ATV

Tag: Ballina

  • Hoti: Kosova ka humbur shumë me moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

    Hoti: Kosova ka humbur shumë me moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka humbur shumw për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit gjatë katër viteve të fundit.

    Hoti tha se ky dokument, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Nuk besoj që është humbë si rast. Ka humbë Kosova që nuk e ka zbatu gjatë këtyre katër viteve dhe pse kanë qenë zotimet e kësaj administrate. E respektojnë atë marrëveshje sepse është në interesin më të mirë strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor,” tha Hoti.

    Ai tha se qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht këtë marrëveshje për të shmangur humbje të mëtejshme për vendin.

    Intervistën e plotë të Avdullah Hotit në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • BE-ja s’lëviz për masat, “heqja graduale, paralel me hapa të mëtejmë nga Kosova”

    BE-ja s’lëviz për masat, “heqja graduale, paralel me hapa të mëtejmë nga Kosova”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova duhet të bëjë ende punë për të bindur Bashkimin Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

    Në mbledhjen e parë me përbërjen e re institucionale, Këshilli për Çështje të Përgjithshme qartësoi pozicionin në konkluzionet për zgjerim.

    “Në përputhje me deklaratën e 3 Qershorit 2023 të Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja ka zbatuar masa të kthyeshme ndaj Kosovës. BE-ja do t’i heqë gradualisht këto masa, paralelisht me hapat e mëtejmë nga Kosova për të ulur tensionet në veri. Këshilli do të mbetet në shqyrtim të këtyre çështjeve”, thuhet në konkluzionet e Këshillit Evropian.

    Këshilli doli me këtë qëndrim përkundër raportit të ish-Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell, nga muaji Qershor, për heqje graduale të masave si rezultat i shtensionimit të situatës dhe përmbushjes së kërkesave nga Kosova.

    Krahas thirrjes për zbatim të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtojcës, Këshilli kërkoi nga Kosova dhe Serbia të angazhohen për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare në pajtim me ligjin ndërkombëtar.
    Mes tjerash nga Kosova kërkohen veprime për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa nga Serbia njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore të Kosovës.

    Këshilli shprehet “thellësisht i shqetësuar për situatën në veri”, teksa kërkon nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese, duke theksuar se dialogu është platforma për zgjidhjen e çështjeve.

    Krahas dënimit të sulmeve në Banjskë vitin e kaluar dhe atij në kanalin e Ibër Lepencit këtë vit, Këshilli theksoi nevojën që autorët të mbahen përgjegjës.

    Po ashtu, shtetet anëtare kërkuan mundësimin e ri-integrimit të gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe personelit tjetër nga komuniteti serb në institucionet e Kosovës, bazuar në marrëveshjet e Brukselit dhe kornizën ligjore të Kosovës.

    Mes tjerash, Këshilli njeh si të arritura të Kosovës çështjen e targave, energjisë në veri, zhbllokimin e CEFTA-s dhe rreshtimin me BE-në në qëndrimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Dialogu, ka pajtim për komisionin e përbashkët për të zhdukurit

    Dialogu, ka pajtim për komisionin e përbashkët për të zhdukurit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur, e arritur më 2 Maj të vitit të kaluar, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, mund të nis zbatimin në fillim të 2025-tës.

    Në atë që u tha se ishte takimi i fundit trepalësh nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm, Miroslav Lajcak, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, u pajtuan për tejkalimin ngërçit lidhur me komisionin e përbashkët.

    Por, ky ishte rezultati i vetëm konkret nga ky takim – ne të cilin sipas Bislimit, emisari Lajcak dënoi sulmin në Ibër Lepenc.

    Në diskutimet dypalëshe me Përfaqësuesin e BE-së, Bislimi tha se shprehu një varg pakënaqësish sikur për mos-aktizimin e linjave të interkonjeksionit apo pengesat institucionale për bujqit shqiptarë në Serbi.

    Ndërsa, temë tha se ishte edhe çështja e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, përkatësisht hapja e disa pikave kufitare me Serbinë, mes tjerash në Zveçan dhe në Kamenicë.

    Rundi i kaluar i diskutimeve në nivel kryenegociatorësh ishte mbajtur më 23 Tetor.

    Mandati i zgjatur i Miroslav Lajcak, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, përfundon më 31 Janar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur

    Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur

    Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën.

    Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

    Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.

    “Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi, shkruan REL, transmaton KosovaPress.

    Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

    Petkoviq tha se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit sa i përket zbatimit të deklaratës për personat e zhdukur.

    “Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha ai.

    Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

    Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.

    Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

    Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

    Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.

    Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.

    Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.

    Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut”.

    Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

    Kosovës dhe Serbisë do t’iu përsëritet sërish se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve do të vazhdojë të jetë kusht edhe për rrugëtimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

    Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së./REL

  • Miratohen konkluzionet e ministrave të BE-së për zgjerimin

    Miratohen konkluzionet e ministrave të BE-së për zgjerimin

    Këshilli i çështjeve të përgjithshme i Bashkimit Evropian në takimin e ministrave të vendeve anëtare, ka miratuar të martën në Bruksel konkluzionet kushtuar procesit të zgjerimit.

    Nëpërmjet tyre vendet anëtare të BE-së kanë përsëritur përkushtimin për vazhdimin e procesit të zgjerimit, bazuar në parimin e meritave individuale të vendeve që synojnë integrimin në BE, por edhe u kanë bërë thirrje atyre që të vazhdojnë procesin e reformave si dhe t’i zgjidhin edhe mospajtimet bilaterale.

    Bashkimi Evropian, përmes këtyre konkluzioneve, u ka bërë thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre, duke ua rikujtuar se ky është edhe kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

    Nga Kosova në veçanti kërkohet që të nisë pa vonesa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

    “Këshilli përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi për implementim, të miratuara në shkurt dhe mars 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejt që të jetë e mundur, pa parakushte, sikur edhe të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja, po ashtu edhe të gjitha obligimet ekzistuese nga dialogu”, thuhet në këtë dokument ku nënvizohet thirrja që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit.

    “Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke nisur me përcjelljen e draftit të Statutit të cilin palëve ua kishte prezantuar lehtësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovën, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”, thuhet ndër tjerash.

    Në këto konkluzione, BE-ja do ta dënojë edhe një herë dhunën në veri të Kosovës, përfshirë sulmet e fundit në kanalin e Ibër-Lepencit, por edhe sulmet e vitit të kaluar në Banjskë dhe shpreh keqardhje të thellë se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

    “Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për shtensionim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të shmangin retorikën përçarëse”, thuhet në këtë dokument.

    Nëpërmjet këtyre konkluzioneve BE-ja ka thënë se masat ndaj Kosovës do të hiqen paralelisht me hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.

    Theksohet një rikujtim për Kosovën dhe Serbinë se rruga e tyre drejt BE-së varet nga progresi në procesin e normalizimit të raporteve dhe se mungesa e këtij progresi do të ndikojë që ato të humbin rastin e duhur.

    “Në përputhje me deklaratën e përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja ka implementuar masat e kthyeshme ndaj Kosovës. BE-ja do t’i heqë gradualisht këto masa paralelisht me hapat e tjerë të Kosovës për të shtensionuar situatën në veri. Këshilli do të mbetet duke u marrë me ketë çështje”, theksohet në këtë dokument.

    Ndërkohë, vendet e BE-së kanë përshëndetur mbylljen e tre kapitujve në procesin e negociatave me Malin e Zi dhe hapjen e një grupkapitulli me Shqipërinë.

    Sa i përket Serbisë, edhe pse Presidenca hungareze dhe Komisioni Evropian kanë bërë përpjekje maksimale që të hapet grupkapitulli 3, kjo nuk ka ndodhur pasi disa shtete e kanë bllokuar këtë vendim. Serbisë i rikujtohet se për të avancuar drejt BE-së duhet të bëjë më shumë përparim, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, por edhe në normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Serbia që nga dhjetori i vitit 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull. Në konkluzione, BE-ja shprehet se do t’i rikthehet hapjes së kapitujve me Serbinë sapo Beogradi të shënojë progres në këto pika.

    Si kompromis vendet e BE-së janë pajtuar që Serbisë t’i dërgohet një letër nga Presidenca hungareze, nëpërmjet së cilës ftojnë Beogradin që të paraqesë pozicionin negociues për kapitujt në fjalë. Ky është një hap simbolik, por nuk parasheh edhe hapjeve të kapitujve pasi për një gjë të tillë sërish nevojitet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian./REL

  • Kurti: Gjatë këtij viti u grumbulluan rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Kurti: Gjatë këtij viti u grumbulluan rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Në prezantimin e raportit 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ai ka thënë se Serbia është duke vazhduar që të mos kërkoj falje për krimet që ka bërë.

