ATV

Blog

  • Një javë nga vendimi i Kushtetueses, partitë ende pa lëvizje për çështjen e presidentit

    Një javë nga vendimi i Kushtetueses, partitë ende pa lëvizje për çështjen e presidentit

    Nuk ka pasur ende asnjë takim mes partive politike në Kosovë, një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

    Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

    Pas dekretit, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se do t’i thërrasë për konsultim liderët e partive opozitare për çështjen e presidentit. Mirëpo ftesa ende nuk ka pasur. Partitë opozita tashmë e kanë bërë të qartë se barra kryesore për çështjen e presidentit, bie mbi partinë e parë.

    Negociatat mes LVV-së dhe partive opozitare për gjetjen e një emri për president kishin dështuar pavarësisht takimeve të shumta. Kurti ndërkohë nuk ka pranuar që ta kandidojë edhe për një mandat, Vjosa Osmanin, gjë që ka çuar në një përplasje në mes të kabinetit të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të Kurtit.

    Kësisoj, në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

    Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Kryeministri Kurti, ditë më parë kishte dërguar ftesa drejtuar liderëve të partive të tjera për takim, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Kurti ka folur për atë se si duhet përsëri të ketë negociata me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje për presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

    Ai ishte refuzuar si nga PDK, ashtu edhe nga LDK.

    Si Partia Demokratike e Kosovës, si Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin shprehur gatishmëri të takohen me Kurtin vetëm pas aktgjykimit të Kushtetueses.

    Nëse ky proces dështon brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, vendi shkon në zgjedhje.

  • Kurti shkruan për humbjen e Kosovës: Tash na vlon meraku kolektiv, ishim kaq pranë kualifikimit

    Kurti shkruan për humbjen e Kosovës: Tash na vlon meraku kolektiv, ishim kaq pranë kualifikimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas humbjes së përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, duke bërë thirrje për mbështetje dhe unitet.

    Kurti u shpreh se qytetarët janë ende të mërzitur nga rezultati, por theksoi se kombëtarja ka dhënë emocione të jashtëzakonshme dhe ka bërë krenar gjithë vendin.

    “Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu”.

    Ai nënvizoi se fakti që Kosova ishte pranë kualifikimit tregon potencialin dhe nivelin e lartë të ekipit, duke shtuar se suksese të mëdha priten në të ardhmen e afërt.

    Kurti falënderoi lojtarët, trajnerin dhe stafin për angazhimin e tyre, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta mbështesin përfaqësuesen në çdo kohë.

  • Sulmoi tre zyrtar policor në stacion, qytetari nga Ferizaj dërgohet në mbajtje

    Sulmoi tre zyrtar policor në stacion, qytetari nga Ferizaj dërgohet në mbajtje

    Pasi ishte shoqëruar në stacion policor një person i dyshuar mashkull kosovar, situata është përshkallëzuar me paraqitjen e një të dyshuari tjetër, i cili ka sulmuar tre zyrtarë policorë.

    Sipas raportit, gjatë incidentit si zyrtarët policorë ashtu edhe dy të dyshuarit kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, të dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është në procedurë të mëtejshme hetimore.

  • Gazetarja amerikane rrëmbehet në Bagdad

    Gazetarja amerikane rrëmbehet në Bagdad

    Një gazetare e pavarur amerikane është rrëmbyer në kryeqytetin irakian, Bagdad, dhe një nga të dyshuarit është i lidhur me një milici të mbështetur nga Irani, thonë zyrtarë irakianë dhe amerikanë.

    Shelly Kittleson u rrëmbye të martën në mbrëmje, tha Al-Monitor, një agjenci lajmesh për të cilën ajo ka kontribuar me artikuj, shkruan BBC.

    Ministria e Brendshme irakiane tha se forcat e sigurisë kishin ndjekur rrëmbyesit e gazetares në një ndjekje që rezultoi në përmbysjen e një prej makinave të rrëmbyesve dhe arrestimin e një të dyshuari.

    Një zyrtar i departamentit të shtetit amerikan tha se një individ me lidhje me një grup milicie të lidhur me Iranin, Kataib Hezbollah, u ndalua nga autoritetet irakiane.

    Dylan Johnson, ndihmës sekretar i shtetit për çështjet publike globale, konfirmoi rrëmbimin e një gazetari amerikan, pa e emëruar Kittleson.

  • Si lindi “dita e gënjeshtrave”, ja disa nga teoritë

    Si lindi “dita e gënjeshtrave”, ja disa nga teoritë

    Në Kosovë e botë e njohim si “Dita e Gënjeshtrave”, por nëpër botë njihet si “Dita e Budallenjve” (Fools’ Day). Ndonëse origjina dhe data e saktë ende mbeten të panjohura për njerëzit, mendohet se 1 prilli festohej në Britaninë e Madhe të paktën që në shekullin XIX.

    Në atë kohë, rrengjet dhe gënjeshtrat bëheshin më tepër nga fëmijët, por shumë gjëra kanë ndryshuar ditët e sotme.

    Për sa i përket origjinës, ka teori të ndryshme. Mendohet se tradita e kësaj dite ka nisur në Francë, kur në vitin 1564, u ndryshua kalendari nga ai Julian në atë Gregorian, duke bërë kështu që 1 janari “i vjetër” të bëhej 1 prill.

    Megjithatë, siç thuhet, kishte ende njerëz të cilët Vitin e Ri e festonin me kalendarin e vjetër pra, më 1 prill, duke menduar se ishte akoma 1 janar. Këta u quajtën “budallenj” dhe 1 prilli u bë dita e tyre.

    Më pas, kjo datë u kthye në një traditë argëtuese nga britanikët, të cilët në vitet 1800 filluan t’i bënin njëri-tjetrit rrengje më 1 prill.

    Aq seriozisht u morën këto shaka, sa filluan të praktikoheshin edhe nga institucionet prestigjioze, si për shembull BBC e cila në 1957-ën, botoi një artikull ku thuhej se “të korrat e makaronave në Zvicër po kapnin rekorde, ndërsa jufkat po çelnin nëpër pemë.”

    Ndërsa tani, shkatë janë kufizuar thjesht në gënjeshtra “të bardha” (ose jo edhe aq) që ne i bëjmë njëri-tjetrit, në çdo 1 prill.

    Si festohet nëpër botë?

    Në Francë, Belgjikë, Itali dhe zonat frëngjishtfolëse të Zvicrës, fëmijët e kanë traditë që t’i vendosin njëri tjetrit në shpinë një letër në formë peshku. Në Skoci, 1 prilli zgjat 2 ditë. Ditën e dytë njerëzit shpesh goditen papritur nga pas.

    Në Kanada dhe Angli, gënjeshtrat e 1 prillit lejohen të thuhen deri në mesditë. Pastaj loja mbaron.

    Në Irlandë, tradita dikton dërgimin e dikujt në një “punë budallai”. Ai dërgohet për të dorëzuar një letër, ku supozohet se kërkohet ndihmë.

    Kur personi merr letrën, e hap atë, e lexon dhe i thotë lajmëtarit se do t’i duhet t’ia çojnë letrën një personi tjetër. Kjo vazhdon derisa dikujt i vjen keq dhe i tregon se çfarë thotë letra: “Dërgoje budallain te dikush tjetër”.

    Gjermanët bëjnë një shaka të quajtur “Aprilscherz”, e cila ka të bëjë me rrëfimin e një historie, e cila është krijuar plotësisht për të mashtruar të tjerët.

    Në Greqi, mashtrimi i dikujt në këtë ditë thuhet se i sjell fat shakaxhiut për të gjithë vitin.

    Kurse në vendin tonë, Dita e Gënjeshtrave zgjat 24 orë dhe sigurisht përpiqemi që skenari i hileve dhe mashtrimeve të jetë sa më i besueshëm dhe i rëndë për “të mashtruarin”.

  • Mbrojtja e Smakajt dhe e Kuçit s’do të paraqesin prova në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Mbrojtja e Smakajt dhe e Kuçit s’do të paraqesin prova në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Mbrojtja e Bashkim Smakajt dhe ajo e Hajredin Kuçit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin prova në rastin në të cilin Smakaj e Kuçi së bashku me Hashim Thaçin, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Të dy këto parashtrime, mbrojtja i kan dorëzuar ndaras duke njoftuar se nuk kanë ndonjë listë të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërsa, mbrojtja e Kuçit ka thënë se e rezervon të drejtën që t’i drejtohet gjyqtarit gjatë fjalëve përfundimtare.

    Ndryshe, nga dy të lartpërmendurit, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt kanë thënë se do të paraqesin prova, ndërsa ajo e Fazliut tha se nuk do e bëjë një gjë të tillë. Mirëpo, Fazliu ka rezervuar të drejtën që përmes mbrojtjes të marrë pjesë në deklaratat hyrëse dhe përmbyllëse në këtë rast.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

  • Përfundon afati për deklarimin e pasurisë në Kosovë

    Përfundon afati për deklarimin e pasurisë në Kosovë

    Ka përfunduar procesi i deklarimit të pasurisë në Kosovë, ku deklarimi i pasurisë për zyrtarët publikë zhvillohet në tri faza: me marrjen e detyrës, përfundimin e saj dhe përmes deklarimit të rregullt vjetor për vitin paraprak.

    Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mbi 10 mijë e 350 zyrtarë janë të obliguar për deklarimin e rregullt këtë vit.

    Autoritetet kanë paralajmëruar se menjëherë pas përfundimit të afatit do të nisin procedurat ndëshkuese.

    Vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 130 gjoba për vonesa, përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Agjencia u bën thirrje të gjithë zyrtarëve që ta respektojnë afatin, duke theksuar se transparenca mbetet thelbësore për besimin e qytetarëve në institucionet publike.

  • 27 vjet nga masakra e Lybeniqit

    27 vjet nga masakra e Lybeniqit

    Sot bëhen 27 vjet nga masakra e Lybeniq, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Më 1 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forcat paramilitare serbe, të udhëhequra nga grupi i njohur si “Çakejt”, rrethuan fshatin Lybeniq në Pejë. Pas hyrjes në fshat, ata tubuan banorët në qendër dhe i ndanë burrat nga gratë.

    Më pas, në mënyrë çnjerëzore, u ekzekutuan mbi 80 civilë, mes tyre burra, gra dhe fëmijë. Kjo masakër konsiderohet si një akt gjenocidi ndaj popullsisë civile shqiptare.

    Ndër viktimat ishin edhe tre të mitur: Muhamet Ukshinaj (18 muajsh), Leonard Alimehaj (7 vjeç) dhe Fatmir Alimehaj (17 vjeç), i cili ishte me aftësi të kufizuara fizike. Ata ende figurojnë në mesin e personave të zhdukur.

    Po ashtu, në mesin e viktimave ishte edhe Shyhrete Ukshinaj, një grua shtatzënë, e cila vazhdon të figurojë e zhdukur edhe sot.

    Masakra e Lybeniqit mbetet një nga ngjarjet më makabre të kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve.

  • Mblidhen dy komisione parlamentare, në fokus projektligjet buxhetore

    Mblidhen dy komisione parlamentare, në fokus projektligjet buxhetore

    Dy komisione të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot mbledhjet e radhës.

    Në orën 11:00, Komisioni për Integrime Evropiane do të mblidhet, ku në rend dite është shqyrtimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror.

    Po në të njëjtën kohë do të mblidhet edhe Komisioni për Buxhet. Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit do të shqyrtojnë disa projektligje që lidhen me çështje financiare dhe buxhetore.

  • 17 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s

    17 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s

    Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

    Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

    Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

    Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

    Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë.

    Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është shoqëruar me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

    Gjithashtu, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014.

    Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në vendin tonë. Shqipëria i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë.