ATV

Tag: Ballina

  • Rama përfundon vizitën te Thaçi: E gjeta të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, folëm për Kosovën e për Shqipërinë

    Rama përfundon vizitën te Thaçi: E gjeta të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, folëm për Kosovën e për Shqipërinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

    Ai tha se “komandantin” e gjeti në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt.

    Pos tjerash, Rama shtoi se me Thaçin folën për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pati çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia dërgoi këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin, sipas Ramës, me të qeshur Thaçi e quan “institut”.

    “Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, ka shkruar ai.

    Ai tha se nuk di çfarë të thotë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike.

    “Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë”.

    “Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, ka shkruar Rama.

  • Osmani: Takimet intensive në Bruksel sollën rezultate konkrete për Kosovën

    Osmani: Takimet intensive në Bruksel sollën rezultate konkrete për Kosovën

    Një ditë pasi u bë publike se në fund të janarit do të hiqen masat e fundit ndëshkuese ndaj Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian për përkrahjen e tyre.

    Të mërkurën në mbrëmje, Osmani bëri të ditur se në përfundim të Samitit BE–Ballkani Perëndimor është marrë vendimi që të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës të hiqen.

    Ajo sqaroi se një pjesë e tyre hiqet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hiqet në fund të janarit.

    Në një postim të publikuar në Facebook, presidentja theksoi se takimet intensive gjatë samitit sollën rezultate konkrete për vendin: “Takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin tonë. Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës. Falënderoj përzemërsisht liderët e Bashkimit Evropian, si dhe të gjithë partnerët tanë, për vlerësimin e angazhimit të palodhur të Kosovës,” shkruan Osmani.

  • Eurodeputeti Reuten pas heqjes së masave: Tani të procedohet aplikimi për vend kandidat që po mbahet në sirtar

    Eurodeputeti Reuten pas heqjes së masave: Tani të procedohet aplikimi për vend kandidat që po mbahet në sirtar

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka reaguar pas vendimit të BE-së për të hequr të gjitha masat, vendim ky që do të finalizohet në fund të janarit 2026 me lirimin e një grupi të dytë të mjeteve financiare.

    Reuten ka thënë se kjo politikë e BE-së karshi Kosovës ka qenë e tmerrshme dhe sipas tij tashmë është koha që të procedohet me aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat, meqë aplikimi po mbahet në sirtar prej vitesh.

    “Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugën evropiane të Kosovës. Të radhës: të përpunojmë kërkesën e anëtarësimit të Kosovës që ka mbetur pezull prej vitesh.”, ka shkruar ai.

  • Mori pjesë në vrasjen e 34 shqiptarëve në Malishevë, aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës

    Mori pjesë në vrasjen e 34 shqiptarëve në Malishevë, aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morinës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

    “R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në njoftim.

    I pandehuri thuhet se ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej vitit 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykata vendore.

    Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

  • Osmani takon Costan: Nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e plotë e masave

    Osmani takon Costan: Nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e plotë e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se në Bruksel u mirëprit nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.

    Osmani ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian dhe se nuk ka arsye që të pengohet ose shtyhet heqja e plotë e masave.

    “Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani në Facebook.

  • Ambasadori britanik i shkon në zyre Kurtit, shpreson për zgjedhje të qeta e formim të shpejtë të institucioneve

    Ambasadori britanik i shkon në zyre Kurtit, shpreson për zgjedhje të qeta e formim të shpejtë të institucioneve

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar se ka zhvilluar sot takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Hargreaves ka zbuluar se me Kurtin kanë diskutuar për zgjedhjet, teksa ka shtuar se shpreson për një proces zgjedhor të qetë që do të mundësoj formimin e shpejtë të institucioneve në vitin 2026, shkruan Reporteri.net.

    Ata kanë folur edhe për dialogun, ku Hargreaves ka theksuar nevojën që Qeveria e re të rifillojë përparimin në këtë proces.

    “Sot u takova me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Diskutuam për fushatën zgjedhore dhe shpresat për një proces zgjedhor të qetë që mundëson formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kjo është thelbësore për përparimin urgjentisht të nevojshëm në fusha si buxheti kombëtar. Gjithashtu diskutuam nevojën që qeveria e ardhshme të rifillojë përparimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe integrimin evropian, si dhe masat aktive për të lehtësuar integrimin e mëtejshëm të komuniteteve jo-shumicë të Kosovës. Shpresoj që me qeverinë e ardhshme të mund ta thellojmë partneritetin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës”, ka shkruar Hargreaves.

  • Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se do të lirohen rreth 50% e ndihmës financiare për Kosovën, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro.

    Sipas KE-së, ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të pushtetit në katër komunat e veriut, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025.

    “Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025, ne do të lirojmë më tej rreth 50% të ndihmës financiare, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro. Kjo do të mundësojë: nënshkrimin e kontratave për 4 projekte (që gjithsej përfaqësojnë 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe nisjen e zbatimit të tyre; si dhe përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura IPA III të dedikuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit nga Komisioni në pranverën e vitit 2026, i cili do të mundësonte që projektet e para të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026)”, thuhet në konfirmimin e KE-së.

    Komisioni Evropian rikujton se kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato ishin përshkruar si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre ishin të qarta.

  • Anulohet vendimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

    Anulohet vendimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

    Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, dhe ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK.nr.1056/2025), të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer KPK-së për rishqyrtim dhe rivendosje.

    Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa ishte e bazuar, sipas nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Sipas Gjykatës Supreme, vendimi për shkarkim ishte marrë mbi pretendime se U.D. Kryeprokurori, përmes deklarimeve në Këshill dhe media, kishte shprehur qëndrim të njëanshëm, që sipas KPK-së kishin denigruar pozitën e tij dhe kishin cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut. Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto pretendime nuk e justifikonin vendimin e KPK-së dhe se ai ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe Kodin e Etikës Profesionale për Prokurorë.

    “Vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

    Ky vendim i Gjykatës Supreme rikthen lëndën në KPK për rishqyrtim, duke lënë të hapur mundësinë e rivendosjes së çështjes në përputhje me ligjin.

    Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial, me pesë vota pro edhe pse KPK-ja ka 10 anëtarë. Vendimi ishte marrë pas dëshmisë së tij të dhënë për masakrën e Reçakut. Kelmendi i pati mohuar raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut.

  • Presidentja Osmani: Kosova në BE, imperativ strategjik për të gjithë kontinentin

    Presidentja Osmani: Kosova në BE, imperativ strategjik për të gjithë kontinentin

    Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për Euronews gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, ku shkoi për të marrë pjesë në samitin e sotëm BE-Ballkani Perëndimor.

    Ajo tha se është diçka për të cilën kanë punuar për një kohë shumë të gjatë.

    “Praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë, shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si shtet, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Dhe kështu besojmë fuqishëm se, ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të përdorej kriteri i bazuar në meritë, Kosova në fakt do të kishte qenë një nga pararendëset deri tani”, tha ajo në intervistë për Euronews.

    Sipas saj, procesi është kompleks në rastin tonë edhe për shkak të pesë mosnjohësve të njohur, “për të cilët ne vërtet shpresojmë se do ta kuptojnë se Kosova si anëtare e Unionit nuk është vetëm në dobi të popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik, është një imperativ i sigurisë për të gjithë kontinentin”, tha ajo.

  • Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye

    Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë kornizë me prodhuesin e njohur amerikan të industrisë ushtarake, AM General.

    Lajmin e bëri të ditur vetë Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

    “Kontrata përfshin blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS). Në kontratë gjithashtu përfshihen automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtja si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje”, ka shkruar ai.

    Ai ka vlerësuar se me këtë blerje, Forca e Sigurisë së Kosovës po kalon në një fazë tjetër të zhvillimit.

    “Atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.

    Mqedonci theksoi se kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne.

    “Të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”.