ATV

Tag: Ballina

  • Udhëheqësit e vendit përkujtojnë viktimat e 11 shtatorit në ShBA

    Udhëheqësit e vendit përkujtojnë viktimat e 11 shtatorit në ShBA

    Me rastin e 24 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe në nderim të afro 3 mijë viktimave që humbën jetën në atë ngjarje tragjike, e cila la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën.

    Osmani tha se nderojnë heroizmin e treguar ndaj atyre që u përgjigjën ndaj sulmit të 11 shtatorit.

    “Sot bëmë homazhe për të përkujtuar të gjithë viktimat se sulmit terroristë të 11 shtatorit, si dhe për të nderuar heroizmin e treguar nga të gjithë ata që u përgjigjën ndaj këtij sulmi duke rrezikuar edhe jetën e vet për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Në atë ditë bota u nda në dysh, në ata që thellësisht besojnë në vlerat e lirisë, vlerat e humanizmit dhe qëndrojnë bashkërisht në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftim të terrorizmit dhe pjesa tjetër ishin ata që besojnë në terrorizëm dhe shfrytëzojnë dashakeqësinë e terrorizmit për të shkaktuar dhimbje tek të tjerët”, ka thënë Osmani.

    Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se 11 shtatori ka qenë një sulm ndaj vlerave të lirisë.

    “Populli ynë gjendet krahë popullit amerikan. Gati 3 mijë viktima qytetarë amerikan që humbën jetën, e tre prej tyre edhe shqiptarë”, tha Basha.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se: “Sikurse edhe çdo vit tjetër më 11 shtator bëjmë homazhe dhe vendosim lule të freskëta te këtu tek përkujtimorja në oborrin e përbashkët të Qeverisë dhe i Kuvendit, që i dedikohet viktimave të sulmit terroristë të 11 shtatorit”.

    Ndryshe, ngjarja e 11 Shtatorit mbetet një prej momenteve më të dhimbshme në historinë moderne, që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si bota e sheh sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit. /Telegrafi/

  • Dyshimi për varrezë masive në Kozhle, Hoti: Lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash

    Dyshimi për varrezë masive në Kozhle, Hoti: Lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se lokacioni në Kozhlje, afër Novi Pazarit, ku dyshohet për një varr masiv, deri më tani është shfrytëzuar si deponi mbeturinash.

    Sipas tij, ky është një nga vendet që është diskutuar disa herë nga Grupi Punues për të Zhdukurit nga lufta, krahas lokacioneve si Batajnica dhe Kozhareva, për të cilat Kosova ka kërkuar vazhdimisht nisjen e hulumtimeve.

    Në këtë zonë sot është deleguar një ekip nga Kosova për të bërë vlerësimin e terrenit dhe për të parë mundësinë e fillimit të punimeve.

    “Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë. Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ai ka theksuar se lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999 dhe për të arritur deri te zona e dyshuar, duhet largimi i tyre deri në një thellësi mbi 15 metra.

    Hoti ka bërë thirrje që Serbia të mos e zvarrisë procesin në Kozhlje dhe të fillojë punimet edhe në vendet e tjera të identifikuara.

    “Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të fillojnë punimet edhe në lokacionet tjera për të cilat ka zotime, siç është Batajnica dhe 16 lokacionet tjera të përmendura në raportin e tyre.”, ka shkruar ai.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukajt, ish-drejtor në këtë komunë.

    Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat për t’i sjellë përfitim pasuror personave të tretë, duke dëmtuar pronën publike.

    Në prill të vitit 2021, ata i propozuan Kuvendit Komunal këmbimin e një prone, duke e paraqitur rrejshëm si pronë komunale.

    Ky veprim i ka shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit një dëm prej mbi 125 mijë eurosh.

    Përveç kësaj, Mujka akuzohet edhe për mosraportim të pasurisë.

    Të dy ishin arrestuar në vitin 2023 gjatë një operacioni anti-korrupsion, ku në njërin nga lokacionet ishin sekuestruar edhe 60 mijë euro.

  • IKD: Qeverisja “Kurti II” e kundërligjshme, ministrat mbajtën dy pozita, vendimet e tyre të kundërligjshme

    IKD: Qeverisja “Kurti II” e kundërligjshme, ministrat mbajtën dy pozita, vendimet e tyre të kundërligjshme

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar një raport ku thekson se Qeverisja “Kurti II” ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas IKD-së, ministrat kanë mbajtur njëkohësisht postin e deputetit, ndërsa shumë institucione janë udhëhequr nga ushtrues detyre.

    Raporti thekson se mbajtja e dy pozitave shkel Kushtetutën, një praktikë që u vlerësua e kundërligjshme edhe nga Gjykata Supreme.

    Përveç kësaj, IKD ka gjetur se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afateve ligjore ka dëmtuar meritokracinë dhe ka paralizuar institucionet.

    Lidhur me mbajtjen e dy pozitave nga ministrat, rasti tashmë po trajtohet edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

     

  • Kusari-Lila në “Context”: Nisma refuzoi ofertën për nënkryetar të Kuvendit

    Kusari-Lila në “Context”: Nisma refuzoi ofertën për nënkryetar të Kuvendit

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Nisma Socialdemokrate ka refuzuar ofertën për të propozuar një nënkryetar të Kuvendit.

    Duke folur mbrëmë në emisionin “Context” në ATV, ajo theksoi se oferta ishte bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila përcakton balancën gjinore në kryesi: “Nëse kryetari është burrë, atëherë një nga nënkryetarët duhet të jetë grua – dhe anasjelltas. Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar, Nisma nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për të propozuar njërën nga dy deputetet e saj për pozitën e nënkryetares.”

    Në anën tjetër, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka theksuar se posti i nënkryetarit nuk ka qenë prioritet për partinë e saj. Sipas saj, Nisma mbetet e hapur për marrëveshje politike që garantojnë shumicë të qëndrueshme dhe qeverisje funksionale, ndërsa në mungesë të kësaj, “zgjidhja e vetme mbetet rikthimi tek qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.”

  • Kushtetuesja e shpall të papranueshme ankesën e Ramës kundër rregullores së mbeturinave

    Kushtetuesja e shpall të papranueshme ankesën e Ramës kundër rregullores së mbeturinave

    Gjykata Kushtetuese ka refuzuar si të papranueshme ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar më 5 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal.

    Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se kjo rregullore nuk është as ligj i Kuvendit të Kosovës dhe as akt i Qeverisë, por një akt nënligjor komunal, i cili nuk hyn në fushën e kompetencës së saj.

    Megjithatë, me autorizim të kryetarit Rama, Zyra Ligjore e Komunës kishte vendosur që nga shkurti 2025 të mos e zbatojë këtë rregullore. Si rezultat, faturat e mbeturinave janë arkëtuar drejtpërdrejt nga Komuna e Prishtinës, ndërsa shërbimi i grumbullimit është deleguar tek gjashtë kompani private.

    Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka vlerësuar rregulloren si të ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka urdhëruar Komunën që të kthejë kompanisë publike “Pastrimi” të hyrat e mbledhura për gjashtë muaj.

    Vendimi i Kushtetueses e konsolidon pozitën e “Pastrimit” si operator publik në këtë sektor, por njëkohësisht mban të hapur debatin politik e juridik mbi mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar një shërbim thelbësor për qytetarët.

    Burime brenda “Pastrimit” konfirmojnë se edhe këtë muaj pagat e punëtorëve janë shpërndarë me vonesë, për shkak të mosshlyerjes së borxhit prej 2.5 milionë eurosh nga ana e Komunës së Prishtinës.

  • Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se teguesit e hershëm sugjerojnë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore evropiane ishte e qëllimshme, jo aksidentale.

    Ajo ka shkruar të mërkurën në X se lufta e Rusisë po vazhdon të përshkallëzohet.

    “Ne duhet të rrisim koston për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja mbrojtëse e kufirit lindor”, ka shkruar Kallas.
    Ajo e ka përshkruar sulmin rus, ku dronët hynë në hapësirën ajrore polake, si “shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës”.

    Kallas ka shtuar se është në kontakt me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe zëvendëskryeministrin e Polonisë, Radosłaë Sikorski.

    “BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë”, ka thënë Kallas.

  • Reagime në SHBA: Dronët rusë mbi hapësirën ajrore të Polonisë, akt lufte

    Reagime në SHBA: Dronët rusë mbi hapësirën ajrore të Polonisë, akt lufte

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, senatori demokrat Dick Durbin tha se shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të NATO-s nga dronët rusë ishin një shenjë se Presidenti rus “Vladimir Putin po vë në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur Poloninë dhe vendet baltike”.

    Përfaqësuesi republikan Joe Wilson, një anëtar i lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme, tha në një postim në X se Rusia po “sulmonte aleatin e NATO-s, Poloninë” me dronë, duke e quajtur këtë një “akt lufte”.

    Wilson i kërkoi presidentit të ShBA-së, Donald Trump, të përgjigjet me sanksione “që do ta falimentojnë makinerinë ruse të luftës”.

    “Putini nuk mjaftohet më duke humbur në Ukrainë ndërsa bombardon nënat dhe foshnjat, ai tani po e vë në provë drejtpërdrejt vendosmërinë tonë në territorin e NATO-s”, tha ai.

    Trump, i cili e priti ngrohtësisht Putinin në Shtetet e Bashkuara për një samit në gusht, tha gjatë fundjavës se ishte gati të kalonte në një fazë të dytë të sanksionimit të Rusisë pas muajsh bisedimesh të pafrytshme për një marrëveshje paqeje.

  • Polonia thotë se ka rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore

    Polonia thotë se ka rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore

    Polonia ka deklaruar se ka angazhuar mbrojtjen ajrore të saj dhe të NATO-s për të rrëzuar dronë të mërkurën, pas një sulmi ajror rus në Ukrainën perëndimore, hera e parë gjatë luftës në Ukrainë që Varshava angazhon forca në hapësirën e saj ajrore.

    Komanda ushtarake e Polonisë ka theksuar se dronë kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus përtej kufirit në Ukrainë, ndërsa ministri i Mbrojtjes tha se komanda e NATO-s është informuar.

    Radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte dhe ato që mund të përbënin kërcënim janë “neutralizuar”, thuhet në deklaratë, raporton Reuters.

    “Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore janë rrëzuar. Po kryhen kërkime dhe përpjekje për të gjetur vendndodhjet e mundshme të rrëzimit të këtyre objekteve”, ka theksuar ushtria.

    Operacioni ushtarak është ende në vazhdim dhe qytetarët janë paralajmëruar të qëndrojnë në shtëpi, me theks të veçantë për rajonet e Podlaskie, Mazowieckie dhe Lublin, të cilat konsiderohen më të rrezikuarat.

    Ushtria polake e quajti shkeljen e hapësirës ajrore një “akt agresioni”, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se avionët polakë “kanë përdorur armë kundër objekteve armiqësore.” Ai shtoi se “jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandën e NATO-s”, në një postim në platformën X.

    Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi në vend, njoftoi se hapësira ajrore është mbyllur për shkak të veprimeve ushtarake.

    Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së kishte thënë më herët se Chopin ishte një nga katër aeroportet polake që u mbyllën përkohësisht, përfshirë edhe Aeroportin Rzeszow–Jasionka në juglindje, një qendër e rëndësishme për udhëtarët dhe transferimin e armëve drejt Ukrainës.

    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ishte informuar mbi incidentin, sipas gazetares së CNN, Kaitlan Collins. Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Reuters.

  • MPDJ u bën thirrje qytetarëve të Kosovës: Në këtë fazë shmangni udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë

    MPDJ u bën thirrje qytetarëve të Kosovës: Në këtë fazë shmangni udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet në këtë fazë nëpërmjet territorit të Serbisë.
    Një apel i tillë për qytetarët vjen pasi MPJD konfirmoi arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator 2025, në pikën kufitare në Merdar, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.

    “Në këtë fazë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së tyre.

    MPJD gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

    MPJD thekson tutje se rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.