë

    12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-256 për falimentimin,

    14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,

    15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri,

    16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,

    17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,

    18. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

    19. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L010 për noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-149,

    20. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,

    21. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L- 031 për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë,

    22. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,

    23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat,

    24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-305 për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror,

    25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    26. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,

    27. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    28. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    29. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    30. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,

    31. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,

    32. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

  • Kuvendi sot mban seancë, në rend dite 32 pika

    Kuvendi sot mban seancë, në rend dite 32 pika

    Kuvendi i Kosovës sot me fillim do ta mbajë seancën e radhës plenare.

    Sipas agjendës, deputetët do t’i trajtojnë 32 pika, në mesin e tyre edhe votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.

    Gjithashtu parashihet të ketë edhe votime të tjera si: votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”; votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të DASH-it, Projekt-Deklarata për raportet e Kosovës me ShBA-në.

    Kjo seancë pritet të fillojë nga ora 10:00.

  • Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë

    Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Ligji ishte miratuar në shkurt të 2023-tës dhe nga ajo kohë ndodhej për shqyrtim në Kushtetuese.

    “Gjykata ka vlerësuar si në kundërshtim me Kushtetutën vetëm pjesë të saktësuara të katër (4) neneve të Ligjit të kontestuar, përkatësisht nenet 2 (Fushëveprimi), 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi), 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) dhe 34 (Procedura në shkallën e parë) të tij, duke marrë parasysh natyrën dhe rëndësinë e tyre, dhe faktin që pa ndryshimin dhe plotësimin e të njëjtave nga Kuvendi, Ligji i kontestuar është i pazbatueshëm, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila shkroi se byroja do të bëhet.

    “Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej, vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdorur e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e tërësishëm të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, vlerësohet si vulë e dështimit të kësaj qeverie për reforma në drejtësi.

    Ndryshe, PDK-ja e pati kontestuar në tërësi ligjin, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se dërgimi i ligjit në Kushtetuese “ka qëllim zvarritjen e reformës në drejtësi”.

    Ligji parashihte rregullimin e mënyrës dhe procedurat e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe themelimin, organizimin dhe kompetencat e kësaj byroje.

    Ndryshe, Byroja e konfiskimit të pasurisë ka qenë një prej premtimeve kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.

  • Nuk ka gjoba për serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë

    Nuk ka gjoba për serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Agjencia e Statistikave e Kosovës nuk e ka shqiptuar asnjë gjobë ndaj qytetarëve për refuzim të regjistrimit të popullsisë, meqë thotë se nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë në terren.

    Gjoba nuk do të ketë as për banorët serbë që e bojkotuan procesin.

    Eksperti i angazhuar nga UNDP, Mazllum Baraliu, e bën dallimin mes refuzimit dhe bojkotit të regjistrimit, prandaj thotë se serbët e veriut nuk e kanë shkelur ligjin.

    Madje, thotë se nuk iu shkuan as nëpër shtëpi banorëve të veriut, siç qe praktika në pjesë të tjera të territorit.

    Këtë qasje e kritikon politologu Fidan Ukaj, që thotë se ligji duhet të zbatohet për të gjithë njësoj, përfshirë edhe komunitetin serb në Kosovë.

    Gjobat për refuzim të regjistrimit parashiheshin të jenë nga 2 deri 20 mijë euro.

    Sipas Baraliut, në komuna të tjera ka pasur raste të hezitimit për t’iu nënshtruar regjistrimit, por që janë bindur pas disa vizitave.

    “Ka pasur rezerva, por kur është biseduar që nga regjistrimi e deri në anëtar të komisionit çdo gjë ka qenë në rregull…”, tha Baraliu.

    Pas thirrjeve të Listës Serbe, serbët në Kosovë vendosën ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi më 14 maj, ndërsa rezultatet preliminare do të dalin kah mesi i korrikut.

  • Serwer konstaton se problem në dialog është “mungesa e vullnetit për zbatim”

    Serwer konstaton se problem në dialog është “mungesa e vullnetit për zbatim”

    Raporti: Fatlum Jashari

    Mungesa e vullnetit politik për zbatim të marrëveshjeve, në vlerësimin e profesorit amerikan për politikë të jashtme dhe menaxhimin e krizave, Daniel Serwer, përbën problemin kryesor në dialogun Kosovë – Serbi, për më se një dekadë.

    Në një diskutim në Prishtinë, profesori Serwer theksoi se dialogu në nivel teknik prodhoi më shumë rezultate sesa ai në nivel politik.

    “Edhe progresi më i hershëm është kthyer prapa. Beogradi me zotimet e vitit 2013, komuniteti në komunat me shumicë serbe kreu bojkot, Serbia bëri gjithçka që të pengojë njohjen e Kosovës dhe të pengojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Prishtina nuk ka bërë asgjë për të implementuar zotimin e vet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshjet janë për dy palët”, tha Serwer.

    Serwer kërkoi që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, Milan Radoicic.

    Mosbesues për mundësinë e ndryshimit të Serbisë u shpreh ish-kryediplomati i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

    “Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin dhe besimin në këtë proces dhe nuk mendoj se është i nxitur të shkojë para”, tha Bushati.

    Në kontekst të marrëdhënieve të ndërsjella me SHBA-në, profesori Serwer vlerësoi se rizgjedhja e Joe Biden do të ishte më mirë për Kosovën.

    “Gjëja më e mirë për zgjedhjet amerikane është se askush nuk i di rezultatet derisa të përfundojnë zgjedhjet. E dimë dallimin mes Bidenit dhe Trumpit për Ballkanin. Bideni e ruan integritetin e shteteve. Trumpi dallon. Ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi po ashtu, madje edhe Maqedonia. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë sesa Trumpi sa i përket Ballkanit”, tha Bushati.

    Pjesë e panelit të diskutimit ishte edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, dhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko.