ATV

Tag: Aleksandar Vuçiq

  • ​Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

    ​Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

    Parlamenti Evropian, përmes një raporti për Serbinë, të miratuar të mërkurën në Komisionin për Politikë të Jashtme, ka kritikuar edhe një herë Serbinë për afërsi me Rusinë dhe për refuzimin që të përshtatet me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

    Për më tepër deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar edhe kushtëzimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë me qëndrimet e saj ndaj Rusisë, shkruan REL.

    Në veçanti, shprehet zhgënjim për faktin se Serbia vazhdon të jetë një prej vendeve të vetme të rajonit dhe ndër të paktat në botë, të cilat nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë. Në këtë mënyrë, këto vende kanë vazhduar t’i refuzojnë kërkesat që të përshtaten edhe sanksionet, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë prej kur ka nisur agresioni i saj ndaj Ukrainës.

    Përmes amendamenteve që janë votuar, Parlamenti Evropian ka shprehur edhe shqetësim për emërimin e ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, për shef të Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA, pasi që ai konsiderohet të jetë i afërt me Moskën dhe person “i njohur për retorikën kundër Bashkimit Evropian”.

    Në raport përmendet se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se kjo është një zgjedhje strategjike e Serbisë, prandaj ajo edhe duhet të sillet në përputhje me këtë qëndrim dhe t’i mbështesë vlerat evropiane.

    Në raport thuhet se është e papranueshme që Serbia të përshtatet me “regjimin luftënxitës autokrat të Rusisë”.

    Ndonëse përshëndetet fakti se Serbia i ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku dënohet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, shprehet keqardhje për refuzimin që të mbështeten edhe sanksionet.

    Në këtë dokument shprehet keqardhje për sjelljen e përgjithshme të Serbisë, e cila disa aspekte të politikës së jashtme i ka tërësisht në kundërshtim me qëndrimet e BE-së.

    Në raportin për Serbinë thuhet se përparimi në rrugën e integrimeve evropiane do të varet nga suksesi në reforma, përshtatja me politikën e jashtme dhe nga normalizimi i raporteve me Kosovën.

    Po ashtu, kërkohet që të normalizohen raportet me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë.

    Raporti për Serbinë është miratuar në Komisionin përkatës parlamentar me 43 vota në favor, gjashtë kundër dhe pesë abstenime. Raporti tash shkon për debat dhe miratim edhe në seancë plenare. Ndërsa pritet të jetë në rend dite në seancën e 9 majit.

  • Vuçiq sulmon Perëndimin për zgjedhjet në veriun e Kosovës

    Vuçiq sulmon Perëndimin për zgjedhjet në veriun e Kosovës

    Presidenti serb kritikoi ashpër të hënën zyrtarët perëndimorë që ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.

    Aleksandar Vuçiç foli një ditë pas zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë. Si rezultat, në postet e kryetareve të katër komunave në zonë, u zgjodhën kandidatët shqiptarë.

    Presidenti Vuçiç vlerësoi bojkotin e votimeve nga serbët e Kosovës, duke thënë se ai përfaqësonte “një kryengritje politike paqësore” kundër “pushtuesve” të tyre. Serbët pretendojnë për keqtrajtime nga autoritetet e Prishtinës dhe kërkojnë autonomi për rajonet ku përbëjnë shumicën.

    “Njerëzit tanë në Kosovë kanë treguar se në cilin vend duan të jetojnë”, tha Vuçiç, udhëheqësi populist i cili njihet për shpërthimet e tij të shpeshta antiperëndimore. Ai me sa duket është i zemëruar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për lejimin e Prishtinës që të mbajë zgjedhje në veri kur kur pritej bojkotimi nga serbët i kërkuar nga Beogradi.

    Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

    “Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e BE-së. “Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si i zakonshëm”.

    Kosova është një ish provincë me shumicë shqiptare etnike që ishte nën administrimin serb. Lufta e viteve 1998-1999 shpërtheu kur shqiptarët etnikë separatistë ngritën krye kundër sundimit të Serbisë dhe Beogradi u përgjigj me një shtypje. Rreth 13,000 njerëz u vranë, kryesisht shqiptarë etnikë. Në vitin 1999, një ndërhyrje ushtarake e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

    Tensionet kanë vluar që atëherë. Pavarësia e Kosovës njihet nga shumë vende perëndimore, por kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja kanë bërë pak përparim në vitet e fundit, megjithëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar u pajtuan të zbatojnë një plan evropian për të normalizuar marrëdhëniet pas dekadash me tensione.

    Presidenti serb Vuçiç tha se ai “ndoshta” do të marrë pjesë në raundin tjetër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të planifikuar për t’u mbajtur në Bruksel më 2 maj, pavarësisht se “nuk priste asgjë” nga ai takim.

    “Kam frikë se kjo është hyrje në një krize shumë më të thellë”, tha ai./VOA

  • Avokati serb: Bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit

    Avokati serb: Bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit

    Avokati Çedomir Stojkoviq është shprehur se bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët lokal në katër komunat veriore të Kosovës, të nxitura nga Aleksandar Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS).

    Stojkoviq duke ironizuar me Vuçiqin, me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se kjo “është strategjia ‘gjeniale’ e presidentit [serb]”.

    “Bojkoti i Vuçiqit për zgjedhjet në Kosovë është ‘sepse nuk ka AKS’: nuk ka serbë në pushtet në veri të Kosovës; nuk ka serbë që mund të formojnë AKS-në; Kurti thotë: ‘AKS-ja nuk mund të formohet’; Perëndimi thotë: ‘vërtet duket se nuk mundet’; të gjithë thonë: ‘atëherë të mos ketë AKS’. Çfarë strategjie ‘gjeniale’ e presidentit”, shkruan Stojkoviq.

    Për kryeministrin Albin Kurti zgjedhjet e djeshme në komunat veriore u zhvilluan të qeta dhe pa incidente dhe për këtë ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e Policinë e Kosovës për organizimin dhe sigurinë e krijuar.

    “Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”, ka thënë Kurti.

    Ai ka shtuar se atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët.

    “Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, ka shtuar ai.

    Në zgjedhjet në katër komunat veriore kanë votuar 1,557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratik e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna qysh në raundin e parë.

  • Vuçiq për zgjedhjet në veri: Ndodhën ndryshime tektonike

    Vuçiq për zgjedhjet në veri: Ndodhën ndryshime tektonike

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar zgjedhjet e djeshme të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.

    Gjatë një adresimi, ai tha se me votimet e së dielës në Kosovë kanë ndodhur ndryshime tektonike.

    “Ajo që ndodhi dje është shumë më tepër se kaq, populli serb dje tregoi se po kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash, nga bashkësia ndërkombëtare, e kam fjalën për fuqitë perëndimore – ata kërkojnë respekt më të madh dhe dialog të vërtetë, e jo zgjidhje të imponueshme”, tha ai.

    Në zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dy komuna i fitoi lëvizja Vetëvendosje, kurse dy të tjera Partia Demokratike e Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje e mori Mitrovicën e veriut, ku fitues doli Erden Atiq me 519 vota apo 66.5%, si dhe Leposaviqin me Lulzim Hetemin me 100 vota apo 73.5 përqind.
    Kurse PDK-ja e mori Zubin Potokun me Izmir Zeqirin i cili i pati 196 vota apo 52.1%, si dhe Zveçanin Ilir Pecin me 114 vota apo 60%.

    Votimet në veri u bojkotuan nga Lista Serbe. Zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën pas dorëheqjes së katër kryetarëve në nëntor të vitit të kaluar.

  • Molliqaj: Zgjedhjet e sotme, argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion për Asociacionin

    Molliqaj: Zgjedhjet e sotme, argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion për Asociacionin

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore duke shtuar se nuk zgjidhet problemi i veriut të Kosovës në këtë mënyrë, por vetëm politikisht.

    Molliqaj thotë se në një status në Facebook se për kryeministrin Kurti më e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve në veri se sa rendi e ligji atje.

    “Sot, Kurti deshi të tregojë që edhe në veri ai mund të mbajë zgjedhje. Për të më e rëndësishme është të arsyetoje pushtetin e vet sesa të trajtojë veriun më shumë sesa çështje sigurie dhe e mungesës së rendit e ligjit. Çështja e veriut është çështje politike. Prandaj duhet të trajtohet politikisht. Deri tani, veprimet e pushtetit kanë qenë të gabuara e shpesh herë të rrezikshme”, tha ai.

    Tutje Molliqaj komentoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Në fund, zgjedhjet e sotme janë argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion rreth krijimit të Asociacionit”, shtoi ai.

  • Zgjedhjet në Veri – vjen reagimi i Vuçiqit

    Zgjedhjet në Veri – vjen reagimi i Vuçiqit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është deklaruar për zgjedhjet që po mbahen në katër komunat veriore të vendit.

    Ai ka thënë se është krenar që në zgjedhjet e sotme kanë dalë pak serbë për të votuar.

    “Me krenari duhet të them se deri në këtë moment kanë dalë vetëm disa serbë në të katër komunat së bashku. Serbët duan t’u shërbejnë interesave të tyre, duan paqen, duan të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, ka deklaruar Vuçiq, shkruan nova.rs.

  • Vuçiq thotë se Evropa i organizoi zgjedhjet në veri: Do të jetë dita e turpit për ta dhe botën

    Vuçiq thotë se Evropa i organizoi zgjedhjet në veri: Do të jetë dita e turpit për ta dhe botën

    Presidenti Aleksandar Vuçiq tha mbrëmë se zgjedhjet e së dielës në katër komuna në veri të Republikës së Kosovës do të jenë ditë e tmerrshme për demokracinë, ditë e vështirë për popullin serb, por edhe turp për Evropën, botën dhe vendet e Kuintit.

    “Ajo do të jetë dita kur zyrtarisht do të shënohet turpi i Evropës dhe i botës, sepse ata i organizuan ato zgjedhje dhe po tallen me to”, tha Vuçiq në programin Prva Tema në TV Prva.

    Vuçiq tha se Serbia nuk po merr pjesë në ato zgjedhje për shkak se Bashkimi i Komunave Serbe nuk është formuar për 10 vjet, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

  • ​Vuçiq: Serbia nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB

    ​Vuçiq: Serbia nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB

    Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar që asnjëherë nuk do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Ai ka folur në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, ky i fundit ka theksuar që presin zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të saj, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas diplomatit suedez, tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet me BE-në dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave.

    “Tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet plotësisht me BE-në në lidhje me Rusinë dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave. Sa i përket dialogut për normalizim presim që të gjitha dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit të zbatohen menjëherë”, ka thënë Billström.

    Ndërsa sipas Vuçiq, Kosova duhet të formojë asociacionin dhe pastaj Serbia do të përmbushë pjesën e saj të punës.

    “Sot mbushen 10 vjet nga miratimi i marrëveshjes së Brukselit. Formoni ju asociacionin e komunave serbe me kompetenca thelbësore, kur ta bëni këtë, Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën, siç e mbajti pas marrëveshja e Brukselit, dhe në të ardhmen dhe Serbia do ta përmbushë pjesën e saj të punës, por nuk ka lojë rreth kësaj, duhet ta përmbushni dhe vetëm kur ta përmbushni këtë, atëherë do ta përmbushim pjesën tonë”, ka thënë Vuçiq.

    Ai ka shtuar se qëndrimi i Serbisë është që nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

    “Unë që të mos ketë dilema e përsërita cilat janë qëndrimet e Republikës se Serbisë do të thotë se Serbia atë qe ka thëne se do te plotësoje, atë do ta përmbushë, por Serbia nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata edhe palën tjetër, edhe Borellin, edhe Lajçakun, edhe Scholz, edhe Macronin, edhe Bllinkenin, dhe të gjithë në rruzullin tokësorë me të cilët kemi folur”, ka thënë ai.

  • ​Një muaj nga marrëveshja e Ohrit, ende sfidë zbatimi i saj

    ​Një muaj nga marrëveshja e Ohrit, ende sfidë zbatimi i saj

    Ish-zëvendësambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj, thotë se zvarritja e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi pritet të zgjasë edhe më tutje, derisa Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të jenë më të vendosura për shtyrjen përpara të saj.

    Megjithëse dje u arrit dakordimi për krijimin e Komitetit të përbashkët monitorues, i cili do të monitorojë dhe mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, diplomati Canaj, thotë për KosovaPress se ndonjë destabilizim i mundshëm në veri për shkak të zgjedhjeve të 23 prillit do të çrregullonte dinamikën e dialogut.

    “Serbia në njërën anë e ka çështjen e Asociacionit si prioritet të të gjitha prioriteteve. Po e shohim se dy palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për mos zbatim dhe shpeshherë edhe për shkelje të marrëveshjes. Kjo do të zgjasë edhe më tutje derisa të fillojë njëra palë apo tjetra të zbatojë marrëveshjen. Kësisoj do të ballafaqohemi me një lojë të pingpongut edhe më tutje. Tash varet sa do të jetë e vendosur edhe bashkësia ndërkombëtare që të shtyjë zbatimin e marrëveshjes”, thotë ai.

    Vonesat në zbatimin e marrëveshjes, Canaj i ndërlidh me mosbesimin e palëve ndaj njëra-tjetrës.

    “Ka një shkallë të mosbesimit prej të dyja palëve. Edhe Kurti ka të drejtë kur kërkon një lloj garancie, pasi tek e fundit është diçka nga e cila ne si Kosovë duket që pak kemi përfituar edhe pse prej fillimit kemi thënë se do të ketë vështirësi në implementim të kësaj”, shton Canaj.

    Krahas kësaj, diplomati Canaj, sugjeron kryeministrin Kurti që të përgatisë draft-statutin për formimin e Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes do të shtyjë përpara edhe procese të tjera për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Është dashur të bëjë shumë më herët, të përgatisë ndonjë draft-statut se si pala kosovare e sheh asociacionin, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e kemi marrë si obligim atë dhe jo prej tash. Ajo çka ka ndodhur tek Kurti është se nuk ka mbajtur një premtim që ka thënë se ‘s’ka asociacion’, dhe tash po e shohim se ka një asociacion. Por, përndryshe një status për asociacionin e kemi obligim, pasi është një marrëveshje të cilës duhet t’i qëndrojmë përpara. Por edhe për hir të ecjes përpara të proceseve të tjera, pasi zbatimi i marrëveshjes me siguri do të shtyjë disa procese përpara, sidomos kur është fjala për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës. Duhet të shkojmë me një projekt ide apo draft se si do të duket statusi, por duhet të jemi të kujdesshëm në detaje”, thekson ai.

    Në anën tjetër, Canaj shpreh brengën se zgjedhjet në veri më 23 prill mund të prodhojnë një destabilizim të situatës atje, e cila mund të ndryshojë dinamikën e dialogut.

    “Nëse e shohim prej anës ligjore, mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Por duhet të jemi të kujdesshëm që mos të bëjmë politika populiste në emër të asaj sikur që ka ndodhur me çështjen e targave… Destabilizimi do të hapte tema të tjera. Me vet faktin në rast të ndonjë destabilizimi po mendoj se do të hapet tema s’i ta stabilizojmë prapë është ndikim në rrjedhën e marrëveshjes. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe çdo veprim duhet të bëjmë me partnerët tanë strategjikë”, përfundon ai.

    Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 2 maj në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes bazë, derisa pritet të nënshkruhet edhe dakordimi për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kosova dhe Serbia janë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për marrëveshjen bazë mes tyre, e cila ka ardhur si derivat i planit franko-gjerman për dialogun. Pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar sërish për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Mirëpo, një muaj pas arritjes së marrëveshjes ende nuk ka filluar diçka në terren për implementimin e saj./KP

  • Themelohet komiteti i përbashkët monitorues, nis punën pas takimit të 2 majit

    Themelohet komiteti i përbashkët monitorues, nis punën pas takimit të 2 majit

    Saktësisht 31 ditë pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia themeluan Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj.

    Komiteti u themelua pas takimeve të ndara dhe në distancë, që përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, zhvilloi të martën me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.

    “BE-ja, si lehtësues i Dialogut Beograd-Prishtinë, bashkë me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, sot kanë themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami, do të përfaqësojë Kosovën, ndërsa Petar Pektovic Serbinë, në këtë Komitet që do të udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak.

    Dakordim është arritur edhe për datën e takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    “Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e referencës pritet të finalizohen dhe të miratohen në takimin e parë të Komitetit, që do të ndodhë pas takimit të radhës të nivelit të lartë në Dialog, që është caktuar për të martën, më 2 Maj, në Bruksel”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Megjithatë, as Bashkimi Evropian e as ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nuk treguan nëse palët janë dakorduar për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, që pritet të prezantohet në takimin e liderëve shtetërorë. /atvlive.tv