ATV

Tag: Ballina

  • Monumenti i Adem Jasharit në Prishtinë, jo para 2025-tës

    Monumenti i Adem Jasharit në Prishtinë, jo para 2025-tës

    Përgatiti: Donita Bytyqi

    U paralajmërua se do të vendoset më 28 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë, por monumenti për Adem Jasharin, nuk pritet të përfundojë as për Festën e Flamurit të këtij viti.

    Komuna është ende në procedurat fillestare të këtij projekti. Madje, nuk është caktuar as lokacioni.

    Komuna para tre muajve ka hapur konkurs ndërkombëtar për këtë projekt.

    Zëdhënësi Donat Lushaku tregon se punimi artistik nuk do të jetë në formën klasike. Ndërsa, do të jenë edhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari.

    Lushaku thotë se për jetësimin e këtij projekti, skulptorët pritet të zgjidhen në shtator.

    Skulptori Sabri Behramaj është kritik ndaj kritereve të përcaktuara në konkurs.

    “Si skulptor i mbi 50 veprave të realizuara në hapësira publike nuk më ka tërhequr të konkurroj dhe nuk kam konkurruar, sepse mjeshtëria e një skulptori shihet në realizimin e maketës 3D në formë fizike, jo në mënyrë digjitale”, tha Behramaj.

    Për monumentin e Adem Jasharit, komuna ka ndarë 200 mijë euro në buxhet, por kostoja nuk dihet ende përfundimisht.

  • Arratisja e nëntë nga burgu e Faton Hajrizit

    Arratisja e nëntë nga burgu e Faton Hajrizit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Muret dhe gjembat nuk ishin problem për Faton Hajrizin, i cili për të nëntën herë arriti të arratiset nga burgu ku po vuante dënimin.

    Veçse kësaj here përveç grilave, ai kaloi edhe kufirin e u strehua diku jashtë shtetit, nga ku u paraqit në rrjete sociale.

    Hajrizi, i cili kishte mbajtur 17 vjet e gjysmë burg, po mbahej në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, për ta mbajtur edhe pjesën tjetër prej 7 vjet e gjysmë, derisa gëzonte edhe të drejtën për vizita në vikend.

    E vendosja në këtë qendër, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, është bërë për arsye të sjelljeve të mira, të personit në fjalë.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H., ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në njoftimin nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    Sidoqoftë, për ikjen e tij, ndëshkim morën dy zyrtarë të burgut, që u suspenduan.

    Pikërisht vendi ku po mbahej, sipas juristëve, ishte fare lehtë i kalueshëm, pasi qendra është e stilit të hapur.

    “Lehtësia apo mundësia e ikjes varet nga lloji i qendrës korrektuese. Në rastin e Smrekonicës ne e dimë që është institucion i tipit të hapur, madje nuk do ta quaja ikje, por vetëm largim, sepse është institucioni si i tillë”, tha avokati Valdet Hoxha.

    Ndërkaq, njohësi i sigurisë, derisa vlerëson rrezikun që mund të kenë në shoqëri persona të tillë, thotë se burgjet duhet të modernizohen, që të shmangen rastet e tilla.

    “Duhet të ketë modernizim dhe ristrukturim në sistemin e burgjeve që në të ardhmen të mos ndodhin gjëra të tilla, dhe një bashkëpunim më i theksuar me organet e ndjekjes për të reaguar dhe për të marrë informacione konkrete në kohë optimale për të parandaluar”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Sidoqoftë, nga Shërbimi Korrektues thanë se kanë nisur procedurat hetimore lidhur me rastin, por nuk treguan nëse ka edhe të burgosur të tjerë që janë në arrati.

  • Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore

    Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore

    Kryeministri Albin Kurti, thotë se buxheti vjetor sivjet për kujdesinë dhe investimet në trashëgiminë kulturore është më i larti ndonjëherë.

    Ai tha gjithashtu se ky buxhet është trefish më i lartë sesa në vitin 2021.

    “Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore – më shumë se në dy dekadat pararendëse bashkë”, theksoi tutje Kurti.

    “E puna po vazhdon. Përditë.

