ATV

Tag: Asociacioni

  • ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.

    “Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.

    Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.

    Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.

    “Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave, raporton KP.

    “Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.

    Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.

    Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.

    Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.

  • Avokati serb: Bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit

    Avokati serb: Bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit

    Avokati Çedomir Stojkoviq është shprehur se bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët lokal në katër komunat veriore të Kosovës, të nxitura nga Aleksandar Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS).

    Stojkoviq duke ironizuar me Vuçiqin, me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se kjo “është strategjia ‘gjeniale’ e presidentit [serb]”.

    “Bojkoti i Vuçiqit për zgjedhjet në Kosovë është ‘sepse nuk ka AKS’: nuk ka serbë në pushtet në veri të Kosovës; nuk ka serbë që mund të formojnë AKS-në; Kurti thotë: ‘AKS-ja nuk mund të formohet’; Perëndimi thotë: ‘vërtet duket se nuk mundet’; të gjithë thonë: ‘atëherë të mos ketë AKS’. Çfarë strategjie ‘gjeniale’ e presidentit”, shkruan Stojkoviq.

    Për kryeministrin Albin Kurti zgjedhjet e djeshme në komunat veriore u zhvilluan të qeta dhe pa incidente dhe për këtë ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e Policinë e Kosovës për organizimin dhe sigurinë e krijuar.

    “Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”, ka thënë Kurti.

    Ai ka shtuar se atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët.

    “Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, ka shtuar ai.

    Në zgjedhjet në katër komunat veriore kanë votuar 1,557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratik e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna qysh në raundin e parë.

  • Konjufca për kërkesën e Escobarit për Asociacionin: S’duhet të pranohet pa ndodhur njohja nga Serbia

    Konjufca për kërkesën e Escobarit për Asociacionin: S’duhet të pranohet pa ndodhur njohja nga Serbia

    Kryetari i Kuvendit Glauk  Konjufca, tha se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociacionit pa u arritur njohja nga Serbia.

    “Kjo ka lidhje me këtë procesin negociator me të cilin Kosova tashmë  është pjesë dhe krejt çka ka mbet është që pritet tash takimi i 2 majti që të sqarohet edhe kjo fazë në të cilën jemi. Unë mendoj që në dy binar është e ndërtuar marrëveshja, binari i para është njohja de facto nga ana e Serbisë ndërsa binari i dytë është Asociacioni të cilin Kosova, Qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme e në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet me tregu që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”, tha ai, raporton EO.

    “Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluar është se ekziston një ekip i menaxhimit. I cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofroj tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke pa përbërjen e këtë menaxhment-team, ku është i përberë edhe nga deputete e Serbisë, kjo është e pa pranueshëm për Kosovën. Unë mendoj nëse ky menaxhimet ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë unë mendoj që me e udhës për Kosovë është që të shkarkohet ky menaxhment”.

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj, kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel.

    “Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

    Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

    “Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por, tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha Escobar.

    Escobar: ShBA pret propozim konkret nga Kosova për Asociacionin deri më 2 maj