ATV

Tag: Ballina

  • Arrestohet Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve

    Arrestohet Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve

    I dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve në Malieshvë, Astrit Isufi është arrestuar.

    Lajmin e ka konfirmuar komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

    “Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Graishta.

    Arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

    “Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

    I dyshuari nga dje ishte në arrati, pasi në Golluboc të Malishevës vrau dy vëllezërit e gruas së tij, para dyerve të shtëpisë.

    Ndaj dorasit ka aktakuzë aktive për dhunë në familje, të kryer në mars.

  • KFOR-i konfirmon: Xhandarët serbë hynë në Kosovë edhe më 15 tetor

    KFOR-i konfirmon: Xhandarët serbë hynë në Kosovë edhe më 15 tetor

    Më 1 nëntor, shtetasi serb i Kosovës Millosh Vukashinoviq, u plagos dhe u kidnapua nga xhandarmëria e Serbisë, në zonën e njohur si “pika zero” në afërsi të Leposaviqit, zonë kjo që i përket Republikës së Kosovës.

    Por, ky nuk ishte rasti i vetëm që njerëz të uniformuar të Serbisë hynë brenda territorit të Kosovës në periudhën e fundit.

    Klankosova.tv ka në posedim një video të datës 15 tetor ku shihen forca të armatosura serbe brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Metergoc të Podujevës, që është zonë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    E kjo u konfirmua ga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.

    “Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR për KlanKosova.

  • Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin: Pesë të vdekur dhe mbi 130 persona të zhdukur

    Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin: Pesë të vdekur dhe mbi 130 persona të zhdukur

    Tajfuni Kalmaegi ka vrarë të paktën pesë persona në Vietnam, pasi goditi provincat qendrore dhe malore të tij, sipas mediave shtetërore vietnameze.

    Sipas raportimeve, Kalmaegi goditi Vietnamin qendror të enjten në mbrëmje, duke sjellë erëra të forta dhe shira që dëmtuan mijëra ndërtesa në të gjithë rajonin.

    Sipas autoriteteve, numri i të vdekurve mund të vazhdojë të rritet, pasi 135 persona rezultojnë ende të zhdukur pas shirave të rrëmbyeshëm.

    Stuhia çoi në shembjen e gati 57 shtëpive dhe shkuli çatitë e rreth 3,000 të tjerave, ndërsa shkaktoi gjithashtu fundosjen e 11 anijeve dhe rrëzimin e linjave të energjisë në të gjithë vendin.

    Provincat Dak Lak, Quang Ngai dhe Gia Lai të Vietnamit ishin disa nga më të goditurat, me qeverinë që raportoi pesë vdekje dhe shtatë të plagosur deri në mëngjesin e të premten sipas orës lokale.

    Më shumë se 8,000 njerëz janë evakuuar nga zonat e goditura nga stuhia, ndërsa 1.28 milion familje mbeten pa energji elektrike, sipas autoriteteve vendase.

    Qeveria tha se kishte mobilizuar më shumë se 268,000 ushtarë për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ambasada amerikane në Hanoi lëshoi një njoftim, duke paralajmëruar se Vietnami bregdetar mund të përjetojë valë me lartësi midis 4-8 metrash dhe erëra deri në 135 km në orë në disa pjesë të vendit.

    Kalmaegi, tajfuni i 13-të që krijohet në Detin e Kinës Jugore këtë vit, tani është dobësuar në një stuhi tropikale, sipas parashikuesit të motit të Vietnamit, ndërsa lëviz drejt Kamboxhias dhe Laosit.

    Më herët këtë javë, uragani Kalmaegi përshkoi Filipinet qendrore, duke vrarë të paktën 188 persona në një nga katastrofat më të këqija të vitit, sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile.

    Vietnami dhe Filipinet janë shumë të prekshme nga stuhitë tropikale dhe tajfunet për shkak të vendndodhjes së tyre përgjatë brezit të tajfuneve të Paqësorit, duke përjetuar rregullisht dëme dhe viktima gjatë sezoneve të stuhive më të forta.

  • Haxhiu: Konjufca e bën qeverinë

    Haxhiu: Konjufca e bën qeverinë

    Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe një prej zërave më të afërt të Albin Kurtit, ka folur në Ditar nga Pandi Gjata në A2 CNN mbi zhvillimet e fundit politike në Prishtinë, duke konfirmuar se mandati për krijimin e qeverisë i është dhënë Glauk Konjufcës, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj opozitës për bllokimin e institucioneve dhe për urrejtje ndaj Vetëvendosjes e Kurtit personalisht.

    “Konjufca është person unifikues, i dytë më i votuari në vend, dhe propozimi ynë ka ardhur për të shmangur një krizë të re politike. Ne kërkojmë votimin e buxhetit dhe një qeveri të përkohshme, para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje”, tha Haxhiu, duke theksuar se opozita, sipas saj, po e mban peng shtetin “nga inati me Albin Kurtin”.

    Ajo shtoi se “LDK-ja është shkëputur nga elektorati i saj”, ndërsa për Fatmir Limajn tha se negociatat dështuan sepse “kërkoi më shumë se sa ia dha populli”.

    Sipas saj, Vetëvendosja nuk pranon pazare për poste, ambasada apo tenderë. Duke folur për mandatin e dytë të Konjufcës, Haxhiu u shpreh optimiste se votat mund të sigurohen, “nëse deputetët do të ishin të lirë nga presionet e kryetarëve të partive”.

    Ajo gjithashtu vlerësoi rolin e presidentes Osmani, e cila “ka vepruar në përputhje me Kushtetutën” për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme.

    Haxhiu foli edhe për çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke zbuluar se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për lirimin e tyre nga paraburgimi. “Ne kemi dhënë garanci për kthimin e tyre në Kosovë dhe respektimin e vendimeve të gjykatës. Ata mbahen padrejtësisht, dhe pas përfundimit të dëshmive të prokurorisë nuk ka më asnjë arsye që të qëndrojnë në paraburgim”, theksoi ajo, duke shtuar se “Kosova ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e tyre”.

    Haxhiu tha se përpjekjet e qeverisë janë bërë “në heshtje, sepse puna e mirë bëhet pa zhurmë”, ndërsa akuzat e opozitës i quajti “të pabaza”.

    Ajo vlerësoi edhe fitoret e kandidatëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe deklaroi besim të plotë në suksesin e Vetëvendosjes në balotazhin e së dielës, veçanërisht në Prishtinë, Mitrovicë e Prizren.

  • Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër, të moshave rreth 32 dhe 45 vjeç, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari për këtë vrasje të dyfishtë është A.I., i cili sipas hetimeve paraprake, i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij.

    Pas një përplasjeje verbale, ai është larguar nga shtëpia, por më pas është kthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, të cilët ndodheshin para derës së shtëpisë. Njëri nga viktimat ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë gjatë transportit në spital.

    Dyshohet se konflikte të mëparshme mes familjes së të dyshuarit dhe viktimave mund të kenë kontribuar në eskalimin e situatës.

    Policia dhe Prokuroria janë në vendngjarje dhe po kryejnë hetime të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim. Veprime operative janë duke u zhvilluar për kapjen e tij.

  • Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar të enjten pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

    Në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, punonjësit mbajtën pankarta me mbishkrimin “Punëtorët e RTK-së – jo viktima të krizës”, “Gazetarë pa pagesë, demokraci pa zë”, dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”.

    Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se RTK-së nuk i është ndarë pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit.

    Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gazetari dhe përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi, u bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në detyrë dhe menaxhmentit të RTK-së të punojnë për ta kaluar buxhetin për televizionin shtetëror.

    “Ne kemi qenë të durueshëm, por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe, nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

    RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.

    Javën e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk gjeti pajtueshmëri me përfaqësuesit politikë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që të shtynte përpara, ndër të tjera, edhe çështjen e buxhetit për RTK-në.

    Kjo është protesta e dytë e punëtorëve të RTK-së pas asaj në gusht, pas të cilës Qeveria në detyrë e miratoi kërkesën e televizionit për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.

    Ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, se Qeveria në detyrë nuk mund ta përsërisë vendimin e gushtit.

    Murati shtoi se përgjegjësinë për ndarjen e mjeteve buxhetore për RTK-në e ka Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria.

    Ai theksoi se zgjidhja për pagat e punëtorëve të transmetuesit publik varet nga formimi i komisioneve parlamentare./REL

  • Mosmiratimi i buxhetit rrezikon pagat e sektorit publik – Sindikatat paralajmëron për pasoja të rënda

    Mosmiratimi i buxhetit rrezikon pagat e sektorit publik – Sindikatat paralajmëron për pasoja të rënda

    Sindikatat e sektorit publik kanë alarmuar për pasoja të rënda, nëse klasa politike dështon të miratojë buxhetin e vitit 2026 ose zgjatjen e tij.

    Bllokada rrezikon të lërë pa paga rreth 100 mijë punonjës në sektorin publik, si dhe pa të ardhura 210 mijë pensionistë e mijëra përfitues të skemave sociale e kategorive të tjera.

    Përfaqësuesit e shëndetësisë, arsimit dhe policisë paralajmërojnë se mund të cenohet funksionimi i shërbimeve bazike në këto institucione.

    Pacientët rrezikojnë të mbesin pa barna esenciale, ndërsa punonjësit e arsimit dhe policisë mund të mbesin pa të vetmin burim jetese, duke rrezikuar edhe pagesat e kredive bankare.

    Ndërkohë, LDK ka shprehur gatishmëri për vazhdimin tre-mujor të buxhetit aktual në rast zgjedhjesh të reja, ndërsa Vetëvendosje thotë se ka propozuar zgjidhje për shmangien e krizës buxhetore me nominimin e Glauk Konjufcës si mandatar.

  • Miratohet kërkesa për të rezervuar një ditë shtesë për dëshminë e Clarkut

    Miratohet kërkesa për të rezervuar një ditë shtesë për dëshminë e Clarkut

    Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues shqyrtoi disa kërkesa të Mbrojtjes së Thaçit në lidhje me dëshminë e ardhshme të dëshmitarit të saj të planifikuar të Wesley Clark (1DW-007).

    “Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë. Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundshme”, njofton Specialja.

    Ndryshe për javën e ardhshme, seanca  mbahet të hënën, 10 nëntor 2025 dhe do të fillojë në orën 14:00 dhe do të përfundojë në orën 17:00.

  • Gjendja e zyrtarit të BE-së të plagosur në Gjakovë mbetet stabile – vazhdon trajtimin në QKUK

    Gjendja e zyrtarit të BE-së të plagosur në Gjakovë mbetet stabile – vazhdon trajtimin në QKUK

    Zyrtari i Bashkimit Evropian, S.Sh që u plagos të martën mbrëma në Gjakovë, po vazhdon të trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.

    Gjendja e tij është stabile dhe po monitorohet nga mjekët. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

    “I njëjti vazhdon të jetë në trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe gjendja e tij është stabile”, tha Kolegci.

    Zyrtari i BE-së u sulmua me mjet të mprehtë të martën në mbrëmje në qytetin e Gjakovë, ku si pasojë ka pësuar lëndime në kokë, qafë dhe gjoks.

    Viktima ka pësuar një plagë prerëse-shpuese afër veshit të majtë, dy plagë të vogla në pjesën përpara të gjoksit, si dhe frakturë të brinjës së tretë djathtas dhe një pneumotoraksi (ajër në mushkëri) që aktualisht është në vëzhgim.

    Në ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar nisjen e hetimeve për rastin, ndërsa bashkëpunimi po shtrihet edhe me njësitë policore për të zbardhur plotësisht rrethanat.

    “Nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, kanë deklaruar të mërkurën nga Prokuroria Speciale.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur e tronditur për ngjarjen, dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj.

    Rasti është duke u hetuar si vrasje e rëndë në tentativë kurse motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta. /Telegrafi/

  • Osmani njofton se dje e ka takuar Prattipatin për të folur rreth “zhvilllimeve të fundit dhe sigurisë”

    Osmani njofton se dje e ka takuar Prattipatin për të folur rreth “zhvilllimeve të fundit dhe sigurisë”

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Pratipati.

    Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin institucional.

    Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar partneritetin ndërmjet dy vendeve si strategjik dhe thelbësor për suksesin dhe zhvillimin e Kosovës.