    Në pjesën e parë të këtij viti, kanë përfunduar restaurimet në:

    Kullën e familjes Tafolli në Çadrak të Suharekës

    Shkollën historike shqipe “Ismail Qemali” në Ferizaj

    Mullirin e fshatit Majac të Podujevës i ndërtuar në shek. XIX

    Mullirin e Cal Malushit në fshatin Kotradiq të Pejës

    Ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Pejë

    Muzeun e Hidroelektranës në Prizren

    Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren – faza e parë

    Kullën e Gjyle Kadrisë në fshatin Rastavicë, Deçan, e ndërtuar në shek. XIX

    Shtëpinë Kullë të Vesel Godenit në Viti

    Kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë në Gjakovë.

    Ndërkaq punimet po vazhdojnë e janë drejt përfundimit në:

    Shtëpinë e Hynilerëve në Prishtinë

    Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova

    Shtëpitë tradicionale të Janjevës

    Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë, e cila karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII

    Shtëpinë e Adem Aga Gjonit në Prizren, e karakterizuar nga arkitektura tradicionale e shek. XVIII

    Shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan

    Shtëpinë e familjes Safqi në Prishtinë, e ndërtuar rreth vitit 1800

    Shtëpinë tradicionale të familjes Sylejmani brenda qendrës historike në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1880

    Shtëpinë e familjes Kirajtani, një prej shtëpive më të veçanta të Prizrenit

    Shtëpinë e familjes Munik në Prizren

    Qendrën Kulturore Hebraike në Qendrën Historike të Prizrenit

    Shtëpitë tradicionale në rrugën Marin Barleti në Prizren

    Kishën Katolike në Ferizaj

    Xhaminë në Turbohovc të Istogut

    Kullën e Tal Belit në Krelan të Gjakovës

    Postën e Vjetër në Mitrovicë”, shkroi gjithashtu shefi i qeverisë.

  • ​”Festo me Zemër, jo me armë”, nisma e MPB-së për sigurinë gjatë festave

    ​”Festo me Zemër, jo me armë”, nisma e MPB-së për sigurinë gjatë festave

    Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive “Festo me zemër, jo me armë”. Qëllimi i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes kolektive dhe parandalimit të përdorimit të armëve në mjedise joligjore.

    Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Blerim Gashani derisa ka theksuar misionin e këtij institucioni është zotuar se do të avancojnë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe njëkohësisht të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët.

    “Me qëllim që ky mision të arrihet përveç MPB-së dhe akterët tjerë duhet të luaj rolin e tyre përmes ndërgjegjësimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga posedimi dhe përdorimi i paligjshëm i armëve të zjarrit. Statistikat tregojnë që armët pa leje, që janë në përdorim të pa ligjshëm nga qytetarët janë shkaktarë i pjesës dërmuese të vrasjeve. Edhe pse zotërimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe armeve të ftohta është në rënie çdo vit kjo dukuri ende mbete kërcënim për rendin dhe sigurinë publike në Kosovë por edhe shqetësim për institucionet e sigurisë. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon përafërsisht 1500 armë ilegale të llojeve të ndryshme për çdo vit. Konfiskimi i arëve të vogla dhe të lehta po vazhdon por edhe municionet e kalibrave të ndryshëm. Si MPB po bënë hapjen zyrtare të kampanjës vetëdijesuese Festo me Zemër jo me armë, lë të kujtohet festa e jo vrasja apo lëndimi, lidhur me parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit, bashkëpunimin reciprok në mesë të qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit parandalimin e gjuajtjeve festive dhe në përgjithësi krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e republikës”, tha ai.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla ka thënë se Policia e Kosovës është duke bërë punë profesionale në këtë drejtim, derisa ka apeluar gjithë qytetarët të respektojnë ligjin.

    “Përdorimi i armëve të zjarrit është një problem që prek shumë shoqëri, jo vetëm tonën, në ato ditë që janë për t’u festuar dhe që sjellin gëzim në familjet e tyre, dhe jo siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, ndonjëherë edhe kob. Arma nuk është mjet për festë, nuk simbolizon gëzim, sjell vetëm hidhërim. PK është një nga policitë më të suksesshme dhe profesionale, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në kontinentin evropian, prandaj qytetarët kanë besim të plotë në të. Akti i fundit i agresionit në Banjskë, shtimi i sigurisë në veri, luftimi i krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e Kosovës, si dhe lufta e suksesshme kundër narkotikëve dhe bandave kriminale, janë dëshmi të qarta të përkushtimit dhe profesionalizimit të policisë tonë. Rritja e besimit tek PK është kyçe për suksesin e kësaj fushate, qytetarët ndihen të sigurt dhe besojnë se institucionet tona janë këtu për t’i mbrojtur ata. Republika e Kosovës është me fat sepse ka një mërgatë të përkushtuar për vendin, kontributi i saj vazhdon të mbetet i madh”, tha ajo.

    Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Annemarie Douwes, ka thënë se është me rendësi të madhe të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve për të parandaluar këtë dukuri negative. Derisa ka theksuar mbështetjen e BE-së në këtë drejtim.

    “Është më rendësi shumë të madhe derisa PK po punon në mënyrë të palodhur për luftimin e këtyre sfidave ne nuk mund të varemi vetëm në organet ligj zbatuese, prandaj është me rëndësi shumë të madhe të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve për këtë dukuri negative, për të shtënat festive dhe të mësojmë duke përfshirë edhe fëmijët për rreziqet e përdorimit të pa sigurt përdorimin e armeve të zjarrit dhe ndikimet potenciale që mund të kenë ato në familjet. BE në Kosovë mbetet e përkushtuar për mbështetjen dhe brengen që kanë për qëllim për promovimin e fushatave të ndërgjegjshmit si dhe veprimeve parandalues për zvogëlimin e ndikimit negativ të shtënave festive”, shtoi ai.

    Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi, ka nënvizuar se janë duke punuar në këtë drejtim për të ndaluar përdorimin e armëve në ambiente jo ligjore, derisa ka treguar edhe numrin e konfisikimit të armëve që janë përdorur në mënyrë të jashtëligjshme.

    “Parandalimi i përdorimit të armëve gjatë festave paraqet një sfidë të madhe për ne si shoqëri, kultura dhe traditat tona shpeshherë kanë përdorimin e armëve si pjesë e festimeve, por duhet të ndryshojmë këtë mentalitet…Pjesa më e madhe e armëve që përdorën në vend përfshirë ato në festa janë të zotëruar në mënyrë ilegale, pjesa më e madhe e tyre posedohen në mënyrë të jashtëligjshme, andaj kjo duhet të parandalohet… PK ka punuar shumë për të mbrojtur shtetasit e saj dhe për të ofruar siguri, duke konfiskuar armë ilegale, ku brenda vitit konfiskojmë 1200 deri në 1500 armë e mbi 20 mijë municion të ndryshëm… Statistikat e rasteve të përdorimit të armëve nëpër ahengje për vitin 2022 dhe 2023, vërehet se në vitin 2023 kemi më pak raste, në vitin 2022 kemi pasur 155 armë të sekuestruara vetëm në ahengje, që kanë qenë të përdorura në ahengje, ndërsa në vitin 2023 kemi 107 armë, rastet që janë raportuara të shtëna me armë, qershor-gusht 2023 kemi arritur të konfiskojmë në muajin qershor 47 armë, këto nuk kanë qenë armë që janë përdorur, por që kanë poseduar të pranishmit, në korrik 24 armë dhe në qershor 54 armë që gjithsej janë 125. Prej tyre armë legale kanë qenë gjashtë, një muajin korrik dhe një në gusht”, tha ai.

    MPB ka apeluar gjithë qytetarët t’i shmangen përdorimit të armëve të zjarrit gjatë festave familjare me qëllim të parandalimit të fatkeqësive.

    E shtëna me armë zjarri në ahengje dhe festime është vepër penale dhe është e ndëshkueshme me ligj.

  • Afati 15 ditor për dërgimin e komenteve, sipas IKD-së kufizon mundësinë e analizës së plotë të shtatë projektligjeve

    Afati 15 ditor për dërgimin e komenteve, sipas IKD-së kufizon mundësinë e analizës së plotë të shtatë projektligjeve

    Një afat prej 15 ditësh për dërgimin e komenteve kufizon mundësinë e analizës së plotë të projektligjeve nga palët e interesuara. Zgjatja e afatit siç e lejon Rregullorja për Standardet minimale për Procesin e Konsultimit Publik do të ndihmonte në përmirësimin e transparencës dhe gjithë përfshirjen më të madhe të palëve të interesuara dhe individëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre, raporton EO.

    Kështu u shpreh hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ariana Rexha gjatë prezantimit të raportit “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

    Sipas Rexhës, Rregullorja për Standardet minimale për Procesin e Konsultimit Publik, e cila ka qenë në fuqi deri më 29 qershor 2024, ka përcaktuar se “Për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 60 ditë kalendarike”, ndërsa Rregullorja e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës e redukton ketë afat në 30 ditë.