    “Me regjistrimin e popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, vrasjet, të zhdukurit. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit  arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion është mbledhur nga 67 burime të ndryshme”, tha Kurti.

    Kurti tha se këto materiale po grumbullohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe gjeneratave të ardhshme, siç tha ai “për një periudhë të errët që kaluam”.

    Kryeministri Kuti tha Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet për të grumbulluar dhe sistemuar materialet që dëshmojnë krimet ndaj popullatës civile.

    Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit tha se raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.

    “Që nga themelimi i Institutit kemi ndjekur një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.

  • Sot takimi i kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi

    Sot takimi i kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi

    Sot pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

    Siç ka bërë të ditur Bashkimi Evropian ditë më parë, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe se aty do të shqyrtojnë “një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan herën e fundit në tetor.

    As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.

  • Aktakuza e re ndaj Thaçit, sot mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes

    Aktakuza e re ndaj Thaçit, sot mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të vazhdojë të mbahet konferenca e mbi ecurinë e çështjes në rastin e aktakuzës së re që është ngritur ndaj Hashim Thaçit, ish-presidenti i Kosovës.

    Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçit, pasi dyshohet se ai bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun e Hajredin Kuçin, ndikuan në dëshmitarë.

    Kujtojmë se tri herë të tjera Thaçi ishte ngritur dhe ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

  • ​Pozitë e opozitë komentojnë emërimin e Grenell si i dërguar presidencial për misione speciale

    ​Pozitë e opozitë komentojnë emërimin e Grenell si i dërguar presidencial për misione speciale

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donal Trump ka emëruar Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione speciale. Opozita në Kosovë kanë komentuar një gjë të tillë, duke thënë se pushteti tashmë ka dëmtuar relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, tha se vendimet e presidentit të zgjedhur duhet të shihen si hap para drejt bashkëpunimit.

    “Natyrisht që vendimet e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës raport me politikën dhe gjeo-strategjinë janë vendime që duhet shikuar hapat përpara në frymën e bashkëpunimit e jo në frymën e kundërshtisë. Mendoj që situata është dramatikisht më ndryshe në terren në Republikën e Kosovës me atë çfarë ka qenë në vitin 2020 dhe me marrëveshje të cilën janë arritur që ne prapë edhe sot e asaj dite vlerësojmë se ka mundur të ketë pasoja në veçanti për shembull ndarja apo menaxhimi i Liqenit të Ujmanit me Serbinë. Që e konsiderojmë dhe e kemi konsideruar edhe në atë kohë që është një cenim i sovranitetit të Republikës së Kosovës për projekt dhe për infrastrukturë vitale, të cilën Kosova dhe qytetarët e saj në sistemin e kaluar kanë paguar dhe e kanë në pronësi”, deklaroi jo.

    Shefi i Grupit Parlamentar te PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar zgjedhjen e Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme.

    “Unë besoj që Republika e Kosovës do të ketë një qeveri të re, një kryeministër të ri, siç është Bedri Hamza, i cili i ka dyert e hapura edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në State Departament. Dhe unë besoj shumë që Kosovës po i hapet një perspektivë e re edhe në raport me ShBA-të. Këta që tashmë po shkojnë kanë qenë jashtëzakonisht të papjekur, e kanë dëmtuar agjendën shumë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Tahiri.

    Sa i përket deklarimeve të pozitës pas dorëzimit në Kushtetuese të dhjetëra ligjeve, Tahiri deklaroi se pushteti është nën masa dhe nuk i pyet askush.

    “Ky pushtet i sanksionuar me i thënë këto është e palogjikshme, këta janë të sanksionuar. Ju imagjinoni prej qershorit të vitit 2023 ky është një pushtet i sanksionuar, janë nën masa, janë nën sanksione. Çfarë kuptimi ka agjenda ndërkombëtare. Janë vetëm figura, këta nuk t’i pyet askush për asgjë dhe janë krejt të pa rëndësishëm. Këtu vetëm një e mirë është që jemi në prag të zgjedhjeve dhe qeveria do ta ketë një kryeministër të ri, siç është Bedri Hamza”, përfundoi ai.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se emërimi i Grenell është vendim sovran i shtetit tjetër.

    “Është vendim sovran i shtetit tjetër nuk kemi çka…normalisht që do të bashkëpunojmë me këdo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e caktojnë si përfaqësues të tyre për ndërmjetësimin e krizave nëse konsiderohet problemi në Ballkanin Perëndimor si problem krizash që hyn në fushëveprimtarinë e tij. Nuk jemi ne ata që përcaktojmë se kush do të jetë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

    Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj akuzoi pushtetin për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Zyrtarët amerikan kanë thënë se ne nuk kemi raporte me këtë qeveri, e kanë sanksionuar këtë qeveri dhe kemi raporte të mira me popullin e Kosovës. Besoj që do të vazhdojnë në këtë drejtim sepse për herë të parë në histori ka ndodhur që shqiptarët dhe gjithë ata ushtarët e facebook -ut të LVV-së i kanë atakuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i kemi aleatët kryesor, aleatë trandicional”, përfundoi deputetja e AAK-së. /kp

  • ​S’ka gjobë për Kurtin, arsyetohet mosparaqitja e tij në Prokurorinë Speciale

    ​S’ka gjobë për Kurtin, arsyetohet mosparaqitja e tij në Prokurorinë Speciale

    Prokuroria Speciale e Kosovës e ka arsyetuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti i cili nuk u paraqit sot për të dëshmuar në një rast penal. Ndaj tij nuk do të pasojë gjobë pasi që mos-paraqitja e tij u tha se u bë për shkak se ai ishte në një udhëtim jashtë vendit – të planifikuar më herët.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi tha se paraditen e së hënës janë njoftuar se kryeministri e ka të pamundur paraqitjen në këtë institucion. Ajo tha se do të përgatitet një tjetër ftesë për Kurtin.

    Sipas hulumtuesit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, nuk ka ndonjë afat specifik se kur duhet të bëhet ftesa e radhës për intervistim.

    “I mbetet në vlerësim prokurorëve të rastit që të përcaktojnë datën e radhës duke u bazuar në agjendën e tyre në punën e tyre të përditshme. Nuk ka ndonjë afat specifik si në rastin konkret”, shprehet ai.

    Shala thotë se shqiptimi i gjobës nuk aplikohet në rastet kur prokuroria e pranon si të arsyeshme mungesën.

    “Arsyet e dhëna në rastin konkret duket se i ka akceptuar si të pranueshme edhe Prokurori i Shtetit, dhe në këtë situatë përderisa vlerësohet se një mungesë dhe një mos paraqitje është e arsyeshme edhe nuk vije në shprehje çështja e shqiptimit të gjobave. Ndërsa, në situatën kur mos paraqitja nuk është e arsyetuar dhe arsyet nuk janë të pranueshme për Prokurorin e Shtetit, atëherë janë të përcaktuara edhe masat në Kodin e Procedurës Penale, është fillimisht gjobitja në vlerë prej 250 eurove, dhe pastaj nëse përkundër gjobitjes nuk paraqitet apo refuzon të dëshmojë, Kodi ka përcaktuar situatat që mund të burgoset, por derisa të përfundojë procedura, por më se shumti kjo burgosje mund të zgjatë 1 muaj”, thotë Shala.

    Sipas Shalës, nëse Kurti nuk ka asgjë për të fshehur, ftesa për të dëshmuar nuk duhet të shihet problematike.

    “Vetë kjo ftesë për nga natyra e saj nuk ka asgjë problematike, thjesht kryeministri ftohet që të dëshmojë për një rast të caktuar dhe ftohet në cilësinë e dëshmitarit, ka raste kur një person nga cilësia e dëshmitarit përkundër që kur një person nga cilësia e dëshmitarit gjatë procedurës i ndryshohet cilësia në të pandehur. Mirëpo, nëse një kryeministri i vendit nuk ka thjesht asgjë për ta fshehur, nuk duhet ta sheh asgjë problematike thjesht ftesën për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Duhet ta shoh si diçka shumë normale…akuzat e tilla nuk është se janë diçka të mbështetura në gjendjen faktike, për shkak se konsiderohet të jetë thjesht një proces normal”, shprehet Shala.

    Pas deklarimit të Prokurorisë Speciale, nga Qeveria e Kosovës thanë se Kurti ka shprehur gatishmërinë “t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

    Nga Zyra e tij thanë se ai është jashtë vendit në “një agjendë të konfirmuar kohë më parë”./kp