ATV

Tag: Ballina

  • Krasniqi: Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës

    Krasniqi: Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka quajtur thes të mashtrimeve buxhetin për vitin 2026 që ndau Qeveria në detyrë dhe vendimin për rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijët.

    “Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare. Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen. Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!:, ka shkruar Krasniqi.

    LEXONI EDHE:

    Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2026: Rritje pagash, pensionesh dhe shtesash për lehona

  • Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike

    Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike

    Në zyrën e Presidencës është duke u zhvilluar takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike.

    Ky takim konsultativ po zhvillohet pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë ‘Kurti 3’ më 26 tetor, kur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje nuk siguroi 61 votat e nevojshme.

    Qëllimi i takimit është konsultimi për hapat e mëtejshëm drejt caktimit të mandatarit të ri për krijimin e qeverisë.

    Në takim po marrin pjesë liderët e të gjitha partive parlamentare, të cilët i janë përgjigjur ftesës së presidentes.

    Sipas Kushtetutës, presidentja ka afat dhjetë ditë për t’u konsultuar me partitë para se të propozojë mandatarin e ri. Nëse dështon edhe tentativa e dytë për formimin e qeverisë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.

  • Haradinaj kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2026: Shumë vonë, shumë pak, marre

    Haradinaj kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2026: Shumë vonë, shumë pak, marre

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh deputet i Kuvendit, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2026.

    Ai e cilësoi këtë veprim si të vonuar dhe madje “për marre”.

    “Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh”, tha Haradinaj.

    Përveç kritikave, kreu i AAK-së paraqiti edhe zotimet e tij për një qeveri të mundshme që do të drejtohej nga ai.

    “Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, u shpreh Haradinaj.

  • FSK pjesë e operacionit në Britani për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina

    FSK pjesë e operacionit në Britani për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina

    Forca e Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar se ajo është duke marrë pjesë në Operacionin Interflex ë Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina. Kësisoj, FSK është duke ndihmuar në stërvitjen e përbashkët për t`u përballur me agresionin rus në Ukrainë.

    Në njoftim shtohet se FSK është duke operuar me kontingjentin e katërt që nga fillimi i pjesëmarrjes në operacionin Interflex, ku i është bashkangjitur Kompaninë Echo e cila udhëhiqet nga njësia nga Zelanda e Re, kompani e cila përbëhet nga 4 njësi nga shtete të ndryshme Zelanda e Re, Kosova, Estonia dhe Lituania.

    ‘‘Kontingjenti i FSK është duke kryer detyrat e planifikimit, përgatitjet e nevojshme logjistike dhe ekzekutimi i kurseve 5-javore për forcat ukrainase. Gjatë periudhës së angazhimit, Kompania Echo ka përfunduar gjithsej tri kurse të trajnimit për forcat ukrainase’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi:

    FSK e ndërveprueshme me partnerët në Operacionin Interflex

    Forca e Sigurisë së Kosovës me kapacitetet e saj është duke dhënë kontribut në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina duke ndihmuar kështu në stërvitjen e përbashkët me partnerët për t`u përballur me agresionin rus në Ukrainë.

    FSK është duke operuar me kontingjentin e katërt që nga fillimi i pjesëmarrjes në operacionin Interflex, ku i është bashkangjitur Kompaninë Echo (e udhëhequr nga njësia nga Zelanda e Re). Kjo kompani përbëhet nga 4 njësi nga shtete të ndryshme (Zelanda e Re, Kosova, Estonia dhe Lituania).

    Kontingjenti i FSK është duke kryer detyrat e planifikimit, përgatitjet e nevojshme logjistike dhe ekzekutimi i kurseve 5-javore për forcat ukrainase. Gjatë periudhës së angazhimit, Kompania Echo ka përfunduar gjithsej tri kurse të trajnimit për forcat ukrainase.

    Misioni dhe qëllimi kontigjentin e FSK-së është përgatitja e pjesëtarëve të forcave ukrainase për udhëheqës të skuadrës, taktikat e luftimit nga niveli individual deri në nivelin e skuadrës si: patrullat, operacionet sulmuese dhe mbrojtëse, Procedura e Udhëheqjes së Trupave(PUT), lidership, komandë-kontroll, përdorimi i dronëve të llojeve të ndryshme, si dhe qitje taktike./ATVLIVE/

  • I akuzuari për 400 kg drogë: Po të mos zbulohej, malli do të shpërndahej në gjithë Kosovën

    I akuzuari për 400 kg drogë: Po të mos zbulohej, malli do të shpërndahej në gjithë Kosovën

    Në seancën gjyqësore për rastin e 400 kilogramëve kokainë të gjetura në produktet e pulës së ngrirë të kompanisë “MC FOOD”, i akuzuari Kadri Brahimi gjatë mbrojtjes së tij është pyetur nga avokati Florent Latifaj, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Izet Sheqiri, pronar i kompanisë.