    Tutje, hulumtuesja e IKD tha që më 10 qershor 2024, Ministria e Drejtësisë në platformën e konsultimeve publike publikoi gjithsej shtatë projektligje për komente, gjashtë prej të cilave dilnin nga reforma sipas Deklaratës së Zotimeve si dhe Projektligjin për Realizimin e të Drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Kështu, sipas saj, përballë situatës kur publiku kishte 15 ditë pune afat për të dhënë komente në gjithsej 7 Projektligje, MD nuk shqyrtoi mundësinë e zgjatjes së afatit për komente, siç përcaktohet me Rregullore.

    Rexha theksoi se një afat prej 15 ditësh për dërgimin e komenteve kufizon mundësinë e analizës së plotë të projektligjeve nga palët e interesuara dhe se zgjatja e afatit siç e lejon Rregullorja e lartcekur do të ndihmonte në përmirësimin e transparencës dhe gjithë përfshirjen më të madhe të palëve të interesuara dhe individëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre.

    Poashtu ajo tha që një afat kaq i shkurtër mund të perceptohet si tendencë për minimizim të kritikave dhe shpejtim të procedurave për miratimin e ligjeve ashtu siç i ka paraqitur propozuesi.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënën, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

  • Majtistët fitojnë në Francë, por paraliza politike po troket në derë

    Majtistët fitojnë në Francë, por paraliza politike po troket në derë

    Franca ballafaqohet me një përbërje të re të Kuvendit që vështirë se mund të miratojë ligje dhe me të ardhmen e bisedimeve të vështira nga e hëna për formimin e qeverisë së re, pasi fitorja e befasishme e së majtës e bllokoi synimin e zonjës Le Pen për ta sjellë në pushtet të djathtën ekstreme.

    Fronti i Ri Popullor, bllok i partive majtiste, doli forca e parë në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por pasi asnjë grup nuk e ka siguruar shumicën funksionale parlamentare, ka mundësi që fituesi të formojë qeveri të pakicës ose një koalicion të gjerë e të vështirë, raporton agjencia “Reuters”.

    Rezultati i zgjedhjeve i tha një goditje therëse presidentit Emmanuel Macron dhe e lë ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në situatë të paqartë, duke kumtuar një periudhë të jostabilitetit politik vetëm disa javë para Lojërave Olimpike Parisi 2024.

    Macroni përfundoi me një përbërje kuvendi thellësisht të përçarë, në atë që pritet ta dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe ta bëjë më të vështirë për cilindo grup çuarjen përpara të ndonjë agjende të brendshme.

    E majta fitoi 182 ulëse, aleanca e qendrës e Macronit 168, ndërsa Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme dhe aleatët e tij 143 ulëse, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cituara nga gazeta “Le Monde”.

    Kryeministri Gabriel Attal tha se do ta ofronte dorëheqjen, por nuk qe e qartë nëse presidenti do ta pranonte atë menjëherë, duke e marrë parasysh detyrën e zorshme për formimin e një qeverie. Attal-i tha se do të ishte i gatshëm të qëndronte në rolin e kryeministrit në detyrë.

    Partitë e bllokut majtist – ku përfshihen Partia Komuniste e Francës, partia e së majtës ekstreme “Franca e Papërkulur”, të Gjelbrit dhe Partia Socialiste – u takuan gjatë natës në rundin e parë të bisedimeve për atë se si të ecet tani e tutje.

  • Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.

    Ky proces gjyqësor pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 dhe të zgjasë deri në ora 16:30.

    Që të katër janë të akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza fillestare kundër tyre ishte konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020, ndërkaq aktakuza që është në fuqi ishte dorëzuar më 27 shkurt të vitit të kaluar.

  • ​Ky do të jetë moti për pesë ditët e ardhshme

    ​Ky do të jetë moti për pesë ditët e ardhshme

    Mot kryesisht me diell dhe me vapë pritet të mbajë në pesë ditët e javës së ardhshme, por personat me sëmundje kronike rekomandohet t’i shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se të hënën do të ketë mot kryesisht me diell. Vranësira parashihen rreth maleve , ku vende-vende mund të ketë edhe ndonjë rigë të dobët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-33 gradë celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s.

