ATV

Tag: Aleksandar Vuçiq

  • Vuçiq thirrje serbëve: Mos dilni në votime

    Vuçiq thirrje serbëve: Mos dilni në votime

    Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat veriore të vendit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve që jetojnë në Kosovë, që të mos dalin në votime.

    Pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Vuçiq tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje, asociacionin e konsideron si kusht edhe për shumë gjëra të tjera, përfshirë edhe dialogun.

    “Nuk u shkon mendja ta formojnë Asociacionin. Dhe pastaj ata thanë, kanë thënë prej javësh, se do të më konsideronin fajtor nëse zgjedhjet do të prisheshin. Ju lutem, imagjinoni, është e rëndësishme që njerëzit ta dinë, sepse jam i sigurt se as disa ministra nuk e dinë. A e dini se kush ka aplikuar për zgjedhje? Aplikoi Vetëvendosja, PDK-ja në Mitrovicë. Pra partia e Thaçit dhe ajo e Kurtit. Dhe tani, në bazë të 4% të tyre, sa prej tyre jetojnë në veri të
    Duke thënë se serbët bëjnë përpjekje për paqe e normalizim të marrëdhënieve, ai u bëri thirrje serbëve që të jenë të bashkuar, në kundërshtimin e institucioneve kosovare.

    Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiq u bëri me dije serbëve që për Kosovën do të ankohet edhe te Bashkësia Ndërkombëtare. Sipas tij, Kosova duhet ta ndërpresë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve.

    Në mesin e konkluzave të nxjerra, Vuçiq përmend edhe tërheqjen e njësisë speciale nga veriu.

    “Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet e tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, tha Vuçiq.

    Teksa dëgjoi hallet e serbëve, presidenti Vuçiq u garantoi edhe ndihma atyre. Sipas tij, si masë ndihmëse për komunitetin serb në Kosovë, qeveria e Serbisë do të ndajë nga buxheti i saj plot 28 milionë euro. /atvlive.tv

  • Vuçiq sot në Rashkë, takon serbët e Kosovës

    Vuçiq sot në Rashkë, takon serbët e Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot në ora 12:00 në Qendrën e Kulturës në Rashkë do të takohet e përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

    Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiq, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Brnabiq dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë.

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë sot se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova do të kenë takim me presidentin, kryeministrin dhe ministrat “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë dhe Metohi”.

    “Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë dhe Metohi, duke filluar nga arrestimet dhe akuzat, e duke përfunduar me tentativën e vrasjes së (Milan Jovanoviqit afër Urës së Bistricës),” ka akuzuar Simiq në televizionin Pink.

    Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.

    Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

    Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur Milan Jovanoviq.

    Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.

    Policia e Kosovës, e cila fillimisht mohoi përfshirjen në incident, suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në të shtënat.

    Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se hetimet e para kanë treguar se shoferi nuk është ndalur në sinjalin e policit, i cili më pas ka shtënë.

  • Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

    Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 5 mars ka deklaruar se asnjë armë, pajisje apo municion serb nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës dhe se ata që pretendojnë të kundërtën janë “gënjeshtarë, sinjalizues dhe duhet të kenë turp, sepse po i sjellin dëme Serbisë”.

    “Për Serbinë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ekzistojnë të ashtuquajturit përdorues të lejuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pastër si loti”, tha Vuçiq në Doha, ku po merr pjesë në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

    Në fund të shkurtit, disa media ruse njoftuan se 3.500 raketa nga fabrika serbe “Krushik” iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës, përmes Turqisë dhe Sllovakisë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se ky informacion shkakton “shqetësim të thellë”.

    Më herët, demanti ka ardhur nga “Krushik” dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

    Lidhur me pretendimin se armët janë eksportuar në Ukrainë nga Serbia, përmes Turqisë, Vuçiq tha se Serbia “e ka mbrojtur veten në mënyrë shtesë” duke ditur se ekziston mundësia që një pjesë e mallit të përfundojë diku tjetër.

    “Ne theksuam se është e pamundur që pa pëlqimin tonë të eksportohen municionet që i kemi dhënë Turqisë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “nuk e ka detyruar askënd të luftojë”.

    Portali rus “Mash” njoftoi mbi dyshimet se 3.500 copë raketa “M-21 GRAD” 122 milimetra të Krushikut iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës.

    Portali publikoi dokumente, autenticitetin e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë, të cilat pretendohet se tregojnë që kompania kanadeze “JNJ Export Import” ka porositur raketa nga “Krushik”.

    Media ruse ka pohuan se arkat kanë fluturuar nga Serbia në Turqi, ku si ndërmjetës ka kryer transitin kompania turke “Arca Savunma Sanayi Ticaret”, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki, e më pas në Ukrainë.

    Kompania “Krushik” nga Valeva, në perëndim të Serbisë, më 28 shkurt ka njoftuar se nuk ka pasur shitje të raketave në këtë treg dhe as nuk ka pasur kontrata për sasitë dhe shenjat e specifikuara.

    Në deklaratë thuhet se “i gjithë ‘rasti’ mediatik bazohet në shfrytëzimin e informacioneve jo të plota dhe të pandërlidhura”, të cilat, siç thuhet, janë vendosur “në një kontekst negativ”.

    Paraprakisht, më 27 shkurt, reagoi ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili mohoi se Serbia eksporton armë në Ukrainë.

    Kjo nuk është afera e parë, në të cilën Serbia akuzohet për shitjen e armëve në luftën ruse-ukrainase.

    Më 16 korrik 2021, në veri të Greqisë u rrëzua një aeroplan ukrainas dhe u konstatua se po transportonte për në Bangladesh mina për stërvitje, të cilat kompania serbe “Valir” i bleu nga fabrika shtetërore “Krushik”.

    Në mars të vitit 2022, në portalet dhe rrjetet sociale ruse u publikua një fotografia e një ushtari të të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut”, i cili në duar po mbante një minë të pashpërthyer.

    Në bazë të shenjave që ndodheshin në minë, Radio Evropa e Lirë konstatoi se është prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2016. Mina të tilla prodhohen nga fabrika shtetërore serbe e armëve “Krushik”. /REL

  • Haliti: S’jam zonja Meri, por nëse Vuçiqit i duket vetja i fuqishëm për luftë e shohim kush fiton

    Haliti: S’jam zonja Meri, por nëse Vuçiqit i duket vetja i fuqishëm për luftë e shohim kush fiton

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ku tha se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

    Haliti në një prononcim për Blic thotë se palët do të kenë presion për t’i zbatuar të gjitha pikat.

    “Palët janë dakorduar për marrëveshje dhe kush nuk e zbaton marrëveshjen sipas asaj që është diskutuar në Ohër, do të ketë presion që ta zbatojë. Ndërsa, cilët nga pikat i sheh problematike për t’i zbatuar, unë nuk jam zonja Meri që ta di se çfarë ata mendojnë”, thotë Haliti.

    Haliti thotë se Vuçiq po përpiqet ta paraqes veten para opinionit të brendshëm që është nën presion.

    “Presidenti Vuçiq do të përpiqet të eskivojë duke e paraqit veten para opinionit të vet të brendshëm që është nën presion duke thënë se nuk pata çare pa e miratu, sepse kostoja për Serbinë është shumë e lartë”, thotë Haliti.

    Haliti theksoi se asnjëra palë nuk mund t’i ikë kësaj marrëveshjeje.

    “Ata janë zotuar për marrëveshje në prezencë të BE-së dhe SHBA-ve, asnjëra palë nuk mund t’i ikë kësaj çështjeje. Nëse Vuçiq e llogarit veten të fuqishëm për të filluar një luftë të re në Ballkan, atëherë do ta shohim se kush do të jetë fitimtari”, tha Haliti

    Kujtojmë se, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.

    Vuçiq i tha televizionit publik serb se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë. Deklaratën e tij e ka cituar Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke thënë se Perëndimi tani duhet t’i vë sanksione Serbisë.

    “Ne do t’i zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë se çka nuk do të zbatoj”, ka thënë Vuçiq.

    Vela tha se kjo është “një kontradiktë e qartë” me atë për të cilën ka pasur marrëveshje si dhe me qëndrimin e Bashkimit Europian.

    “Sanksionet duhet të pasojnë!”, ka shkruar Vela në Twitter.

  • Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Është raportuar se më 20 prill do të ketë takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Por drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë gjatë një interviste për Blicin serb se ende nuk ështa caktuar datë për takimin e radhës në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai thotë se Bashkimi Evropian është mikpritësi dhe ata i përgjigjen ftesave të tyre.

    “Tani gjithçka varet nga Bashkimi Evropian, ata janë mikpritësit e të gjitha atyre takimeve në Bruksel. Ata dërgojnë një ftesë zyrtare, ne i përgjigjemi. Natyrisht, është e nevojshme të bien dakord për të gjitha kushtet e Lajçakut dhe Borrellit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelin e lartë. Nga ana tjetër, Vuçiq dhe Kurti. Kur të arrihet gjithçka, pres që në periudhën e ardhshme të vijë një ftesë e re për një takim të nivelit të lartë. Ne do t’ju njoftojmë si gjithmonë, kur kjo të ndodhë”, ka thënë Petkoviq, të dielën.

    Javën e kaluar ishte zhvilluar një takim i nivelit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ka pasur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nuk është nënshkruar.

    Tani bashkësia ndërkombëtare po kërkon që marrëveshja të zbatohet dhe për këtë janë paralajmëruar takime të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe atij teknik.

  • Presidenca reagon pasi Vuçiq tha se s’do të zbatojë krejt marrëveshjet: Të pasojnë sanksionet

    Presidenca reagon pasi Vuçiq tha se s’do të zbatojë krejt marrëveshjet: Të pasojnë sanksionet

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.

    Vuçiq i tha televizionit publik serbe se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë.

    Ndaj deklaratës të tij ka reaguar Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke thënë se Perëndimi tani duhet t’i vë sanksione Serbisë.

    Vela tha se kjo është “një kontradiktë e qartë” me atë për të cilën ka pasur marrëveshje si dhe me qëndrimin e Bashkimit Europian.

    “Sanksionet duhet të pasojnë!”, ka shkruar Vela në Twitter.