ATV

Tag: Ballina

  • Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

    Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

    Për të 12-tën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në votimin për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, u regjistruan vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – numër ky i pamjaftueshëm për të ecur përpara me procesin.

    Seanca u ndërpre sërish. Kryesuesi njoftoi se tentativa e radhës për konstituim do të zhvillohet të enjten, më 9 maj, me fillim nga ora 11:00. /ATV/

  • Kuvendi tenton sërish të konstituohet mes bllokadës politike

    Kuvendi tenton sërish të konstituohet mes bllokadës politike

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës, shkruan KP.

    Derisa partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes partisë qw doli e para nw zgjedhje (koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa) dhe opozitës (PDK, LDK dhe AAK), lidhur me emrin e kryetarit të Kuvendit. Kjo situatë ka bërë që 11 seanca të mëparshme të dështojnë.

    Koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit — një emër që partitë opozitare e kundërshtojnë fuqishëm, duke e cilësuar si “përçarëse”.

    Në tri seancat e fundit, koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa ka tentuar të ndryshojë procedurën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar që ai të bëhet me votim të fshehtë. Megjithatë, ky propozim është kundërshtuar ashpër nga PDK, LDK dhe AAK.

    Për të zhbllokuar situatën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i ‘shtrirë dorën’ për bashkëpunim dhe duke propozuar hyrjen në një koalicion qeverisës.

    Ndërkaq, Abdixhiku i është përgjigjur Kurtit gjatë ditës së djeshme përmes një letre, në të cilën propozon formimin e një qeverie tradicionale me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend.

    Mbetet të shihet sot nëse Kuvendi do të konstituohet në seancën e sotme.

  • India sulmon Pakistanin, tetë të vdekur dhe 35 të plagosur

    India sulmon Pakistanin, tetë të vdekur dhe 35 të plagosur

    India ka sulmuar Pakistanin me raketa pasi marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë në kulmin e tensioneve javët e fundit, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Të paktën tetë persona janë vrarë, 35 të tjerë janë plagosur dhe dy rezultojnë të zhdukur, pas një sulmi me raketa të kryer nga India brenda territorit të Pakistanit, deklaroi të mërkurën një zëdhënës i Ushtrisë pakistaneze.

    Gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry tha në një konferencë për media para agimit, në qytetin garnizon të Raëalpindit, se ushtria indiane “duke përdorur armë të ndryshme, shënjestroi gjashtë vende.”

    Sipas tij, vendet e goditura, përfshijnë një xhami, si dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani.

    Forcat e armatosura indiane kanë konfirmuar se kanë shënjestruar nëntë vende në Pakistan dhe Xhamu dhe Kashmir të pushtuar nga Pakistani, si pjesë e “Operacionit Sindoor”.

    Në një deklaratë thuhet se është goditur infrastruktura terroriste në Pakistan, nga ku janë planifikuar dhe drejtuar sulme terroriste kundër Indisë.

    Përshkallëzimi mes dy fqinjëve të armatosur bërthamorë vjen pas një sulmi më 22 prill në Pahalgam të Kashmirit të administruar nga India, ku 26 persona u vranë.

    India e ka fajësuar Pakistanin për këtë sulm, duke pretenduar se kishte lidhje përtej kufirit. Pakistani ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.

  • Merz zgjidhet kancelar i Gjermanisë në raundin e dytë

    Merz zgjidhet kancelar i Gjermanisë në raundin e dytë

    Friedrich Merz i Gjermanisë ka fituar votën në Parlament për t’u bërë kancelar në përpjekjen e tij të dytë, vetëm disa orë pasi një disfatë e paprecedentë shpërfaqi pakënaqësi të thellë brenda koalicionit të tij, shkruan CNN.

    Në një seancë të organizuar me ngut të martën pasdite, 325 deputetë votuan pro — më shumë se 316 sa i duheshin.

    Merz, i cili fitoi zgjedhjet në shkurt dhe shpalli një koalicion qeverisës muajin e kaluar, kishte dështuar më herët gjatë ditës me gjashtë vota më pak, një goditje befasuese që shënoi një tjetër kthesë në një periudhë të stërzgjatur pasigurie për vendin.

    Tani pritet të bëhet zyrtarisht kancelar pasi të miratohet nga Presidenti i Gjermanisë. Por mandati i tij do të nisë mbi një terren të paqëndrueshëm: votimet e së martës zbuluan hezitim brenda koalicionit të tij dhe i dhanë partisë së ekstremit të djathtë, AfD, një mundësi të re për të trazuar skenën politike.

  • Kjo është përgjigja zyrtare e LDK-së për Kurtin

    Kjo është përgjigja zyrtare e LDK-së për Kurtin

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar zyrtarisht ftesën e tretë të Albin Kurtit për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton ATV.

    Në letrën dërguar liderit të VV-së, Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se partia e tij nuk sheh mundësi bashkëpunimi në rrethana të tilla dhe ka propozuar si alternativë formimin e një Qeverie Kombëtare të Tranzicionit.

    “LDK-ja, për mungesë besimi dhe për shkak të stagnimit 4-vjeçar nën udhëheqjen tuaj, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

    LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik me përfshirjen e të gjitha partive parlamentare shqiptare dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, me qëllim formimin e një qeverie tranzicionale që do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjen e Presidentit në vitin 2026.

    Sipas letrës, kjo qeveri do të kishte një program të dakorduar dhe një kryeministër e kabinet unifikues, për të garantuar stabilitetin kombëtar dhe tejkalimin e polarizimit politik. /atvlive.tv/

  • Abdixhiku refuzon Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

    Abdixhiku refuzon Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar për herë të tretë dhe përfundimisht ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik.

    Në dritën e krizës së thelluar për konstituimin e Kuvendit, dhe pas pranimit të një tjetër letre nga Kurti që përmbante lutje të përsëritura për bashkëpunim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ritheksoi prerazi qëndrimin e partisë.

    Duke iu referuar “stagnimit serioz të vendit” në katër vitet e fundit, Abdixhiku tha se LDK “e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Vetëvendosje.”

    Në vend të kësaj, ai tha se LDK propozon një qeveri të tranzicionit me afat të caktuar.

    “Zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK e konsideron të domosdoshme. LDK-ja propozon nisjen e procesit konsultativ me qëllimin e qeverisë nacionale të tranzicionit me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.”

  • Osmani reagon për tragjedinë në Prizren: Zbardhje e plotë dhe ndëshkim maksimal

    Osmani reagon për tragjedinë në Prizren: Zbardhje e plotë dhe ndëshkim maksimal

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë në Prizren ku mëngjesin e së martës një person ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare ndërsa ka lënë të lënduar rëndë vajzën tjetër 10-vjeçare.

    Osmani u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me “forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës”.

    “Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi”, shkroi Osmani në Facebook, transmeton KosovaPress.

    Osmani tha se ky është akt barbar dhe jo vetëm një krim.

    “Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet”, shkroi Osmani në Facebook.

    Presidentja Osmani kërkoi zbardhje të plotë të rastit e ndëshkim maksimal.

    “Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura. Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie. Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë”, tha Osmani.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi ka bërë të ditur për KosovaPress se në vendin e ngjarjes fillimisht kanë hasur në tre persona të lënduar, e më pas njëra ka ndërruar jetë.

    “Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën ‘Shotë Galica’. Policia ka dal në vendin e ngjarjes, ku ka parë tre persona të lënduar, dhe njëra nga të lënduarat ka ndërruar jetë”, ka thënë ai.

    I dyshuari, me shtetësi turke, tashmë është arrestuar.

  • Bajrami për letrën e Kurtit: Qëndrimi i LDK-së ndaj VV-së është i qartë

    Bajrami për letrën e Kurtit: Qëndrimi i LDK-së ndaj VV-së është i qartë

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha para gazetarëve se partia e saj ka tashmë një qëndrim të qartë dhe të formësuar sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton ATV.

    E pyetur për letrën që Albin Kurti i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, deputetja Bajrami u shpreh se përgjigjen do ta japë vetë kryetari, por shtoi se vendimi i LDK-së nuk është i ndikuar nga kjo letër.

    “Ne nuk kemi qenë duke pritur letër në mënyrë që ta bëjmë qëndrimin. Ne tashmë kemi një qëndrim,” deklaroi ajo, duke shtuar se pozicioni i LDK-së është i qartë dhe nuk ka ndryshuar pavarësisht tentativave të VV-së për bashkëpunim. /atvlive.tv/

  • Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

    Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

    Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

    Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

    Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

    Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

    Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

    Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

    Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

    Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

    AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

    Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

    “Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai. /REL

  • QKUK-ja jep detaje rreth gjendjes së 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se e theri me thikë babai i saj

    QKUK-ja jep detaje rreth gjendjes së 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se e theri me thikë babai i saj

    Një tragjedi familjare ka tronditur qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk dyshohet se ka privuar nga jeta vajzën e tij dhe më pas ka tentuar të vetëvritet. Ai ka lënduar edhe vajzën 10-vjeçare dhe bashkëshorten e tij.

    Naser Syla, shef i emergjencës ka thënë se gjendja e 10-vjeçares tani është stabile.

    “Gjendja e saj tani është stabile, po trajtohet këtu tek ne. Po kryhen të gjitha ekzaminimet”, tha shkurtimisht Syla.