ATV

Tag: Ballina

  • IKShPK: Uji nga Liqeni i Badocit i sigurt për pije

    IKShPK: Uji nga Liqeni i Badocit i sigurt për pije

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.

    Sipas IKShPK-së, analizat laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit tregojnë se vlerat e turbullirës, si dhe të gjithë parametrat e tjerë bakteriologjikë dhe fiziko-kimikë, janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.

    Bazuar në këto rezultate dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, IKShPK ka bërë të ditur se uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.

    Instituti ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët lidhur me sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm.

  • Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

    Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

    Në vazhdim të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka prezantuar një hartë që pasqyron 437 incidente të lidhura me krime lufte dhe kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të Kosovës në vitet 1998–1999.

    Prokurori James Pace tregoi edhe për vendin e ndalimit në Jabllanicë për të cilin tha se gjendje afër Shtabit të UÇK-së, afër shtëpisë së Lahi Brahimajt.

    Ai shtoi se prova shkresore tregojnë dhe konfirmojnë dëshmitë e dëshmitarëve për krimet për të cilët janë ngritur akuzat.

    Ndërkaq, prokurorja e Dhomave të Specializuara, Clare Lawson, theksoi se këto krime nuk janë kryer thjesht nga individë të izoluar, por nga vartësit e të akuzuarve, të cilët kanë kontribuar në mënyrë aktive dhe kanë vepruar me një synim të qartë për të realizuar veprime të paligjshme.

    Ai shtoi se përgjegjësia nuk përqendrohet vetëm te udhëheqësit, por edhe te struktura e komandës që ata kanë drejtuar.

    Lawson tha se incidentet përfshijnë përndjekje, vrasje, tortura dhe keqtrajtime në kampet e kontrolluara nga UÇK-ja, duke përfshirë dhjetëra viktima që ishin të lidhura me komunitete të ndryshme etnike, përfshirë serbët, romët dhe ish-anëtarët e partive politike lokale.

    “Shumë nga veprimet janë kryer nën udhëheqjen dhe autorizimin e të akuzuarve, duke pasur një plan të qartë dhe një strategji të strukturuar për të arritur qëllimet e tyre”, u shpreh prokurorja.

    Pas një seance intensive gjatë mëngjesit, Dhomat e Specializuara aktualisht ndodhen në pushim të drekës, ndërsa pritet që pasditja të vazhdojë me dëshmi të reja dhe argumente përmbyllëse nga prokuroria.

    Ky gjyq ka hyrë në fazën përmbyllëse, ku po shqyrtohen provat dhe dëshmitë kryesore, ndërsa pas prokurorisë, fjalën do ta kenë ekipet mbrojtëse dhe më pas të akuzuarit.

    Seanca është pjesë e një procesi që ka filluar më 3 prill 2023 dhe ka tërhequr vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për rëndësinë e trajtimit të krimeve të dyshuara të luftës në Kosovë.

  • Ankesat kundër PZAP-së drejt fundit, Supremja publikon vendimet sot

    Ankesat kundër PZAP-së drejt fundit, Supremja publikon vendimet sot

    Gjykata Supreme ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.

    Brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët, ka bërë të ditur udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

    Supremja ka shqyrtuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së.

    Dy ankesa janë bërë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi dhe një nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka, Prizren).

    Nëse edhe Supremja i refuzon, atëherë i hapet rruga certifikimit të rezultateve.

    Pas certifikim, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.

    Nga shtatë ankesat e dërguara në PZAP, ky organ ka pranuar vetëm atë të Listës Serbe e cila qe ankuar ndaj vendimit të KQZ-së për mosshpalljen e rezultateve përfundimtare të këtij subjekti.

  • Kryeprokurorja e Speciales kërkon dënim 45 vjet për ish-krerët e UÇK-së

    Kryeprokurorja e Speciales kërkon dënim 45 vjet për ish-krerët e UÇK-së

    Kryeprokurorja Kimberly West, në fjalën e saj në seancën përmbyllëse të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se Zyra e Prokurorit nuk po kërkon dënim ndaj Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm ndaj individëve të akuzuar në këtë proces gjyqësor.

    West bëri të ditur se Prokuroria kërkon një dënim të përbashkët prej 45 vitesh burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke u bazuar në përgjegjësinë dhe kontributin individual të secilit në veprat penale që u atribuohen.

    Sipas saj, akuzat përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat konsiderohen veçanërisht të rënda dhe, siç theksoi ajo, nuk e kanë humbur peshën apo rëndësinë e tyre pavarësisht kalimit të kohës.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.

  • Osmani: Pavarësisht sfidave, rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme

    Osmani: Pavarësisht sfidave, rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë sot një postim ku ka shkruar për anëtarësimin e Kosovës në BE e NATO.

    Ajo thotë se pavarësisht sfidave të vazhdueshme, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian është e pandalshme.

    Në një intervistë për median britanike Monocle, ajo ka folur për integrimin euroatlantik, duke theksuar gjithashtu potencialin zhvillimor dhe perspektivën afatgjatë të vendit.

  • Sot intervistime të reja për dallavere me vota, cak këto komuna

    Sot intervistime të reja për dallavere me vota, cak këto komuna

    Sot pritet të nisin intervistimet në disa komuna të Kosovës në kuadër të hetimeve për dyshime mbi manipulimin e rezultateve zgjedhore.

    Burime të Klan Kosovës bëjnë të ditur se intervistimet lidhur me keqpërdorime të mundshme të votave do të zhvillohen në komunat e Drenasit dhe Dragashit.

    Sipas të njëjtave burime, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë do të marrë në pyetje persona të dyshuar në Drenas, ndërsa Policia Rajonale e Prizrenit do të realizojë intervistime edhe në Komunën e Dragashit.

  • Sot nis faza përmbyllëse e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së

    Sot nis faza përmbyllëse e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së

    Sot fillon etapa përmbyllëse e procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në këtë fazë, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i paraqesin trupit gjykues argumentet dhe parashtrimet e tyre përfundimtare.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë mohuar duke i cilësuar si të pabazuara.

    Edhe mbrojtja ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet që i atribuohen katër të akuzuarve nuk janë të provuara.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se të gjitha konfirmimet për pjesëmarrje në seancat përmbyllëse janë dërguar tek personat që do të ndjekin procesin nga afër.

    Seancat e deklaratave përmbyllëse janë caktuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt në objektin e DHSK-së në Hagë.

    Për shkak të interesimit të lartë, vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara, dhe jo të gjithë ata që kishin bërë kërkesë kanë mundur të marrin konfirmim.

    Ata që nuk mund të marrin pjesë fizikisht në seanca, mund t’i ndjekin ato online, në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe, përmes transmetimit në faqen zyrtare të DHSK-së, me një vonesë prej 45 minutash.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ky proces ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.

    Gjatë vitit të kaluar, janë organizuar pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar “Drejtësi për Çlirimtarët”. Një protestë e ngjashme pritet të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

  • Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në Grand Slam

    Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në Grand Slam

    Distria Krasniqi shkëlqeu të shtunën në Grand Slamin e Parisit, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri 52 kg.

    Në finalen e zhvilluar në arenën “Bercy”, ajo mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për vetëm 27 sekonda me një hedhje perfekte për Ippon.

    Ky sukses i jep Distrias pesë fitore nga po aq finale të këtij viti.

  • Mbi 40 mijë të huaj vizituan Kosovën në fundvit

    Mbi 40 mijë të huaj vizituan Kosovën në fundvit

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin dhjetor 2025, sipas të cilave është shënuar rritje e numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

    Sipas ASK-së, gjatë dhjetorit 2025 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 68 mijë e 293 vizitorë, prej të cilëve 27 mijë e 776 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 mijë e 517 vizitorë ishin të huaj.

    Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 64 mijë e 380 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 6.1 për qind.

    Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve ishte 132 mijë e 148, prej të cilave 71 mijë e 624 net-qëndrime (54.2 për qind) u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 60 mijë e 524 net-qëndrime (45.8 për qind) nga vizitorët vendorë.

    Sa i përket vizitorëve të brendshëm, rajoni i Pejës prin me numrin më të madh të vizitorëve, gjithsej 9 mijë e 655, si dhe me 26 mijë e 550 net-qëndrime. Rritje e theksuar e vizitorëve vendorë është shënuar edhe në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit, ndërsa rënie është vërejtur në disa rajone të tjera.

    Ndërkohë, numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje prej 2.5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Në total, gjatë dhjetorit 2025, Kosova është vizituar nga 40 mijë e 517 turistë të huaj, ku numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

  • Gjykimi për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt

    Gjykimi për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën 16 shkurt 2026 për seancën e radhës në gjykimin për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

    Për këtë sulm akuzohen vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq. Në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Kodraliu, kërkesë që u mbështet edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, duke çuar në ndërprerjen e seancës.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 9 dhjetor 2025 ndaj tre të akuzuarve për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

    Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.