    Brahimi ka deklaruar se Sheqiri nuk ka pasur asnjë interesim për kamionët që sillnin mallin, raporton Ekonomia Online.

    “Izet Sheqiri kurrë nuk ka qenë i interesuar për ndonjë kamion”, tha Brahimi gjatë seancës.

    Avokati Latifaj e pyeti më tej se çfarë do të ndodhte me mallin nëse policia nuk do të kishte ndërhyrë.

    Në përgjigjen e tij, Brahimi tha se produktet do të shpërndaheshin në treg në të gjithë Kosovën.

    “Ai mall, mos me hy policia dhe mu palu nëpër depo, ka pasur mundësi që të shkojë nëpër markete e krejt Kosovës, sepse ne paketat nuk i hapim. Mua nuk më intereson se çfarë ka brenda saj, sepse unë merrem me çështjen e barkodeve dhe faturës. Në atë minutë që del nga depoja, unë nuk jap përgjegjësi për atë”, tha ai.

    Në këtë rast, Prokuroria po akuzon pesë persona, Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Faton Vrajollin, Kadri Brahimin dhe Fehmi Bytyçin, se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë braziliane “SEARA” për import të produkteve të mishit të pulës së ngrirë, brenda të cilave ishte gjetur substancë narkotike e llojit kokainë në sasi prej 400 kilogramësh.

  • Kurti nga Franca: Europa përfiton nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO

    Kurti nga Franca: Europa përfiton nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Paris, ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Deklaratat e tij u bënë gjatë darkës së shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të larta politike, diplomatike dhe ekonomike të Francës, siç ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.

    “Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës”, citohet në njoftimin e qeverisë.

    Tutje, Kurti ka theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike për avancimin e shoqërive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Kryeministri në detyrë sot merr pjesë edhe në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, forum ky që mblodhi liderë nga e gjithë bota.

  • Rritja e konsumit të energjisë, KEDS-i ankohet për mbingarkesë në rrjet

    Rritja e konsumit të energjisë, KEDS-i ankohet për mbingarkesë në rrjet

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se gjatë muajit tetor është shënuar një rritje prej 18.5 për qind në konsumin e energjisë elektrike, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas njoftimit të KEDS-it, arsyeja kryesore e kësaj rritjeje është përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje, pas rënies së temperaturave.

    “Kërkesa më e lartë sesa kapacitetet e rrjetit po shkakton mbingarkesa, sidomos gjatë orëve të pikut,” thuhet në njoftim.

    KEDS ka apeluar te qytetarët që të përdorin energjinë në mënyrë racionale dhe të kujdesshme, për të zvogëluar presionin mbi rrjetin elektrik dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.

  • Ryshfeti për pushime mjekësore: Çmimet varionin 10–50 euro, Policia jep detaje për mjekun e arrestuar dje në Vushtrri

    Ryshfeti për pushime mjekësore: Çmimet varionin 10–50 euro, Policia jep detaje për mjekun e arrestuar dje në Vushtrri

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e mjekut me inicialet A.V., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit”.

    Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash nga pacientët, në këmbim të lëshimit të raporteve për pushime mjekësore. Çmimet për këto raporte varionin nga 10 deri në 50 euro.

    “Dyshohet se i dyshuari kishte përfituar personalisht nga shërbimet e ofruara për qytetarët. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit,” thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar gjithashtu se arrestimi u bë pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore. Mjeku akuzohet për marrje ryshfeti për lëshimin e vërtetimeve mjekësore.

    Hetimet ndaj tij vazhdojnë.

  • Osmani takon Presidentin e Mauritanisë në Riad, bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale

    Osmani takon Presidentin e Mauritanisë në Riad, bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në Riad homologun e saj nga shteti i Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani.

    Osmani përmes një postimi në Facebook tha se me homologun e saj bisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

    “Një takim shumë i mirë në Riad me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani.Biseduam për forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Mauritanisë, gatishmërinë për të punuar së bashku në nivel ndërkombëtar, si dhe për angazhimin tonë të ndërsjellë në thellimin e bashkëpunimit bilateral”, ka shkruar Osmani në Facebook.

  • Sot nis Forumi i Paqes në Paris, Kurti përfaqëson Kosovën

    Sot nis Forumi i Paqes në Paris, Kurti përfaqëson Kosovën

    Sot fillon Forumi i Paqes të Parisit, i cili është një ngjarje ndërkombëtare vjetore që mbahet në Paris, e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore.

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron.

    Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit.

    Ndërkaq, mbrëmë ishte i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.