    Ditën e martë do të mbajë mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    Të mërkurën moti parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    Ditën e enjte moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    Të premten moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-37gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi 1-4m/s.

    “Indeksi UV do të jetë shumë i lartë , parashihen rreth 60 orë me diell, prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta.

    Një kujdes i veçantë edhe pjesëmarrësve në komunikacion, sepse ky mot me vapë shkakton shqetësime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin. Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm.

  • Ende nuk dihet se kur do vijnë të burgosurit e parë nga Danimarka

    Ende nuk dihet se kur do vijnë të burgosurit e parë nga Danimarka

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Brenda këtyre mureve më rrallë do të flitet gjuha shqipe.

    Këtu, në burgun e Gjilanit, pritet të vendosen të burgosurit nga Danimarka, bazuar në marrëveshjen në mes të dy vendeve e cila u ratifikua në Kuvend në fund të muajit maj.

    Por, rinovimi i qelive që është parakusht, ATV-ja kupton se ende nuk ka nisur.
    Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, krahas rinovimit do të fillojë edhe rekrutimi I stafit.

    “Marrëveshjet kanë hyrë në fuqi. Prandaj, jemi të obliguar që ta zbatojmë marrëveshjen. Njëherë parashihet rinovimi i burgut të Gjilnait, rekrutimi I stafit, e pastaj gradualisht transferimi…”, tha Haxhiu.

    Kështu, ende nuk dihet as data se kur mund të vijnë të burgosurit e parë.

    Sidoqoftë, marrëveshja në tërësi, sipas avokatit Yll Zeka nuk ka shumë dobi për shtetin.

    “Është një eksperiment i rrezikshëm. Aspekti material nuk duhet të jetë mbi sigurinë e përgjithshme. Kemi pasur raste kur të burgosurit kanë ikur, e kështu mund të ndodhë sërish”, tha Zeka.

    Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Kosova në këmbim të 200 milionë eurove, do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan, ku pritet të vendosen rreth 300 të burgosur.

    Më shumë detaje i gjeni n Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Trepça” s’ua paguan trustin punëtorëve: Borxhi total 10.5 milionë euro

    “Trepça” s’ua paguan trustin punëtorëve: Borxhi total 10.5 milionë euro

    Përgatiti: Armand Hoti

    Disa punojnë nën tokë. Disa të tjerë, mbi të. Por të gjithë ia kushtojnë mundin ndërmarrjes “Trepça”.

    Tani druajnë se pensionimi i tyre nuk do të jetë i dinjitetshëm, meqë ndërmarrja nuk ua paguan kursimet pensionale, tashmë gati katër vjet.

    Borxhi total që ndërmarrja u detyrohet punëtorëve si shkak i mospagesës së Trustit, sipas të dhënave të menaxhmentit, është mbi 10 milionë e 500 mijë euro.

    Ndërkaq, kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, i cili mori detyrën në fillim të këtij viti, thotë se akoma nuk ka filluar ekzekutimi i pagesave të kursimeve pensionale.

    “Problemet e akumuluara ndër vite në “Trepçë”, si nga ana e obligimeve financiare si nga ana e teknologjisë së vjetërsuar dhe mungesa e investimeve kapitale e kanë sjellë këtë situatë. Ndër to, edhe niveli i ulët i prodhimit dhe pengesat në procesimin e pagesës së pagave”, ka thënë Kurti.

    Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, tregon se punëtorët tashmë kanë angazhuar avokatë, për t’i kërkuar paratë e tyre në gjykata.

    “80 deri 90% e minatorëve e kanë deleguar përmes avokatëve lëndën në gjykatë, për ta kërkuar të drejtën e vet, si lëndë kontestimore… Problemi më i madh dhe zhgënjimi më i madh është për kolegët tonë që janë të prag të pensionit edhe për ata që janë pensionuar, sepse nuk po e gëzojnë të drejtën e vet, nuk po gëzojnë kontributin që dhanë”, tha Jonuzi.

    Sindikata, ndërkaq, nuk posedon të dhëna për lëndët e fituara nga punëtorët.

    Mirëpo, në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të “Trepçës” për vitin 2023, thuhet se një paditës e fitoi kontestin me ndërmarrjen, mes tjerash edhe çështjen e Trustit.

    Në total, ndërmarrja numëron rreth 1200 punëtorë.

    Më shumë detaje i gjeni n Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: