ATV

Blog

  • Paralajmërimi i SHBA-së se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, reagon qeveria shqiptare

    Paralajmërimi i SHBA-së se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, reagon qeveria shqiptare

    Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

    Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.

    Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.

    Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

    Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

    “Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

    Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Njoftimi vjen pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

    Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Shqipëria i mbështet sulmet amerikano-izraelit, sepse ajo është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

    Gjatë muajit të kaluar, Kuvendi dhe Posta e Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike.

    Për të dyja sulmet përgjegjësinë e mori grupi Homeland Justice.

    Homeland Justice, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

    Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve kishte thënë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëheshin për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar MEK, që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

    “Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

    Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

    Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

    Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

    Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

    Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre./Rel/

  • Limaj i del në krah Muriqit pas akuzave; Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet

    Limaj i del në krah Muriqit pas akuzave; Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet

    Lideri i partisë politike Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dalë në mbështetje kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas akuzave të rënda që u hodhën ndaj tij nga një tifoz.

    Përmes një reagimi publik, Limaj ka dënuar ashpër gjuhën fyese dhe akuzat ndaj sulmuesit kosovar, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të pabaza.

    “Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet. Të tillët e kanë thuajse në natyrë me fyer e me etiketuar ata që me zemër i kanë shërbyer dhe i shërbejnë atdheut,” ka shkruar ai.

    Ai ka theksuar se persona të tillë nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë kosovare dhe se shpifjet e tyre burojnë nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë dhe respektit për vendin.

    Në fund, Limaj ka shprehur mirënjohje për Muriqin dhe gjithë ekipin kombëtar, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e dashurisë për fanellën dhe shtetin.

    “Vazhdo me kokën lart, jemi krenarë me ju,” përfundoi ai.

  • Punëtorët e KEK-ut s’e morën pagën e 13-të, Sindikata: Kryeministër, edhe ne jemi Kosovë

    Punëtorët e KEK-ut s’e morën pagën e 13-të, Sindikata: Kryeministër, edhe ne jemi Kosovë

    Sindikalistët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës për mosndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut.

    Sindikata e Re e KEK-ut ka thënë se nga ky vendim i ekzekutivit janë lënë jashtë punëtorët e kësaj korporate, por edhe të disa ndërmarrje tjera.

    “Edhe ne jemi Kosovë! Ne jemi ata që çdo ditë punojmë pa u ndalur, në kushte të rënda, mes rrezikut dhe sakrificës, për të mbajtur dritën ndezur në çdo shtëpi të këtij vendi. Ne nuk jemi thjesht punëtorë – ne jemi shtylla që e mban Kosovën funksionale. Ne kemi familje. Kemi fëmijë në shkolla. Kemi prindër të sëmurë. Kemi halle dhe sfida si çdo qytetar tjetër. Por, pavarësisht gjithçkaje, ne nuk ndalemi kurrë. Punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit.”, thuhet në reagimin e tyre.

    Kjo sindikatë ka thënë se punëtorët e KEK-ut padrejtësisht po lihen anash.

    Kundër kësaj, ata kanë paralajmëruar mbajtjen e një konference për të enjten, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

  • Paga e 13’të për deputetët, Ermal Sadiku: Kuvendi s’ka qenë aktiv, secili t’i ndaj nga 500-1000 euro për fëmijët me autizëm

    Paga e 13’të për deputetët, Ermal Sadiku: Kuvendi s’ka qenë aktiv, secili t’i ndaj nga 500-1000 euro për fëmijët me autizëm

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar dhënien e rrogës të 13 për deputetët.

    Ai ka propozuar se nesër për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve me Autizëm, secili deputet duhet të ndajë 500 deri në 1 mijë euro.

    Sadiku tha se ai personalisht nuk e ka marrë këtë rrogë, por do të kontribuoje me këtë shumë.

    Postimi i plotë:

    Të nderuar deputetë

    Si deputet i ri, nuk dua ta luj rolin e protagonistit politik por gjithashtu dua ta bëj një propozim

    Edhepse kuvendi ska qenë aktiv si duhet këtë periudhë, 2025 deri sot, deputetët kanë marrë rrogën e 13-të!

    Në një vend ku njerëzit luftojnë çdo ditë për jetesë, kjo nuk ka as logjikë, as ndjeshmëri. Një vend që mbështetet tek sektori privat, i njejti ska marre rrogen e 13te!

    Prandaj, propozoj: secili deputet i republikës ti japë nga 500 – 1000€ nga kjo rrogë.

    Nesër është dita e fëmijëve me autizëm.

    Për ne është pak, për ta ka shumë vlerë.

    Së bashku mund të bëjmë mbi 50,000€

    Sepse politika fillon me njerëzinë.

    Unë nuk e kam marrë rrogën e 13të por do të kontriboj me të njejtën shumë.

  • Reagimi i FFK-së ndaj sulmeve verbale ndaj Vedat Muriqit: Futbolli si simbol i unitetit dhe krenarisë kombëtare

    Reagimi i FFK-së ndaj sulmeve verbale ndaj Vedat Muriqit: Futbolli si simbol i unitetit dhe krenarisë kombëtare

    Pas humbjes së Kombëtares së Kosovës ndaj Turqisë, kapiteni Vedat Muriqi është bërë objekt i një sulmi verbal, përmes një televizioni, ku një shikues e quajti atë “gjysmë-turk”. Ky reagim ka shqetësuar dhe ka nxitur reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka dalë me një reagim të fuqishëm për të mbrojtur lojtarin dhe rëndësinë e tij për Kombëtaren.

    FFK ka theksuar se Vedat Muriqi ka dhënë gjithmonë maksimumin në fushë, duke theksuar se lidershipi, energjia dhe shpirtin e tij nuk mund t’i matin vetëm golat, por edhe pasionin dhe profesionalizmin që ai shfaq në çdo ndeshje. Federata ka bërë thirrje për unitet dhe ka kërkuar nga qytetarët dhe tifozët që të mos lejojnë përçarje dhe urrejtje.

    Deklarata e FFK-së për Vedat Muriqin

    Futbolli është shumë më tepër se një lojë; ai është një pasqyrë e identitetit, përkushtimit dhe vlerave që ne si shoqëri duam t’i promovojmë. Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar, por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari.

    Vedati ka dhënë gjithmonë më të mirën e tij në fushë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij nuk matet vetëm me golat e shënuar, por edhe me lidershipin, energjinë dhe shpirtin që ai vë në çdo përballje. Ai është një shembull i profesionalizmit, pasionit dhe unitetit që Kombëtarja e Kosovës përfaqëson. Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, por janë emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë.

    Ofendimet dhe komentet fyese në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që individë të tillë, të pakët në numër, të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje. Si institucione dhe si individë, duhet të reagojmë kur vlerat që na bashkojnë dhe përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare janë vënë në dyshim.

  • Kupa e Botës 2026: Këto Janë 10 Kombëtaret Më të Forta për Të Fitua Trofeun

    Kupa e Botës 2026: Këto Janë 10 Kombëtaret Më të Forta për Të Fitua Trofeun

    Kupa e Botës 2026 do të jetë edicioni më i madh në histori, me pjesëmarrjen e 48 ekipeve kombëtare, por fatkeqësisht mungojnë Kosova dhe Shqipëria. Tani, pyetja kryesore mbetet: cilat kombëtare kanë më shumë shanse për të fituar trofeun më prestigjioz në futbollin botëror?

    Pas përfundimit të kualifikueseve dhe me vetëm dy muaj deri në startin e turneut në SHBA, Kanada dhe Meksikë, renditen 10 skuadrat më të forta, bazuar në formën dhe cilësinë e lojtarëve.

    10. Senegali
    Senegali ka kaluar një periudhë intensive: arriti finalen dhe fitoren në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON) dhe regjistroi fitore ndaj Perusë dhe Gambisë. Skuadra e drejtuar nga Sadio Mané hyn në top 10, duke zëvendësuar Norvegjinë dhe Marokun.

    9. Japonia
    Japonia ka pesë fitore radhazi, përfshirë triumfin ndaj Brazilit, edhe pa yllin Takefusa Kubo. Ata tregojnë cilësi në të gjitha repartet dhe konsiderohen kundërshtar i rrezikshëm për ekipet e mëdha evropiane dhe amerikano-jugore.

    8. Gjermania
    Pas një periudhe të vështirë në fund të vitit 2024, Gjermania ka rikuperuar me shtatë fitore radhazi. Me lojtarë në formë si Florian Wirtz, Leonardo Karl dhe Deniz Undav, skuadra e Julian Nagelsman po rritet ndjeshëm.

    7. Holanda
    Holanda mundi Norvegjinë edhe pa Frenkie de Jong dhe Memphis Depay. Barazimi 1-1 me Ekuadorin ishte më pak bindës, por me mbrojtje dhe mesfushë solide dhe vetëm një humbje në 14 ndeshjet e fundit, ata mbeten konkurrues.

    6. Brazili
    Skuadra e Carlo Ancelotti është ende në ndërtim. Humbja 2-1 ndaj Francës tregoi disa mangësi, ndërsa fitorja 3-1 ndaj Kroacisë tregon përmirësim. Me lojtarë si Endrik dhe Igor Tiago, pa harruar Raphinha dhe Vinícius, Brazili mbetet një pretendent serioz.

    5. Anglia
    Anglia zhgënjeu në fillim të vitit 2026 me barazimin ndaj Uruguait dhe humbjen ndaj Japonisë. Përzgjedhësi Thomas Tuchel po eksperimenton me formacionin, pritet përmirësim në ndeshjet vendimtare.

    4. Portugalia
    Portugalia barazoi me Meksikën dhe mundi SHBA-në 2-0. Me lojtarë cilësorë dhe potencial të madh, ata mund të mposhtin pothuajse çdo kundërshtar në ditën e tyre më të mirë.

    3. Franca
    Franca nisi vitin në mënyrë pozitive, duke mundur Brazilin edhe me një lojtar më pak dhe duke fituar ndaj Kolumbisë. Sulmi me Mbappé dhe Dembélé është shumë i fortë, ndërsa mesfusha mbetet paksa e diskutueshme.

    2. Argjentina
    Argjentina fitoi 2-1 ndaj Mauritanisë dhe 5-0 ndaj Zambias. Lionel Messi dhe Julián Álvarez shkëlqyen, ndërsa Nicolás Paz konfirmoi potencialin e tij. Kampionët në fuqi duken gati për të mbrojtur titullin.

    1. Spanja
    Spanja nuk e nisi vitin në mënyrë perfekte, me një barazim ndaj Egjiptit, por kishte dominuar Serbinë më parë. Me skuadrën e plotë dhe kampionët e Evropës, Spanja konsiderohet ekipi më i fortë aktualisht.

    Këto janë 10 kombëtaret më të forta për të fituar Kupën e Botës 2026, me shumë mundësi për të parë surpriza dhe rivalitete të mëdha në këtë turne të jashtëzakonshëm.

  • Crystal Palace vendos çmim të lartë për Adam Wharton

    Crystal Palace vendos çmim të lartë për Adam Wharton

    Crystal Palace ka vendosur të mbrojë yllin e tij të ri, Adam Wharton, duke i vendosur një çmim shitjeje që mund t’i bëjë klubet e mëdha evropiane të tërhiqen.

    Mesfushori 22-vjeçar, ndërkombëtar anglez, është vlerësuar mes 70 dhe 80 milionë eurosh, një shifër që pasqyron rritjen e tij të jashtëzakonshme që nga transferimi nga Blackburn Rovers. Me një kontratë deri në vitin 2029, klubi londinez e bën të qartë se nuk do të negociojë nën këtë shifër, duke e konsoliduar Wharton si një pjesë kyçe dhe praktikisht të “patjetërsueshme”.

    Aftësia e tij për të organizuar lojën dhe energjia fizike e bëjnë atë një nga futbollistët më të kërkuar në Premier League, një talent që garanton ndikim të menjëhershëm në çdo projekt elitar. Interesi i klubeve të mëdha evropiane nuk ka rënë, megjithatë ky çmim i detyron ato të rishikojnë strategjitë e tyre.

    Real Madrid vazhdon ta ndjekë situatën, duke kërkuar të forcojë mesfushën me një profil krijues si ai i anglezit, ndërsa Manchester United gjithashtu e ndjek me kujdes, duke vlerësuar alternativa si Sandro Tonali ose Ederson nëse operacioni bëhet shumë i shtrenjtë.

    Tregu do të japë vendimin përfundimtar, por Crystal Palace ka vendosur tashmë terrenin: kushdo që dëshiron të sigurojë shërbimet e Adam Wharton duhet të jetë gati për një transferim të nivelit të lartë.

  • Irani paralajmëroi Bullgarinë të mos lejojë që SHBA-të të përdorin aeroportet e saj

    Irani paralajmëroi Bullgarinë të mos lejojë që SHBA-të të përdorin aeroportet e saj

    Autoritetet iraniane paralajmëruan anëtaren e NATO-s, Bullgarinë, muajin e kaluar të mos lejojë që SHBA-të të përdorin aeroportet e saj për aeroplanët që marrin pjesë në operacione ushtarake në Iran, tha ministria e jashtme të mërkurën.

    Më herët të mërkurën, Stanislav Balabanov, një deputet i partisë “Ka Njerëz të tillë”, tregoi një shënim të 18 marsit në të cilin qeveria iraniane protestonte kundër furnizimit ushtarak amerikan me karburant të aeroplanëve të parkuar në aeroportin Vasil Levski të Bullgarisë.

    Në shënim, Irani tha se “rezervon të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e saj kombëtare në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

    Më vonë të mërkurën, në një deklaratë për gazetarët, zëvendësministri i jashtëm Marin Raikov konfirmoi shënimin dhe tha: “Bullgaria nuk është në luftë”.

    “ Asnjë aeroplan luftarak nuk po ngarkohet mbi Bullgari për të marrë pjesë në operacione ushtarake”, u tha ai gazetarëve. “Ne mbajmë marrëdhënie diplomatike të paprekura me palën iraniane”.

    Në fund të shkurtit, media bullgare raportoi se disa aeroplanë ushtarakë amerikanë u ulën në aeroportin civil Vasil Levski të Sofjes, dhe autoritetet kanë thënë se ata ishin pjesë e vendosjes së avancuar të NATO-s, të cilën Raikov e konfirmoi të mërkurën.

    “ Parlamenti ynë nuk ka miratuar vendime për të mbështetur veprimet ushtarake përkatëse në rajonin e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.

    Kujtojmë se disa vende evropiane, të shqetësuara për luftën me Iranin, kanë kundërshtuar operacionet ushtarake amerikane.

    Spanja mbylli hapësirën e saj ajrore dhe mohoi qasjen në bazë, Italia refuzoi një ndalesë në bazën Sigonella dhe Franca bllokoi fluturimet e armëve SHBA-Izrael.

  • LDK-ja emëron tre sekretarët e partisë, Abdixhiku: Së shpejti prezantoj edhe kryesinë e re

    LDK-ja emëron tre sekretarët e partisë, Abdixhiku: Së shpejti prezantoj edhe kryesinë e re

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka emëruar dy kryetarë komunash dhe një anëtar kryesie në tri pozita sekretarësh.

    Kryetari i Istogut, Ilir Ferati është emëruar në pozitën e sekretarit të përgjithshëm, kurse kreu i Vitisë, Sokol Haliti nga sot do të jetë edhe sekretar për mërgatën.

    Ndërkaq, anëtari i kryesisë, Visar Azemi është emëruar si sekretar organizativ.

    Për këto ndryshime në strukturën udhëheqëse të LDK-së ka njoftuar kreu i saj, Lumir Abdixhiku.

    “Këto emërime janë pjesë e fazës së konsolidimit organizativ dhe politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përputhje me orientimet të përcaktuara nga Kuvendi i fundit i partisë.”, ka thënë Abdixhiku.

    Ai ka bërë të ditur se së shpejti do të prezantojë edhe përbërjen e re të Kryesisë së LDK-së.

  • BE-ja nis projektin prej 12 milionë eurosh për trajtimin e ujërave të ndotura dhe përmirësimin e cilësisë së ujit në lumin Sitnicë

    BE-ja nis projektin prej 12 milionë eurosh për trajtimin e ujërave të ndotura dhe përmirësimin e cilësisë së ujit në lumin Sitnicë

    Një projekt i ri madhor mjedisor, i financuar nga BE-ja, u nis sot zyrtarisht në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së ujit në lumin Sitnicë dhe uljes së ndotjes industriale.

    Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian po investon 12 milionë euro në infrastrukturë për trajtimin e ujërave të ndotura në Kosova B.

    Projekti do të zbatohet nga UNOPS dhe pritet të ndihmojë në uljen e ndotjes, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe sjelljen e përfitimeve afatgjata për mjedisin dhe shëndetin publik të komuniteteve që jetojnë përgjatë lumit.

    Ai përfshin ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe të një objekti për ruajtjen e kimikateve. Pasi të jetë funksionale, kjo infrastrukturë do të ndihmojë në uljen e shkarkimit të ujërave të patrajtuara në lumin Sitnicë, përmirësimin e trajtimit të efluenteve industriale dhe mbështetjen e përputhshmërisë me vlerat kufitare të emetimeve të BE-së dhe legjislacionin vendor.

    Ceremonia e nënshkrimit të kontratës mblodhi përfaqësues të BE-së në Kosovë, UNOPS-it, KEK-ut, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, NIPAC-ut dhe Zyrës së Koordinatorit të Zhvillimit të OKB-së, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit në adresimin e sfidave mjedisore të Kosovës. Përfaqësuesit e qeverisë dhe të KEK-ut e mirëpritën këtë investim dhe falënderuan Bashkimin Evropian për mbështetjen.

    Duke folur në ceremoni, Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në BE në Kosovë, tha se ky projekt tregon përkushtimin e BE-së për të sjellë rezultate që kanë rëndësi për njerëzit në Kosovë: “Ne jemi partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm dhe duam të sjellim rezultate që kanë rëndësi për njerëzit, dhe duam t’i sjellim ato shpejt. Çfarë mënyre më të mirë për ta bërë këtë sesa me një program si ky, që lidh ekonominë me mjedisin dhe prek jetën e kaq shumë njerëzve në Kosovë.”

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha: “Lumi Sitnicë prek më shumë se 400,000 banorë në disa komuna, gati një të katërtën e popullsisë së Kosovës. Kjo tregon sa i rëndësishëm është ky projekt dhe sa i gjerë do të jetë përfitimi i tij publik.”

    Gramos Hashani, Drejtor Ekzekutiv i KEK-ut, tha: “Për herë të parë në funksionimin e Kosovës B, ujërat e ndotura do të trajtohen në një mënyrë plotësisht të integruar, të kontrolluar dhe të standardizuar.”

    Përveç vetë infrastrukturës, projekti përfshin edhe ngritje të kapaciteteve dhe trajnim të stafit për të mbështetur funksionimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të reja në vazhdimësi. Kjo do të ndihmojë që investimi të japë rezultate afatgjata dhe ta mbështesë KEK-un në funksionimin efektiv të sistemeve të reja.

    Ky projekt është pjesë e mbështetjes më të gjerë të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, infrastrukturën e qëndrueshme dhe përmirësimin e menaxhimit të ujërave të ndotura në Kosovë. Përmes këtij angazhimi të vazhdueshëm, BE-ja mbështet përpjekjet për të ulur ndotjen, për të forcuar standardet mjedisore dhe për të mbrojtur mirëqenien e komuniteteve në mbarë vendin.