ATV

Tag: Ballina

  • Gjendet e vdekur një grua në Lipjan, policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në Lipjan, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një gruaje në Lipjan.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Lipjan / 09.07.2024 – NN. Raportohet se në banesën e saj është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Spanja finalisti i parë i Euro 2024 – eliminon Francën

    Spanja finalisti i parë i Euro 2024 – eliminon Francën

    Spanja është skuadra e parë finaliste në Evropianin e Gjermani 2024. Skuadra e De la Fuente mori një fitore spektakolare 2-1 me përmbysje në gjysmëfinalen ndaj Francës.

    Dueli ishte spektakolar në 45 minutat e para, duke sjell të tre golat dhe emocione të shumta. Edhe pse iberikët do të jepnin sinjalet e para, fillimisht në avantazh do të kalonin “Gjelat” me një gol të shënuar nga Kolo Muani me kokë.

    Spanja gjeti shumë shpejt golin e barazimit ndaj Francës. Yamal në minutën e 21-të me të majtën e tij magjike e dërgon topin në trekëndëshin e portës duke realizuar një gol spektakolar. Ai u bë golashënuesi më i ri në historinë e Europianëve, vetëm 16 vjeç.

    Katër minuta më pas festa do të ishte edhe më e madhe, pasi Dani Olmo nuk fal brenda zonës, teksa në fund ndihmohet dhe nga një devijim i Kounde. Franca reagoi në pjesën e dytë, duke luajtur më mirë, por rastet për shënim ishin të pakta.

  • Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë caktuar 16 korrikun 2024 si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

    Kjo është bërë e ditur nga DhSK-ja përmes një njoftimi për medie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sot, më 9 korrik 2024, trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • ​Bajrami: Qeveria me mospunë e mosveprime i ka varfëru qytetarët e vendit

    ​Bajrami: Qeveria me mospunë e mosveprime i ka varfëru qytetarët e vendit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj protestës së punëtorëve të kompanisë që e ka përgjegjësinë për mirëmbajtën e ndërtesave të Kuvendit.

    Ajo ka kërkuar nga deputeti i LVV-së Armend Muja që t’ju adresohet këtyre punëtorëve.

    “Sot, punëtorët e kompanisë që ka përgjegjësinë për mirëmbajtën e ndërtesave të Kuvendit protestojnë për shkak të pagave të ulëta. Pres nga deputeti Armend Muja që të ju adresohet protestusëve dhe t’i bindë se ‘ata i kanë pagat mjaftushëm të larta, se atyre u janë rritë pagat së paku 200 euro në tri vitet e fundit vetëm se ata nuk po e dinë’’. Qeveria e propagandës, ka dështu me me ndryshu pagën minimale, ka dobësu sindikatat dhe nuk është marrë me asnjë çështje sociale nëse kjo e fundit nuk ka rezultu direkt në votë e në përkrahje për LVV-në”, tha Bajrami.

    Organizatat buxhetore si puna e Kuvendit, sipas Bajramit kur japin kontrata për shërbime kompanive private, një nga kriteret duhet të jetë sipoas saj edhe paga që kanë me i paguar punëtorët.

    Sipas Bajramit kompanitë që financohen nga buxheti i shtetit nuk duhet me leju që paga minimale e atyre punëtorëve me qenë nën pagën minimale të stafit të organizatës.

    “Mos harroni këta janë punëtorë që komplet paga mujore ju shkon në ushqim e fatura të rrymës, e çmimet janë dyfish me të larta në krahasim me vitin 2021. Ka tri vite që në të gjitha matjet vendore e ndërkombëtare sfida me e madhe e qytetarëve të vendit është përballushmëria me çmime të larta. Qeveria me mospunë e mosveprime i ka varfëru qytetarët e vendit, andaj sa me parë që këta përtacë shkojnë në shtëpi është më mirë për vendin”, përfundoi ajo.

  • AIP kërkon nga qytetarët respektimin e ligjit gjatë vendosjes së kamerave në prona private

    AIP kërkon nga qytetarët respektimin e ligjit gjatë vendosjes së kamerave në prona private

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka kërkuar nga qytetarët dhe bizneset të cilët i vendosin kamera të vëzhgimit në objektet private t’i kenë parasysh kriteret për mbrojtjen e privatësisë dhe masat e sigurisë, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një komunikate për media, AIP ka bërë të ditur se ka pranuar numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për vëzhgimin me kamerë në objektet private (në shtëpi dhe banime kolektive) jashtë kritereve të përcaktuara me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

    Sipas tyre, ankesat e adresuara në disa raste kanë rezultuar me cenimin e privatësisë së qytetarëve pasi që të njëjtat kanë vëzhguar jashtë parametrit të pronës private duke përfshirë pronën private të huaj dhe hapësirat publike.

    “Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë vendosur sistemin e kamerave që të sigurohen që kamerat të vëzhgojnë dhe regjistrojnë vetëm pronën e tyre dhe jo hapësirat publike ose pronën e fqinjëve. Me rastin e vendosjes së kamerës, qytetarët janë të obliguar të vendosin shenja njoftuese për praninë e kamerave, të ruajnë regjistrimet në mënyrë të sigurt duke i mbrojtur nga qasjet e pa autorizuara, si dhe regjistrimet t’i ruajnë për një periudhë të arsyeshme kohore jo më shumë se 30 ditë”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.

  • Në Uashington nis Samiti i NATO-s, merr pjesë edhe presidentja Osmani

    Në Uashington nis Samiti i NATO-s, merr pjesë edhe presidentja Osmani

    Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.

    Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.

    Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.

    E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    NATO-ja ka rënë dakord për një koncept të ri strategjik në samitin e Madridit, që bazohej në përpjekjet ekzistuese për forcimin e mbrojtjes.

    Një vit më vonë, në Vilnius, aleatët janë pajtuar për plane të reja për të përmbushur atë vizion.

    E, Samiti i Uashingtonit do të fokusohet tani në zbatimin e këtyre planeve, për të penguar sulmin e armatosur dhe për të mbrojtur aleancën.

    Që nga Madridi, aleatët e NATO-s kanë bërë përparim në zbatim – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, kanë shtuar forcat e gatishmërisë së lartë, kanë modernizuar komandën dhe kontrollin, kanë transformuar ushtrimet e mbrojtjes kolektive dhe kanë integruar me sukses aleatë të rinj: Finlandën dhe Suedinë.

    Megjithatë, pyetja është nëse NATO-ja është gati të luftojë dhe në atë mënyrë ta pengojë një luftë të zgjatur, si ajo në Ukrainë? Për këtë, është e rëndësishme të forcohet “shtylla evropiane” e NATO-s.

    Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.

    Ukraina do të jetë “në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, ka thënë Stoltenberg.

    Por, gjasat që Ukraina, gjatë Samitit në Uashington, të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, janë gati joekzistente.

    Paketa e NATO-s për Ukrainën do të përbëhet nga tri pjesë: gjuha, koordinimi dhe ndihma.

    Gjuha në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës do të duhet të ndërtohet mbi zotimin në Vilnius se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”.

    Zyrtarë të lartë amerikanë i janë referuar paketës së Uashingtonit si një “urë e fortë” drejt anëtarësimit, që është “e ndriçuar mirë, e shkurtër, e drejtë, e papenguar”.

    Por, negociatat për formulimin e saktë të komunikatës së samitit ka të ngjarë të vazhdojnë deri në minutën e fundit.

    Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.

    Aleatët e NATO-s janë duke e kuptuar gjithnjë e më shumë se sfidat me të cilat përballen, janë të ndërthurura me rajone të tjera.

    Për shembull, 40 për qind e tregtisë së Evropës kalon përmes Detit të Kinës Jugore, ndërsa luftën e Rusisë në Ukrainë e ka mbështetur importimi i municioneve nga Koreja e Veriut dhe mallrat kineze me përdorim të dyfishtë.

    Siç ka konfirmuar ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, partneriteti në Indo-Paqësor do të jetë një temë kryesore e Samitit të Uashingtonit.

    Katër partnerët e NATO-s në Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë tashmë pjesëmarrës të rregullt në samitet e aleatëve.

    Në Uashington do të jenë edhe përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Evropian.

    Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit.

    Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Samiti do të jetë gjithashtu i fundit për Stoltenbergun, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte.

    Në të kaluarën, Rutte ka mbështetur fuqishëm idenë se Evropa duhet t’i forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe inteligjencës, por gjithashtu ka pranuar se furnizimet e SHBA-së janë kritike për ta arritur këtë qëllim.

    Përvoja e Ruttes si kryeministër i Holandës për gati 14 vjet, duke udhëhequr qeveri të ndryshme koalicioni, do ta ndihmojë atë të përballojë sfidën e mbajtjes bashkë të 32 aleatëve të NATO-s.

    Por, sfidë më e madhe për të dhe NATO-n do të jetë përshtatja e aleancës përballë një Kremlini gjithnjë e më agresiv. /REL/

  • Kurti i bashkohet thirrjes të Departamentit Amerikan të Shtetit për Vëllezërit Bytyqi

    Kurti i bashkohet thirrjes të Departamentit Amerikan të Shtetit për Vëllezërit Bytyqi

    Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar drejtësi për Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, tre vëllezërit që e kishin lënë SHBA-në për të luftuar në Kosovë, në përvjetorin e vrasjes së tyre. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller ka shkruar se “sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë”. Tha se i bëjnë thirrje Serbisë që ta kryejë hetimin për këtë rast dhe t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

    “25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që ta përfundojë hetimin e saj dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller.

    Për këtë deklaratë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë në “X” se askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë krim të kryer.

    “Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv pak pas luftës. Agron, Mehmet dhe Yll u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë ndërsa duart u ishin lidhur. Megjithatë, askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit për krimet e rënda nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti të hënën.

  • Ende pezull plani për mjekun online në Kamenicë

    Ende pezull plani për mjekun online në Kamenicë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Përveç pacientëve që i ka në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Roganë të Kamenicës, Fahredin Kryeziu do të mund t’i kontrollonte edhe të sëmurët që janë me kilometra larg.

    Këtë do ta bënte nga kompjuteri, në lidhje përmes internetit, me një pacient të cilin e vizitojnë dy infermiere, që komunikojnë me doktorin përgjegjës.
    Por plani për Mjekun Online për kujdesin parësor nuk është jetësuar.

    Megjithatë, mjekët janë hezitues për efektivitetin e kontrolleve online, meqë thonë se nuk i ka trajnuar askush për këtë metodë të re.

    “Nuk e di sa do të jetë i duhur ky plan pasi që ne nuk jemi mjaftueshëm të trajnuar, jemi mësuar fizikisht. Nuk mund të jetë pozitiv një plan i tillë për punëtorët shëndetësorë në Kosovë”, tha Fahredin Kryeziu, përgjegjës i QMF-së në Roganë.

    Për këtë shërbim ende nuk janë siguruar as aparaturat digjitale. Pushteti në Kamenicë, për dështimin e Mjekut Online, fajin ia lë Ministrisë së Shëndetësisë.

    “Ne kemi pasë diskutim për telemjekësinë se si ta implementojmë në Kamenicë, por ende s’ka një ligj për implementimin e saj. Pra jemi duke pritur Ministrinë e Shëndetësisë që të definojë një udhëzim administrativ për telemjekësinë. E atëherë do të fillojmë me planin e mjekut online, përndryshe aktualisht është i stopuar si projekt”, tha drejtoresha e Shëndetësisë në Kamenicë, Euroda Hoda.

    Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje, nëse është duke u marrë me këtë ide të komunës së Kamenicës.

  • Katër komuna veriore, pa asnjë noter

    Katër komuna veriore, pa asnjë noter

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Behxhet Muharremi jeton në Mitrovicë të Veriut. Por nëse ka nevojë për noter, i duhet të shkojë në jug.

    Asnjë i tillë nuk operon në të katër komunat veriore të vendit. Andaj Muharremi ankohet se kjo ia vështirëson punët.

    “Edhe aty janë vetëm dy noterë, nuk munden të funksionojnë, radha bëhet e gjatë, dhe kështu prapë na duhet me shku në komunat përreth, shpenzime shtesë…”, tha Muharremi.

    Ankesa për mungesë të noterëve ka edhe në Zveçan. Por kryetari Ilir Peci thotë se zgjidhja për këtë çështje nuk është në duart e tij.

    “E dimë që nuk ka asnjë noter, është pak sfidë, edhe qytetarët shpesh na drejtohen për mungesën e tyre, por ne nuk mund të bëjmë zgjidhje aktualisht…”, tha Peci.

    Gazetari Bratislav Krstic vlerëson se ky problem e pengon edhe integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

    “Jashtëzakonisht e keqe kjo, aty ka banor që i duhet ky lloj shërbimi (i përmend për çfarë ju duhet më shumë), andaj nuk kanë mundësi në komunën e tyre me i marrë, pengon në imazhin tonë…”, tha Krstic.

    Operimi i noterëve në veri të vendit ishte temë diskutimi edhe në takimin e 2 korrikut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

    “Na është rekomanduar të bëjmë edhe disa hapa shtesë që kanë të bëjë edhe me shërbimet e noterisë”, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    Tre muaj më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte premtuar se do të hapë konkurs për noterë në veri, por deri tash nuk ka diçka konkrete.

  • “Elektrosever” nuk ndëshkohet për përdorim të kodit ilegal postar

    “Elektrosever” nuk ndëshkohet për përdorim të kodit ilegal postar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse ka muaj që Elektrosever është duke e shkelur marrëveshjen, licencën, ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ende nuk ka vendimmarrje për ndëshkim eventual.

    Duke i quajtur “gabime teknike”, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se është në dijeni të shkeljeve nga Elektrosver – e cila në faturat e konsumit mujor përdor emërtimin dhe kodin postar ilegal serb për Mitrovicën.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji, pasi ka marrë informata se furnizuesi Elektrosever, në faturat e energjisë elektrike të shpërndara te konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë në përputhje me Legjislacionin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës, menjëherë ka kërkuar informacion të detajuar nga Elektrosever. Lidhur me këtë, Elektrosever ka sqaruar se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike, këto gabime teknike kanë ardhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te Elektrokosmet në bazën e re të shënimeve të Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Rregullatori njoftoi se ka marrë zotim nga Elektrosever, për përmirësim në faturat e reja.

    “Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.

    Megjithatë, kjo do të vërtetohet vetëm në fund të muajit.

    Shkeljet nga kompania bijë e ndërmarrjes publike energjetike të Serbisë, e cila u licencua në Kosovë në Qershor të vitit 2022, i përmendi zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, në takimin e javës së kaluar Bruksel.

    Pasi marrëveshjen për energjinë e vlerësoi si një nga më sfidueset për shkak të destruktivitetit të Serbisë, eksperti i këtij sektori Naim Bujupi tha se konteksti politik është i pashmangshëm në këtë rast.

    “Në aspektin politik duhet të mobilizohet Qeveria dhe t’i bëhet me dije faktorit ndërkombëtar dhe gjithashtu t’i kërkohet Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen”, tha Bujupi.

    Ai theksoi nevojën për veprim nga Rregullatori – si autoritet licencues dhe mbikëqyrës.

    “T’i lëshojë një vërejtje dhe t’i kërkojë që në një afat të caktuar t’i dërgojë të gjitha faturat në harmoni me kushtet ligjore dhe të zbatojë atë faturë që është aprovuar nga ZRRE-ja. Në të kundërtën, nëse zgjat kjo çështje dhe nuk zbatohet nga Elektrosever, atëherë si masë përfundimtare mund të shkohet në tërheqje të licencës”, tha Bujupi.

    Para nisjes së faturimit të konsumit të energjisë, nga 1 Janari 2024, Elektrosever kishte shkelur të gjitha afatet e licencës, e cila i referohet udhërrëfyesit dhe marrëveshjes së Brukselit për energjinë.