ATV

Tag: Ballina

  • Kjo është biografia e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha

    Kjo është biografia e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha

    Pas zgjedhjes së tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës, vëmendja publike është përqendruar tek Dimal Basha, figura më e re në krye të institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

    Biografia e plotë e Bashës e publikuar nga LVV:

    Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
    Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

    Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

    Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
    Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.

    Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje!

    Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

  • Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit

    Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës është konstituuar sot, pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar të tij. Në seancën plenare, Basha mori 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, duke siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votash.

    Ai u propozua për herë të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi në tentativën e kaluar nuk arriti të merrte më shumë se 57 vota. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë edhe partitë e ish-opozitës votuan në favor, duke i hapur rrugë përfundimit të procesit të konstituimit.

    Me këtë vendim, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur krizën disa mujore të bllokimit institucional dhe ka zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa pritet që së shpejti të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe formimin e komisioneve parlamentare.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.

    PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

    Basha, tashmë nga posti i kryeparlamentarit, shpalli një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit. Me zgjedhjen e tyre, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë.

    Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre.

    Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.

    “Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.

    Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.

    “Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.

    Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.

    “Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.

    Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës.

    Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

    Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i kishte hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

    Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.

  • Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

    Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje e konsideron deputetin Dimal Basha si përfaqësues të denjë, atëherë partia e tij do ta votojë pro për postin e kryeparlamentarit.

    Në prag të seancës së re të Kuvendit, Krasniqi ka kërkuar që grupet parlamentare të takohen për t’u koordinuar për votimin e një kandidati për kryeparlamentar për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.

    Sipas tij, kjo edhe për t’u siguruar që VV-ja është e sigurt se ai është kandidat i denjë për ta votuar për kryeparlamentar.

    Ka shtuar se Dimal Basha nuk i plotëson kriteret dhe as nuk është i denjë për kryekuvendar.

    “Mënyra se si e kanë propozuar në mënyrë tendencioze të befasishme nuk ishte për ta zgjedhur në të vërtetë ishte më shume taktizim. Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë që e votojmë një kandidat qe nuk ka qenë pseë e ekzekutivit por kërkesa jonë si sot si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon”, ka thënë ai. “Megjithatë nëse LVV-ja vertetë e konsideron se një kandidat i tillë si Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë i tyre atëherë PDK e voton. Kërkojmë që të bëhen të përgjegjshëm dhe të propozojnë një kandidat më të denjë. Nëse nuk na lejojnë pauzën, do të ishte arbitraritet”.

    “Qëllimi është i përgjegjshëm. Nuk e besoj që Basha është i përfaqësuesi më i mirë i VV-së për të qenë në krye të Kuvendit. Ne para dy ditësh kemi dashur t’u themi që nëse e keni taktizim mos e bëni, se nuk luhet me Kuvendin siç keni luajtur deri më tash”, ka shtuar Krasniqi.

    Ai ka thënë se i kanë diskutuar emrat e VV-së, porse sipas tij, Basha nuk është i duhuri.
    “Bashën ua votojmë edhe sot, por edhe ata e dinë që ai nuk është i duhuri”, ka thënë ai.

  • Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës – LIVE

    Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës – LIVE

    Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot edhe njëherë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

    Përpjekjet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë dështuar të dielën, pasi asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të udhëhequr institucionin më të lartë legjislativ të vendit.

    Lëvizja Vetëvendosje propozoi tre kandidatë për postin e kryeparlamentarit: Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha. Të tre kandidaturat dështuan. Murati mori 55 vota, Nagavci po ashtu siguroi 55 vota për. Kandidati i fundit, Dimal Basha, arriti të marrë 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime, por as ai nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë.

    Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Pas dështimit të të gjitha kandidaturave, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet sot, të martën.

    Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mbetet një hap kyç për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të tjera.
    Punimet e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, mund t’i ndiqni në transmetim të drejtpërdrejtë këtu.

  • Kurti uron qytetarët: Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër

    Kurti uron qytetarët: Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për hapjen e urës së re mbi lumin Ibër.

    Përmes një postimi në facebook, Kurti ka pohuar se më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër.

    “Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.
    Përfundimi i ndërtimit të urave ishte planifikuar të bëhej në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.

    Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

  • Leon Avdullahu zgjedh Kosovën! Vjen reagimi i mediave dhe i Federatës Zvicerane

    Leon Avdullahu zgjedh Kosovën! Vjen reagimi i mediave dhe i Federatës Zvicerane

    Leon Avdullahu, talenti i ri i futbollit me rrënjë nga Kosova, ka marrë një vendim të rëndësishëm dhe emocionues për të ardhmen e tij sportive, duke zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky është një moment kyç në karrierën e 21-vjeçarit, i cili synon të japë maksimumin dhe të kontribuojë fuqishëm për ekipin kombëtar të vendit të tij të origjinës.

    Ai ka lindur dhe është rritur në Zvicër, megjithatë, lidhjet e tij me Kosovën janë të thella, pasi rrënjët e familjes së tij janë nga Komuna e Kamenicës.

    Për më tepër, kjo verë shënoi një hap të madh në karrierën e tij, pasi u transferua te klubi gjerman i Hoffenheim, një skuadër që garon në Bundesligë dhe ku ka mundësinë të zhvillojë më tej aftësitë e tij në një nga ligat më konkurruese të botës. Transferimi u realizua për një shumë prej 8 milionë eurosh, duke dëshmuar vlerën dhe besimin që klubi gjerman ka në talentin e tij.

    Nga ana ndërkombëtare, Avdullahu ka një eksperiencë të pasur me Zvicrën, ku ka përfaqësuar vendin në të gjitha grupmoshat, nga U15 deri në U21, duke grumbulluar shumë eksperiencë dhe duke zhvilluar stilin e tij të lojës në nivele të ndryshme. Megjithatë, pavarësisht ftesës së marrë nga Kombëtarja A e Zvicrës, Leoni ka marrë vendimin e guximshëm dhe me zemër të luajë për Kosovën, duke treguar kështu lidhjen dhe dashurinë për origjinën e tij.

    Nga ana tjetër, nuk kan munguar edhe shkrimet e mediave zvicerane, të cilat shkruajnë se “Helvetikët” e kanë përjetuar rëndë këtë vendim të futbollistit të lindur e rritur në Zvicër.

    Redaktori i sportit në “Blick”, Emanuel Gisi, ka thënë se “refuzimi i Avdullahut është një shuplakë e rëndë në fytyrë për Zvicrën. Kjo është një humbje e hidhur për Federatën Zvicerane.”

    Edhe Federata Zvicerane e Futbollit e ka komentuar këtë vendim për herë të parë.

    “Leoni na informoi për vendimin e tij. Jemi të zhgënjyer që ai tani dëshiron të ndjekë një rrugë tjetër”, ka thënë drejtori i ekipit kombëtar Pierluigi Tami.

    Debutimi i Avdullahut me fanellën e Kosovës pritet të ndodhë më 5 shtator në ndeshjen pikërisht kundër Zvicrës të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026. /ATVLIVE.TV

  • Lëshohet për qarkullim njëra nga urat e reja mbi lumin Ibër

    Lëshohet për qarkullim njëra nga urat e reja mbi lumin Ibër

    Kanë përfunduar punimet në njërën nga urat që ishin duke u ndërtuar mbi lumin Ibër.

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, ka publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka uruar të gjithë qytetarët për këtë urë.

    “Urime Mitrovicë!Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar Durmishi mbi videon e publikuar në Facebook.

    Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
    Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.

    Përfundimi i ndërtimit të urave ishte planifikuar të bëhej në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.
    Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

  • Sveçla publikon pamje të urës së re në Mitrovicë

    Sveçla publikon pamje të urës së re në Mitrovicë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një fotografi të njërës nga urat mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

    Ai ka uruar qytetarët për urën e re, ndërsa në pamje duken edhe veturat që po qarkullojnë.

    “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

  • Thaçi kërkon rrëzimin e aktakuzës së dytë

    Thaçi kërkon rrëzimin e aktakuzës së dytë

    Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Hagë.
    Kjo për të kërkuar rrëzimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë.
    Kërkesa është nisur më 18 gusht nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

    Në të i kërkohet Apelit që të anulojë vendimin e gjykatës, dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk ishte kompetent për nxjerrjen e kësaj aktakuze.
    Shkalla e parë ia kishte refuzuar kërkesën, pavarësisht se Thaçi ishte ankuar edhe për vështirësitë financiare.

    Tutje mbrojtja e ish-drejtorit politik të UÇK-së, argumenton se Prokuroria Speciale nisi procedurat e rastit 12-të në mënyrë të njëanshme, para vetëm të një gjykatësi.
    Siç theksohet ndër tjera, kjo duke anashkaluar kompetencat ekskluzive që i përkasin Panelit të Gjyqtarëve për mbikëqyrjen e çështjeve të cilat lidhen përkitazi me gjykim të drejtë ndaj Hashim Thaçit.

    Tutje, mbrojtja argumenton se gjyqtarja e caktuar paraprakisht ka ushtruar dy funksione të ndryshme brenda të njëjtit rast, konkretisht, si gjyqtare e fazës hetimore dhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas avokates ligji e ndalon qartë.

    Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit.

    Në anën tjetër, pikërisht e njëjta gjyqtare, ia kufizoi Thaçit vizitat nga 11 persona, por e refuzoi kërkesën për ndalimin e vizitave me vëllezër.
    Për dallim nga ankesa në Apel për rrëzimin e aktakuzës, Thaçit nuk i është lejuar ankesa për këtë vendim të vizitave.

    Kështu tha zëdhënësja e Speciales, Angel Griep.
    “Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi dhe rrëzoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për ndalimin e vizitave të personave të caktuar për zotin Thaçi në objektin e paraburgimit. Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi kërkesën lidhur me persona konkretë, duke konstatuar se masa është e domosdoshme duke marrë parasysh se personat në fjalë dalin në audioincizime të bëra nga Prokuroria më 2023 që tregojnë se z. Thaçi u zbuloi në mënyrë të përsëritur informacion konfidencial vizitorëve të tij”, tha ajo.
    “Sidoqoftë Gjykatësja e Procedurës Paraprake e rrëzoi kërkesën në lidhje me tre vëllezërit e z. Thaçi. Ndonëse Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se vëllezërit kishin diskutuar për dëshmitarë të mbrojtur, ndër të tjera edhe se si duhej të dëshmonte një dëshmitar dhe rrjedhimisht ka të ngjarë të kenë marrë pjesë në zbulimin e informacionit konfidencial për palë të treta, ajo gjithashtu kujtoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies së ngushtë me familjen dhe pranoi argumentin e Mbrojtjes se tre vëllezërit i japin zotit Thaçi mbështetje morale të vyer. Gjykatësja e Procedurës Paraprake mbajti parasysh se kontakti me familjen është edhe më i rëndësishëm duke qenë se babai i zotit Thaçi u nda nga jeta kohët e fundit”, tha ajo më tutje.

    “Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se kufizimet e urdhëruara në vendimin e saj duhet të mbeten në fuqi për aq kohë sa i shërbejnë një synimi legjitim dhe vazhdojnë të jenë të domosdoshme dhe proporcionale dhe informoi se do të rishikojë domosdoshmërinë e këtyre masave në çdo tre muaj. Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e Mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar si nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial. Ajo arriti në përfundimin se pikat e ngritura nga z. Thaçi nuk ishin të apelueshme dhe se Mbrojtja thjesht shprehte mospajtim me vendimin e saj”, theksoi zëdhënësja Griep.

  • Kurti bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij

    Kurti bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë të tij, bëri sot homazhe pranë varrit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandantit Ismet Jashari – Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.

    Kurti theksoi se përmes kujtimit dhe përkujtimit të dëshmorëve të kombit, ne tregojmë respektin dhe nderimin tonë për gjakun e derdhur për liri, i cili ndodhet në rrënjët e shtetit e të Republikës

    Ai shtori se vetëm me idealet e tyre mund të bëjmë progres për popullin tonë edhe në aspektin e lirisë e të demokracisë, po edhe të zhvillimit ekonomik e të mirëqenies sociale.