ATV

Tag: Ballina

  • MINT-i publikon çmimet e derivateve, ja sa do të kushtojë nafta sot

    MINT-i publikon çmimet e derivateve, ja sa do të kushtojë nafta sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës, të cilat hynë në fuqi sot, më 2 korrik 2026, nga ora 10:00.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimet maksimale janë:

    Nafta (dizel): 1.39 euro/litër
    Benzina: 1.36 euro/litër
    Gazi: 0.68 euro/litër
    Këto çmime janë përcaktuar në bazë të vendimit të ministrisë të datës 4 qershor 2026 dhe vlejnë në të gjitha pikat e shitjes së derivateve në Kosovë.

  • Vendimi i ri i Speciales, aktgjykimi për Hashim Thaçin dhe të tjerët shpallet më 16 shtator 2026

    Vendimi i ri i Speciales, aktgjykimi për Hashim Thaçin dhe të tjerët shpallet më 16 shtator 2026

    Trupi Gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k., Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për më 16 shtator, në orën 10:00, thuhet në njoftimin e publikuar nga Gjykata Speciale.

    “Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbie përmes faqes së internetit të DHSK-së ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës”, thuhet në njoftim.

    “Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.

  • ​“Certifikimi i rezultateve deri në fund të kësaj jave”, ja kur do të thirret seanca konstituive

    ​“Certifikimi i rezultateve deri në fund të kësaj jave”, ja kur do të thirret seanca konstituive

    Gjykata Supreme pritet të vendosë brenda dy ditëve të ardhshme për dy ankesat e paraqitura nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Përfundimi i këtij procesi konsiderohet vendimtar për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe nisjen e procedurave për krijimin e institucioneve të reja.

    Megjithëse nga Gjykata Supreme nuk kanë bërë të ditur për KosovaPress nëse vendimi do të merret para skadimit të afatit ligjor, njohësit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se, nëse nuk kërkohet rinumërim apo ndonjë veprim tjetër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), certifikimi i rezultateve mund të bëhet deri në fund të kësaj jave.

    Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, thotë se Gjykata Supreme nuk është e obliguar ta shfrytëzojë tërë afatin ligjor për vendimmarrje.

    “Certifikimi i rezultateve duhet të ndodhë brenda afateve të parapara ligjore. Nëse Gjykata Supreme nxjerr vendimin ku nuk kërkon veprime shtesë nga ana e KQZ-së apo PZAP-së, atëherë certifikimi i zgjedhjeve mund të ndodhë brenda kësaj periudhe kohore, deri në fund të javës. Jo domosdoshmërisht Gjykata Supreme mund të presë deri në afatin e paraparë ligjor dhe kjo mund të shpie deri te një certifikim edhe më i hershëm i zgjedhjeve”, deklaron ai.

    Ai thekson se, pas certifikimit, nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore që seanca konstituive e Kuvendit të thirret menjëherë, pavarësisht se Kushtetuta përcakton afatin maksimal prej 30 ditësh.

    Sipas tij, krahas konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë, nuk ka ndonjë normë që thekson se deputetët duhet të zgjedhin presidentin para formimit të qeverisë.

    “Afatet janë orientuese dhe jo detyrimisht duhet të presim 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për konstituimin e Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, menjëherë u.d. e presidentes mund të marrë veprime dhe të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Pastaj janë procedurat në bazë të Rregullores së Kuvendit, ku pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive kryetarja e Kuvendit të legjislaturës paraprake duhet t’i mbledhë përfaqësuesit e partive parlamentare që të përcaktojnë agjendën e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, ky proces është procedural dhe nuk mund të tjetërsohet nga ana e kryetarit të Kuvendit të kaluar. Seanca konstituive në rend të ditës e ka formimin e komisionit të përhershëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë brenda tridhjetë ditëve afat kohor sipas legjislacionit në fuqi”, shton hulumtuesi i IKD-së.

    Certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve po e pret edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Ai tha të mërkurën se bisedimet politike për formimin e institucioneve do të nisin pas certifikimit të rezultateve.

    “Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimin e ankesave, e pastaj pa humbur kohë do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, deklaroi Kurti.

    Mirëpo, sipas Marmullakajt, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve do të duhej tashmë të kishte nisur konsultimet për krijimin e institucioneve të reja.

    “Do të duhej të ndodhnin deri më tani dhe duhet të ndodhin edhe gjatë kësaj jave deri në certifikimin final të zgjedhjeve. Po shpresoj se këto kanë ndodhur prapa dyerve të mbyllura apo do të ndodhin gjatë kësaj jave”, potencon ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.

    Nga këto zgjedhje partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës me 19.44% ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca me 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

    Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jetë hapi i fundit juridik para certifikimit të rezultateve zgjedhore.

    Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.

    Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pikërisht për shkak të dështimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani. /KP/

  • Reziku nga zjarret, apelohet për kujdes gjatë sezonës së verës, Policia: Zjarrvënësit rrezikojnë deri në 10 vjet burg

    Reziku nga zjarret, apelohet për kujdes gjatë sezonës së verës, Policia: Zjarrvënësit rrezikojnë deri në 10 vjet burg

    Institucionet përgjegjëse për sigurinë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e pyjeve u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të tregojnë kujdes maskimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktoj zjarr.

    Në një konferencë të përbashkët për media, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencisë Pyjore të Kosovës, Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Departamentit të Pylltarisë paralajmëruan se zjarrvëniet, qofshin të qëllimshme apo si pasojë e pakujdesisë, do të trajtohen me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se Kodi Penal parasheh dënime që variojnë nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burg për veprën penale të zjarrvënies, raporton eo.

    “Andaj, me qëllim që të bëjmë një apel, një thirrje për qytetarët tanë që të kenë kujdes gjatë sezonës verore me shkaktimin e papërgjegjshëm të zjarrtave, jemi thirrur nga drejtori i menaxhimit të emergjencave që bashkarisht të bëjmë këtë konferencë për shtyp, dhe po ashtu t’i bashkërendojmë aktivitetet me qëllim që të kemi sa më pak zjarre, dhe ato zjarre që na lajmërohen t’i menaxhojmë në mënyrë të minimizojmë dëmin që mund ta shkaktojnë gjatë sezonit veror ku zjarret janë më të shpeshta… Do jap edhe disa prej parashikimeve se çka parasheh Kodi Penal me këto dy vepra, se me çka mund të përballen ata që shkaktojnë zjarre dhe normalisht arrijnë të identifikohen dhe të arrestohen nga Policia e Kosovës dërgimit të përcjelljes në prokurori për procedim të mëtutjeshëm. Te rasti i zjarrvënies, neni 322, është i paraparë dënimi nga gjashtë muaj deri në 10 vjet”, tha Hoxha.

    Ndërsa, U.d. i drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Avdullahu, tha se Agjencia ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha strukturat e saj.

    “Qendrat operative emergjente funksionojnë në, pa ndërprerë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Qendrat rajonale të menaxhimit emergjent ushtrojnë monitorim të vazhdueshëm dhe koordinim me nivelin lokal… Në këtë kuadër theksoj gjithashtu aspektin e zbatimit të ligjit. Të gjitha rastet e zjarrvënieve, pavarësisht nëse janë rezultat i veprimit të qëllimshëm apo i pakujdesisë, do të trajtohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Personat përgjegjës do të përballen me masat përkatëse ndëshkuese dhe procedurat ligjore pa asnjë përjashtim. Ky qëndrim institucional përbën mesazh të qartë të angazhimit të shtetit për mbrojtjen e rendit publik dhe të mjedisit. Megjithatë, duhet theksuar se asnjë mekanizëm institucional nuk mund të jetë plotësisht efektiv pa bashkëpunim me qytetarët”, tha ai.

    Avdullahu theksoi se personat përgjegjës “do të përballen me masat përkatëse ndëshkuese”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura.

    Ndërkaq, hidrologu i lartë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Bashkim Kastrati, tha se institucioni monitoron në kohë reale kushtet meteorologjike përmes 24 stacioneve automatike.

    “Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës edhe gjatë situatave të tilla, do të thotë kur kemi temperatura të larta, në vazhdimësi e ngrit vigjilencën e saj përmes njoftimeve të cilat i bën për opinionin e gjerë publik, por natyrisht edhe për informimin e institucioneve”, tha ai.

    Ndërsa gjatë vitit 2025 janë përfshirë nga zjarret 2.230 hektarë pyje bëri të ditur U.d. i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra, i cili tha se prej tyre 1.37- hektarë ishin pyje shtetërore e 863 hektarë pyje private.

    Sipas tij, dëmet nga zjarret nuk kufizohen vetëm në aspektin ekonomik.

    “Ka qenë raste të paraqitura: në rajonin e Prishtinës 34, në rajonin e Mitrovicës 20, në rajonin e Pejës 3, në rajonin e Prizrenit 44, në rajonin e Ferizajt 6, dhe në rajonin e Gjilanit 32. Dëmet në pyje janë brengë e madhe jo vetëm për ne në Agjencinë Pyjore, por edhe për gjithë shoqërinë, për arsye se dëmet në pyje nuk paraqesin vetëm dëmin ekonomik të djegies së pyjeve, por kanë dimension shumë më të lartë, që është shkatërrimi i florës dhe faunës, rrënimi i burimeve ujore, e pastaj ndikimi në lirimin e dioksidit të karbonit, ndryshimi i cilësisë së ajrit e kështu me radhë”, tha ai.

    Kurse, drejtori i Departamentit të Pylltarisë, Tahir Ahmeti, tha se temperaturat e larta dhe lagështia e ulët e tokës rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, duke kërkuar koordinim më të madh institucional dhe bashkëpunim me qytetarët.

    “Ne po futemi në një periudhë ku temperaturat janë të larta, lagështia e tokës është e ulët, dhe ka potencial të madh për t’u shkaktuar zjarri. Në aspektin legjislativ, ligji për pyjet përcakton se ndezja e zjarreve apo e këtyre mjediseve me drunj sanksionohet me ligj, edhe të gjithë ata persona që bëjnë një veprim të tillë, ballafaqohen me fuqinë e ligjit. Masat preventive për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri përcaktohen me planet menaxhuese dhjetëvjeçare. Është obligim me ligj që institucionet që menaxhojnë me pyjet të kenë këto plane, ato t’i implementojnë në mënyrë se si janë të përshkruara aty. Dhe, varësia nga kushtet klimatike e bën këtë proces mjaft kompleks për faktin se pyjet gjithmonë edhe në të kaluarën kanë qenë ekosistemet më të rrezikuara nga degradimi nga zjarri”, u shpreh ai.

  • Operacioni kundër krimit të organizuar: Arrestohen nëntë persona, sekuestrohen para, armë, vetura dhe autobotë

    Operacioni kundër krimit të organizuar: Arrestohen nëntë persona, sekuestrohen para, armë, vetura dhe autobotë

    Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me asistimin e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ka çuar në arrestimin e nëntë personave të dyshuar për disa vepra të rënda penale.

    Sipas komunikatës së përbashkët të institucioneve, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë kryer kontrolle në 21 lokacione të ndryshme.

    “Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit është gjetur dhe sekuestruar: · 15 mijë euro; · 5 vetura; · 5 autobot për transport të derivative; · 2 armë zjarri; · 54 fishekë; · Pajisje elektronike; · Dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relavante për rastin. 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Në këtë operacionin policor kanë marrë pjesë njësitë relevante të Policisë, Doganës dhe ATK-ja”, thuhet në komunikatë.

    Në kuadër të operacionit, njoftohet se janë arrestuar personat me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q.

    Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje”, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

    “Ky operacion është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore. Pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave, është krijuar dyshimin e arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës”, thuhet në komunikatë.

  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot, nafta 1.39 euro për litër

    MINT publikon çmimet e derivateve për sot, nafta 1.39 euro për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për sot.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimet maksimale janë:

    Nafta (dizel): 1.39 euro për litër

    Benzina: 1.35 euro për litër

    Gasi: 0.68 euro për litër

    Ministria ka bërë të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

    Qytetarëve u bëhet thirrje që çdo ankesë lidhur me zbatimin e çmimeve t’i adresojnë në adresën elektronike [email protected] ose përmes numrit pa pagesë 0800 11000.

  • Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

    Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

    Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar përgatitjen e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë.

    Paneli, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, po e zhvillon këtë proces në prani të monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës dhe besueshmërisë.

    Sipas njoftimit, “tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit”.

    Intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pritet të fillojnë në ora 11:00. Në garë janë pesë kandidatë, mes tyre prokurorë nga departamente të ndryshme të Prokurorisë Speciale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në lidhje me procesin, kryesuesi i Panelit Vlerësues, Arian Gashi, ka theksuar se “procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.”

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë opinionin publik dhe mediat për ecurinë e procesit, duke theksuar përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe integritetit institucional.

  • Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane

    Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë në kremten e djeshme të Ambasadës së SHBA-së, për nder të 250-vjetorit të pavarësisë.

    Duke ndarë fotografi nga pritja dhe nën shoqërinë e të ngarkuarës me punë në ambasadë, Anu Prattipati, Kurti shkroi se jetësimi i vlerave të jetës, lirisë dhe lumturisë së popullit tonë, janë të lidhura me SHBA-në.

    “Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, shkroi Kurti.

    Postimi i plotë:

    250 vjet!

    Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit.

    Derisa bota e civilizuar është frymëzuar nga këto vlera, populli ynë për kohë shumë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta. E në këtë mes, përjetimi ynë është unik sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me ShBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane.

    Mbrëmë isha i nderuar të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-ve në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme.”

  • Nga sot hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të autobusëve në Prishtinë

    Nga sot hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të autobusëve në Prishtinë

    Nga sot, 1 korrik 2026, kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik në Prishtinë, të miratuara nga Komuna e Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Kryeqytetit, biletat e blera përmes kuletës digjitale ose me SMS, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të jenë më të lira se biletat fizike, me qëllim të nxitjes së përdorimit të shërbimeve digjitale.

    Sipas tarifave të reja:

    -Bileta njëdrejtimëshe kushton 0.80 euro në formë fizike, ndërsa 0.60 euro në versionin digjital ose me SMS.

    -Bileta ditore është 1.20 euro fizike dhe 1 euro digjitale.

    -Bileta javore kushton 6 euro fizike dhe 5 euro digjitale.

    -Bileta mujore është 18 euro fizike dhe 14.50 euro në versionin digjital.-

    Bileta për linjën e Aeroportit kushton 6 euro fizike dhe 5 euro digjitale.

    Po ashtu, bileta vjetore digjitale është caktuar në 150 euro, ndërsa bileta korporative vjetore digjitale për bizneset me mbi 20 punëtorë kushton 120 euro.

    Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se këto ndryshime janë pjesë e procesit të zgjerimit të digjitalizimit të transportit publik dhe synojnë ta bëjnë përdorimin e biletave elektronike më të leverdishëm për qytetarët.

  • AKK akuzon MAPL-në për ulje të paligjshme të grantit komunal, kërkon rikthimin e 4 milionëve

    AKK akuzon MAPL-në për ulje të paligjshme të grantit komunal, kërkon rikthimin e 4 milionëve

    Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim ndaj vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke pretenduar se është ulur në mënyrë të njëanshme Granti i Performancës Komunale nga 4 milionë në 2 milionë euro.

    Sipas AKK-së, kjo shumë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore 2026 dhe nuk mund të ndryshohet pa një rishikim formal të buxhetit nga i njëjti institucion. Organizata e komunave vlerëson se çdo ndryshim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe financiare të komunave.

    AKK thekson përmes një reagimi se Kuvendi është i vetmi institucion me mandat për të miratuar dhe ndryshuar ndarjet buxhetore.

    Kuvendi është institucioni i vetëm që miraton ndarjet buxhetore me ligj, ndërsa asnjë ministri nuk ka mandat të ndryshojë apo të përgjysmojë fondet e miratuara nga Kuvendi. Mjetet prej 4 milionë euro janë miratuar me ligj dhe janë të dedikuara ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale. Vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së”.

    Në reagim, AKK i ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të shumës prej 4 milionë euro.

    Ndalimin e çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe cenon autonominë financiare të komunave. Respektimin e plotë të vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të parimeve të shtetit ligjor. AKK rezervon të drejtën që, në bashkëpunim me komunat, të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesit të komunave dhe zbatimin e ligjit. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, thuhet mes tjerash në reagim.