ATV

Tag: Aleksandar Vuçiq

  • ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi nga Shkupi ku mori pjesë në Samitin e Brdo-Brionit se “nuk e di nëse do të jetë e vështirë” në takimin e së enjtes në Bruksel ku pritet të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

    Ish-ministri i Millosheviqit deklaroi se asnjëherë nuk është lehtë në të tilla takime pasi edhe Brukseli e mbështet pavarësinë e Kosovës.

    “Nuk e di se a do të jetë e vështirë, kjo është gjithçka që mund t’ju them sepse nuk është se ka qenë e lehtë, prandaj po flasim me Albin Kurtin, sepse po flasim me përfaqësuesit e Brukselit, të cilët e dini se çfarëdo që të thonë ata gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës në një mënyrë apo tjetër, kështu që për ne është gjithmonë e vështirë, çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq para gazetarëve.

    Në lidhje me takimin e sotëm në kuadër të Samitit të Brdo-Brionit, ku mori pjesë edhe presidentja Osmani, ai tha se “ka qenë ditë e qetë” pasi janë dakorduar që çështjet me Republikën e Kosovës t’i diskutojnë në Bruksel.

    Sot patëm një takim në kuadër të nismës Brdo-Brioni, falënderues për mikpritjen e miqve tanë maqedonas dhe presidentit Pendarovski, si dhe zonjës Pirc Musar, presidentes të Sllovenisë dhe Zoran Milanoviq, të cilët po përpiqen të bëjnë më të mirën për të gjetur një emërues të përbashkët, folëm për të ardhmen evropiane për disa është entuziazmi më i madh e për disa është më pak, gjithsesi mendoj se sot ishte një diskutim shumë i drejtë dhe konstruktiv, nuk pati debate dhe grindje të mëdha, pasi Prishtina dhe problemet tona i lamë për të enjten dhe me Brukselin, ndaj sot folëm më shumë për vetë rajonin dhe Ballkanin perëndimor drejt Bashkimit Evropian se për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq.

    Në samitin e Brdo-Brionit Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin, përderisa takimi në Maqedoninë e Veriut u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

  • Vuçiq thotë se serbët “nuk do t’i dorëzojnë” ndërtesat në veri të Kosovës

    Vuçiq thotë se serbët “nuk do t’i dorëzojnë” ndërtesat në veri të Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 8 shtator se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”.

    Ai i bëri këto deklarata në ditën kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.

    “Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, tha Vuçiq.

    Ai tha se të mërkurën ose të enjten e javës së ardhshme, delegacioni i Serbisë do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës, takim në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiq.

    Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

    Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

    Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

    Zyra për Kosovën, por edhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ditëve të fundit janë shprehur kundër largimit të institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut.

    Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

    Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.

    Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

    Në kuadër të hapave të ndërmarrë për shtensionimin e tensioneve, autoritetet në Kosovë kanë prezantuar një bazë ligjore që do të mundësonte largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.

  • Vuçiq pritet të merret në pyetje për rastin e masakrës së të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë

    Vuçiq pritet të merret në pyetje për rastin e masakrës së të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë

    Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar ka pranuar një kërkesë për të dëgjuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq si dëshmitar në rastin e vrasjes së të rinjve serbë në kafenenë “Panda” të Pejës në vitin 1998.

    Prokuroria do të vendosë për kërkesën e dorëzuar në emër të prindërve të të rinjve të vrarë më 10 gusht nga avokati Ivan Niniq, por fillimisht për vendimin do të njoftohet avokati i të dëmtuarve thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar në Serbi.

    Avokati Niniq i tha Danasit se është në pritje të përgjigjes nga Prokuroria dhe se shpreson në emër të familjeve të të rinjve të vrarë nga Peja se do të jetë pozitive, sepse “çdo zgjidhje tjetër do të ishte shqetësuese”.

    Sipas fjalëve të tij, familjet kanë paraqitur kërkesa për dëgjimin e Vuçiqit si dëshmitar disa herë më parë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria.

    Në kërkesën drejtuar Prokurorisë për Krim të Organizuar, avokati Niniq ka deklaruar se prindërit e gjimnazistëve dhe nxënësve të vrarë kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet në lidhje me deklaratat për masakrën në “Panda”, të cilat i ka bërë disa herë në media nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se “pothuajse e di” se çfarë ka ndodhur atë natë fatale në atë kafene.

    Këto deklarata janë paraqitur në kërkesën për seancë.

    Avokati Niniq beson se sipas të njëjtit kriter, i cili është zbatuar me rastin e marrjes së vendimit për pranimin e veprimeve dëshmuese të dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve të tjerë të propozuar, të cilët janë paraqitur në hapësirën publike lidhur me ngjarjen, do të duhej të dëgjohej edhe Aleksandar Vuçiq, sidomos për shkak të peshës së deklaratës së tij të dhjetorit 2013, kur ishte në krye të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë.

    Prindërit e të rinjve të vrarë më kot tentuan dhjetë herë që Vuçiq t’i merrte në intervistë. Në fillim të vitit 2023, disa herë publikisht në TV, presidenti ka deklaruar se do t’i pranojë, por deri më tani ky pranim nuk ka ndodhur.

  • Kurti dhe Vuçiq, mund të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm

    Kurti dhe Vuçiq, mund të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian synon që në Shtator të organizojë një takim të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

    Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, njoftoi se takimi do të ketë në fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e kërkesave të 3 Qershorit, për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Tri ditë para takimit Kurti-Lajcak, Kosova shtyu për dy javë ultimatumin për lirimin e objektit komunal në Mitrovicë të Veriut nga strukturat ilegale, dhe e vendosi në diskutim publik
    udhëzimin administrativ për procedurat për largimin e kryetarëve.

    Udhëzimi që u mundëson qytetarëve të iniciojnë shkarkimin e kryetarit të komunës pritet të miratohet para fundit të javës.

    Me këto veprime, sipas profesorit Tomorr Avdia, Qeveria ka bërë hapa të mjaftueshëm për të krijuar hapësirën e kërkuar nga Bashkimi Evropian.

    “Presioni të jetë i dyanshëm dhe në koordinim për të dhënë efekte, sepse nëse një partneri të vogël e të dobët si shteti ynë i ushtrohet presion tejmase dhe palës tjetër Serbisë, janë të kujdesshëm, nuk e bëjnë një gjë të tillë në proporcion me forcën që ka Serbia, atëherë raportet mund të eskalojnë në forma të tjera”, tha Avdia.

    Në këtë kontekst, profesori Seb Bytyçi vlerëson se duhet kujdes, pasi çdo veprim në terren i Kosovës mund shërbejë si arsye për mos-heqje të masave.

    “Nxjerrja e U.A. është në përputhje me kërkesat e BE-së dhe marrëveshjes për deeskalimin, pra kemi të bëjmë me përgatitjen e terrenit për zgjedhje, kurse çështja e ndërtesës delikate, sepse çdo lëvizje e Kosovës kontrollohet me sy të ashpër”, tha Bytyçi.

    Profesori Avdia thekson nevojën që, në takimin e radhës, BE-ja t’ua bëjë të qartë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, përmbushjen e kërkesave dhe zotimeve për të lëvizur procesin përpara.

    “Krijimi i një mini-krize të re debalancon komplet procesin, jo vetëm atë të zgjedhjeve, por edhe hapat tjerë të cilët negociatorët përpiqen t’i japin një ritëm më të shpejtë në këtë fillim-vjeshte, sepse duket se gongu po troket në mbarim të këtij afati të këtij viti”, tha Avdia.

    Takimi i fundit direkt ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, u zhvillua më 2 Maj, ndërsa më 22 Qershor, në Bruksel, liderët e dy shteteve zhvilluan takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell.

  • Vuçiq: Pres shumë presione e kërcënime për Kosovën

    Vuçiq: Pres shumë presione e kërcënime për Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se muajt në vazhdim nuk do të jenë të lehtë dhe se pret shumë presione dhe kërcënime rreth Kosovës.

    “Më duket se muajt në vazhdim nuk do të jenë të lehtë dhe pres shumë presione dhe kërcënime dhe zbatim të atyre kërcënimeve për Kosovën nga ata që janë pamjaftueshëm përgjegjës dhe nuk e kuptojnë se paqja nuk është vetëm në interes të serbëve, por edhe të shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në punimet për rindërtimin e urës mbi lumin Mllava në Petrovac.

    Vuçiq ka folur edhe për zhvillimet në Mal të Zi. Ai tha se nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të këtij shteti dhe se do të presin formimin e qeverisë malazeze, “Ne e respektojmë Malin e Zi, e vlerësojmë dhe do të presim se si do të shkojnë gjërat, pastaj do të komentojmë”, ka thënë ai.

  • Von Cramon: Vuçiq mund t’i ketë bërë presion Zelenskyt, armë në këmbim të mosnjohjes së Kosovës

    Von Cramon: Vuçiq mund t’i ketë bërë presion Zelenskyt, armë në këmbim të mosnjohjes së Kosovës

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas takimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Pikërisht: ka shumë të ngjarë që Vuçiq të ketë rënë dakord të takohet me Zelenskyn për të ushtruar kryesisht presion mbi Ukrainën për sigurim të armëve në këmbim të mosnjohjes së Kosovës”, ka shkruar ajo në “X” derisa ka shpërndasr tëeetin e deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko ku ka thënë se duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës, shkruan KP.

    Ajo ka thënë po ashtu se shpreson që Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë.

    “Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar ajo.

  • Hulumtuesja amerikane: Vuçiqi dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin

    Hulumtuesja amerikane: Vuçiqi dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin

    Hulumtuesja amerikane, Ivana Stradner, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por paratë e tij.

    Sipas Stradner, Vuçiq e do vetëm rrugën drejt BE-së pasiqë ka nevojë për para në mënyrë që të mbijetojë në politikë.

    Këto komente Stradner i bëri në rrjetin social “X” ku ka bërë share shkrimin e kryetarës së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kishte shkruar rreth takimit që kishte pasur në Athinë me Vuçiqin.

    “Rruga në BE apo anëtarësim në BE?

    Vuçiq dëshiron rrugën drejt BE-së, sepse ai ka nevojë për paratë tuaja për mbijetesën e tij politike.

    Ai nuk dëshiron anëtarësimin në BE”, ka thënë Stradner.

    Ndërsa der Leyen ka shkruar se me presidentin serb ka folur “për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së”.

    “Kam folur me presidentin Aleksandër Vuçiq për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Integrimi më i ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është jetik, veçanërisht përballë luftës ruse kundër Ukrainës”, ka thënë der Leyen.

  • Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Analisti amerikan dhe ligjëruesi i Universitetit të “Johns Hopkins”, Edëard Joseph ka folur për takimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka paralajmëruar Zelenskyn se do të dëgjojë shumë marrëzi për gjoja ‘neutralitetin’ serb ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

    Ai i ka kërkuar po ashtu Zelenskyt që të mos bjerë në grackën e përpjekjes për të kërkuar mbështetjen e Vuçiqit, në takimin e tyre kokë më kokë.

    “Marrëdhënia e Vuçiqit me Rusinë – dhe fuqia e tij – mbështetet në izolimin e Kosovës. Si Rusia ashtu edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër vendit tuaj. Në të vërtetë, ministri i Mbrojtjes i Vuçiqit – dhe kreu i partisë së tij politike – sapo fajësoi promovimin perëndimor të pavarësisë së Kosovës për pushtimin e Rusisë në vendin tuaj. Këtu hyn Ukraina”, ka thënë analisti amerikan në rrjetin social “X”, shkruan KosovaPress.

    Sipas tij, marrëdhëniet Beograd-Moskë prishen kur asnjë kryeqytet nuk mund ta izolojë Kosovën.

    “Njohja e Kosovës nga Kievi do të katalizojë 4 shtetet jonjohëse të NATO-s që të ndjekin shembullin. Siç e dini, rruga për anëtarësimin në NATO është çelësi. Pasi të përfundojë izolimi ruso-serb i Kosovës, është fundi i lojës për sharadën e Vuçiqit. Beogradi do të ketë vetëm një opsion: atë që ju dhe qytetarët tuaj e keni zgjedhur, të mirëpresë dhe pranojë NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë një goditje të madhe Putinit”, ka shkruar ai mes tjerash.

    “President Zelensky, ji i gatshëm të dëgjosh shumë marrëzi për “neutralitetin” serb ndaj agresionit rus kundër vendit tënd. Siç e dini, e vetmja gjë më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë. Serbia jo vetëm që refuzon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi shpërfill hapur politikën e BE-së duke mirëpritur mediat RT dhe Sputnik, duke përkrahur narrativat pro-ruse në të gjithë rajonin. Vuçiq ka lënë në krye të inteligjencës bashkëpunëtorin e Rusisë, të sanksionuar nga SHBA, Vulinin”, ka shkruar Joseph.

    Sipas tij, Vuçiq dhe Vulin e dinë me siguri se sa municione serbe shkojnë në Ukrainë.

    “A e dini se sa municione serbe mbërrijnë në Rusi? Presidenti dhe kryeministri serb pranojnë se votat për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë Rusinë kanë të bëjnë me ruajtjen e pretendimit të Serbisë ndaj Kosovës – nuk kanë të bëjnë me solidaritetin me Ukrainën. Serbia anashkaloi Samitin e Platformës së Krimesë me më shumë se 40 vende, duke ekspozuar ‘shqetësimin’ mashtrues për sovranitetin e Ukrainës. Serbia ka dyfishuar naftën ruse, duke ndërtuar një tubacion të ri me Hungarinë. Nëse vendi juaj, Ukraina, përfundon tranzitin e gazit rus në Hungari, Beogradi do ta zëvendësojë atë me gazin rus. E shikoni? Serbia ruan marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë, ashtu si Vuçiç e ruan marrëdhënien e tij me Putinin. Dikush që është ‘neutral’ do të kishte qëndruar i qetë gjatë kryengritjes së Ëagnerit; në vend të kësaj, Vuçiç përkrahi “reagimin e vendosur, të qartë dhe me vullnet të fortë” të Putinit, duke pretenduar se vetëm Putini mund të kishte pasur sukses. Nuk është çudi që Rusia gëzon mbështetje në Serbi”, ka shkruar ai.

  • “Ky është njeriu i vetëm që mund ta mposht Aleksandar Vuçiqin”

    “Ky është njeriu i vetëm që mund ta mposht Aleksandar Vuçiqin”

    Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq, është i vetmi person në skenën politike të Serbisë që mund ta mposhtë presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në zgjedhje, tha nënkryetari i kësaj partie Predrag Marseniq.

    Ai tha se, sipas hulumtimeve, ka rënie të vlerësimit si të Partisë Progresive Serbe ashtu edhe të Aleksandër Vuçiqit, thuhet në një deklaratë të DSS e Re.

    Marseniq tha për televizionin “Nova S” se Jovanoviq ka njohuri dhe cilësi dhe se qytetarët e dinë këtë.

    Sipas tij, opozita duhet të ulet, të bisedojë dhe të bëjë kompromise dhe të gjejë një gjuhë të përbashkët dhe jo të akuzojë njëri-tjetrin.

    “Aleksandër Vuçiqit po i vjen fundi. Nuk e dimë nëse do të jetë pas një apo dy viti, por largimi i tij politik sigurisht që po afrohet”, theksoi Marseniq.

    Ai tha se DSS e Re beson se duhet ndryshuar qasja ndaj protestës dhe kërkesat e protestës.

    “Kërkesa jonë që në fillim është që Vuçiq të japë dorëheqjen”, theksoi nënkryetari i DSS-së së Re.

    Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq.
  • CNN: Perëndimi nuk sheh qasje ‘të keqe’ ndaj Vuçiqit që rrezikon të destabilizojë Ballkanin

    CNN: Perëndimi nuk sheh qasje ‘të keqe’ ndaj Vuçiqit që rrezikon të destabilizojë Ballkanin

    Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përshpejtuan orientimin e tyre drejt Serbisë. Në vend që të manipulonin kërkesat kontradiktore të shteteve pluraliste dhe të ndara ballkanike, kryeqytetet perëndimore përqendruan pjesën më të madhe të përpjekjeve të tyre në një objektiv të veçantë, shkruan CNN.

    Në artikullin e publikuar nga CNN, thuhet po ashtu se politikat e tyre kishin dy synime: së pari, për ta futur Serbinë në rrethin perëndimor, larg Rusisë, dhe së dyti, të lejojnë administratat e tyre përkatëse të fokusohen plotësisht në mbështetjen e Ukrainës, transmeton KosovaPress.

    “Tradicionalisht një nga aleatët më të afërt të Moskës në Evropë, Beogradi është përpjekur prej kohësh të shkelë kufirin midis lidhjeve të tij historike me Rusinë dhe një të ardhmeje të mundshme të integrimit më të ngushtë evropian. Diplomatët perëndimorë kanë kërkuar të tërheqin presidentin serb Aleksandar Vuqiç nga orbita e homologut të tij rus, presidentit Vladimir Putin, duke u zotuar për një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, duke paralajmëruar njëkohësisht për izolim nëse thyejnë rendin.”

    Por, 18 muaj më vonë, disa vëzhgues thonë se qasja aktuale ka qenë e gjitha me shpërblime dhe pa ndëshkime, dhe si rezultat nuk po mund të arrijë të dy synimet e saj, thuhet më tej.

    Serbia ka refuzuar të marrë pjesë në të gjitha raundet e sanksioneve të BE-së kundër Putinit. Dhe Serbia ka vazhduar të ndjekë interesat e veta në rajon me përgjegjshmëri të zvogëluar, duke nxitur konflikte jashtë vendit për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia në vend, e sigurt se nuk do të qortohen nga Perëndimi.

    Efektet e kësaj janë ndjerë më së shumti në Kosovë, e cila arriti pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por Beogradi – dhe shumë serbë etnikë në veri të Kosovës – ende refuzojnë të njohin sovranitetin e saj, duke tensionuar marrëdhëniet mes fqinjëve.

    CNN foli me disa ekspertë, si dhe me vendas në Serbi dhe në veri të Kosovës, të cilët janë të pakënaqur nga përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për ta tërhequr Serbinë në komunitetin euro-atlantik dhe pretendojnë se ndjekja e vazhdueshme e tyre e politikës rrezikon të largojë aleatët demokratikë dhe të rrisë shqetësimet e sigurisë në rajon.

    “Një kalë trojan rus”

    Qeveritë perëndimore e kanë trajtuar prej kohësh Serbinë si zërin e domosdoshëm ballkanik, ndonjëherë në kurriz të lojtarëve më periferikë, thonë disa vëzhgues.

    “Besimi i tyre është se Serbia është shtet ballkanik, siç e shohin ata. Serbia është ajo që, nëse mund t’i mbështesni – çfarëdo që mund të nënkuptojë – gjithçka do të jetë më e lehtë”, tha për CNN Jasmin Mujanoviq, një shkencëtar politik i specializuar në Ballkanin Perëndimor.

    Ndërsa administratat e njëpasnjëshme amerikane janë përpjekur të sjellin Vuqiçin dhe partinë e tij Progresive Serbe (SNS) “nga të ftohtit”, këto përpjekje “janë bërë veçanërisht të pafytyra” që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha Mujanoviq dhe nuk i kanë arritur objektivat e SHBA-së.

    “Ata duket se besojnë se po e afrojnë Serbinë drejt BE-së dhe NATO-s dhe drejt mendimit perëndimor dhe larg Rusisë… Por kjo nuk është diçka që do të thosha se po reflektohet në terren”, Alicia Kearns, një ligjvënës britanike dhe kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme parlamentare, tha për CNN.

    Vuçiq ka mbajtur prej kohësh një marrëdhënie komode me homologun e tij rus, Putin. Duke folur pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në muajin shkurt, Vuçiq arsyetoi vendimin e tij për të mossanksionuar Rusinë sepse ishte “i vetmi vend që nuk kishte vendosur sanksione kundër nesh në vitet 1990”.

    “Ata mbështetën integritetin tonë territorial në Kombet e Bashkuara”, shtoi ai, duke iu referuar refuzimit të Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia humbi kontrollin e Kosovës pas një fushate bombardimi të NATO-s në vitin 1999, e cila i dha fund masakrimit të shqiptarëve etnikë – të cilët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës – nga forcat serbe.

    Pavarësisht përpjekjeve të mbështetura nga BE drejt tranzicionit energjetik, Serbia mbetet shumë e varur nga Rusia, pasi i ka shitur shumicën e aksioneve të kompanisë së saj të naftës gjigantit shtetëror rus Gazprom.

    Rezultati është se, pavarësisht nga shpresat e deklaruara të Serbisë për t’u bashkuar me BE-në, Vuçiç ka vazhduar të ecë në një litar të ngushtë midis Moskës dhe fuqive perëndimore. Ndonëse ai i është bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë, udhëheqësi i Serbisë ka treguar pak vullnet për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore.

    Në muajin prill, qeveria serbe mohoi raportet se i shiste armë dhe municione Ukrainës, pasi doli një dokument i Pentagonit që pretendonte të kundërtën. Serbia tha në atë kohë se ruante politikën e saj të neutralitetit, megjithëse disa zyrtarë perëndimorë i morën raportet si provë se politika e tyre po funksiononte.

    Disa analistë i thanë CNN se Serbisë i është dashur të bëjë shumë pak për të fituar lëvdata nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë dhe se në realitet Vuçiq ka lënë një gjurmë premtimesh të thyera.

    “Kur patëm rizgjedhjen e tij [Vuçiqit në vitin 2020], të gjithëve na thanë, vetëm prisni deri pas zgjedhjeve, do të shihni papritmas se ai bëhet shumë i orientuar nga perëndimi dhe Evropa”, tha Kearns. “Kjo nuk ndodhi”.

    “Na u tha se ai do t’i bashkohej sanksioneve dhe do të tregonte se ai është vërtet në anën tonë. Nuk ndodhi. Na thanë se ai nuk do të afrohej më shumë me Rusinë. Ai nënshkroi një marrëveshje sigurie me Putinin në muajin shtator. Herë pas here, ai i qesh në fytyrë Perëndimit. Dhe kur i pyes zyrtarët perëndimorë, ‘pse jeni kaq të vendosur të lejoni Vuçiqin të luajë?’ ata thonë se ‘kjo është alternativa më e mirë’”, tha Kearns.

    Kearns ka qenë një nga figurat e pakta perëndimore që kritikoi Serbinë publikisht. Por kjo ka ardhur me një kosto. Pasi ajo foli për CNN, Vuçiq lëshoi një kërcënim të dukshëm ndaj saj gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, duke pretenduar se “nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë” ndaj kritikave të saj ndaj Serbisë, “ne do të detyrohemi të reagojmë”.

    Duke pasur parasysh një sjellje të tillë, disa pyesin nëse i gjithë projekti i integrimit serb është i zbatueshëm, nën qeverinë e saj aktuale.

    “Duke supozuar se ne e sjellim disi mrekullisht Serbinë në BE, me këtë lloj regjimi, ju praktikisht po sillni një kalë tjetër trojan rus në BE, siç keni në formën e [kryeministrit hungarez Viktor] Orban”, Majda Ruge, një eksperte e Ballkanit në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tha për CNN.

    “Po, ju mund të ndikoni në zgjerim, por sigurisht që nuk do të neutralizoni ndikimin rus në rajon – thjesht do ta importoni atë në BE”.

    Kosova dhe sundimi i ligjit

    Efektet e qasjes falëse të Perëndimit ndaj Beogradit ndihen më fort në Kosovë, e cila është varur nga mbështetja perëndimore që nga shpallja e pavarësisë. Ndërsa më shumë se 100 vende e njohin sovranitetin e saj, Serbia nuk e njeh, duke e parë atë si një shtet të shkëputur. Përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve – të mbikëqyrura nga SHBA dhe BE – kanë qenë të ngarkuara dhe herë pas here të dhunshme.

    Pika e ndezjes më e ashpër erdhi pas zgjedhjeve për kryetar komunash në katër komunat veriore të Kosovës në muajin maj. Këto zgjedhje shpesh kalojnë pa bujë: Rreth 90% e popullsisë në këtë rajon janë serbë etnikë, dhe kështu, në rrethana të zakonshme, ata zgjedhin serbët etnikë për kryetarë komunash.

    Por këto nuk ishin rrethana të zakonshme. Në nëntor, kryetarët e komunave nga partia Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon katër komunat, dhanë dorëheqjen njëkohësisht. Të njëjtën gjë e bën edhe oficerë policie, personel administrativ dhe gjyqtarë serbë etnikë në rajon.

    Dorëheqjet e tyre shkaktuan zgjedhje të reja, që do të mbaheshin në muajin dhjetor. Lista Serbe tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi serbët në rajon i bojkotuan ato, me mbështetjen e plotë të Vuçiqit. Por, duke pasur parasysh tensionet, Kosova pranoi të shtyjë zgjedhjet deri në muajin prill – një vendim që u vlerësua nga QUINT-i, një grup joformal që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

    Me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, kandidatët shqiptarë etnikë garuan të pakundërshtueshëm. Zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1,500 njerëz votuan në të katër komunat – një pjesëmarrje prej vetëm 3.5%. Disa kryetarë komunash u zgjodhën me rreth 100 vota.

    Por ndërsa zgjedhjet nuk ishin aspak përfaqësuese, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, çështja kishte ishte që të kishte përfaqësim asgjë më pak se vetë shteti i së drejtës.

    “Kemi katër kryetarë komunash, legjitimiteti i të cilëve është i ulët. Por, megjithatë, nuk ka njeri që është më legjitim se ata. Duhet të kemi shtet ligjor. Ne jemi një republikë demokratike”, tha Kurti për CNN në muajin maj.

    Megjithatë, qëndrimi i kryeministrit është kritikuar si i ashpër dhe pa kompromis. Aleatët e tij e akuzuan atë për hyrjen me forcë në zyrat e kryetarëve të komunave më 26 maj, kur u rrethuan nga protestuesit

    “Shtetet e Bashkuara i thanë Kurtit – dhe këtu ai e ka fajin – ata i thanë të mos i vendoste në ndërtesat komunale (kryetarët). Dhe këtu Kurti e injoroi drejtimin specifik,” tha Edëard Joseph, një pedagog i politikës së jashtme në Universitetin Johns Hopkins, i cili shërbeu për dhjetëra vjet në Ballkan, duke përfshirë NATO-n.

    Një zyrtar i qeverisë së Prishtinës i tha CNN se ata nuk donin t’ua “dorëzonin” ndërtesat zyrtare qeveritare protestuesve. “Kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre… Serbia u kishte kërkuar serbëve që të bojkotojnë zgjedhjet. Tani donin që askush të mos hynte në ato ndërtesa. Por atëherë, pyetja është: Nëse kryetarët e komunave nuk duhet të hyjnë në ndërtesë, kush duhet të hyjë?”

    Por ndërsa Kurti mund të ketë ndërmarrë një veprim të pakoordinuar, përgjigja ndaj kësaj nuk ishte e pashmangshme. Më e keqja e dhunës nuk erdhi në ditën kur kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre, por tri ditë më vonë, në qytetin e Zveçanit – kur kryetari as nuk ishte në ndërtesë.

    Dhuna ishte ekstreme. Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë. Disa lëndime ishin të rënda: Tre ushtarë hungarezë u qëlluan; njërit prej tyre i është prerë këmba.

    Kurti tha për CNN se këta nuk ishin “protestues paqësorë”, por një “milici fashiste” e njohur për të vepruar në veri të Kosovës, “të cilët paguhen dhe urdhërohen nga Beogradi”.

    Qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment.

    Të tjerët pajtohen me Kurtin. Kearns tha për CNN se trupat britanike të stacionuara në Kosovë kishin gjetur “depo armësh të fshehura në kisha dhe ambulanca nga milicia serbe në veri të Kosovës. Kemi dëgjuar për granata jashtë pragut të njerëzve nëse ata refuzojnë të mbështesin milicinë serbe.”

    Pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e përgjigjeve diplomatike është fokusuar në veprimet e Kurtit, për të cilat Kosova ka paguar një çmim të rëndë. Që nga pasojat e zgjedhjeve, Kosova është përjashtuar nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në, është përjashtuar nga projektet evropiane të infrastrukturës dhe është goditur me sanksione që Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se mund t’i kushtojnë ekonomisë së saj 500 milionë euro (550 milionë dollarë) deri në fund të këtij viti.

    Kearns kritikoi përgjigjen “e pabalancuar” nga Perëndimi, duke thënë se ajo injoronte shkakun e vërtetë të telasheve. “Fillimi i krizës ishte ndërhyrja e jashtme e qeverisë serbe në punët e brendshme të Kosovës, ku u tha serbëve të Kosovës që të mos votojnë në zgjedhjet lokale. Kjo është ndërhyrje e jashtme”, tha ajo.

    Kurti është përpjekur të shpallë sovranitetin e Kosovës kundër forcave binjake të ndërhyrjes së jashtme dhe dhunës së organizuar, të cilave sipas Mujanoviqit, SHBA-ja dhe BE-ja janë përgjigjur: “Jo. Kjo nuk është e përshtatshme në këto rrethana.”